Shqipëria dhe Mali i Zi: Dubrovnik, Tivari, Shkodra, Ekskursion në Bogë, Zhabljak, Cetinjë, Kotor 1858
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Shqipëria dhe Mali i Zi: Dubrovnik, Tivari, Shkodra, Ekskursion në Bogë, Zhabljak, Cetinjë, Kotor 1858

~Guillaume Lejean

Udhëtimi i dytë në Ballkan është relativisht i shkurtër, nga gushti në shtator 1858. Lëzhani arriti të siguronte gjithashtu nga ministri ndërmarrjen e një udhëtimi të dytë (gjithmonë pa mbështetje) nga Ministria e Arsimit Publik, por Ministria e Punëve të Jashtme nuk i dha asnjë mbrojtje ndërkombëtare, në një rajon që sapo ishte bërë teatri i një konflikti. Lëzhani lëvizi nënjëperimetër mjaft të ngushtë, nëkufijtëe Kroacisë, të Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë-Hercegovinës sësotme. Botuar në Le Tour du monde, revistë që i drejtohet një publiku mjaft të gjerë dhe e zbukuruar me gravura të shumta, ky është një prej shkrimeve të Lezhanit që pati më shumë lexues.

Udhëtari që hipën në Trieste në bordin e vaporit Albania për të vizituar provincat perëndimore të Turqisë duhet të parashikojë befasinë apo mërzinë (kuptojeni si të doni) e kontrasteve të menjëhershme dhe të papritura. Maunat e lashta të lumenjve tanë, me të cilat kemi qeshur aq shumë, nuk qenë më të ngadalta sesa ky lloj lundrimi me avull që e quajnë shërbimi i Llojdit austriak nga Triestja në Korfuz. Turisti i paduruar shan e mallkon nëpër dhëmbë nga ndalesa dymbëdhjetorëshe përballë një fshati të madh të ndërtuar në mënyrën më të çrregullt midis  detit dhe një pirgu gurësh të përhimë, i gjithi për rehatinë e madhe të disa tregtarëve të plogët që presin anijen e tyre, që darkojnë pa u ngutur dhe bëjnë gati karrocën para nisjes së vaporit. Por në udhëtim, e mbi të gjitha në një udhëtim në Orient, gjëja më e zgjuar është ta pranosh humbjen e kohës si një rastësi të domosdoshme, të cilën duhet ta kthesh në dobinë tënde; ndalesat pak si shumë të zgjatura mund të përdoren për të pasur një vjelje të bollshme përshtypjesh dhe kujtimesh. Nëse vargu i gjatë i maleve të Dalmacisë, që një shkrimtar vendës i krahason me mjaft humor me male hiri të ngurtësuar nga shiu dhe dielli, arrin ta lodhë dhe ta bëjë vështrimin të humbë durimin, kreshtat e ashpra të ishujve të gjatë ilirianë me bimësinë e tyre të errët e të shkurtër dhe qytetet me bedenat e vjetra veneciane, Losini me limanin e tij të bukur në miniaturë, Zara me kujtimet e saj historike, Spliti me katedralen e tij shumë të bukur dhe sidomos pallati i famshëm i Dioklecianit që do të vizitojë në Salonë, një orë larg prej këtej, Shibeniku me pamjen e tij krejtësisht orientale, do t'ia shpërblejnë plot bujari mërzinë e katër ditëve të gjata të një lundrimi, veç të tjerash, shumë të qetë.

Megjithatë, dua të pohoj se ndjeva një lehtësim të madh kur, mbrëmjen e ditës së katërt, dëgjova të bërtitej: Gravozal Hipa në kuvertë për t'i hedhur një vështrim të shpejtë pamjes së atij limani të vogël e të bukur, aq sa më lejonte nata që po binte me shpejtësi. Pashë një lloj liqeni që dukej i mbyllur nga ana e detit nga një majë e mprehtë e ishullit Daksa dhe që ndahej në dy ngushtica, njëra që merrte drejt Omblës, tjetra drejt Raguzës. Vapori Albania hyri në këtë të fundit, që rrethonte në tërë shtrirjen e saj vargun e gjatë të dyqaneve e të vilave, që mbante emrin Gravoza dhe që kulmonte në të djathtë në një kodër të mbuluar me drurë e kopshte, ndërsa në të majtë shtrihej një varg i ashpër e i rrjepur kodrash, mbjellë me ullinj të drobitur. Në fund, në shpatin e një kodre tërë hije, shihej rruga e bukur që të çonte në Raguzë, as tre kilometra larg. Tërësia e pamjes që shtrihej para meje ishte e një bukurie të patregueshme dhe tepër e papritur për udhëtarin që, nga deti, shihte vetëm një masë të hirtë më shumë të trishtë sesa të gjallëruar nga disa njolla të një të gjelbre të errët dhe të mbuluar nga pluhuri.

