Pozicioni dhe e kaluara e qytetit të Durrësit
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Pozicioni dhe e kaluara e qytetit të Durrësit

~Konstantin Jereçek

Durrësi

Trojet bregdetare shqiptare nga grykëderdhja e Drinil në qytetin e vjetër të Lezhës e deri në krahinën e Vlorës janë një rrafshinë e gjerë dhe e ulët, me pak vende të thata dhe kodrina. Në dimër i gjithë vendi nga Shkodra deri në Vlorë shndërrohet në një zonë moçalore. Në kohërat më të hershme, lokalitetet portale dhe qendrore të këtij vendi ishin pjesërisht zona paramalore, pjesërisht grykëderdhjet e lumenjve të mëdhenj. Helenët e vjetër të Kerkyrës (Korfuzit) themeluan këtu dy koloni, monedhat e argjendta të së cilave mund të gjenden në të gjithë veriun e gadishullit, madje edhe në veri të Danubit. Njëri nga këto ngulmime ishte Durrësi, i cili mbeti gjithmonë një qytet bregdetar i rëndësishëm i këtyre krahinave. Kolonia tjetër pak më e re në moshë, e cila gjendej më në drejtim të jugut, ishte Apolonia në "Gjirin e Jonit", e ndërtuar pak më larg bregdetit, midis grykëderdhjeve të Semanit, i cili në lashtësi quhej Apsos dhe në Mesjetë Devol (kurse sot Devoll quhet rrjedha e sipërme e këtij lumi), dhe Vjosës (Vojussa), Aosit të lashtë.

Apollonia qe për shekuj me radhë një qytet i madh dhe i pasur, por më vonë u shkretua për shkak të pozicionit të saj të pashëndetshëm midis lumenjsh dhe kënetash: ajo u përmend për herë të fundit në shek. VI pas Kr. në kohën e perandorit Justinian. Aty sot kanë mbetur manastiri grek "Panagia tis Apollonias", i ndodhur në një kodër, si dhe fshati Pojan i banuar nga vllehët (aromunët). Trashëgimtarja e Apollonisë u bë Aulona (greq. Aulon = luginë gropë, kanal), qyteti që shtrihej më në jug, që është e përmendur tashmë që në shek. II pas Kr. nga Ptolemeu, kjo është pra Vlora (Valona) e sotme me kështjellën Kaninë.

Dhjetë kilometra në jug të grykëderdhjes së Drinit gjendet grykëderdhja e lumit Mat me një fshat të quajtur Bregmate. Raguzianët prisnin në vitin 1323 që Mbreti Stefan Urosh III (themeluesi i Manastirit të Deçanit) do të vinte ose në Ulqin ose në Mat (a la Mnte). Gjergji dhe vëllai i tij Balsha datojnë më 1375 një letër drejtuar raguzianëve në Breg të Matit (na brëg Mati)\ Nëpërmjet këtyre lumenjve eksportohej dru ndërtimi (kryesisht dru lisi) nga pyjet e zonës bregdetare, nga të cilat sot kanë mbetur vetëm disa pjesë të vogla, përveç këtyre mëndafsh, vaj, mish dhe lëkurë, peshk, veçanërisht ngjala, si dhe putarga të kripura, por më së shumti drithë. Përsa i përket importit, nga vendet përtej detit silleshin verë nga Dalmacia, pëlhurë nga Italia, armë dhe mallra të të gjitha Ilojeve, sheqer, piper, prodhime prej ari, pasqyra etj.

Më tej në drejtim jugor derdhet në det Ishmi, i cili vjen nga qyteti i Tiranës, i njohur në shek. XIV dhe XVI si Isanio me një shesh tregu të vogël, i cili në fillim të shek. XIV shtrihej brenda territorit të Mbretit Stefan Urosh II Milutin. Në grykëderdhjen e këtij lumi në atë kohë ndërtoheshin edhe anije.

Pas grykëderdhjes së këtij lumi pason zona paramalore e Rodonit (121 m), që është fundi perëndimor i një zinxhiri kodrinor me një lartësi prej 200-300 metër. Në mesjetë i gjithë ky ambient paramalor midis lumenjve Ishëm dhe Erzen (Arzen) quhej Rodon. Kurse vetë në kep kishte kisha të vogla dhe manastire. Në këtë krahinë të familjes Topiaj përmendet tashmë që në vitin 1324 kisha e Shën Auastazias në Rodon (Sancta Anastasia alli Rodoni) që njihej akoma edhe në shek. XVII. Aty afër saj shtrihej edhe manastiri i Shën Mërisë së Rodonit (Sancta Maria de Rodono) me një abat katolik që mesa duket i përkiste Urdhrit Domenikan. Kjo kishë ishte e bukur, e pasur dhe kishte edhe një kopsht.

