Patricët dhe klientët
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Patricët dhe klientët

Deri këtu nuk kemi folur rreth klasave të ulëta të shoqërisë dhe nuk kishim arsye pse ta bënim një gjë të tillë. Çështjet e trajtuara deri tani, kishin të bënin me organizimin primitiv të qytezës dhe në këtë organizim, klasat e ulëta nuk llogariteshin aspak. Qyteza ishte organizuar njëlloj sikur këto klasa të mos ekzistonin. Pra studimi i tyre duhej të priste deri sa të hynim në epokën e revolucioneve.

Qyteza antike, sikurse edhe çdo shoqëri tjetër njerëzore, paraqitet e ndarë në rangje, në dallime, në pabarazi. Në Athinë, njihej dallimi fillestar, më i hershëm, mes eupatridëve dhe tetëve; në Spartë gjejmë klasën e Të Barabartëve dhe atë të Të Ulëtëve; në Eube, atë të kalorësve dhe atë të popullit. Historia e Romës është e mbushur me luftëra midis patricëve dhe plebenjve, luftëra që i ndeshim në të gjitha qytetet sabine, latine dhe etruske. Madje mund të theksohet se, sa më shumë të zbresim në historinë e Greqisë dhe të Italisë, aq më i thellë bëhet edhe dallimi mes rangjeve të ndryshme: kjo është provë e sigurt, që tregon se pabarazia nuk është formuar përgjatë shekujve, por se ajo ka ekzistuar qysh prej zanafillës dhe është bashkëmoshatare me lindjen e qytezave.

Këtu është e rëndësishme të shohim se mbi cilat parime ngrihej ndarja e klasave. Në këtë aspekt, do të ishte më e lehtë të shihnim se nisur nga cilat ide apo cilat nevoja shoqëria njerëzore do të angazhohej në luftë, se cilat ishin kërkesat e klasave të ulëta dhe në emër të cilave parime klasat e larta do të mbronin simdimin e tyre.

Më sipër kemi parë se qyteza kishte lindur nga konfederimi i familjeve dhe i fiseve. Mirëpo, përpara asaj dite që do të shihte lindjen e qytezës, në gjirin e familjes, tashmë, ekzistonin dallime mes klasave. Në fakt, familja nuk copëzohej; ajo ishte e pandashme, sikurse edhe besimi primitiv i vatrës. Nisur nga fakti që biri i madh, ishte i vetmi që trashëgonte nga i ati, ai merrte në duart e tij edhe funksionin priftëror, pronën dhe autoritetin, ku vëllezërit qëndronin përkundrejt tij, ashtu sikurse kishte qëndruar edhe ai, përkundrejt të atit. Nga brezi në brez, nga djali i madh në djalin tjetër të madh, prijësi i madh ishte gjithnjë një i vetëm; ai kryesonte flijimet, thoshte lutjet, gjykonte, qeveriste. Në fillimet e veta, titulli pater i përkiste vetëm atij; kjo fjalë, e cila emërtonte pushtetin dhe jo atësinë, përdorej vetëm për të treguar prijësin e familjes. Bijtë, vëllezërit, shërbëtorëte tij, të gjithë e thërrisnin atë me këtë emër.

Gjejmë kështu në ndërtimin e brendshëm të familjes, parimin e parë të madh shkaktar të pabarazisë. Biri i madh është i privilegjuari në praktikimin e kultit, të trashëgimisë, të udhëheqjes. Me rrjedhjen e brezave, në secilën nga këto familje, formohen krejt natyrshëm degëzimet e ulëta, të cilat, sipas fesë dhe zakonit janë inferiore ndaj degës së djalit të madh, jetojnë nën mbrojtjen e tij, por i nënshtrohen njëkohësisht autoritetit të tij.

Më tej, kjo familje ka shërbëtorë, të cilët nuk e braktisin asnjëherë dhe lidhen me të mbi bazë trashëgimie. Mbi ta, pater-t ose patron-i ushtron një autoritet të trefishtë, të pronarit, të magjistratit dhe të priftit. Ata thirren me emra, që ndryshojnë në funksion të vendeve; emri më i njohur është ai i klientëve dhe ai i tetëve.

