Rruga e jugut gjatë luginës së Vjosës lidhte portin e Apollonisë dhe gjithë Shqipërinë e Jugut me Greqinë e Jugut. Rruga e Vjosës nga Apollonia në Larisë përmendet në itinerarin e Tabula Peutingerianës . Kjo rrugë qoftë në Tabul qoftë në burimet e tjera të historianëve të ndryshëm nuk përshkruhet me hollësi. Për ekzistencën dhe funksionimin e saj dëshmojnë të dhëna të tjera si vendbanimet ilire të Bylinëve dhe të Amantëve në Hekal dhe Plloçë ku kalonte rruga, ekspedita e Cezarit që shkoi në Thesali përtë goditur Pompeun, i cili ndoqi rrugën e luginës së Vjosës, etj. Përveç karakterit ushtarak, kjo rrugë pati dhe funksione me rëndësi ekonomike, për të cilat dëshmojnë monedhat e gjetura në Apolloni, ku janë zbuluar monedha nga Bylisi, Epiri”*, etj. Të gjitha këto vërtetojnë për ekzistencën e rrugës së luginës së Vjosës. Tabula Peutingeriana për këtë rrugë jep vetëm këto stacione: Apollonia - Amatria (Amantia) - Hadrianopoli - më tej në Greqi, Iho - Janinë - Dodona (Zarakovistë) - Acta Nicopoli (Preveza),Tricca (Trikalla) dhe Larissa.
Rruga nga Apollonia kalonte nëpër Levan, Frakulla Pasha e Kafaranj e pastaj rrëzë kodrave ne Floq, Buzëmadh, Gjonç, Cakran, Gorishovë, etj., ku janë zbuluar gjurmë vendbanimesh. Stacioni i rëndësishëm i rrugës duhet të ketë qenë qyteti antik i Bylisit, i fisit ilir të Bylinëve, ku gjendet një mbishkrim latinisht në të cilin bëhet fjalë për riparimin e rrugës që kalonte në këto anë, nga Bylisi në Astacie. Një tjetër stacion me rëndësi i rrugës ka qenë qyteti antik i Amantias (Amatria sipas Tabulës Peutingeriana). Pas Bylisit rruga vazhdonte djathtas Vjosës, por Amantia ndodhet në të majtë të Vjosës, në territorin ndërmjet Vjosës e Shushicës, në veriun e malit të Kudhësit. Kështu që Amantia lidhej me rrugën kryesore më anën e ndonjë degëzimi, e cila prej rrugës djathtas Vjosës zbriste në lumë e ngjitej në Amantia. Nuk dihet me saktësi se në ç‘pjesë e ka kaluar Vjosën rruga, diku pas Bylisit apo në vaun e Memaliajt para Tepelenës. Në Tepelenë ku ruhen gjurmët e urës romake, një degëzim kalonte nëpër grykën e Këlcyrës për të kaluar në luginën e lumit të Zagories nëpërmjet urës së hershme të Muço Hysës mbi Vjosë, që të çonte në Limar. Në Limar ruhen gjurmët e një kalaje antike. Gjithashtu kjo degë e Tepeleës, pasi linte djathtas degën e Zagories, vijonte djathtas Vjosës për në Përmet e në jug Korçë, Maqedoni, Greqi.
Pas Tepelenës rruga kryesore sipas Tabulës Peutingeriana ka vazhduar gjatë luginës së lumit Drino gjer në Hadrianopol (afër Melanit). Ka mendime të ndryshme mbi kalimin e rrugës mbi lumin e Drinos. Vitet e fundit në themelet e urës së Subashit, pranë Paleokastrës vrojtuam gjurmë të një ure antike. Me sa duket rruga këtu kalonte djathtas lumit për të vazhduar në Paleokastër, Antigone, Labovë e Kryqit, Sofratikë, Melan e në jug për në tokat e Greqisë.