Në anën jugore të zonës paramalore gjendet një kishë dedikuar Shën Pjetrit. Skënderbeu ndërtoi në kep një kështjellë rrënojat e të cilit shihen akoma edhe sot. Raguzianët i dhanë atij këshillën që të mos e ndërtonte qytezën e Rodonit (oppiduni Rodoni), megjithatë në lidhje me "rindërtimin e lokalitetit Rodon"  ai bënte korrespondencë akoma me venedikasit në vitin 1467. Tani, në anën veriore të manastirit françeskan të Shën Antonit, në shqip Shna Ndou, i ndërtuar sërish pas tërmetit të vitit 1852, kisha e vjetër aty pranë është një rrënojë në stilin romanik, me afreske dhe me mbishkrime greke. Para kësaj zone paramalore qendron sot një kullë feneri. Në shek. XIV- XVI rodonezët kishin një emër të keq, sepse ata me anijet e tyre të lehta kishin qejf të sulmonin natën anijet e vogla tregtare që lundronin kalimthi aty pari. Në luginën pjellore Shijak pesë orë të gjatë, ndërmjet zonave paramalore Rodon dhe Pal gjendet grykëderdhja e lumit të madh Erzen (Arzen), Çarzanit (Charzanes) te Ana Komnena, i cili në burimet e shek. XVI-XVII quhet edhe Argenta apo Arzenta.

Territori i qytetit Durrës është një vijë kodrinore e gjatë nga veriu në jug 10 km, majat e së cilës arrijnë deri në 184 m mbi nivelin e detit. Ky zinxhir kodrinor në origjinë ishte padyshim një ishull dhe në lashtësi një gadishull. Tani ajo është e ndarë nga pjesa tjetër nga një lagunë, një liqen moçalor me ujë të kripur, i cili në veri dhe në jug është i ndarë nga deti nëpërmjet dunave ranore. Skajin verior të këtij ishulli të vjetër e formon zona paramalore e Palit (e lartë 39 m), e cila tashmë tek Ana Komnena në shek. XII përmendet si Paliti apo Palus, kurse në monumentet raguziane të shek. XIV hasetsi "porti i Palit" (portus Pali), "tek Pali". Në skajin jugor, pranë detit shtrihet qyteti Durazzo, Epidanmos apo Dyrrhachion i helenëve të vjetër, Dyrrhachiuni i romakëve, në Mesjetë në latinisht Durachiuni, Duraciuni. Në shqip qyteti emrin e ka Durrës (banori i tij durrsak), në italisht Durazzo, ne monumentet e vjetra franceze Duras. Perimetri i qytetit në rrjedhën e shekujve ka ndryshuar shpeshherë, po ashtu edhe vija bregdetare për shkak të tërmeteve të mëdha ka pësuar ndryshime të forla, nëpërmjet rënies së truallit.

Periudhat e lashta të këtij vendi i kanë hulumtuar në mënyrë të hollësishme francezët në kohën e Napoleonit III, të cilët, sidomos Lëon Heuzey, merreshin me studimin e periudhës së Julius Cezarit, të shtyrë nga dëshira e vetë perandorit. Në lidhje me këtë ka dy vepra: "Misioni arkeologjik i Maqednisë" nga Heuzey dhe Daumet (me plan dhe pamje nga Durrësi) dhe "Veprimet ushtarake të Jul Cezarit, studime mbi terrenin në lidhje nie Misionin e Maqedonisë ..." nga Lëon Heuzey (me një hartë të zonave përreth dhe me pamje nga qyteti).

Durrësin e kanë themeluar helenët e fisit dorik të ishullit Kerkyra (sot Korfuz) më 625 para Kr., në bregdet, në vendin ku në atë kohë jetonte fisi ilir i Taulantëve. Kjo koloni quhej Epidamnos. Në bashkësinë e kësaj kolonie ishte sundimtare një aristokraci tregtarësh që kishte për çdo vit nëpunës të rizgjedhur. Më e madhe në numër ishte aty popullsia "demos", e cila më vonë filloi ta luftonte me zell fisnikërinë e qytetit për shkak të të drejtave të saj politike.

Qyteti kishte një "akropol" dhe një kështjellë mbi një kodër (të lartë 98 m) që ndodhet në perëndim të qytetit të sotëm te Durrësit. Siç na njofton Polibios, në brendësi të qytetit kishte burime të forta të ujit të pijshëm të cilësisë së mirë. Ndoshta tek këto burime bënte pjesë edhe Fontana civilei që ndodhej jashtë qytetit të sotëm. Tukidites thotë që qyteti i madh dhe i banuar mirë ishte i ndërtuar mbi një istmus (mbi një sipërfaqe toke të ngushtë), kurse Straboni, një bashkëkohës i perandorit Augustus, shkruan që qyteti shtrihej mbi një gadishull. Përleshjet ndërmjet fisnikërisë së qytetit dhe popullit ishin një nga shkaqet e "Luftës së Madhe të Peloponezit" (431-404 para Kr.), në kohën kur partitë e mëdha të atëhershme në Helas filluan të mbështesnin këto parti të vogla lokale.