Ne kaluam vendin e ankorimit të anijeve franceze që, nën komandën e kundëradmiralit Zhurien dë la Gravierë, vrojtonin në Gravoza për shkak të ngjarjeve të fundit në Malin e Zi, dhe zbritëm pothuaj në fund të limanit.

Një orë më pas, isha në Raguzë dhe u sistemova në hotelin e sheshit Pille, që udhërrëfyesit e udhëtarët e konsiderojnë si më të rehatshmin e qytetit. Dhe për këtë kanë një arsye të fortë, sepse është i vetmi hotel. Kjo hollësi e vogël mund të krijojë një ide se si përfundoi, pas humbjes së pavarësisë së flijuar aq padrejtësisht nga marrëveshjet e vitit 1815, republika krenare që, në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, në një ditë të vetme humbi 80 anije lufte pa u përkulur nën atë mynxyrë të padëgjuar ndonjëherë.

Raguza është një nga ato qytete për të cilat nuk mund të flasësh në mënyrë gjysmake. Për ta njohur atë si duhet, nuk mjaftojnë dymbëdhjetë orë, por duhet të kalosh aty gjashtë muaj të tërë, duke i shfrytëzuar gjerësisht për kërkime historike ose për të shijuar peizazhet e bukura. Dikur e quanin Venecia sllave, dhe fshatarët ilirianë luajnë ende me emrin e saj sllav Dubrovnik duke e quajtur Dobra Venedig, Venecia e mirë. Fillimisht ajo kishte kanalet për rrugë, si rivalja e saj poetike dhe shumë e bukur: por tërmeti i 1667-s i mbushi kanalet me rrënojat e pallateve dhe në vend të tyre sot shtrihen rrugë me kënde të drejta shtruar me gurë të mëdhenj kalldrëmi. Rruga  kryesore është një udhë e bukur që e ndan qytetin në dy pjesë të barabarta dhe që të çon nga porta e sheshit Pillë në pallatin e dogjëve të lashtë raguzanë, sot i pushtuar nga capitano-circolare ose nënprefekti i rrethit të Raguzës. Ai është një monument fort i bukur i shekullit të pesëmbëdhjetë, i cili më ngacmoi fantazinë për të bërë një vizatim, gjë që alarmoi rojën, që aty për aty më ktheu në një të burgosur. U desh të lajmërohej capitano-circolare që zbriti nga zyra dhe u vu në dijeni të incidentit. Ushtari, shumë i prekur, i shpjegoi se një anglez kishte ardhur më parë për të copiare la casa dhe se ishte dhënë urdhër që të shmangej çdo veprim i dyshimtë. Kapiteni i shpjegoi se urdhri kishte të bënte vetëm me fortifikimet dhe, duke ardhur drejt meje, m'u lut gjithë mirësi të mos i kushtoja asnjë rëndësi zellit të tepruar të agjentëve që i zbatonin urdhrat më shumë me entuziazëm sesa me dijeni.

Përveç kësaj, të themi atë që është, administrata austriake është po aq dashamirëse dhe e sjellshme në rangjet e larta, sa edhe e mërzitshme në rangjet e ulëta, gjë që do të thotë shumë. Nëse gjithmonë kam lavdëruar oficerët austriakë, për xhandarët perandorakë kam ruajtur kujtime të një tjetër lloji dhe që kanë anët e tyre komike. Kapiteni i rrethit më shtyu të ngjitem në malin Malastica, një orë e gjysmë nga Raguza, në territorin osman, duke më siguruar se nga maja syri do të më kënaqej prej pamjes së jashtëzakonshme të një pjese të Hercegovinës. Shkova aty një mëngjes të bukur dhe kisha arritur rrëzë malit, kur një xhandar trupvogël mustaqepadirsur dhe buçkan më arriti pas një vrapimi të shfrenuar dhe më pyeti ku shkoja.- Te ky mal.- Çfarë do të bësh aty?- Per vedere lo paese (për të parë vendin turk).- Mos u lodh kot: non e paese qud (nuk ka asgjë nga ajo anë). Për atë ushtar  shembullor nuk ekzistonte asgjë përtej kufirit të shteteve të perandorit dhe të mbretit.

