Qyteti në Iliri dhe në Epir
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Qyteti në Iliri dhe në Epir

Gërmimet mbi qytetin në Iliri dhe në Epir kanë zënë një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e arkeologjisë shqiptare. Për më se tri dekada janë bërë gërmime intensive në qendra kryesore, si Lis, Zgërdhesh (Albanopolis?), Selcë e Poshtme (Pelion), Dimale, Bylis, Amantia, Antigonea, Buthrot e në qendra të tjera të dorës së dytë, të cilat kanë lejuar të hidhet një dritë e re rreth këtij problemi. Botimi i materialeve arkeologjike të zbuluara nga këto gërmime ka bërë të mundur fu jepet përgjigje disa çështjeve themelore që lidhen me gjenezën e qytetit, karakterin dhe etapat kryesore të zhvillimit të tij në këto krahina.

Duke marrë përsipër të flasim sot për qytetin në Iliri dhe në Epirin antik, dëshirojmë të vëmë në dukje që në fillim se kumtesa mbështetet në kërkimet e zhvilluara në territorin e Shqipërisë dhe mbi të dhënat e përftuara nga këto kërkime. Si e tillë, ajo do të jetë e kufizuar brenda këtyre caqeve, pa pretendimin për ta parë problemin në një shtrirje më të gjerë. Kemi bindjen se edhe kështu ajo do të mundë të sjellë një dobi, po të mbajmë parasysh se në territorin e Shqipërisë fenomeni është përfaqësuar mirë për të dy krahinat. Nga ana tjetër, kemi menduar ta kufizojmë shqyrtimin e problemit në disa nga aspektet e tij dhe, përmes tyre, të evidentojmë disa nga analogjitë apo veçantitë që vërehen në dy krahinat në fjalë.

Kemi shprehur mendimin se qyteti në Iliri dhe Epir lindi mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të kohës së hekurit, të njohura në vendin tonë si të tipit Gajtan (lokalitet në afërsi të Shkodrës). Është fjala për atë tip vendbanimesh, muret mbrojtëse të të cilëve janë ndërtuar me blloqe gurësh të palatuar e me forma të parregullta, të lidhura në të thatë. Për shkak të gjendjes së kufizuar të kërkimeve, ne nuk bënim në atë kohë ndonjë diferencim midis qendrave të njohura prehistorike të kësaj kategorie dhe detyroheshim të kënaqeshim me një vlerësim të përgjithshëm të tyre.

Kërkimet më të reja në këtë fushë kanë lejuar të bëhet një klasifikim tipologjik e kronologjik në përgjithësi i pranueshëm i tyre. Kështu, në një studim të fundit mbi gjenezën e qytetit në Iliri, N. Ceka ka mundur të veçojë prej tërësisë së vendbanimeve prehistorike të njohura në Shqipëri, një grup që e përfshin në kategorinë e qendrave protourbane. Këtë grup vendbanimesh ai e vendos në shek. VI - V p.Kr. dhe e konsideron si përfaqësues të një faze kalimtare protourbane, e cila, nga pikëpamja kronologjike, qëndron midis vendbanimeve të tipit Gajtan, tipike për shoqërinë fisnore dhe qyteteve të mirëfillta që i pasojnë. Në grupin në fjalë përfshin vendbanimin e fortifikuar të Kalivosë në afërsi të Butrintit e të vetë Butrintit I, dhe, duke u ngjitur drejt veriut, Margëlliçin II e Mashkjezën në afërsi të Bylisit, Dorsën II e Zgërdheshin I në afërsi të Tiranës, Akrolisin e Lisin I, etj.

