Shëtitorja ndodhet në veri të agorasë trapezoidale, të përvijuar nga shëtitorja, teatri i vogël dhe prytaneionit. Një ndërtim i mëhershëm poshtë saj, tregon se shëtitorja nuk i përket planit fillestar urbanistik të qytetit.
Me ndërtimin e saj, rruga magjistrale e qytetit u ç’vendos pas shpinës së shëtitores, duke u ngushtuar nga 6 në 3.20 m, në më pak se rrugët sekondare. Ky ngushtim solli devijimin e fluksit të lëvizjes, e cila nisi të kalojë në shesh, para shëtitores.
Shëtitorja me planimetri të përzgjatur drejtkëndëshe (62.7 x 11.4 m), është dyrrugëshe, me ante, sipas autorëve të gërmimit njëkatëshe dhe me çati tjegulle të zbukuruar me antefikse. Muret që mbyllin edhe anët e ngushta, në ballë kthehen në formë antesh 4.50 dhe 5.50 m të gjatë. Muratura me blloqe poligonale të mysëta, pritet drejt në 1.80- 2.60 m lartësi. Kjo e tregon atë xokol për murin e lirë, ndërkohë që mungesa e plotë e tullave tregon se mbi të vijonte muri prej qerpiçi. Blloqet e mureve janë të latuara nga jashtë dhe të papunuara nga brenda. Muri i pasmë 0.80 m i gjerë, përforcohet në çdo 2.40 m me 17 kontraforte (0.52 x 0.52 m) që do të ishin të pakuptimtë për një shëtitore njëkatëshe.
Mes anteve gjendet stilobati treshkallësh, me blloqe me trekëndësha apotropeikë në reliev. Kolonada mbi të, përbëhej nga dy gjysmëkolona dhe 23 kolona të stilit dorik, me interkolumn 1.68 m dhe lartësi 3.50 m.
Mbi kolonadën vijonte arkitrau i thjeshtë dhe frizi tre-metopësh, me triglife të prera drejt. Si e tillë lartësia e katit ka qenë 4.30 m.
Kolonada e brendshme, gjasisht me pilastra drejt-këndëshe, e ndante shëtitoren në dy pista 4.80 dhe 4.40 m të gjera. Kjo kolonadë, dy herë më e rrallë se e jashtëmja (3.90 m) mund të mbante mbi vete vetëm arkitrarë druri.
Në shëtitore janë gjetur kolona jonike me bazamente atike, të cilat i mendojmë të katit të dytë. Lartësia e tyre 3.12 m, duket të jetë dhe lartësia e këtij kati. Nuk është tepër e qartë nëse tabani i shëtitores ka qenë shtruar rne dhe të ngjeshut a me mozaik pa figura me zaje lumi.
Në shek. II p.e.s., para shëtitores u vendosën 21 nishe dhe piedestale shtatoresh, të cilat e bllokuan keq hyrje-daljen shëtitore.
Shëmbëlltyrën më të plotë shëtitorja e Kassopeas e gjen as 100 km larg, në shëtitoren e mesit të Thermosit. Ngjasia mes tyre është e përsosur: po planimetri drejt-këndëshe, ante dyinterkolumnësh gjatë ballit, përforcim me kontraforte i murit të pasmë.
Shëtitorja e Kassopeas është datuar në shek e III p.e.s., madje edhe në fundin e këtij shekulli. Në mungesë të datimeve të bazuara në gërmime, vlerë fiton analiza e elementëve arkitektonike. Orderi dorik, me karakteristika të qarta të dorikut maqedon të mesit shek. IV p.e.s., dallon fare dukshëm nga ekzemplarët e shek III. Po në shek. IV p.e.s., në çerekun e tretë, daton entablatura dhe kolonat jonike me 24 kanelyra, tejet të rralla jashtë arealit maqedon. Influenca e qartë maqedonase në elementët arkitektonike të çon në periudhën e hegjemonisë Maqedone. Rrjedhimisht datimi i saj duhet kërkuar në diapazonin mes vitit 352/50 të marshimit të Filipit 2, në Epir, veçanërisht pas v. 342 p.e.s. kur Filipi i 2. ia dorëzoi këto vende kunatit të tij Aleksandrit Molos, dhe vitit 330 p.e.s. kur u themelua Lidhja Epirote.