Nisja për në Shqipëri. Spica. Limani i Antivarit: njëhan shqiptar; tipa arnautësh. Antivari dhe rrethinat e tij. Shkodra: pamja e liqenit dhe e luginës. Një kujtim nga Tit-Livi.

Me të mbaruar punët e mia në Raguzë, i hipa vaporit të Lloidit që shkonte në Shqipëri, me synimin për të zbritur në Antivar (Tivar) dhe për t'u drejtuar në lindje drejt maleve të fiseve autonome. Për dy ditë lundruam përgjatë brigjeve raguzane dhe kotorase, dekori i admirueshëm i të cilave nuk e humbi shkëlqimin për asnjë çast. Pas Lastuasë dhe prapa malit të Ostrovicës fillon territori osman. Katër apo pesë katunde të vogla të quajtura Zagrad, Gelibul, German, Berca formojnë portin e vogël të Spicës, i cili ka qenë shpesh shkak i debateve të vitit të fundit, lidhur me Malin e Zi. Ky i fundit i referohej me mjaft të drejtë faktit se, së pari, Spica kishte qenë e princave të Zetës, trashëgimtari i fundit i të cilëve është Mali i Zi; së dyti, principata, e rrethuar nga dy shtete pak a shumë armiqësore, kishte nevojë për një port që t'i shërbente për dalje në det, duke rrezikuar të zhytej nga skamja e mjerimi në një luftë të përjetshme, për të cilën qortohej vazhdimisht. Po t'u jepej malazezëve, Spica do të bëhej në miniaturë për këta të fundit ajo çka ishte Fiume për Hungarinë, domethënë një port tregtar i Adriatikut. Kësaj kërkese Turqia iu përgjigj prerë se Spica ishte e saj që prej dyqind apo treqind vjetësh dhe se nuk kishte asnjë interes, përkundrazi, të pengonte Malin e Zi të vdiste nga uria. Sipas parimit të tërësisë së Perandorisë Osmane, Spica iu la turqve, me bindjen e shëndoshë se nuk do të bënin asnjëherë diçka me të. Është si historia e përjetshme e qenit të Robinsonit, që nuk ha, për mungesë oreksi, por që nuk do që të tjerët të hanë.

"Turqit kanë ngritur çadrat në Europë", ka shkruar Shatobriani. Unë nuk kam gjetur kurrë shprehje më të saktë për të përshkruar moskokëçarjen me të cilën ky popull i çuditshëm lë të grumbullohen rrënojat dhe shqetësimet e çdo lloji në perandorinë e pafundme ku është qiraxhi. Në fillim, kjo dukej piktoreske dhe njerëzit zbaviteshin; pastaj ata gjetën diçka naive, të nënshtruar, dhe u prekën; dhe në fund ata humbën  durimin dhe u acaruan. Një udhëtar gjerman, me të mbërritur në Sofje, pa djem të rinj, trupmëdhenj, tridhjetëvjeçarë, të ulur në mes të rrugës, duke u marrë denjësisht me ngritjen e mullinjve të vegjël mbi rrëkenë e ujit. Populli turk është pikërisht ky fëmijë i madh që ka marrë nga qytetërimi perëndimor atë që fëmijët duan mbi të gjitha: të ushtrohen dhe f i bien daulles.

Për këtë po vrisja disi mendjen, teksa zbrisja nga Albania në shkallën turke të Antivarit. Ishte mbrëmje. Tivari është një stacion shumë i rëndësishëm: është porti i Scutarit dhe i gjithë Shqipërisë së Epërme, kreu i linjës telegrafike që do të lidhë pas disa muajsh mbarë perëndimin e Perandorisë me Kostandinopojën. Ajo që më ngacmoi më shumë kureshtjen, pasi kisha kontrolluar imtësisht me sy gjirin e vogël e shumë të këndshëm që shtrihej rrëzë malit Rumia, ishte se nuk po shihja asnjë gjurmë fshati apo qyteti. Vapori kishte ndaluar katërqind metra nga bregu, duke pasur parasysh thellësinë e vogël të ujërave, të qeta dhe të shtruara si një pellg. Një kaike erdhi të merrte anash anijes katër a pesë udhëtarët që kishin si vendqëndrim Shkodrën; zbritëm në një mol të ndërtuar keq me shtylla, në fund të të cilit ngrihej një ndërtesë e madhe, që fare mirë mund ta merrje për një doganë apo një han (karavansaraj) dhe që kryente të dyja funksionet. Një shtëpi me një pamje më të kënaqshme, që ngrihej në të djathtë dhe ishte pesë minuta nga dogana, plotësonte portin e Antivarit: ajo ishte konsullata e Austrisë.