Në këto qendra ai sheh elementë më të përparuar të karakterit urbanistik, që shprehen në trajtimin e sistemit të fortifikimit me forma të rregullta planimetrike, të cilat arrihen nëpërmjet linjave të drejta e kthesave këndore të murit rrethues dhe ndërtimit të tij me blloqe më të përpunuar e të lidhur më me kujdes sesa në fortifikimet pararendëse. Karakteristikë tjetër esenciale e këtij fortifikimi është mungesa e kullave, ndërsa portat janë ballore dhe përshkojnë me korridorin e tyre gjerësinë e murit. Në jetën ekonomike vëren një zgjerim të prodhimit zejtar si pasojë e inovacioneve teknike (futja e çarkut në prodhimin e qeramikës, etj.) dhe një intensifikim të marrëdhënieve të këmbimit me botën greke, që dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importit jonik në shek. VII dhe atij korintik e atik në shek. VI - V p.Kr., për t'u pasuar pastaj, nga prodhimet e kolonive greke në Dyrrah, Apoloni e Orik. Ky tip vendbanimi, në të cilin realizohet kalimi nga një shoqëri me struktura të mbyllura fisnore në një urbane, përfaqëson për N. Cekën atë që Hekateu e quan polis në Iliri.

Pikëpamja e re shënon pa dyshim një hap përpara në trajtimin e problemit, por vlerësimi që u bën autori disa qendrave të pellgut të Shkodrës dhe në veçanti Gajtanit, për mendimin tonë, nuk është i saktë. Vihet re, nga ana tjetër, tendenca që disa aspekte të jetës shoqërore mbivlerësohen dhe lidhen me vendosjen në këto qendra të pranuara si protourbane, të marrëdhënieve skllavopronare qysh në shek. VII-V p.Kr. Një mendim i tillë na duket i pabazuar. Vendbanimet e fortifikuara të kësaj kohe nuk njohin ende struktura të tilla ekonomike, shoqërore apo formale urbane, që t'i përgjigjen një qyteti të një faze protourbane, siç kërkon termi i përdorur, dhe si të tilla ato nuk e njohin ende atë stad ku të jenë vendosur marrëdhëniet skllavopronare. Edhe nekropolet tumulare, që janë karakteristike për këtë periudhë, në veri e në jug të Shqipërisë, dëshmojnë për një shoqëri që ruan ende tipare të theksuara të një rendi fisnor, i cili, edhe pse në shthurje të shpejtuar, nuk e ka kapërcyer ende atë prag që e ndan nga jeta qytetare. Kjo etapë do të arrihet në shekujt që pasojnë, gjatë formimit dhe zhvillimit të qyteteve të mirëfillta.

Me interes për rastin tonë është fakti se si në Iliri ashtu edhe në Epir, procesi i lindjes së qytetit dhe i jetës qytetare kryhet mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të tipit Gajtan-Kalivo. Siç është vërtetuar në rastin e Butrintit, Margëlliçit, Zgërdheshit, Lisit, Skodrës, etj., ai ndjek në të dyja këto krahina të njëjtën rrugë, por me ndryshimin se në jug ai kryhet pak më herët se në veri. Për të qenë më të saktë, shek. V p.Kr., që është marrë si kufi i fundit për fazën paraurbane, ka vlerë kryesisht për Kaninë dhe pellgun e Vjosës. Më në veri, dhe sidomos mbi lumin Mat në pellgun e Shkodrës, ky proces paraqitet më i vonuar dhe zgjat të paktën deri aty nga gjysma e dytë e shek. IV p.Kr.

Qyteti i mirëfilltë në Iliri e në Epir formohet aty nga fundi i shek. V dhe kryesisht gjatë shek. IV p.Kr. Në këtë kohë atë e kemi të dëshmuar qartë si në burimet e shkruara edhe në ato arkeologjike. Në Epir qyteti i kësaj kohe përfaqësohet me Buthrotin II, Foiniken I e Çukën e Aetojt, ndërsa në Iliri me Amantian e Klosin. Nga pikëpamja arkeologjike, gjurmët e tyre mund t'i ndjekim në radhë të parë nëpërmjet sistemit të fortifikimit, që përbën një nga treguesit më kuptimplotë të tyre dhe përfaqëson atë çka i ka rezistuar më mirë kohës. Kur vëmë në dukje këtë moment, kemi parasysh karakterin intensiv të jetës dhe të ndërtimeve që njohën këto qytete në shekujt që pasuan, në mënyrë të veçantë në kohën romake. Në këto rrethana, pak mund të flitet për aspekte të tjera të jetës dhe të fizionomisë së tyre urbanistike.

