Rruga e luginës së Shkumbinit nga Durrësi në Stamboll e njohur në antikitet me emrin rruga e Kandavisë dhe në periudhën romake si rruga Egnatia, në shekujt IV-VI të antikitetit te vonë, me shthurrjen e sistemit skllavopronar dhe me sulmet barbare nisi ta humbasë rolin e saj ekonomik dhe të funksionojë kryesisht si rrugë strategjike .
Gjatë mesjetës për zonën e Elbasani bie në sy mungesa pothuajse e plotë e fortifikimeve mesjetare gjatë luginës së Shkumbinit. Me zbehjen e funksionit të rrugës Egnaita, duket se lidhja me krahinat e brëndshme kryhej me anën e luginave të Devollit e të Osumit, ku nuk mungojnë kështjellat mesjetare. Rënie e rolit të kësaj rruge dëshmohet dhe nga prania e pakët e gjurmëve të ndërtimeve gjatë saj. Kështu në të shihen pak kalldrëme apo riparime kalldrëmesh të mesjetës së hershme e të mesme si dhe ura apo riparime të tyre nga kjo periudhë.
Burimet dokumentare përmendin vetëm disa shfrytëzime të kësaj rruge gjatë kësaj periudhe në intervale kohësisht të fazuara. Kështu në shek. V-VI këndej kaluan invazorët barbarë, në shekullin XI u shfrytëzua nga fiset normane si dhe nga kryqëzatat. Në burimet thuhet gjithashtu se kur në fund të shek. XI Aleks Komneni kaloi nëpër këtë rrugë për në lindje, pasi pushoi pak në malin e Babjes, ai kaloi nëpër rrugë të panjohura të braktisura prej kohe dhe arriti në Ohër. Në vitin 1219 nëpër këtë rrugë kaloi komandanti bizantin Gjergj Akropoliti me ushtrinë e tij nga Ohri për në Durrës. Pra rruga e Shkumbinit në këtë periudhë u shfrytëzua për qëllime strategjike.