Shëtitorja jugore (65.50 x 11.2 m) kufizon nga jugu agoranë e qytetit. Në lindje ajo i mbështetet me anën e ngushtë teatrit të qytetit. Kafazi i shkallëve nga kjo anë (2.20 x 3.40 m), tregon se shëtitorja ka qenë dykatëshe. Mur i pasmë i saj është muri rrethues i qytetit, këtu i ngushtuar nga 2.50 në 1 m, çka tregon se rrethimi dhe shëtitorja i përkasin një projekti dhe dore të vetme. Si e tillë, shëtitorja e mbyllur dhe kompakte, kompensonte statikisht hollimin e murit rrethues. Në të kundërt do të duhej të pranonim se shëtitorja u ndërtua para murit rrethues, që është krejt alogjike, ose që muri rrethues u prish për t’i bërë vend shëtitores, që është krejt absurde.
Muri i djathtë anësor ngrihet i lirë, ndërsa mur i majtë është muri që disiplinon shkëmbin anash hyrjes të teatrit. Kjo strukturë dhe shkallët e kësaj ane, lejonin kalimin në katin e sipërm të shëtitores drejtpërdrejt nga teatri. Në takim me ballin, muret anësore kthehen në kënd të drejtë, për të vijuar në trajtë antesh 5 m të gjatë. Ndërmjet anteve ndodhet stilobati dyshkallësh, i cili mbart rreshtin e jashtëm të kolonave dorike. Diametri i poshtëm i kolonave (0.53 m), nisur nga raporti i kohës diametër: lartësi (1 : 6.7- 1 : 7.5), tregon se kati i parë ka qenë rreth 3.50- 4 m i lartë.
Rreshti i brendshëm, po i orderit dorik, e ndante katin e poshtëm në dy rrugë 4.60 m të gjera. Kolonat e këtij rreshti mbështeteshin në bazamente kuadratike me faqe të çrregullta, çka tregon se tabani i shëtitores ishte prej dheu të ngjeshur. Interkolumni i tyre i barabartë me atë të rreshtit të jashtëm (2.90 m), lejonte si në Apolloninë 2 mbajtjen e arkitrarëve të gurtë. Logjikisht ky kat kishte strukturë të njëjtë me katin e sipërm të Apollonisë 2: me një nef ballor dhe trikline pas tij. Kolonat e orderit klasik dorik, i japin shëtitores jugore një përparësi kohore ndonëse të shkurtër, ndaj shëtitores L.