Perënditë e natyrës fizike
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Perënditë e natyrës fizike

Përpara se të kalojmë nga krijimi i fiseve në lindjen e qytezave, duhet të flasim rreth një ngjarjeje të madhe, të ndodhur në jetën intelektuale të këtyre popullsive të lashta.

Kur kemi hulumtuar besimet e vjetra të popujve në fjalë, kemi gjetur një besim, i cili në qendër të tij kishte të parët dhe simbol të vet, vatrën; ky besim ndërtoi familjen dhe vendosi ligjet e para. Por kjo racë pati gjithashtu, në të gjitha degëzimet e saj, edhe një besim tjetër, atë ku figurat kryesore qenë Zeusi, Hera, Athina, Junoni, pra figurat e Olimpit helenik dhe ato të Kapitolit romak.

Nga këto dy besime, i pari i nxirrte perënditë e veta nga shpirti njerëzor; i dyti nga natyra fizike. Nëse ndjenja e forcës së gjallë dhe e ndërgjegjes që ajo mbartte me vete, e pat frymëzuar për herë të parë njeriun me idenë e parë të hyjnores, përplasja me pafundësinë që e rrethonte dhe e shtypte atë gdhendi në të një ndjenjë fetare të një lloji tjetër.

Njeriu i kohëve të para ishte pa reshtur në prani të natyrës; zakonet e jetës së qytetëruar nuk kishin mundur të vendosnin, ende, mes tij dhe natyrës, një vel ndarës. Shikimi i tij hutohej nga bukuria e natyrës apo nga madhështia e saj. Ai i gëzohej dritës, i trembej natës dhe tek shihte rikthimin e "kthjelltësisë së shenjtë të qiejve", në fund të ndërgjegjes së tij ai ndiente vetëm mirënjohje. Jeta e tij ishte në duart e natyrës. Ai priste me padurim renë bamirëse, prej nga vareshin të korrat e tij; ai i trembej stuhisë, që mund të rrënonte punën dhe shpresën e një viti. Në çdo çast, ai ndiente dobësinë e vet dhe forcën e pakrahasueshme të asaj që e rrethonte. Ndaj kësaj natyre të fuqishme, ai ushqente, njëherazi, një ndjenjë nderimi, dashurie dhe tmerri.

Kjo ndjenjë nuk do ta çonte atë menjëherë drejt konceptimit të një Zoti të vetëm, drejtues të gjithësisë. Ai nuk e kishte ende idenë e gjithësisë. Ai nuk e dinte ende që toka, dielli, trupat qiellorë, janë pjesë të të njëjtit trup; ai nuk mund të përfytyronte se trupat qiellorë nuk drejtoheshin nga një Qenie e vetme. Që në shikimet e para që ai do të hidhte mbi botën e jashtme, ai e përfytyroi atë si një lloj republike të pështjellë, ku forcat kundërshtare luftonin njëra-tjetrën. Meqenëse ai i gjykonte gjërat e jashtme sipas vetes, ku ai ndiente se në të kishte edhe një qenie të lirë, në çdo pjesë të krijimit të rruzullit, te toka, pemët, retë, uji i lumit, dielli, ai nuk do të shihte gjë tjetër veç individë të ngjashëm me veten e tij; ai do ti konsideronte ato si diçka që mendon, të vullnetshme, të aftë për të bërë zgjedhjen e veprimeve të saj. Por duke ndierë se ato ishin shumë më të fuqishme dhe e sundonin atë, ai u detyrua të pohonte nënshtrimin e tij; ai do t'u lutej dhe do t i adhuronte ato, duke i kthyer në perëndi.