Këto qytete i gjejmë të vendosura mbi kodra të dalluara, të mbrojtura mirë dhe me një pozitë dominuese për ambientin që i rrethon, gjithnjë në lidhje të ngushtë me burimet ekonomike dhe rrugët natyrore të komunikacionit, vende në përgjithësi të zgjedhura, që u përgjigjeshin në mënyrë të përsosur kërkesave për një zhvillim të begatshëm të jetës. Ato shtrihen tani në sipërfaqe më të mëdha sesa në qendrat e vjetra paraurbane, mbi bazën e të cilave zhvillohen. Në Butrint hapësira e re e qytetit është 5 ha, në raport me 0.7 ha që zinte qendra e vjetër; në Foinike, Amantia e Klos kjo hapësirë rritet me 10- 20 ha. Fortifikimi i tyre bëhet në një nivel të lartë teknik dhe me disa nocione më të përparuara të artit ushtarak. Planimetritë janë të thjeshta dhe me forma spontane, që diktohen nga terreni dhe aftësitë mbrojtëse të tij. Muri që ndjek në përgjithësi linja të drejta, ndërpritet dendur nga kthesa kënddrejta, të cilat japin ndonjëherë pamjen e dhëmbëve të sharrës. Ata janë bërë tani pjesë e sistemit fortifikues, duke kryer si funksione statike, ashtu edhe mbrojtëse; në rastin e fundit ato kryejnë rolin e kullave, të cilat ende nuk i njeh ky tip fortifikimi. Portat janë të thjeshta, kryesisht të tipit tangencial, ndërsa ato ballore janë më të rralla; vetëm në një rast në Butrint ndeshemi me një tip më të zhvilluar, të njohur si tipi "skea".

Muret janë të tipit poligonal, të punuara me një teknikë të lartë dhe nga mjeshtër të kualifikuar. Ata kanë gjerësinë 3.5 m dhe formohen nga dy faqe anësore dhe mbushja; në distanca të caktuara përdoren gurët lidhës; blloqet e faqeve janë të përmasave të mëdha, ndonjëherë tepër të mëdha. Ndërtimit të portave dhe të kthesave u është kushtuar kujdes i veçantë. Këtu janë përdorur blloqe me forma trapezoidale, që lejojnë zgjidhjen e kërkesave të qosheve. Në pjesët e tjera të murit mbizotëron poligonali, në rastet e ruajtura mirë si në Amantia, Klos apo Çuka e Aetojt, paraqitet me bukuri të rrallë.

Nga këto qytete nuk njohim ndërtime të tjera publike apo private, që të lidhen me këtë fazë, megjithatë, duket se jeta e tyre zhvillohet brenda hapësirës së fortifikuar. Me përjashtim të nekropoleve, gjurmë ndërtimesh jashtë kësaj hapësire gjithashtu nuk janë konstatuar. Kështu, nuk mund të flasim ende për një ndarje të brendshme që të veçojë atë që më vonë do të quhet qytet i poshtëm, ndaj një akropoli.

Prej 5 qyteteve që përshkruam, Klosi gjendet në pikën më veriore. Tre prej tyre gjenden në Epir dhe dy në Iliri, por zona e shtrirjes së tyre është ajo e kontaktit midis dy krahinave. Më në veri këtë tip qyteti, tani për tani nuk e ndeshim. Mbetet, kështu, e paqartë se çfarë paraqesin qytetet ilire të shek. VI p.Kr., që përmenden në burimet e shkruara, ku ishin e ç'fizionomi kishin ato qytete të Ilirisë që përmenden në konfliktin midis Bardhylit dhe Filipit II, pa folur këtu për njoftimet më të hershme. Sa kohë që nuk i kemi dhënë përgjigje të kënaqshme kësaj pyetjeje, mbetet të pranojmë se tipi i qyteteve që përshkruam është më tepër epirot dhe si i tillë mendoj se ai duhet konsideruar si një veçanti e kësaj krahine.

