Shëtitorja L
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Shëtitorja L

Shëtitorja në formë të shkronjës Lindore, përvijon agoranë nga Veri-Lindja, duke penguar erërat e bezdisura të kësaj ane, te zakonshme për këtë pllajë të hapur. Shëtitorja, dykatëshe dhe dyrrugëshe, përbëhet prej dy krahëve që bashkohen me kënd të drejtë me njëri- tjetrin. Kati i tyre i poshtëm përçahet në pikën e takimit prej hyrjes verilindore të agorasë (4.20 m), por në katin e sipërm ata vazhdonin të pandërprerë. Nga krahu verior shpalosen meandrat, gjarpërimet e fundit të lumit .Aoos (Vjosa), ndërsa nga krahu lindor vështrimi kap tërë rrjedhën e fundit të lumit, deri ne derdhjen e tij në det. Tjegullat me monogramin AAMOZIOZ (Damosios, e popullit), tregojnë se shëtitorja u ndërtua me të ardhurat komunale të bashkësisë. Muratura e saj izodomike, e njëjtë me atë të mureve mbrojtëse dhe teatrit, tregon njëkohësinë e tyre.

Krahu verior ka planimetri drejtkëndëshe me përmasa 68 x 11.60 m. Ky krah përbëhet prej anteve 6 metërsh, mureve anësore dhe murit të pasmë dy blloqe të gjera (0.80 m), të përforcuara çdo 3 m me kontraforte të fuqishme (0.6 x 0,8 m, fig. 54). Midis anteve vijon stilobati treshkallësh me trekëndësha apotropeikë në reliev, për lidhjen e “syrit të keq”, mbi të cilin mbështetej kolonada e jashtme.

Kolonada e brendshme e ndan shëtitoren në dy pista (6.00, 5.20 m). Interkolumni i saj 5.50 m, është sa dyfishi i interkolumnit të jashtëm. Si e tillë kolonada mund të mbante mbi vete arkitrarë druri, por jo guri. Të dy kolonadat përbëhen prej kolonash dorizuese tetëkëndëshe me seksion të përzgjatur (50 x 56 cm), të ndryshme nga Apollonia 2 ku brinjët janë të barabarta.

Krahu lindor (60 x 11.50 m), në gjysmën e tij të djathtë është i gdhendur në shkëmb, ndërsa në gjysmën e majtë është ndërtuar me blloqe të latuara guri. Tabani i shëtitores vijon i pjerrët nga jugu në veri. Për ta kompensuar rënien e tij, stilobati rritet nga një në tri këmbë shkallë, por sërish lartësia e katit mbetet e ndryshme: 2.70 m në Jug dhe 4 m në Veri.

Krahu Lindor ka ante 6.50 metërsh, mes të cilave vijon stilobati ku mbështeteshin dy gjysmëkolona dhe 21 kolona të plota dorizuese tetëkëndëshe. Kolonat e rreshtit të brendshëm e ndajnë shëtitoren në dy rrugë 4.70 metërshe. Por, ndryshe nga krahu verior, hapësira e dritës mes kolonave të krahut lindor është e barabartë: 2.25 m. Kjo tregon se, si në Apolloninë 2, kati i sipërm i shëtitores ndahej prej një muri me blloqe në një pistë të përparme me trikline pas tij. Praninë e këtyre të fundit e dëshmon dhe një “stampë pastash”. Ruajtja në shkëmb e foleve të trarëve të dyshemesë, lejon rikonstruksionin centimetrik të strukturës mbajtëse: Në faqen e djathtë, 2.35 m lart tabanit shkëmbor, gjendet foleja e arkitraut të gurtë gjatësor, i cili përbëhej prej një çifti blloqesh (22 x 36 cm) të vendosur përbri njëri tjetrit. Si e tillë gjerësia e arkitraut rezulton e barabartë me diametrin e sipërm të kolonave (45 cm). Seria e foleve (0.30 x 0.30 m) në 2,70 m lartësi në faqen e pasme të shëtitores, si në blloqet e muraturës, ashtu edhe në shkëmb, tregon se mbi arkitraun e gurtë mbështeteshin trarët e drunjtë të dyshemesë.

Si e tillë struktura mbajtëse: arkitra, trarë të tërthortë dhe dysheme ka qenë 0.70 m. Kjo jep njëkohësisht edhe lartësinë e entablaturës së katit të poshtëm. Në përsëritje të Apollonisë 2, ndërsa kolonada e katit të poshtëm është dorike, ajo e katit të sipërm ishte jonike. Gjetja e një shtatoreje tip Atis në brendi të shëtitores68 lejon hipotezën se në shëtitore ekspozoheshin skulptura.

Me gjithë afritë me Apolloninë 2, shëtitorja e Bylisit ka një sërë ndryshimesh prej saj, kryesorja në trajtimin e murit të pasmë.

Ndërsa në Apolloni ai trajtohet me nishe absidale, në Bylis ky mur është i rrafshët. Por nëse në Apolloni murit të pasëm i duhej të mbante presionin e dheut të shpatit, në Bylis faqe e pasme e shëtitores është shkëmbi i gjallë ose blloqet e saj kishin pas vetes një hapësirë të lirë. Nga ana tjetër, ndonëse ky trajtim kushton mjaft më pak, ai është larg estetikës së Apollonisë.

Shëtitorja është pjesë integrale e agorasë, element kryesor formulues i saji. Ndërtimi i Bylisit në një dorë të vetme në kapërcyellin e shkk. IV/III p.e.s. dhe detajet arkitektonikë, e datojnë shëtitoren po në këtë kapërcyell. Ky datim ngushtohet nga veçoritë arkitektonike dhe teknike, së pari nga analogjitë me Apolloninë 2. Për nga proporcionet, stili dorizues tetëkëndësh dhe struktura e katit të dytë me pistë shëtitjeje para dhe trikline/bujtina pas, shëtitorja e Bylisit ripërsërit Apolloninë 2. Por nga ana tjetër, shëtitores së Bylisit i mungon finesa e Apollonisë 2: proporcionet e kolonave nuk janë të goditura, lartësia e katit është zgjidhur keq, kualiteti i punimit është inferior. Si e tillë, shëtitorja L e Bylisit mund të kundrohet si kopje lokale e shëtitores më perfekte nga tërë shëtitoret, Apollonisë 2.

info@balkancultureheritage.com