Kështu pra, në këtë racë, ideja fetare u paraqit në dy forma shumë të ndryshme. Nga njëra anë, njeriu ia bashkëngjiti atributin hyjnor parimit të padukshëm, ndërgjegjes, asaj që ai ndiente në shpirt, asaj që ai ndiente të shenjtë brenda vetes. Nga ana tjetër, ai do t'ua bashkëngjiste idenë që kishte për hyjnoren objekteve të jashtme që sodiste, që donte apo i ndruhej, elementëve fizikë, që sundonin lumturinë ose jetën e tij. Këto dy rende besimesh çuan në lindjen e dy feve, të cilat mbijetuan po aq sa do të mbijetonin edhe shoqëritë greke dhe romake. Këto dy besime nuk do të përplaseshin me njëra-tjetrën; madje, ato do të bashkëjetonin mjaft mirë mes tyre dhe do të bashkëndanin sundimin mbi njeriun; megjithatë, ato nuk u ngatërruan kurrë mes tyre. Dogmat që ato kishin, qenë krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, shpesh kontradiktore, ato ishin ceremoni dhe praktika krejtësisht të ndryshme. Kulti i perëndive të Olimpit dhe ai i heronjve dhe manëve, mes tyre, nuk do të kishin kurrë gjë të përbashkët. Nga këto fe, njëra, ajo e të vdekurve, e ardhur nga një epokë tepër e lashtë, do të mbetej në praktikën e saj gjithnjë e pandryshuar, ndonëse dogmat e saj do të veniteshin pak nga pak; feja tjetër, ajo e natyrës fizike, do të zhvillohej lirisht gjatë rrjedhës së kohërave, duke ndryshuar gradualisht legjendat dhe doktrinat e saj dhe duke shtuar pa reshtur sundimin mbi njeriun.

Raporti i kësaj feje me zhvillimin e shoqërisë njerëzore

Besohet se rudimentet e para të fesë së natyrës janë tepër të lashta; ndoshta ato janë po aq të lashta sa edhe kulti i të parëve; por, meqenëse ajo u përgjigjej disa koncepteve më të përgjithshme dhe më të larta, asaj do fi duhej shumë kohë për t'u fiksuar në një doktrinë të përpunuar. Dihet mirë se, në këtë botë, ajo nuk u krijua brenda një dite dhe as nuk doli e gatshme nga mendja e një njeriu të vetëm. Në fillesat e kësaj feje nuk ka as ndonjë profet dhe as ndonjë grumbull priftërinjsh. Ajo lindi në mendjet e ndryshme njerëzore, si rrjedhojë e efektit që forcat e natyrës ushtronin mbi to. Çdo mendje do e krijonte atë sipas formës së vet. Mes gjithë këtyre perëndive, produkt i mendjeve të ndryshme, do të kishte ngjashmëri, sepse te njeriu, idetë formoheshin sipas një mënyre pak a shumë të njëjtë; por njëkohësisht, edhe shumëllojshmëria e këtyre perëndive do të qe jashtëzakonisht e madhe, pasi çdo mendje krijonte perënditë e saj. Një gjë e tillë do të bënte që për një kohë shumë të gjatë, kjo fe të ishte tejet e pështjellë dhe perënditë që ajo nderonte, të panumërta.

Megjithatë, elementet që mund të hyjnizoheshin, nuk ishin të shumta në numër. Dielli që mbars, toka që ushqen, reja, ku bamirëse ku e dëmshme, këto ishin forcat kryesore që do të ngriheshin në perëndi. Por nga secili prej këtyre elementeve do të lindnin me mijëra perëndi. Arsyeja qëndronte në atë që i njëjti element fizik, i perceptuar në aspekte të ndryshme, do të merrte nga njeriu emra të ndryshëm. Për shembull, dielli, diku do të quhej Herakles (i lavdishmi), diku tjetër Febus (vezullonjësi), në një vend tjetër Apolon (ai që dëbon natën ose të keqen); dikush do ta quante Qenie e epërme (Hyperion), një tjetër, Qenie bamirëse; për një kohë të gjatë, grupet e njerëzve që kishin emërtuar me emra të ndryshëm trupin e ndritshëm qiellor, nuk e dinin që këta emra ia kishin dhënë të njëjtit zot.

Faktikisht, çdo njeri adhuronte vetëm një numër të vogël hyjnish; por perënditë e njërit nuk dukeshin si perënditë e tjetrit. Në të vërtetë, perënditë mund të ngjasonin me njëra-tjetrën; shumë njerëz kishin mundur, që veç e veç t'i jepnin perëndisë së tyre emrin e Apolonit ose të Herkulit, sepse këto fjalë i përkisnin gjuhës së zakonshme dhe shërbenin si mbiemra që emërtonin Qenien hyjnore nisur nga cilësitë e veta më spikatëse. Por grupet e ndryshme të njerëzve nuk mund të besonin se, nën të njëjtin emër, fshihej vetëm një perëndi. Jupiterët ishin të panumërt; po kështu Minervat, Dianat, Junonët, të cilat ngjanin shumë pak mes tyre. Pjellë ë përfytyrimit të lirë të çdo mendjeje dhe në njëfarë mënyrë pronë e çdo truri, këto perëndi do të mbeteshin, për një kohë të gjatë, të pavarura prej njëra-tjetrës dhe secila do të kishte legjendën dhe kultin e saj të veçantë.