Ja pra, tashmë një klasë e ulët. Klienti vendoset poshtë, jo vetëm përkundrejt prijësit suprem të familjes, por edhe nën degëzimet e ulëta. Mes këtyre të fundit dhe atij, ndryshimi qëndron në atë që, anëtari i një degëzimi të ulët, duke u ngjitur në linjën e të parëve të vet, mbërrin gjithnjë te një pater, domethënë në një prijës familjeje, në një prej të parëve hyjnorë, të cilëve familja u drejton lutjet e saj. Meqenëse ky pjesëtar rrjedh prej linjës së një pater-i, në latinisht ai quhet patricius. Përkundrazi, i biri i një klienti, sado lart që të ngjitet në gjenealogjinë e tij, ai nuk mbërrin veçse në një klient ose në një skllav. Midis të parëve të tij nuk ka asnjë pater. Nga ky fakt, për të, rrjedh një gjendje inferioriteti, prej ku atë nuk mund ta nxjerrë askush.

Dallimi mes këtyre dy klasave njerëzish është i prekshëm në atë që ai ka të bëjë me interesat materialë. Prona e familjes i përket krejtësisht prijësit, i cili, mes të tjerash, e ndan mirëqenien që buron prej shfrytëzimit të tyre me degëzimet e ulëta e madje edhe me klientët. Por ndërkohë që dega e ulët gëzon, të paktën, një të drejtë hipotetike mbi pasurinë, në rastet kur ndodhte që dega e lartë shuhej, klienti nuk mund të bëhej kurrë pronar. Ngastrën e tokës që ai kultivon, ai e ka vetëm në përdorim; nëse ai vdes, ajo i kthehet sërish patron-it; e drejta romake e epokave të mëvonshme ka ruajtur nga ky rregull i lashtë një mbetje në atë që quhet jus applicationis. Madje edhe vetë paratë e klientit nuk i përkasin atij; padron i vërtetë i tyre është pronari dhe ai mund t'i konfiskojë ato në çdo çast që i nevojiten. Pikërisht mbi bazën e këtij rregulli të lashtë, e drejta romake thekson se klienti është i detyruar të sigurojë prikën e të bijës së patron-it, se ai duhet të shlyejë gjobat e ndryshme të tij, se ai duhet të japë pjesën e vet ose të kontribuojë në financimin e magjistraturave të tij.

Dallimi bëhet edhe më i dukshëm në rastin e fesë. Pinjolli i një pater-i mund të përmbushë vetëm ceremonitë e kultit të familjes; klienti është i pranishëm; flijimi bëhet edhe për të, po ai vetë nuk mund të flijojë. Mes tij dhe hyjnisë së shtëpisë ka gjithnjë një ndërmjetës. Madje ai nuk mundet të zëvendësojë as një familje që mungon. Edhe sikur kjo familje të shuhet, klientët nuk kanë të drejtë të vazhdojnë kultin; ata shpërndahen. Sepse feja nuk është pasuri e tyre; ajo nuk i përket gjakut të tyre, ajo nuk buron prej të parëve të tyre. Për ta, ajo është vetëm një fe e huazuar; ata mund ta gëzojnë atë, por jo ta kenë në pronësi të tyre.

Le të kujtojmë këtu se, sipas ideve të brezave të lashtësisë, e drejta për të pasur një perëndi dhe për t'iu lutur asaj ishte e trashëguar. Tradita e shenjtë, ritet, fjalët e shenjta që thuheshin gjatë ceremonisë, formulat e fuqishme për të bindur perënditë të vepronin, të gjitha këto trashëgoheshin vetëm përmes gjakut. Pra ishte krejt e natyrshme që, në secilën prej këtyre familjeve të lashta, pjesa e lirë dhe e vërtetë, që zbriste drejtpërsëdrejti nga stërgjyshërit më të lashtë, mishërohej vetëm në tiparin priftëror. Patricët dhe eupatridët kishin privilegjin për të qenë priftërinj dhe të kishin një fe, e cila u përkiste vetëm atyre.

Kështu pra, që përpara se të dilej nga gjendja e familjes, ekzistonte një dallim klasor; besimi i lashtë shtëpiak kishte përcaktuar rangje. Edhe më pas, kur do të kalohej në ndërtimin e qytezës, në ndërtimin e brendshëm të familjes nuk do të ndryshonte asgjë. Madje kemi treguar se qyteti, në fillesat e tij, nuk qe një shoqërim individësh, por një konfederatë fisesh, kurish dhe familjesh dhe se, në këtë lloj aleance, secila nga këto entitete mbeti çka kishte qenë edhe më parë. Prijësit e këtyre grupeve të vogla mblidheshin së bashku, por asnjëri prej tyre nuk ishte zot absolut në shoqërinë e vogël, prijës i së cilës ai ishte. Kjo është edhe arsyeja se përse e drejta romake ia la për një kohë aq të gjatë autoritetin absolutpater-it e po kështu edhe plotfuqishmërinë dhe të drejtën për të dhënë drejtësi për klientët. Pra, dallimi klasor, i lindur në gjirin e familjes, vijoi dhe u pëijetësua në qytezë.