Ne nxituam të ngjiteshim në katin e parë të hanit, që e gjetëm po aq të rrënuar sa një pallat pashai, dhe të gjithë ata që kanë kaluar tetë ditë në Orient do ta kuptojnë rëndësinë e krahasimit. Aty kishte, përveç një paradhome shumë të madhe, dy dhoma për udhëtarët, një selamllëk, një lloj salloni për të nderuar miqtë, ku hanxhiu kalonte ditët e tij i ulur këmbëkryq gjithë madhështi si një perëndi hindu, duke u ofruar llullën dhe kafe udhëtarëve besimtarë që i kishin zbukuruar shtëpinë. Njëra nga të dyja dhomat ishte zënë nga një shqiptar mysliman, që kishte vendosur aty atë që e quante haremi i tij, domethënë gruan e vet. Unë u vendosa në dhomën tjetër me dy shqiptarë katolikë nga Shkodra, tregtarë të shquar që kishin bërë blerjet e tyre në Trieste dhe që, duke folur italisht, më ofruan gjithë mirësjellje shërbimet e tyre si ciceronë deri në Shkodër, që ishte dhe vendmbërritja jonë e përbashkët. Shoqëria e tyre më ishte shumë e vyer, sepse ajo pak turqishte që dija ishte krejt e padobishme në  një vend ku të gjithë, të krishterë e myslimanë, dukej sikur e kishin për nder të mos e dinin gjuhën e popullit që i kishte pushtuar e qeverisur.

Pak para darkës, u paraqitën dy burra. I pari mbante veshur kostumin e bukur të palikarëve, me të cilin ishim mësuar nga udhëtimet e Pukëvilit: në kokardën trengjyrëshe që zbukuronte fesin e tij, njoha një kafaz shqiptar të konsullatës së Francës që po vihej në dispozicionin tim për udhëtimin e nesërm. Burri i dytë nuk ishte më pak i armatosur, më pak i shkëlqyer, më pak i ngjeshur me rrip sesa bashkatdhetari i tij; unë e mora për ndonjë bej, ose të paktën për ndonjë aga. Një nga bashkudhëtarët e mi hyri në bisedë me të, dhe më shpjegoi më pas se ishte marrë vesh con questo vetturino për kuajt që duhej të merrnim deri në Shkodër. Oficeri im shqiptar ishte një qiraxhi i thjeshtë, një sipërmarrës transporti.

Të nesërmen në mëngjes, duke i hipur kalit, pata kohë t'i hidhja një vështrim të shpejtë stacionit që do të lija pas. Ai ishte një liman i vogël dhe i hijshëm, i mbyllur nga të gjitha anët nga male disi më pak të hirta se pjesa më e madhe e masivëve malazeze. Detaji i një kënaqësie intime dhe depërtuese vazhdonte t'u shpëtonte vështrimeve të mia, të joshura nga kreshtat e fuqishme të maleve Rumia e Suturman, dhe linjat krenare e të ashpra të masivëve gëlqerorë që formonin kepin Volvica. Një shkëmb pranë kësaj pike, të bie menjëherë në sy për rrëpirat e tij: është Guri i vajzave, "shkëmbi i Virgjëreshës" të cilit i ka thurur lavde poezia shqiptare. Para tre shekujsh, kur sulltan Selimi erdhi për të sulmuar Antivarin, që zotërohej nga venecianët, një serbe e re nga një familje fisnikësh, Franka Mediminoviçi, pa e para ushtrinë turke dhe donte të shkonte me vrap në qytet për të lajmëruar bashkatdhetarët. Por myslimanët i prenë rrugën dhe, kur ajo pa se do të binte në duart e tyre, nuk nguroi midis turpit dhe vdekjes: ajo u ngjit në majë të shkëmbit, u hodh në det, dhe heroizmi i saj i dha emrin shkëmbit.

Në orën gjashtë, ishim të gjithë mbi kalë dhe ecnim njëri pas tjetrit, përmes një rrafshine të papunuar, të cilën shirat e pak ditëve më parë e kishin mbushur me pellgje të mëdha uji. Një lumë i vogël i quajtur, besoj, Rikavec (Lumi buçitës), tregonte përmes hapësirave të shkurreve ujërat e tij të hirta dhe përtace. Një vend midis dy maleve na lejoi të shihnim një qytet të bukur me çati të kuqërremta, të vogla dhe të mbledhura në vetvete si të gjitha sheshet e vjetra të luftës: ishte Antivari.