Meqenëse shfaqjet e para të këtyre besimeve i përkasin një epoke kur njerëzit jetonin ende në gjendjen e familjes, këto perëndi fillestare, ashtu si edhe demonët, heronjtë dhe larët, do të kishin tiparet e perëndive të shtëpisë. Çdo familje kishte krijuar perënditë e veta dhe i ruante ato si mbrojtëse; shërbimet e tyre, ajo nuk dëshironte t'i ndante me të tjerët. Ky mendim shfaqet shpesh edhe në himnin e Vedave; nuk ka dyshim se kjo ide mund të ketë ekzistuar edhe në mendjen e Ariave të Perëndimit, sepse ajo ka lënë gjurmë të dukshme në fenë e tyre. Paralelisht faktit që një familje, nëpërmjet personifikimit të një elementi fizik, krijonte një perëndi, ajo ia bashkëngjiste atë vatrës së vet, e radhiste atë mes penatëve të vet, duke shtuar në të, veç formulës së zakonshme të lutjes, edhe disa fjalë të tjera. Kjo është edhe arsyeja, që te njerëzit e lashtësisë hasen shpesh shprehje si: perënditë që banojnë pranë vatrës sime, Jupiteri i vatrës sime, Apoloni i etërve të mi3. "Të përgjërohem, i thotë Tekmesi Ajaksit, në emër të Jupiterit, që banon pranë vatrës tënde." Medea magjistricë, tek Euripidi thotë: "Betohem për Hekatën, kryeperëndeshën time, që unë nderoj dhe që banon në altarin tim të shenjtë". Kur Virgjili përshkruan atë çka është më e lashtë në besimin e Romës, ai tregon Herkulin pranë vatrës së Evandrës, të cilën ai e adhuronte si një hyjni shtëpiake.

Këtu burojnë ato mijëra kulte lokale, mes të të cilave nuk mundi të vendosej kurrë asnjë lloj njësimi. Këtu e kishin burimin edhe luftërat mes perëndive të ndryshme, luftëra që mbushin periudhën e politeizmit dhe që në vetvete, përfaqësojnë luftërat mes familjeve, krahinave apo qytezave. Së fundi, këtu e kishte burimin edhe moria e pafund e zotëve dhe perëndive, prej të cilëve, sigurisht, ne njohim një numër tejet të vogël; shprehemi kështu, pasi shumë prej tyre do të humbnin pa lënë asnjë gjurmë, si rrjedhojë e faktit që familjet apo qytezat e shumta që i adhuronin ato, ose do të shuheshin ose do të shkatërroheshin plotësisht.

Do të kalonte shumë kohë përpara se këto perëndi të linin gjirin e familjeve që i pat konceptuar dhe që i shihnin si pasurinë e tyre. Madje, dihet se shumë prej tyre, nuk do të arrinin kurrë të shkëputeshin nga kjo lloj lidhjeje shtëpiake. Demetra e Eleusisit do të mbetej hyjni e veçantë e familjes së Eumolpidëve; Athinaja e akropolit të Athinës do t'i përkiste familjes së Butadëve, Potitët dhe Nautitët e Romës kishin përkatësisht Herkulin dhe Minervën e tyre. Me shumë të ngjarë, kulti i Venusit do të qëndronte për një kohë të gjatë i kufizuar vetëm brenda familjes Julia, kohë gjatë së cilës, kjo perëndi nuk do të kishte kurrfarë kulti publik në Romë.

Më në fund, do të vinte një kohë, kur hyjnia e një familjeje do të arrinte të fitonte një prestigj të madh mbi përfytyrimin njerëzor dhe fuqia e saj do të shpalosej në përpjesëtim me begatinë e një familjeje; pikërisht atëherë, kjo perëndi do të kërkohej të adoptohej nga e gjithë qyteza, e cila, duke i kushtuar një kult publik, do të niste t'i kërkonte asaj edhe mbrojtjen dhe të mirat e saj. I tillë ishte rasti i Demetrës së Eumolpidëve, Athinasë së Butadëve, Herkulit të Potitëve. Por kur një familje pranonte të ndante me të tjerët perënditë e veta, ajo do të ruante, më së paku, të drejtën e funksionit priftëror për të. Vlen të theksojmë se titulli i priftit, për çdo perëndi, do të mbetej për një kohë të gjatë i trashëgueshëm dhe nuk do të dilte nga gjiri i një familjeje të caktuar. Kjo ishte mbetje e një kohe, kur vetë perëndia ishte pronë e një familjeje të vetme, kur ajo mbronte vetëm këtë familje dhe pranonte vetëm flijimet e saj.