Në periudhën e saj të parë, qyteza nuk qe veç bashkim i prijësve të familjeve. Te ne vijnë dëshmi të një kohe, kur qytetarë mund të ishin vetëm ata. Një mbetje e vjetër e këtij rregulli haset ende në një ligj të lashtë të Athinës, ku thuhet se, qytetar i Athinës mund të ishte vetëm ai që kishte një perëndi shtëpiake. Aristoteli vëren se "në kohët e vjetra, në disa qytete ishte rregull që djali i madh të ishte i vetmi që gëzonte të drejtat politike." Pra ligji nuk llogariste si anëtarë të qytetit as degëzimet e fëmijëve më të vegjël dhe akoma më pak, klientët. Dhe Aristoteli shton se qytetarët e vërtetë në atë kohë, ishin në një numër shumë të vogël.

Për rrjedhojë, kuvendi, i cili mblidhej për të vendosur mbi interesat e përgjithshëm të qytezës, në kohët e lashta, përbëhej vetëm nga kryetarët e familjeve, të ashtuquajturit patres. Kemi të drejtë të mos e besojmë Ciceronin, kur ai thotë se Romuli quajti etër senatorët, për të theksuar dashurinë atërore që ata kishin për popullin. Pjesëtarët e këtij Senati të lashtë natyrshëm e mbanin këtë titull, pasi ata ishin prijës të genteve. Paralelisht me faktin që këta njerëz të mbledhur përfaqësonin qytezën, secili prej tyre vijonte të ishte zot absolut në gens-in e tij, i cili ishte një lloj mbretërie e vogël e tij. Gjithashtu, që në fillesat e Romës, shohim të mblidhet një kuvend tjetër, ku bëjnë pjesë një numër më i madh njerëzish, atë të kurive; por ai ndryshonte fare pak prej kuvendit të patre-ve. Janë përsëri këta që vazhdojnë të përbëjnë elementin kryesor edhe në këtë kuvend; i vetrni dallim është se në të çdo pater vjen i shoqëruar nga familja e tij; madje ai shkon atje i shoqëruar edhe nga farefisi dhe klientët e vet, të cilët janë shenjë e pushtetit të tij. Megjithatë, në këto grumbullime, çdo familje vazhdonte të kishte vetëm një votë. Mund të mendohet se prijësi mund të merrte mendimin e farefisit e madje edhe të klientëve të tij, por, në analizë të fundit, ai që votonte ishte gjithnjë ai. Ndër të tjera, ligji ndalonte që klienti të kishte mendim të ndryshëm nga i zoti i vet. Nëse klientët i bashkëngjiten qytetit, kjo bëhet vetëm përmes ndërmjetësimit të prijësve të tyre patricë. Ata marrin pjesë në kultin publik, shfaqen para gjykatës, hyjnë në kuvende, por gjithnjë pas të zotit të tyre.

Qytezën e periudhave të lashta nuk duhet ta përfytyrojmë si një grumbullim njerëzish që jeton si të mundet, brenda rrethinave të të njëjtave mure. Në ato fillesa, qyteza nuk ishte aspak një vend banimi; ajo është santuari, ku kanë selinë e tyre perënditë e bashkësisë; për njerëzit, ajo përfaqëson kështjellën që i mbron dhe prania e tyre shenjtëron; ajo është qendër e shoqërizimit të njerëzve, vendqëndrim i mbretit dhe priftërinjve, vendi ku jepet drejtësia; por njerëzit nuk jetojnë brenda saj. Edhe për shumë breza të tjerë, njerëzit do të vazhdonin të jetonin jashtë qytezës, në familje të veçuara, të cilat ndajnë mes tyre fshatin. Secila prej familjeve zë pjesën e vet të territorit, ku ajo ka santuarin e saj shtëpiak, ku ajo krijon, nën autoritetin e pater-it të vet, një grup të pandashëm. Në ditë të caktuara, nëse fjala është për interesat e qytetit apo të detyrimeve të lindura nga kulti i përbashkët, prijësit e familjeve shkojnë në qytezë dhe mblidhen rreth mbretit, qoftë për të marrë vendime, qoftë për të marrë pjesë në ceremonitë e flijimit. Sa herë që fjala është për një luftë, të gjithë prijësit vijnë së bashku me familjet dhe shërbëtorët e tyre (sua manus); ata grupohen në bazë fratrish ose kurish, duke formuar kësisoj, ushtrinë e qytezës nën urdhrat e mbretit.

info@balkancultureheritage.com