Qyteti i vjetër venecian është prej gati treqind vjetësh një qytet turk, domethënë një rrënim. Nga ura e tij prej mermeri, kanë mbetur vetëm disa kolona. Qyteti i mbyllur nuk ka më shumë se 50 shtëpi; disa qindra banesa që formojnë rrethinat janë, thotë zoti Hekar, "pothuaj të gjitha  të ulëta dhe me një pamje të mjerë: në disa prej tyre sheh ende të gdhendura armët e patricëve venecianë... Nga kështjella e lashtë, kanë mbetur vetëm disa kulla me bedena që po shkatërrohen dhe disa fortifikata ku rreth njëzet topa madhështorë prej bronzi që kishin qenë të Republikës së Shën Markut, dhe që, të mbetur pa shtrat, janë flakur për tokë si objekte të padobishme. Në mes të sheshit ngrihet katedralja e vjetër, e shndërruar në xhami: ajo ishte ngritur në nderim të Shën Gjergjit; ekziston ende mbi portën e madhe një basoreliev prej mermeri, i sakatuar nga turqit, që paraqet figurën e shenjtorit". Mbi mbrothësinë e lashtë të Antivarit, një fakt i vetëm flet shumë: në kohën e perandorëve bizantinë, ai kishte tridhjetë manastire.

Sa më shumë bënim përpara, pemishtet dhe arat me misër zëvendësonin pak nga pak shkurrajën shterpe; disa çifligje po aq të bukura sa fermat tona të Normandisë, shpaloseshin midis drurëve, nga të dyja anët e një xhadeje tmerrësisht të shkatërruar, të cilën e shmangnim sa të mundnim, aq sa, duke u rënë përmes arave, rrezikonim të rrëshqisnim nëpër pellgaçe. Me të mbërritur në fund të rrafshinës, filluam t'i ngjitemi një shtegu shumë të thiktë, me mijëra gurë gëlqerorë me majë të mprehtë, ku kuajt tanë fatkëqij shkelnin çdo minutë; na u desh t'u zbrisnim kuajve dhe ta ngjitnim më këmbë, duke kapërcyer shtegun, i cili ia la vendin një shkalle më pak të lodhshme për këmbësorët, por shumë më shqetësuese për kalërim. Cosi sono le strade di Parigi? më pyeti duke qeshur një nga shoqëruesit e mi. Një kapiten trim i nizamit psherëtinte pranë meje, dhe më thoshte Çok taç (shumë gurë)!- Evet,- iu përgjigja,- iol fenan (po, rrugë e mërzitshme). Burri hijerëndë dukej po aq i huaj sa unë mes shqiptarëve, dhe më vinte sinqerisht keq që nuk isha më i fortë në gjuhën osmane për t'i ardhur sadopak në ndihmë.

Me të dalë në majë të rrafshnaltës pushuam gjatë dhe u shpërblyem për lodhjet tona. Nga pjesa e mbuluar e oborrit të një xhamie të vogël të quajtur, më duket, Barcla, ku u ndalëm që kuajt tanë të mbusheshin me frymë, kishim përpara një pamje të shkëlqyer të Adriatikut, bluja e thellë e të cilit, si ajo e liqeneve të Zvicrës, e përligj tërësisht emrin "Deti i kaltër", Sine more, që i kanë dhënë sllavët. Vetëm përgjatë bregut, në një gjerësi shumë-shumë prej gjysmë kilometri apo më shumë, ujërat marrin ngjyrën e murrëtyer të oqeanit. Një fllad i lehtë neutralizonte efektet e një të nxehti  tashmë të madh dhe të mungesës së plotë të hijes. Gjendeshim në pikën më të lartë të një qafe që lidhte masivin e maleve Lesinjia, fqinj me detin, me vargun që fillon nga Mali i Zi për t'u fashitur përballë Shkodrës, një vijë malesh në gri në të kuqërremtë, të zhveshura, me kulme të thyera, rrëzë të cilave shtrihet një rrafshinë pjellore me ullinj dhe me fshatra të lulëzuara. Rruga që do të ndiqnim përshkon këto dy zona paralele, dhe herë pas here takon te zona e dytë: në fillim të duket se nuk të mbetet veçse të zbresësh në luginën e Bunës duke u rrotulluar rreth disa kodrave të ulëta, kur do të të duhen edhe pesë orë të tjera për të shkelur në gëlqerorë. Duke parë këto stepa guroresh, të duket sikur ecën përgjatë një guroreje gjigante. Në një të tretën e rrugës, syri i mërzitur ndalet me njëfarë kënaqësie mbi një përrua që rrokullis tërë potere ujërat e tij të shkumëzuara përgjatë një bregu të thiktë, të kurorëzuar me lisa të shkurtër, që shpaloset plot madhështi nën kaltërsinë e pamëshirshme të një qielli përvëlues. Shkëmbinjtë e çarë kanë format më të çuditshme: një arkeolog kuturisës, siç ka ende në thellësi të provincave tona, do të binte këtu në ekstazë përpara menhirëve por edhe dohnenëve të cilët, për fat të keq, nuk janë më druidikë se ky kalldrëm, i hasur rrallë, që, megjithëse duket si romak, nuk është i tillë.