Emri i vjetër Epidamnos filloi të shuhej dhe tashmë qytetin e quanin Dyrrhahion. Heuzey është i mendimit që Epidamnos në origjinë ka qenë akropoli mbi kodër, kurse Dyrrhahion ka qenë pjesa e poshtme e qytetit tek porti. Në lidhje me tregtinë e madhe dhe me lulëzimin e kësaj bashkësie dëshminë më të mirë e japin monedhat e argjenda të qytetit, të cilat gjenden nëpër Shqipëri, Dalmaci, Bosnje, Serbi dhe Bullgari, madje edhe në Kroaci, Hungari dhe Zibenbyrgen. Në shekullin III para Kr. këtë koloni helene e shqetësonin ilirët e Mbretëreshës Teutë, nga Mbretëria Ilire që e kishte qendrën në Shkodër, në Risan dhe në Medun. Siç na tregon Polybios, një herë ilirët erdhën me anijet e tyre në port, nën pretekstin që të marrin ujë dhe ushqime dhe zbritën në tokë me qypa ku kishin fshehur shpatat e tyre. Papritmas ata goditen dhe vranë rojet e portës së qytetit dhe pushtuan ledhet, por u dëbuan përsëri nga dyrrahinët trima.

Që prej vitit 229 qyteti ishte nën mbrojtjen e Romës dhe quhej tanimë vetëm Dyrrhakium (Dyrrhachiuni), sepse emri Epidamnus u sillte ndërmend romakëve më tepër një dëm "damnuni" ose humbje. Nga ky qytet "Via Egnatia" që ishte një rrugë e madhe ushtarake romake, të çonte deri në Selanik dhe më tej në Lindjen e Largët. Poeti Lukani (Lucanus) thotë që, një kodër ishte shkaku që Durrësi nuk ishte ishull, gjatë shtrëngatave deti kërcente mbi shtëpitë dhe tempujt e qytetit dhe shkuma e detit mbulonte pullazet. Një poet tjetër, Katuli (Catullus) e quan qytetin "tavemë të detit Adriatik" (Durrachium Adriae taverna). Udhëtarët e shumtë në numër kanë adhuruar shumë perëndeshën Venus.

Dyrrhachium u bë i famshëm gjatë luftës ndërmjet Cezarit dhe Pompeut në vitin 48 prara Kr. Pompeu kishte qytetin nën zotërim, Cezari e rrethoi atë, por u detyrua të tërhiqej dhe kështu skena e luftës u transferua për në Thesali. Pas mbarimit të luftës civile perandori Augustus vendosi në Dyrrhakium një koloni romake. Që prej kësaj kohe aty fillojnë edhe mbishkrimet latine të lokalitetit, të cilat arrijnë deri në shek. VI pas Kr. Mbi madhështinë e Dyrrhakium-it të vjetër dëshminë më të qartë e japin mbetjet e murit të qytetit, të cilat formojnë tri linja. Muri më i vjetër ndodhej krejt në veri. Muri i dytë mesjetar është sot i karakterizuar nga kulla e despotit epirotas Teodor, të shek. XIII. Muri i tretë i ndërtuar në periudhën napolitane-venedikase, i shkurtuar sërish nga turqit, rrethon qytetin e sotshëm të vogël që ka një gjatësi prej 600 metrash dhe një gjerësi prej 250 metrash.

Në periudhën romake Dyrrhakium kishte një ujësjellës të madh, të themeluar nga perandori Hadrian dhe të rinovuar nga perandori Aleksander Severus. Vibius Sequester, shkruan që, uji merrej nga lumi Ululeus, të cilin Heuzey e mban për lumin Arzen (Erzenin e sotëm). Në shek. I-III Dyrrhakium i përkiste provincës Macedonia, kryeqyteti i së cilës ishte Thessaloniku. Pas ndarjes së provincave nga perandori Diokletian, Dyrrhakium u bë kryeqyteti i provincës Epirus Nova (Epiri i Ri), ku në territorin e brendshëm te saj bënte pjesë edhe Lyknidus (Ohri).

Krishterimi hyri në qytet që në kohërat e hershme, si rrjedhim përmenden edhe ipeshkvij të qytetit, ndër të parët e të cilëve ishte Shën Asti, një martir nga koha e perandorit Trajan. Një katastrofë e madhe ishte tërmeti i vitit 345 pas Kr., i cili u ndje shumë edhe në Romë dhë në Kampanjë të Napolit. Një përshkrim i Perandorisë Romake në të njëjtën kohë me tërmetin, pretendon se Dyrrhakium qenka ndëshkuar, shkatërruar dhe zhytur në thellësi të ujërave nga Perëndia për shkak të karakterit të keq të banorëve të tij.

Pas ndarjes së Perandorisë Romake, Durrësi filloi të shijonte sulmet e endjeve të popujve. Në periudhën e perandorit Zeno, kjo krahinë u pëlqente shumë gotëve lindorë, mbreti i të cilëve Teoderih pushtoi Durrësin në vitin 478, vetëm për një kohë të shkurtër. Gotët shumë shpejt kaluan për në Itali. Gjatë kësaj kohe në Kostantinopojë u bë perandor një durrsak. Ky ishte Anastazi I (491-518), pasuesi i perandorit Zeno.