Pas mesit të shek. IV dhe sidomos gjatë shek. III p.Kr., procesi i urbanizimit në Iliri dhe në Epir hyn në fazën e tij më të lartë, që karakterizohet nga një zhvillim intensiv i jetës qytetare dhe nga një shtrirje e saj e mëtejshme në drejtim të veriut dhe të krahinave të brendshme, përgjatë luginave të lumenjve kryesorë të vendit. Një vend të veçantë zë në këtë drejtim krahina në veri të lumit Mat, ku marrin jetë qytete të tilla si Lisi e Skodra dhe një varg qendrash të tjera urbane më të vogla si Meteoni, Ulcini, Rhizoni, etj. Ndër qendrat qytetare që lindën në krahinat e brendshme spikasin Antipatrea, Selca e Poshtme dhe më tej, Lynhidi e Uskana. Në jug ky proces shtrihet në luginën e Drinos, ku lind e zhvillohet si qytet kryesor Antigonea, e pasuar nga një varg kështjellash rreth saj.

Ndërkaq, si në Epir ashtu edhe në Iliri, rriten e zhvillohen qytetet e vjetra, duke u shtrirë me ndërtimet e tyre publike e private përtej hapësirës së mbrojtur, herë  duke zgjeruar, paralel me këto ndërtime, harkun e mureve rrethues (Foinike, Buthrot) e herë duke i lënë këto ndërtime jashtë fortifikimit (Amantia). Një zgjidhje krejt të veçantë i jep këtij procesi Klosi, i cili e realizon zgjerimin e tij duke i dhënë jetë një qyteti të ri, Bylisit, që ndërtohet në kodrën e afërme mbi qytetin e vjetër, jo më larg se 1.000 m në vijë ajrore prej tij.

Në këtë proces, zhvillimi kryhet edhe diferencimi i qendrave urbane. Formohen kategori të ndryshme qytetesh, midis të cilëve veçohen qytetet e mëdha nga masa e qyteteve sekondare dhe e kështjellave që lindin rreth tyre.

Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore në krahinën që zotërojnë. Ata shtrihen në sipërfaqe të gjerë që përfshijnë një hapësirë prej 30-40 ha, siç është rasti i Lisit, Bylisit apo Antigonesë dhe janë të mbrojtura nga mure rrethues të fuqishëm. Në ndërtimin e tyre vazhdon të përdoret, si më parë, stili poligonal, por krahas tij hyn në përdorim edhe ai kuadratik. Tërheq vëmendjen se qy tetet e grupit verior (Lisi, Skodra, etj.) preferojnë pa përjashtim stilin poligonal në fortifikimet e tyre. Ai ka të gjitha tiparet e fortifikimeve të grupit jugor më të hershëm, që përfaqësohej nga Butrinti, Çuka e Aetojt, Amantia e Klosi, por paraqitet tani me elementë esencialë më të përparuar, që lidhen me kërkesat e reja të mbrojtjes dhe konceptet e artit ushtarak të kohës helenistike. Këto elemente janë të përfaqësuar më mirë në Lis, sistemi fortifikues i të cilit ka arritur në ditët tona me një ruajtje të shkëlqyer. Ai dallohet për përdorimin e gjerë të kullave, të cilat kanë kryesisht forma katërkëndëshe me krahët e daljes të shkurtër, por ka edhe raste kur ato janë në trajtë gjysmërrethore. Kullat janë të vendosura gjatë murit rrethues në largësi të ndryshme, veçanërisht në pikat më të rrezikuara dhe te portat. Të fundit janë të shumta, kryesore e sekondare, të tipit tangencial, por në variante të ndryshme. Më të zhvilluarat janë të përforcuara në krah nga një ose dy kulla dhe me korridor të thellë. Lisi, nga ana tjetër, ruan një element të traditës siç është përdorimi i kthesave kënddrejta në linjën e murit, që marrin formën e dhëmbëve të sharrës.