Tortura jonë mori fund në hanin e Koderkolit, ku u ndalëm për të darkuar. Këtë herë jemi me të vërtetë në rrafshinë, në një rrafshinë argjilore dhe të lagësht ku shikimi prehet me kënaqësi në një gjelbërim të pastër dhe në lisa viganë, në vend të lëndinave të djegura dhe të ullinjve të përjetshëm të mbuluar nga pluhuri i mëngjesit. Nga të dyja anët e rrugës, gëmusha të mëdha shegësh të egra, mes të cilave shfaqet tek-tuk fytyra dinake dhe e trembur e një bariu të vogël me kokën e rruar. Mbi disa tufa drurësh, larg, hijezohet një masiv i thepisur: janë malet ku mirditorët strehojnë lirinë e tyre të stuhishme dhe egërsinë e tyre homerike.

Në një bërryl të xhadesë antike, dalim në bregun e një liqeni të bukur me ujëra lymore, të cilin e përshkojmë me kujdes, sepse pjesë të rrugës janë të zhytura në ujë. Duke admiruar hijen e dendur të bregut  përballë këtij që po ndiqnim, vura re një rrjedhë të lehtë, dhe disa fjalë të udhërrëfyesve tanë i dhanë fund gabimit tim: ai që unë e pandeha për një liqen të shtrirë është një valëzim i Bunës, që shërben si derdhje në liqen apo në ujërat e Malit të Zi. Ky lumë, sepse i tillë është, në të vërtetë është i lundrueshëm deri dy lega poshtë Shkodrës: për fat të keq, përballë fshatit të Hobotit, një sfrat ku nuk ka asnjëherë më shumë se tre metra ujë, pengon pothuaj gjithë lundrimin dhe as që duhet të na shkojë nëpër mend për ndonjë ndërmarrje të turqve apo banorëve vendës për të thyer këtë pengesë dhe për t'i krijuar një dalje në det një qyteti prej 40 000 frymësh. Deri më sot, Buna ka mbartur, përveç londras shqiptare, kanoniera të destinuara për të vepruar kundër Malit të Zi.

Padurimi fillon të na pushtojë të gjithëve kur, papritur, shohim të ngrihet para nesh një kodrinë e rrumbullakët dhe e vetmuar, me një fortesë e madhe veneciane, të cilën do ta njihja menjëherë edhe pa e parë kurrë. Është poetikja Rozafë, kështjella historike e Shkodrës. Mbas një gjysmë ore të mirë, duke u shalakatur në një shteg që vërtitej rreth malit Tarobosh, hyjmë në një rrethinë me një papastërti tepër piktoreske, të quajtur (ndoshta me tallje) Gallata: kaluam njëri pas tjetrit urën e gjatë prej druri të Uzun Kyprysë dhe hyjmë në pjesën tregtare të qytetit të quajtur në mënyrë më të veçantë Pazar, i mbledhur në këmbët e kështjellës. U ndava nga shoqëruesit dhe shkova në konsullatën franceze, që ishte e vendosur në qytetin e ri dhe ku gjeta mikpritjen dashamirëse të përkthyesit, zotit Robert, që kryente detyrat konsullore në mungesë të zotit Hekar.