Sipas të dhënave që Suidas ka gjetur në fjalorin e tij, ai bëri shumë ndërtime në vendlindje, sidomos hipodromin dhe përveç këtyre fortifikoi qytetin e tij të lindjes me një mur rrethues të trefishtë. Ndoshta, pikërisht në kohën e tij e ka origjinën edhe një mur 1 metër i gjerë që gjendet 7 km në veri të Durrësit, rrugës  për tek kepi i Palit, i ndërtuar me tulla të bukura bizantine, me një portë, e cila njihet po ashtu me emrin "porta". Ky mur i tërthortë, pa dyshim, ishte për të mbrojtur zonën e banuar dhe të kultivuar të qytetit. Në kohën e pasardhësit të Anastazit, pra nën Justinin I, Dyrrhachium vuajti përsëri pasojat e një tërmeti, sikurse edhe Korinti, dhe perandori qe i detyruar që të rinovonte qytetin me kosto të rnëdha. Ndërtimet e nisura i vazhdoi më tej Justiniani I.

Në shek. VII-XII Durrësi ishte fortifikimi kryesor i bizantinëve në detin Adriatik, sepse ai shtrihej në rrugën që të çonte për në Itali. Popullsia e "Temës" së "Dyrrhachionit" kishte ndryshuar jo pak nëpërmjet përhapjes së sllavëve nëpër gadishull: megjithatë pjesa më e madhe e saj në këto troje ishte vazhdimisht shqiptare (ilire), me qytete greke në jug dhe me romane në veri, ku Skutari (Shkodra), Dulcigno (Ulqini) und Antivari (Tivari) shtriheshin po ashtu në këtë temë. Laguna në lindje të qytetit në shekullin XV quhej Balta, ashtu siç quheshin edhe liqeni i Shkodrës dhe liqenet e vogla përreth Ulqinit. Qyteti Dyrrhachion në periudhën bizantine ishte shumë më i vogël sesa në kohën e romakëve. Fusha e hapur në veri të mureve të atëhershme të qytetit ishte plot me mbetje shtëpish të Vjetra: midis këtyre rrënojava, sipas rrëfimeve të Ana Komnenës dhe të Vilhelmit të Puljes, gjendej në formë barakash kampi i normanëve, nga koha kur ata më 1081 patën rrethuar Dyrrhachionin.

Ana Komnena dallon aty një akropol dhe një pjesë të poshtme të qytetit. Muret e qytetit ishin aq të gjera sa mbi to mund të kalëronin pranë njëri tjetrit katër kalorës. Mbi mure qëndronin kulla katërkëndore të larta 11 këmbë. Mbi një kodër gjendej edhe vetë ,'Praitorioni,z (praetorium), selia e qeveritarit bizantin apo të dukës (dux): sipas Heuzey, nga kjo (praitorioni) dukeshin akoma disa mure, që ndodheshin në fshatin Stan në veri të Durrësit, sipër të ashtuquajturit "Pazar i jashtëm". Mbi portën kryesore veriore qendronte një statujë e vjetër prej bronzi që paraqiste një kalorës. Kjo statujë përmendet nga Ana Komnena. Atë e ka parë në vitin 1436 edhe udhëtari italian Kyriakus (Cyriacus) i Ankonës. Nën pushtetin e metropolitit grek të Dyrrhachionit në kohët më të vjetra, mesa duket në shek. VIII-X, ishin vënë 15 ipeshkvinj, nga Tivari dhe Shkodra e deri në Vlorë. Që prej shek. XI, prej këtyre kishin mbetur vetëm 4, sepse veriu ishte lidhur përsëri me Kishën Romane. Sipas Anna Komnenës, në qytet banonin shumë tregtarë italianë, veçanërisht venezianë dhe amalfitanë. Në dokumentet papnore përmendet në vitin 1362 arkidiakoni i kishës së Shën Mërisë së Amalfitanëve (Malfitanoriuni) në Durrës.

Tek fatet historike të qytetit, në shek. IX pati ndikim edhe ngulimi i arabëve në bregun italian në Bari dhe në Taranto, deri sa këta u dëbuan përsëri nga grekët, pas një lufte tridhjetëvjeçare. Më vonë ky vend u bë arenë e luftërave ndërmjet Perandorisë së Konstatinopojës dhe të carëve të Ohrit. Car Samueli, i cili ishte dhëndri i kryetarit të këtushëm të bashkisë apo të proteionit Johannes Chryselios, e pushtoi qytetin (pas vitit 989) dhe vuri si qeveritar të tij një armen të quajtur Ashota që ishte bashkëshorti i Miroslavës, i të bijës (nga një martesë e mëparshme). Këto detaje në lidhje me Agaten, gruan e Samuelit dhe të bijën e Chryselios, dhe në lidhje me Miroslavën, të bijën e carit i mësojmë në dorëshkrimin e kronikës së Johanes Skylices, të cilat i ka përshkruar për herë të parë dhe me saktësi Dr. B. Prokic. Por bizantinët i fituan sërish për vete Chryseliosin dhe Ashotën dhe e pushtuan Durrësin përsëri (sipas kronikës së Lupus Protospatharius 1005). Si përfundim, cari i fundit i Ohrit, Gjon Vladislavi ra më 1017 gjatë rrethimit të Durrësit, në luftë kundër qeveritarit bizantin, Niketas Pegonites.

