Rreth farefisnisë. Rreth asaj që romakët e quanin agnation
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Rreth farefisnisë. Rreth asaj që romakët e quanin agnation

Platoni thotë se farefisnia është bashkësia e të njëjtave perëndi shtëpiake. Dy vëllezër, thotë më tej Plutarku, janë dy njerëz që kanë detyrën të bëjnë të njëjtat blatime, të kenë të njëjtat perëndi atërore, të ndajnë të njëjtin varr. Kur Demosteni kërkon të tregojë se dy njerëz janë farefis, ai thotë se ata praktikojnë të njëjtin kult dhe i ofrojnë ushqimin mortor të njëjtit varr. Në fakt, në themel të farefisnisë ishte besimi shtëpiak. Dy njerëz mimd të konsideroheshin farefis, kur ata kishin të njëjtat perëndi, të njëjtën vatër, merrnin pjesë në të njëjtin vakt mortor.

Mirëpo, më lart kemi parë se e drejta për t'i ofruar filjime vatrës, përçohej vetëm nga mashkulli në mashkull dhe se kulti i të vdekurve referohej vetëm në linjë mashkullore. Nga ky rregull fetar rezultonte se farefisnia nuk krijohej në vijë femërore. Në mendimin e këtyre brezave të lashtë, femra nuk përçonte as ekzistencën dhe as kultin. Biri trashëgonte gjithçka nga i ati. Njeriu nuk mund t'u përkiste dy familjeve, nuk mund t'u lutej dy vatrave; pra biri nuk kishte as fe dhe as familje tjetër veç asaj të të atit. Si mund të kishte ai një familje mbi bazë amnore? Vetë nëna e tij, ditën kur ishin përmbushur ritet e shenjta të martesës, kishte hequr dorë në mënyrë absolute nga familja e saj; që nga ai çast, ajo ua ofronte ushqimin mortor të parëve të bashkëshortit, njëlloj si të kishte qenë bijë e tyre, dhe ajo nuk kishte më të drejtë t'ua ofronte atë stërgjyshërve të saj, pasi nuk konsiderohej më e rrjedhur prej tyre. Ajo nuk ruante më as lidhje fetare dhe as lidhje të së drejtës me familjen ku kishte lindur. Aq më tepër, i biri i saj nuk kishte asgjë të përbashkët me këtë familje.

Parim i farefisnisë nuk ishte akti material i lindjes; ishte kulti. Kjo gjë’ shihet qartë në Indi. Atje, kreu i familjes, dy herë në muaj ofronte ushqimin mortor; ai u ofronte një ëmbëlsirë manëve të atit të tij, një tjetër gjyshit të tij atëror, një të tretë stërgjyshit në po këtë linjë dhe asnjëherë të parëve në linjë femërore. Për më tepër, duke zbritur akoma më thellë në kohë, por gjithnjë në të njëjtën linjë, ai u ofronte dhurata të parëve të tij në shkallë të katërt, të pestë dhe të gjashtë. Vetëm se për këta, dhurata ishte më e vogël; ajo ishte një libacion i fhjeshtë, me ujë dhe disa kokrra oriz. I tillë është ushqimi mortor; dhe farefisnia llogaritej mbi bazën e këtyre riteve. Kur dy njerëz, të cilët përmbushin veçmas ritin e ushqimit mortor, arrinin të gjenin një njeri të përbashkët, në brezninë e gjashtë të të parëve të tyre, ata konsideroheshin farefis. Ata quhen samanodacas, në rast se stërgjyshi i përbashkët është nga ata që u ofrohet vetëm libacion me ujë, sapindas, nëse ai është nga ata të cilëve u ofrohet ëmbëlsirë4, ndonëse sipas zakoneve, farefisnia e sapindave shkonte deri në shkallën e shtatë dhe ajo e samanodakëve deri në brezin e katërmbëdhjetë. Si në njërin rast, ashtu edhe në tjetrin, farefisnia njihet mbi bazën e asaj që dhurimi i ofrohet ose jo një stërgjyshi të njëjtë; shihet se në këtë sistem, farefisnia në linjën femërore nuk mund të pranohet.

E njëjta gjë vihet re edhe në Perëndim. Është diskutuar gjatë rreth asaj që juriskonsultët romakë e njihnin me termin agnation. Por problemi bëhet i lehtë për t'u zgjidhur, menjëherë sapo i referohemi agnatio-s të besimit shtëpiak. Ashtu sikundër feja përçohej vetëm nga mashkulli në mashkull, po ashtu, të gjithë juriskonsultët e lashtë, dëshmojnë se dy individë mund të ishin anjatë mes tyre, vetëm kur, duke kaluar nga mashkulli në mashkull, rezultonte se ata kishin stërgjyshër të përbashkët. Pra, rregulli për agnation ishte i njëjtë me atë të kultit. Mes këtyre dy gjërave ekzistonte një lidhje e dukshme. Anjacioni nuk ishte gjë tjetër veçse farefisnia e vendosur fillimisht nga feja.