Të nesërmen në mëngjes, së bashku me zotin Robert, shkojmë te kodra, një observator fort i bukur që më lejon të rrok tërësinë e vendit me një të hedhur të syve. Rreth nesh shtrihet një rrafshinë prej 27 legash gjatësi dhe gjerësi të ndryshme, që ndjek në përgjithësi rrjedhën e lumit Moraça, liqenin dhe Bunën deri në det. Sukat e kodrës dhe Rozafa formojnë në këtë rrafshinë një gjerdan të vogël lartësish skistoide krejtësisht të veçuara. Duke vështruar verilindjen, ke përpara pamjen e bukur të liqenit që përfundon në formë koni drejt Malit të Zi, malet e largëta të të cilit pluskojnë në mjegullën e mëngjesit. Në të djathtë, një varg malesh më afër njëri-tjetrit dhe më të dukshëm, tregon shpatet e veta të mbuluara me pyje, ku banojnë fiset baritore dhe gjysmë të pavarura, që i quajnë Shtatë Bajraqet. Mali Cukal, më jugori nga këto maja, lë të vëresh të çarën e  thellë ku rrjedh Drini, që ndahet nga masivi i copëzuar dhe i murrmë i Mirditës. "Liria,- ka thënë Shatobriani,- ka banuar gjithmonë në male." Pyes veten se çfarë do të mendonte pashai i Shkodrës nëse do t'i ndodhte t'i hidhte sytë nga maja e kështjellës së tij, mbi kështjellat shumë më madhështore që natyra u ka dhuruar shqiptarëve, të lirë falë rregullave e privilegjeve, dhe malazezëve, të lirë prej pushkëve të tyre. "I merrni dot me mend banditët e Malit të Zi?- më thoshte plot mirëbesim një konsull osman.- Ata vdesin nga uria në shpellat e tyre të neveritshme; megjithatë, ata nuk kërkojnë veçse të punojnë; si bujq, si kopshtarë, madje si marinarë janë të pakrahasueshëm: epo, ne u propozojmë të zbresin në rrafshinë; ne u ofrojmë Zetën, po, zotëri, rrafshinën më të bukur që gjendet këtu e pesëdhjetë lega rreth e rrotull, me kushtin e vetëm që ta njohin veten për shtetas turq; e dini, zotëri, si përgjigjen këta zorrëtharë? Ata mendojnë se kjo do t'i çnderonte!"

Liqeni, që sllavët e quajnë blato dhe shqiptarët liqen, është një sipërfaqe e bukur uji të kulluar e rrethuar në perëndim nga një linjë e hirtë malesh, të cilët pasqyrojnë aty shkëmbinjtë e tyre të ashpër, ku shtrihen shkallë-shkallë disa fshatra peshkatarësh. Në lindje, rrafshina e banuar nga banorët e Buzujit' dhe të Hotit përfundon aty në një pjerrësi aq të pandjeshme, sa midis tokës dhe ujit mbretëron një çeltirë e papërcaktuar, livadh në verë, moçal në dimër. Këtu takojmë traditën e përjetshme të brigjeve të liqeneve të Greqisë së lashtë dhe të vendeve moderne kelte. Banorët pohojnë se liqeni nuk kishte qenë gjithmonë kaq i gjerë sa është sot dhe se në bregun lindor ekzistonte një rrafshinë e mbuluar nga fshatra dhe e quajtur Rrafshina e Përrenjve, Fusha e Proneve. Si pasojë e një tërmeti që tronditi vendin, rrafshina humbi nën ujëra, dhe banorët e moshuar të fshatrave nuk ngurojnë të shtojnë se, kur ujërat janë shumë të qeta, mund të shohësh gërmadhat e shtëpive dhe majat e drurëve të varrosur në thellësitë e tyre.

Ndërsa skicoja me ngut një plan të përgjithshëm të vendit që përfshihej në horizontin tim, një rrethanë krejt rastësore, ose të paktën e përkohshme, tërhoqi vëmendjen time në atë që më dha çelësin e një pasazhi të Tit-Livit që i kishte ngatërruar shumë komentuesit. Gabohem: komentuesit nuk ngatërrohen asnjëherë, dhe ata të Tit-Livit, në vend që të pranonin se nuk e kuptonin, thanë se ai kishte bërë një gabim të rëndë gjeografik.