Kur Perandoria Greke filloi të binte përsëri, në Durrës pati shpeshherë oficerë apo qeveritarë që vetëshpalleshin perandorë dhe që aty donin të ndërmerrnin fushatën kundër Konstantinopojës, si:  oficeri Maniakes 1043, Nikephoros Bryennios 1077, apo paflagonieri Basilakios. Më vonë luftuan në Durrës edhe normanët, si sundimtarë të rinj të Italisë së Poshtme, kundër bizantinëve dhe aleatëve të tyre. Duka Robert Guiskard u shfaq para mureve të Durrësit në vitin 1081 dhe nuk e hoqi rrethimin as edhe atëherë kur dogji venedikas Domenico Silvio e mposhti flotën normane tek Kepi i Palit, dhe në fushën në lindje të qytetit korri fitore mbi ushtrinë mbështetëse që po afrohej, e cila udhëhiqej personalisht nga perandori Alexios Komnenos (më 18 tetor 1081). Muret pastaj i mbrojtën shqiptari Komiskortis dhe venedikasit, deri sa qyteti ra (më 14 shkurt 1082) nëpërmjet tradhtisë së një fisniku venedikas. Por, pas vdekjes së Robertit venecianët u bënë sërish zotër të Durrësit. Qeveritarët e këtushëm qenë pastaj më së shumti të afërm të perandorit Aleksios: johannes Dukas, johannes Komnenos, të cilët luftuan kundër serbëve, kundër Mbretit Bodin dhe zhupanit të madh Vlkan, së fundi ndër ta ishte edhe një farë Aleksios, nip i perandorit. Ky Aleksios e kishte mbrojtur Durrësin (1107 — 1108) me sukses edhe gjatë Luftës së Dytë me normanët, kundër sulmeve të Boemundit të birit të Robertit, i cili qe përpjekur që t'i pushtonte muret mbrojtëse të qytetit me anë të makinave të luftës, kullave lëvizëse dhe tuneleve të nëndheshme.

Kur kryqtarët dhe venedikasit pushtuan Konstantinopojën (1204), Durrësi ra për një kohë të shkurtër nën posedimin venedikas (1205), por këtë herë vetëm për një kohë të shkurtër. Më vonë këtu sunduan despotët grekë të Epirit, të cilët i kishin rezidencat e tyre në Artë dhe në Janinë. Mbi një kullë katërkëndore jashtë qytetit të tanishëm mund të lexohet akoma një mbishkrim i mbushur me krenari, në vargje greqisht, të vitit 1225, i cili ka si përmbajtje një lavd të madh për despotin Theodoros Dukas Komnenos që u bë më vonë perandor dhe vjehrri i Mbretit serb  Stephan Radoslav. Qytetarët e atëhershëm të Durrësit i njohim nga disa dokumente latine dhe greke. Emrat e tyre janë më tepër greqisht, më pak latinisht si Kyr Pascalis Sarippi, Martin Basababa, Nicolaus Gadeleto, David Lakkiotes, Georgios Paganos Akturios (noter 1258), Demetrios Kavasilas, Theodoros Rhigopulos etj. Ka edhe disa emra sllavë, në vitin 1243, si Kir Cumano de Succotemo (suhi tru = gjemb i thatë Dorn) dhe familja Vrana.

Despoti Mihael II kërkoi ndihmë tek frankët kundër gregëve të Nikaias, të cilët e kishin shtrirë në mënyrë energjike pushtetin e tyre mbi gadishull. Mbreti Manfred i Napolit, i fundit i Shtaufëve, u martua me Helenën, të bijën e Mihaelit dhe mori si prikë Durrësin, Vlorën dhe Beratin (1258). Pasi Manfredi më 1266 gjeti vdekjen në luftë kundër Karlit I të Anzhuve, të vëllait të Mbretit francez Luigji IX, i Shenjtë, Durrësin e pushtuan sërish për vete epirotët, por që u detyruan më 1272 tia lëshonin atë mbretit Karl, i cili kishte pushtuar ishullin e Korfuzit dhe qytetet Krujë, Berat dhe Vlorë. Kështu Karli e quajti veten Mbret i Arbërisë, zot i "Regnum Albaniae". Kapiteni i tij i përgjithshëm e kishte rezidencën e tij në Durrës, ku francezët kishin vendosur edhe një argjipeshkëv katolik.

Menjëherë më pas Durrësi vuajti shumë nga një tërmet që ra në mars të vitit 1273. Mbi këtë tërmet gjejmë raportime në dokumentet napolitane dhe tek historiani grek Pahymeres. Qytetarët kishin dëgjuar një ditë më parë një si zhurmë bubullimë dhe sapo ra nata ndodhi edhe lëkundja e tokës. Shtëpitë nëpër rrugicat e ngushta u shembën dhe zunë brenda banorët e tyre dhe në të njëjtën kohë pati edhe dalje të detit jashtë bregut. I vetmi që mbeti i padëmtuar qe akropoli i qytetit. Shumë qytetarë u arratisën nëpër male ose në Berat. Në ditën e parë shqiptarët që ndodheshin në zonat përreth u mblodhën, nxorën nga rrënojat shumë nga fatkëqijtë, por nga ana tjetër ata plaçkitën shumë aty ku mundën. Menjëherë më pas u shfaq edhe kapiteni i përgjithshëm Anselm de Chau me trupa të shumta, e ngriti qytetin sërish në këmbë dhe e populloi atë përsëri. Disa nga të arratisurit guxuan të vinin përsëri në qytet pas vitit 1284.

