Kjo rrugë e rëndësishme me origjinë antike, pjesë e rrugës së gjatë bregdetare Prevezë - Dalmaci ka funksionuar dhe gjatë mesjetës para pushtimit turk. Kjo gjë mbështetet nga dy gjurmë konkrete në terren të lidhura me ekzistencën e rrugës në këtë kohë. Së pari theksojmë se në Mamurras nga kjo rrugë degëzohej rruga e shkurtër e cila lidhte Shkodër - Lezhën me Dibrën nëpërmjet Krujës - Shupalit - Gurit të Bardhë - Bulqizës e Maqellarës që në fragmentin e Grykës së Shkallës së Zezës ruan gjurmë kalldrëmi antikiteti i vonë - mesjeta e hershme dhe e mesme. Treguesi i dytë i rëndësishëm është ruajtja e plotë e një ure me dy harqe në Blinisht të Zadrimës, në pjesën Lezhë - Shkodër.
Ura e Blinishtit është ndërtuar në fundin e shekullit XIII-të .Kështu ajo i takon periudhës së pushtimit të Shqipërisë së Veriut nga ana e shtetit serb të Rashës.