Pra, nuk gabohemi nëse themi se feja e dytë ishte, pikësëpari, në përputhje me gjendjen shoqërore të njerëzve. Djep i saj ishte çdo familje e veçantë dhe ajo do të mbetej, për një kohë të gjatë, mbyllur në kornizën e këtij horizonti të ngushtë. Por ajo u shërbente më mirë sesa kulti i të vdekurve përparimeve të ardhshme të shoqërimit njerëzor. Faktikisht, të parët, heronjtë, manët, ishin perëndi, që në thelb mund të adhuroheshin vetëm nga një numër i paktë njerëzish, pasi ato vendosnin vija ndarëse, përjetësisht të pakalueshme mes familjeve. Feja e perëndive të natyrës përbënte një kuadër më të gjerë. Asnjë ligj i prerë nuk e pengonte përhapjen e kultit të tyre; për nga vetë natyra e tyre, ato mund të adhuroheshin prej më shumë se një familjeje dhe nuk largonin të huajin. Përfundimisht, në mënyrë krejt të pandjeshme, njerëzit do të vinin re se, në thelb, Jupiteri i një familjeje ishte e njëjta qenie apo i njëjti koncept si edhe Jupiteri i një familjeje tjetër; por këtë gjë, ata nuk mimd ta besonin kurrë në rastin e dy larëve, dy stërgjyshërve apo dy vatrave.

Shtojmë këtu se kjo fe e re kishte edhe një moral tjetër. Ajo nuk mjaftohej vetëm së mësuari njerëzve detyrat e familjes. Jupiteri ishte zoti i mikpritjes; ishte ai që dërgonte të huajin, lypësin, "të varfrin e nderuar", "të gjithë ata që duheshin trajtuar si vëllezër". Të gjitha këto perëndi, shpesh, merrnin formë njerëzore dhe u shfaqeshin vdekatarëve. Jo rrallë, ato shfaqeshin për ti ndihmuar ata në luftë, duke marrë edhe vetë pjesë në betejat e tyre; gjithashtu, shpesh, ato shfaqeshin për t u mësuar njerëzve se si të arrinin paqen dhe të ndihmonin ndërsjelltas njëri-tjetrin.

Shoqëria vazhdonte të rritej paralelisht me zhvillimin e kësaj feje të dytë. Mirëpo, është më se e qartë se kjo fe, fillimisht e dobët, do të zgjerohej së tepërmi. Zanafilla e saj ishte disi nën strehën mbrojtëse të simotrës së saj të madhe, te vatra shtëpiake. Atje, perëndia e re kishte zënë një vend të vogël, një cella të ngushtë, përbri altarit të nderuar, me qëllim që një pjesë e vogël e respektit që njerëzit kishin për vatrën, të shkonte drejt zotit. Pak nga pak, zoti, duke fituar më shumë autoritet mbi shpirtin, hoqi dorë nga kjo lloj tutele; ai e la vatrën shtëpiake; ai gjeti një tjetër strehë dhe nisi të kërkonte sakrifica të veçanta, që t'i kushtoheshin vetëm atij. Kjo strehë (naos, nga fjala naio - të banosh) qe ngritur sipas imazhit të vendit të shenjtë të dikurshëm; ashtu si edhe më parë, ajo ishte një cella e vendosur përballë një vatre; por cella u zgjerua, u zbukurua, u kthye në një tempull. Vatra vazhdoi të qëndronte në hyrje të shtëpisë së zotit, por përkundrejt cella-s, ajo dukej tepër e vogël. Ajo që dikur kishte qenë kryesorja, tani nuk ishte veç një element anësor. Ajo reshti së qeni perëndi dhe ra në rangun e një altari të zotit, duke u kthyer në një vend shërbimi për flijimet. Në të digjej mishi i viktimave dhe ofroheshin dhurimet, me lutjet që njeriu i drejtonte hyjnisë së madhërishme, statuja e së cilës ishte vendosur në tempull.

Kur njerëzit do të nisnin të ngrinin tempuj dhe do të hapnin portat e tyre për turmat e adhuruesve, mund të themi të sigurt se inteligjenca dhe shoqëria njerëzore ishin rritur.

info@balkancultureheritage.com