Sipas disa dokumenteve napolitane që Hopfi i citon në "Historinë e tij të Greqisë", në qytet u bënë ndërtime çdo vit deri më 1284. Aty u ngritën dhe u lartësuan mure dhe kulla, si p. sh. "Kulla e Madhe" (turris niagista), kulla me cisternë dhe kulla me kapelë. Portat u veshën me hekur. Bashkësia e qytetit (universitas civiuni terre Durachii) mori privilegje mbretërore herë pas here. Krahas kapitenit kishte edhe një kastelan, komandat të trupave mercenare, midis të cilëve kishte edhe arabë (saracenë) të ardhur nga Italia e Poshtme. Nëpunësit e lartë të qytetit përveç gjykatësve (judices)kishin emërtime greke si kastrophylax, prokathenienos (president), protonthinus, thesaurarius.

Emrat e personave që gjenden nëpër dokumente, tregojnë se midis qytetarëve kishte grekë, italianë, shqiptarë dhe disa sllavë, p. sh.: Basilius Bonacose, Conradus Ystrigo, Petrus Romano (gjyqtar 1302), Dimitrius de Bergo (gjyqtar 1338), Sgorus Prone, Nicheta Mataran, Angelus quondam comti Angeli, frati Demetrius Bochachii (dominikan 1374), Alexius de Ricardo Maçay, Bladius Bassarada ushtar (miles 1379), Theodorus Ylarion, Johannes Formica, Proculus Sachat (1388) und Andreas Sachat (1397), prifti Andreas Scamandra, Zacharias një farë (cpiondani) Zacharie Schura (1405). Emra sllavë janë: Johannes Slugubica 1344, Andreas de Miroslavo 1355 etj. Ndër të tjerë përmendet edhe një koloni hebrenjsh.

Malli kryesor i transportit ishte kripa e Durrësit, e cila ndahej në tre lloje: e bardhë, e zezë dhe ngjyrë kafe. Atë e eksportonin deri në Bojanë (Bunë) dhe në Narentë. Përsa i përket tregtisë qytetarëve të Durrësit u bënte një konkurrencë të fortë Valona (Vlora). Në Durrës kishte edhe gurëgdhëndës dhe mjeshtra ndërtimi. Mjeshtri (magister) Andreas Alexi de Durachio kishte ndërtuar në vitet 1448-1477 kisha dhe altare në Arbe, Trogir (kapelën e pagëzimit brenda katedrales) dhe në Split (Spalato): të dhënat në lidhje me këtë mjeshtër i ka përmbledhur Kukuljevic në leksikonin e tij mbi artistët sllavo-jugorë. Krahas kësaj bëheshin shpeshherë dhe ankime në lidhje me piraterinë e durrsakëve, sidomos në zonën kodrinore të Palit.

Anzhutë napolitanë filluan të humbnin shpejt terren në Shqipëri. Kruja, Berati dhe Vlora u pushtuan nga majorët e perandorit të Kostantinopojës, të cilët arritën të pushtonin një herë edhe vetë Durrësin. Por atë ua mori sërish më 1296, kësaj radhe, Mbreti serb Stefan Urosh II Milutin. Menjëherë më pas në qytet gjejmë sërish administratorë napolitanë. Territori i Durrësit ishte i vogël. Kapitenët napolitanë kishin shpeshherë vështirësi me fisnikët shqiptarë nga familjet Topia, Muzakaj (Musachi), Sgura, Matarango, etj. Anzhutë ua lanë shumë shpejt këto troje pasardhësve të dinastisë së tyre, shumë prej të cilëve mbanin titullin e "Dukës së Durrësit" dhe që filluan të përfaqësoheshin në qytet nga një kapiten. Duka Tanush Topia, sunduesi i krahinave midis lumenjve Mat dhe Shkumbin, ishte gjatë viteve 1329-1338 dinasti më i fuqishëm midis të tjerëve që ishin fqinjë me të.

