Te njerëzit e lashtësisë, detyrimi për të përjetësuar kultin e shtëpisë ka shërbyer si parim për të drejtën e birësimit. E njëjta fe që e detyronte burrin të martohej, që urdhëronte divorcin në rast shterpësie, që, në rast impotence apo vdekjeje të parakohshme, e zëvendësonte bashkëshortin me një kushëri, vijonte ende t'i jepte familjes një burim të fundit për të shpëtuar nga fatkeqësia aq e kobshme e zhdukjes; ky burim ishte e drejta e birësimit.
"Atij që natyra nuk i ka dhënë djalë, i lind e drejta të birësojë një, në mënyrë që ceremonitë mortore të mos reshtin kurrë." Kështu shprehet ligjvënësi i lashtë i hinduve. Në këtë drejtim disponojmë fjalën e një oratori athinas gjatë një procesi, ku një djali të birësuar i kundërshtohej legjitimiteti i birësimit të tij. Fillimisht, mbrojtësi tregon se cilat janë arsyet për të cilat adoptohej një bir: "Meneklesi, thotë ai, nuk dëshironte të vdiste pa fëmijë; ai kërkonte të linte pas tij dikë për ta varrosur dhe për t'i ofruar më pas ceremonitë e kultit mortor." Më tej, ai tregon se çfarë do të ndodhte nëse gjykata do të anulonte këtë birësim, gjë që nuk do t'i ndodhte atij vetë, por atij që e kishte birësuar; Meneklesi vdiq, por fjala është ende për interesin e tij. "Nëse ju anuloni birësimin tim, ju nuk bëni gjë tjetër veç e lini Meneklesin të vdesë pa bir pas vetes dhe për rrjedhojë, askush nuk do të ofrojë më flijime në nder të tij, askush nuk do t'i ofrojë atij ushqimin mortor dhe përfundimisht ai do të mbetet pa kult.
Pra, birësimi i një djali mishëronte përjetësimin e fesë së shtëpisë, shpëtimin e vatrës, vijimësinë e dhurimeve mortore, prehjen e manëve të të parëve. Duke qenë se birësimi përligjej vetëm mbi bazën e domosdoshmërisë së parandalimit të shuarjes së një kulti, rridhte se ai i lejohej vetëm atij që nuk kishte djalë. Në këtë drejtim, ligji i hinduve ishte i prerë. Jo më pak i tillë është edhe ligji athinas; provë e kësaj është krejt mbrojtja e Demostenit kundër Leokaresi. Në këtë aspekt, asnjë tekst i saktë nuk provon se e njëjta gjë pranohej edhe në të drejtën romake, dhe dimë se në kohën e Gajusit, një burrë i vetëm, mund të kishte djem si në linjë natyrore, ashtu edhe në linjë birësimi. Megjithatë, duket se në kohën e Ciceronit, kjo e drejtë nuk pranohej, sepse në një nga mbrojtjet e tij oratori shprehet: "Cila është e drejta që rregullon birësimin? A nuk duhet që birësuesi të jetë në moshë që të mos ketë më mundësi të ketë fëmijë dhe që para se të birësojë të jetë përpjekur për të pasur? Të birësosh do të thotë t'i kërkosh fesë dhe ligjit atë që nuk ke mundur ta kesh nga natyra5." Ciceroni sulmon birësimin e Klaudiusit, nisur nga fakti që njeriu që e ka birësuar atë, tashmë e kishte një fëmijë dhe ai ngre zërin që ky birësim është kundër të drejtës së fesë.
Kur dikush birësonte një djalë, para së gjithash ai duhej shuguruar në kultin e të tij, "të futej në besimin e tij shtëpiak", "të afrohej ndaj penatëve të tij." Kështu, birësimi kryhej nëpërmjet një ceremonie të shenjtë, e cila duket të ketë qenë mjaft e ngjashme me atë që shënonte lindjen e djalit. Nëpërmjet saj, i ardhuri i ri pranohej në vatër dhe i bashkështohej fesë. Perëndi, sende të shenjta, rite, lutje, gjithçka i bëhej e përbashkët me atin birësues. Për të thuhej in sacra transit, që do të thoshte se ai kishte kaluar në kultin e familjes së re.
Nëpërmjet kësaj ceremonie, ai hiqte dorë nga kulti i tij i mëparshëm. Faktikisht kemi parë se, sipas këtyre besimeve të lashta, i njëjti njeri nuk mund të ofronte flijime për dy vatra dhe as të nderonte dy linja stërgjyshërish. Pasi pranohej në shtëpinë e re, shtëpia prindërore për të bëhej e huaj. Ai nuk kishte më asgjë të përbashkët me vatrën që e kishte parë të lindte dhe ai nuk mund t'i ofronte më asaj ushqimin mortor të të parëve të vet. Lidhja e lindjes ishte këputur; fitimtare dilte lidhja e kultit të ri. Ky njeri bëhej aq i huaj për familjen e tij të mëparshme, saqë, nëse ai vdiste, babai i tij i vërtetë nuk kishte të drejtë të organizonte varrimin dhe as të kryesonte kortezhin mortor. Biri i birësuar nuk mund të hynte më në familjen e tij të dikurshme; shumë-shumë, ligji ia lejonte këtë vetëm nëse, duke pasur një djalë, ai e linte atë në vend të tij, në familjen birësuese. Duke konsideruar që, përjetësimi i kësaj familjeje do të sigurohej, ai mund të dilte prej saj. Por në këtë rast, ai duhej të shkëpuste çdo lidhje me të birin e vet.
Birësimi kishte si korelativ emancipimin. Në mënyrë që djali të kishte mundësinë e hyrjes në një familje të re, kërkohej domosdoshmërisht që ai të dilte nga familja e mëparshme, domethënë që ai të çlirohej nga feja e tij. Pasojë kryesore e emancipimit ishte heqja dorë nga kulti i familjes, ku ai kishte lindur. Romakët e emërtonin këtë akt nëpërmjet emrit mjaft kuptimplotë sacrorium detestatio. Djali i larguar kësisoj, nuk ishte më as për fenë e as për të drejtën, pjesëtar i familjes.