(Fshati Himarë, rrethi Vlorë). Në të dalë të Spilesë në faqen e kodrës të drejtuar nga deti në krahun e majtë të rrugës Himarë-Sarandë ndodhen tri shpella.
Në vitin 1939 në një nga këto shpella bëri gërmime profesor L. Cardini. Materialet e zbuluara prej tij nuk janë botuar. Një njoftim të shkurtër na jep D. Mustili, i cili vë në dukje se shtresa kulturale kishte një trashësi prej 2.25 m dhe formohej prej pesë nënshtresash me materiale të përziera. Në shtresën e pestë, sëbashku me keramikën helenistike, u gjetën edhe ashkesa prej guri stralli, gjë që e shtyn D. Mustilin të mendojë se shpella ka qenë banuar qysh prej kohësh të lashta.