Në kohën kur cari serb Stefan Dushan pas vitit 1343 pushtoi Krujën, Beratin, Vlorën dhe të gjitha krahinat përreth dhe kur Anzhutë në Napoli po luftonin ndërmjet njëri-tjetrit, Durrësi deshi që t'u nënshtrohej venedikasve, por Republika në atë kohë nuk e pranoi këtë kërkesë. Më vonë më 1368 Durrësin e pushtoi princi Karl Topia, por e humbi atë disa herë, kur më 1372 erdhi aty personalisht Ludvigu, Duka i Durrësit dhe më 1379, kur Robert d'Artois, bashkëshorti i dukeshës Ana e Durrësit e pushtoi qytetin me mercenarë spanjollë nga Navarra. Kundër Topisë luftoi edhe dinasti serb Balshë Balsha, në atë kohë zot i Vlorës dhe i Beratit, i cili në një dokument të vitit 1385 e përcaktonte veten si "Dukë i Durrësit nëpërmjet mëshirës së Perëndisë". Por shumë shpejt në afërsi u shfaqën hordhitë kalorsiake të turqve. Nga frika ndaj turqve, në vitin 1386 Karl Topia ua afrojë Durrësin përsëri venedikasve. I biri dhe pasardhësi i tij i sëmurë rëndë Gjergj Topia që ishte bashkëshorti i motrës së princit serb Vuk Brankovic, për mbrojtjen e vet personale mori në një kullë trupa venedikase dhe ia dorëzoi krejt qytetin pak kohë para vdekjes së tij, Republikës së Shën Markut (gusht 1392).

Venedikasit e patën Durrësin nën zotërim nga viti 1392 deri në vitin 1501. Ata konfirmuan privilegjet e vjetra të qytetit dhe u paguanin pensione fisnikëve shqiptarë, të cilët tani e tutje filluan të banonin më tepër brenda qytetit sesa nëpër rrethina. Krahas zotërinjve të mëdhenj në radhët e këtyre fisnikëve kishte edhe të varfër, të cilët kishin humbur të gjithë pasurinë e tyre. Administratori venedikas i qytetit quhej kapedan dhe bajloz "baiulus et capitaneus", dhe zëvendësohej çdo dy vjet nga një tjetër. Dëshira kryesore e banorëve ishte që venedikasit ta kthenin qytetin në një ishull ("quod lerra ponatur in insula")u, me anë të gërmimeve (fossae) dhe të kanalizimeve (cavae). Për këtë u punua edhe në vitin 1455.

Në skajet veriore dhe jugore u punua që "Balta" të lidhej me detin, me qëllim që uji i detit gjatë baticës të mund të futej brenda në lagunë dhe gjatë zbaticës të mund të dilte sërish.

 Punimet i drejtonte një inxhinier (ingeniarius) venedikas. Punëtorët u mblodhën nëpër Durrës, Shkodër, Drisht, Lezhë dhe nëpër vende të tjera. Një pjesë tjetër u dërgua nga princat shqiptarë Skënderbeu, Arianiti dhe Topia. Në këtë ndërmarrje vetëm Topia premtoi se do t'i dërgonte rreth 5000 veta. Nëpërmjet kësaj ato shpresonin se do të pastronin edhe arjrin (resanatio aëris). Legjendat e banorëve tregojnë edhe sot e kësaj dite, se si në lagunë në atë kohë mund të futeshin brenda galera, ashtu siç janë të dukshme edhe gjurmët e hyrjeve të vjetra. Në Durrës kishte dy kështjella, ajo e sipërme apo kryesorja (castruni principale, castello di sopra), e quajtur ndryshe edhe Kështjella e Shën Elisë (castelluni Sancti Elie), ku ishte një kishë e vogël dhe banesa e kështjellarit (castellano) me 26 shigjetarë balistjerë (ballistarii), dhe kështjella e jashtme (castel de fora).

Perimetrin e gjerë të mureve venecianët e patën zvogëluar në vitin 1403, ngaqë në mesin e banorëve nuk gjetën persona të mjaftueshëm që të mund të bënin shërbimin e rojës mbi mure (reduci in minoreni circuitum). Qytetarët mbanin akoma administratën e vjetër me një këshill qyteti (consiliuni universitatis civitatis Durachii) dhe me nëpunësit e zgjedhur për çdo vit të cilët e kishin vendin në lozhë (loggia). Ndër të tjera përmendet edhe një statut i qytetit i përbërë nga 35 kapituj, origjinali i të cilit ruhej në vitin 1398 në manastirin françeskan. Qyteti kishte si kisha latine, ashtu edhe greke. Tregtia nuk ishte e parëndësishme. Nga Serbia vinin karvane me kallaj dhe mallra të tjera. Por, pas vdekjes së Skënderbeut (1468), kur turqit nënshtruan të gjitha krahinat përreth, filloi pastaj edhe degradimi i qytetit.

Kalorësi i ri gjerman Arnold von Harff nga Dukati i Jylihut (Julich) në Rinin e Poshtëm, i cili kaloi këtu në vitin 1496 gjatë udhëtimit për në Palestinë, e përmend Durrësin si një qytet të madh dhe të trazuar në Shqipëri, që ishte akoma nën sundimin e venedikasve. Në ditarin e tij ai shënon edhe një fjalorth të "gjuhës shqipe", prova më e vjetër që kemi deri më lani. Numri i banorëve u pakësua nëpërmjet "ajrit të keq", malaries që po përhapej përsëri nëpërmjet avujve të lagunës, e cila ishte kthyer prapë në moçal. Shumë shpejt filluan të rrëzoheshin edhe muret madje edhe ato të kështjellës së sipërme. Mbi këtë situatë të dëshpëruar gjatë një lufte të re kundër turqve, bashkësia e qyletit më 19 shtator 1500 i bëri një ankesë plot pikëllim Dogjës së Venedikut, dhe akoma më pikëllues ishte raporti i bajlos së fundit venedikas Vinciguerra Gurerrini i bërë më 25 shkurt 1501. Turqit hynë në Durrës më 17 gusht 1501, në kohën  kur venedikasit mundën të arratiseshin me vështirësi në anijet e tyre.