Në mënyrë që kjo e vërtetë të dalë më e qartë, po skicojmë këtu tabelën e një familjeje romake.

Në këtë tabelë, brezi i pestë, i cili jetonte rreth vitit 140 para Jezu Krishtit, përfaqësohet nga katër personazhe. Por a ishin të gjithë ata farefis mes tyre? Sipas ideve tona moderne ata duhej të ishin të tillë; por, sipas mendimit të romakëve, ata nuk do të ishin të gjithë të tillë. Faktikisht, le të shqyrtojmë nëse ata kishin të gjithë të njëjtin kult shtëpiak, domethënë nëse ata u ofronin dhurime të njëjtëve stërgjyshër. Le të marrim rastin e Skipionit të tretë Asiaticus, i vetëm në degën e tij dhe që ofron në ditën e caktuar ushqimin mortor; duke shkuar thellë në kohë, nga mashkulli në mashkull, ai gjen për stërgjysh të tretë Publius Skipion. Po kështu edhe Skipion Emiliani, gjatë ofrimit të blatimit të tij, do të ndeshet, në vargun e paraardhësve të tij, me të njëjtin Publius Skipion. Pra Skipion Asiaticusi dhe Skipion Emiliani janë farefis mes tyre; te hindutë do të quheshin sapindas.

Nga ana tjetër, Skipion Serapion ka për stërgjysh, në shkallë të katërt, Lucius Comelius Skipionin, i cili është njëkohësisht edhe stërgjysh i katërt i Skipion Emilianit. Pra, ata janë farefis mes tyre; te hindutë ata do të quheshin samanodakas. Në gjuhën juridike dhe fetare të Romës, këta tre Skipionë janë anjatë; dy të parët janë mes tyre në shkallë të gjashtë, i treti është me ta në shkallë të tetë.

Me Tiberius Gracchus-in nuk ndodh e njëjta gjë. Ky njeri, i cili, sipas zakoneve tona moderne duhej të ishte farefisi më i afërt i Skipion Emilianit, nuk është kushëri i tij as edhe në shkallën më të largët. Në të vërtetë, për Tiberiusin pak rëndësi ka nëse ai është bir i Kornelias, vajzë e Skipionëve; as ai, as Kornelia, nuk i përkasin me fe kësaj familjeje. Stërgjyshërit e tij janë vetëm Sempronët; ai ua ofron vaktin mortor vetëm atyre; sado thellë të zbresë ai në vargun e paraardhësve të tij, ai nuk do të hasë kurrë në një Skipion. Pra, Skipion Emiliani dhe Tiberius Gracchusi nuk janë anjatë. Lidhja e gjakut është e pamjaftueshme për të vendosur këtë farefisni; për këtë duhet lidhja e kultit.

Nga këtu kuptohet se përse, sipas ligjit romak, dy vëllezër nga ana e të atit ishin anjatë, ndërsa dy vëllezër nga ana e nënës nuk ishin të tillë. Madje, mund të thuhet se as vetëm trashëgimia në linjë mashkullore, nuk mund të konsiderohej parim i pandryshueshëm, mbi të cilin ngrihej farefisnia. Anjatët nuk njiheshin mbi bazën e lindjes, por vetëm mbi bazën e kultit. Në fakt, djali, i cili, si rrjedhojë e emancipimit, ishte shkëputur nga kulti, nuk ishte më anjat me të atin e tij. I huaji që birësohej, domethënë që pranohej në kult, bëhej anjat i birësuesit e madje i krejt familjes së tij. Aq e vërtetë ishte kjo, saqë feja i përcaktonte edhe farefisninë.

Pa dyshim, do të vinte një kohë kur, si për Indinë ashtu edhe për Greqinë e për Romën, farefisnia nëpërmjet kultit nuk do të ishte e vetmja e pranuar. Me dobësimin e kësaj feje të lashtë, zëri i gjakut foli më fort dhe e drejta njohu edhe farefisninë mbi bazën e lindjes. Romakët e quanin cognatio këtë lloj farefisnie, e cila ishte krejtësisht e pavarur nga rregullat e fesë së shtëpisë. Kur lexojmë juriskonsultët, nga Ciceroni deri te Justiniani, shohim se të dy sistemet kanë rivalizuar me njëri-tjetrin, për të vendosur sundimin e vet në fushën e së drejtës. Por në periudhën e Dymbëdhjetë Tabelave, e vetmja farefisni që njihej ishte ajo e agnation-it dhe ishte vetëm kjo e fundit që shpinte në lindjen e të drejtave në fushën e trashëgimisë. Më tej do të shohim se e njëjta gjë ndodhte edhe te grekët.

info@balkancultureheritage.com