Bylisi, Antigonea dhe një varg qytetesh të tjera në Epir dhe Iliri, prej të cilëve pikën më veriore e shënon Zgërdheshi (Albanopoli?) në afërsi të Krujës, preferojnë fortifikimin me muraturë kuadratike. Ai dallohet për kulla të dendura katërkëndëshe e gjysmërrethore, me dalje të gjata krahëve dhe porta të fortifikuara mirë, nganjëherë me dalje të dyfishtë. Në ndërtimin e mureve vërehet qartë përdorimi i diatoneve dhe i kontraforteve. Në këtë stil bëhen gjithashtu rifortifikime të rëndësishme në qytetet e vjetra (Klos, Amantia, Foinike e Buthrotos). Të dy tipat e përshkruar të sistemit të ri të fortifikimit synojnë tu përgjigjen nevojave të mbrojtjes në kushtet e artit të zhvilluar ushtarak të kohës helenistike.

Qytetet e kësaj kohe paraqiten me struktura urbanistike të zhvilluara, që shprehen në ndarjen e Akropolit nga qyteti i poshtëm si dhe në ndërtimin e brendshëm të qytetit, ku, në rastin e Bylisit dhe të Antigonesë, kemi vërtetuar zbatimin e parimeve urbanistike të përparuara të sistemit ortogonal. Bylisi, si një qytet i ndërtuar ex novo, dallohet veç kësaj, për zgjidhjen e goditur urbanistike të agorasë dhe për ndërtimet e veçanta publike rreth saj (teatri, portikët, stadiumi), që përfaqësojnë realizime nga më të mirat e kësaj kategorie në qytetet ilire.

Këtij zhvillimi urbanistik i përgjigjet një lulëzim ekonomik i qyteteve si në Iliri ashtu dhe në Epir. Kategoria e qyteteve kryesore paraqitet me një zejtari të zhvilluar që mbështetet në punishtet lokale të prodhimit të veglave të punës, të armëve, të qeramikës dhe të veprave të artit. Veprimtaria tregtare e tyre mbështetet tani në monedhat autonome që presin, në emër të bashkësisë qytetare, Skodra, Lisi, Bylisi, Amantia, Olympe e Foinike

Eshtë kjo një periudhë që karakterizohet nga një bum urbanistik si në Epir ashtu edhe në Iliri. Ky proces kryhet kryesisht, gjatë gjysmës së parë të shek. III dhe shërben si bazë për gjithë zhvillimin e mëtejshëm të qytetit në këto krahina deri në pushtimin romak. Krijohet kështu një kuadër krejt i ri në krahasim me periudhën pararendëse të shek. IV, ku jeta qy tetare, e mbështetur në konceptet e reja të kohës, merr pamje të përkryer në zhvillimin e saj të plotë.

Eshtë kjo një periudhë që karakterizohet nga një bum urbanistik si në Epir ashtu edhe në Iliri. Ky proces kryhet kryesisht, gjatë gjysmës së parë të shek. III dhe shërben si bazë për gjithë zhvillimin e mëtejshëm të qytetit në këto krahina deri në pushtimin romak. Krijohet kështu një kuadër krejt i ri në krahasim me periudhën pararendëse të shek. IV, ku jeta qy tetare, e mbështetur në konceptet e reja të kohës, merr pamje të përkryer në zhvillimin e saj të plotë.

Tabloja e përgjithshme paraqitet tani thuajse e njëjtë si në Uiri edhe në Epir. Diferencimi që vërehej në zhvillimin e jetës qytetare në periudhën e mëparshme shuhet, për t'i lënë vend një zhvillimi paralel në të dy krahinat, duke pasur sigurisht, ndonjë veçori lokale.

Duke mbyllur kumtesën time, dua të vë në dukje se tema që u mundova të përballoj shtron për zgjidhje probleme të shumta, prej të cilave unë provova t'u jap përgjigje një rrethi të ngushtë të tyre dhe në shumë drejtime, në mënyrë paraprake, gjë që lidhet edhe me nivelin e sotëm të kërkimeve në këtë fushë.

 

 

info@balkancultureheritage.com