Turqit e zvogëluan Durrësin menjëherë, duke ndërtuar në brendësi të qytetit një mur të ri e të fortë. Ky mur, siç mund të shihet akoma, u bë me materalin e mbledhur nga gurët e rrënojave të vjetra, nga fragmente mermeri dhe skulpturash të vjetra, nga pllaka me mbishkrime romake, bizantine dhe veneciane, nga gurë varresh me emblema, etj. Porta e Madhe (porta grande) në një kullë katërkëndore me ato pjesët nga lashtësia dukej si një muzeum. Në kohën e turqve, Durrësi ishte një qytet i vogël me pothuaj 200 shtëpi, i rrethuar nga mure të forta, me një hendek lë ngushtë e të cekët, por me ujë të pashëndetshëm dhe të kripur, sepse bunmi kryesor kishte mbetur tashmë jashtë mureve rrethuese, larg sa distanca e një të gjuajture me mauzerr. Porti është një vend ankorimi i hapët, i rrethuar nga ana lindore me cekëtira (secca). Në kohët me stuhi anijet gjejnë një mbrojtje më të mirë në zonën kondrinore të Palit apo të Rodonit sesa në Durrës. Kishat u shndërruan nga turqit në xhamia. Argjipeshkvi kalolik nuk lejohej që të banonte më në qytet, por në një fshat në rrethina, më përpara në Kurbin, tani në Delbnisht.

Perimetri i territorit të qytetit në Mesjetë nuk dihet. Aty brenda kishte kullota, vreshta, ara për kultivimin e drithërave, kopshte me pemë, kripore dhe mullinj (1393), si dhe kisha të shumta. Tek kisha e Shën Kollit në vitin 1081 gjendej kampi i perandorit Alexios Komnenos. Kisha e Shën Mhillit ishte në atë kohë qendra e betejës së madhe ndërmjet bizantinëve dhe normanëve, të cilët rrethuan pikërisht në këtë kishë gardën perandorake të varangëve që përbëheshin nga mercenarë skandinavë. Sipas Heuzey kjo kishë ndodhej në lindje të Durrësit në fshatin e sotëm Shemihojl (Shën Mhill). Në bregdet gjendej kisha apo manastiri i Shën Teodorit.

Jul Cezari e kishte kampin në jug të Durrësit në breg të detit. Ky vend në Mesjetë quhej Petra, kurse sot akoma italisht Pietra Biancha, Shkëmbi (guri) i Bardhë. Qendra e fushës pjellore është sot qyteza e Tiranës, e cila përmendet edhe nga Barleti tek "Historia e Skënderbeut". Petrela e sotme me një kështjellë të vjetër mbi lumin Arzen (Erzen) përmendet me emrin Petrula edhe tek Ana Komnena, e bija e perandorit Aleksios Komnenos. Në Mesjetë vendi midis Durrësit dhe Tiranës quhej Skuria (Scuria), sipas familjes fisnike Skura apo Zgura. Hani shkruan që zona përreth qytetit të vogël Nderenjë njihet akoma edhe në kohët tona si Manskuria e Madhe dhe e Vogël, kurse në popull si Mcinase. Një vend tjetër i përmendur shpeshherë në Mesjetë ishte edhe Kunavia, ku dikur e kishte selinë edhe një peshkop grek, sipas Akropolitit midis Durrësit dhe lumit Mat. Një shkrim i vjetër serb i botuar nga ëafarik në veprën e tij "Slavische Altertummer" (Monumente të vjetra sllave) i krahason popujt me kafshë; ndër këta shqiptari (arbanasin) është një lundërz, kurse kunavi (një person nga Kunavia - E.M.) një lepur.

Më vonë në këtë vend pati edhe një ipeshkëv latin të Kunavisë (episcopus Canoviensis), që në vitet 1310-1529 kishte një kishë të Shën Dhimitrit. Një peshkop tjetër grek i Metropolisë së Durrësit e kishte rezidencën në Stefanikë, megjithatë vendodhja e këtij lokaliteti nuk mund të përcaktohet me siguri. Në periudhën napolitane dhe venedikase pasuesi i tij ishte një ipeshkëv latin "episcopus Stephanensis", megjithatë selia e tij ishte më së shumti e bashkuar me dy ipeshkvi të tjera, me atë ku ndodhet sot qyteza e vogël e Prezës (Pessia, Presja) ndërmjet Tiranës dhe lumit Ishëm dhe të lokalitetit të Bendës, të Benës së sotme muhamedane në lindje të Tiranës "ipeshkvi i Bendës dhe i Prezës 1404, ipeshkvi i Stefaniakës dhe i Bendës 1363 dhe 1418 (episcopus Bendensis et Priscensis 1404, Stephanensis et Bendensis 1363, 1418).

info@balkancultureheritage.com