Historiani i madh, duke skicuar tiparet e përgjithshme të Ilirisë, ka thënë se Drini derdhte në det ujërat e liqenit të Shkodrës. Drini, siç dihet, drejtohet në të vërtetë drejt liqenit, por me të mbërritur rreth dy lega nga Shkodra, kthehet pëmjëherësh në jug dhe shkon e përfundon pranë Lezhës. Duke studiuar rrafshinën e bukur, të quajtur Rrafshina e Spahinjve, që shtrihet nga lumi deri në rrëzë të bregores që më shërbente si observator, pashë një lumë me ujërat lymore, që fillonte nga bërryli i Drinit dhe derdhej në Kir, i cili vetë derdhej në liqen, fare pranë vendeve të peshkimit. Ky lumë nuk është shënuar në asnjë hartë, dhe mësova se është i thatë në verë, por që gjatë tërë dimrave shërben si shkarkues në lumin e madh, pjesa e poshtme e rrafshinës formon deltën dhe nganjëherë është e përmbytur. Në këtë rast, një udhëtar që ecën përgjatë bregut të djathtë duke ardhur nga Maqedonia priret të marrë më shumë për degë kryesore atë që vazhdon pa asnjë shmangie drejt liqenit, sesa atë që derdhet drejt jugut, dhe Tit-Livi nuk ka gabuar. Në qoftë se do të ishte gabuar me të vërtetë, nuk duhet harruhr se Iliria barbare në kohën e tij nuk ishte më e njohur sesa është sot Maroku: sepse kur do ta mësojmë saktë nëse Drajaa, që është lumi më i madh i Marokut, humb në det apo në një kënetë 200 lega nga deti?

Ekskursion në Shtatë Malet. Krahu i Shkodrës. Toka e premtuar për cubni. Poeziashqiptare. Përroi i thatë. Një fjalë për gegët. Një kler luftarak. Fiset e Shkrelit dhe të Kelmendit. Ura e Berzelës dhe liqenet rrjedhëse; Boga; kthim në Shkodër nëpërmjet Zagorës; Legjendat baritore dhe homerike: Kastrati. Gruaja në Orient: çështje nderi malazez.

Qëndrova në Shkodër aq sa ishte e nevojshme që të përfundoja përgatitjet për ekskursionin në brendësi të vendit. Një ngatërresë e papritur më pengoi të përfitoja nga letrat që pashai më kishte dhënë për në Prizren; por meqë kisha paguar kuajt e postës dhe një suvar për shoqërues, u përpoqa ta ngushëlloja veten nga ky zhgënjim duke bërë një ekskursion midis fiseve të lira të Shtatë Maleve. Miqtë e mi shkodranë më shoqëruan deri te një pemë e madhe që shënonte në veri kufirin e qy tetit dhe, pasi u ndamë, tre kuajt tanë, nën një britmë të çuditshme të lëshuar nga suroudji, u lëshuan me galop përmes një shqopishteje, mjaft e ngjashme me shkurrajat e perëndimit të Francës, dhe ku u shfaqën disa grumbuj shtëpish, duke ofruar pamjen e mirëqenies, që më ishte dukur diçka e përgjithshme në Shqipëri.

Rrugës, tek- tuk, takojmë kope të mëdha të shoqëruara nga barinj me pamje madhështore, me mustaqe me majë, duke tundur si kërrabë pushkën e pashmangshme shqiptare, që shihet edhe në supet e bariut më të vogël trembëdhjetëvjeçar. Qen me qime të ashpër të vështrojnë me një pamje aspak miqësore: vetë delet duken gati kërcënuese nën maskën e tyre aspak të zgjuar. Duket, që në hapat e parë, se ke hyrë te shqiptarët e vërtetë, racë muskulore dhe zemërhekur.

Pas pak, vetë toka harmonizohet me racën. Ne kaluam përroin e Vrakës, një përrua i kthjellët dhe i bukur, ku kuajt tanë u zhytën tërë ëndje. Fatkëqijtë duken sikur dyshojnë se pas dy ditësh uji do të ekzistojë vetëm si kujtim. Kjo luginë, aq e gjelbër dhe aq e rrafshët nga larg, është krahu shqiptar, ku kuajt tanë luftojnë në çdo hap: shtretërit e përrenjve që hasim rrugës, na ofrojnë vetëm valëzimet e tyre prej rëre të një bardhësie verbuese, të cilën banorët e përdorin për të lëmuar armët. Në krye të tri orëve, hymë në një shteg plot hije dhe ndaluam në fshatin Kopilik, kryeqendra e një fisi prej 4 500 frymësh, dikur i gjithi katolik, por rreth gjysma e tij përqafoi islamizmin. Janë myslimanë paksa ortodoksë, është e vërtetë, sepse kanë ruajtur një përkushtim të madh për Shën Nikollën e Shën Gjergjin dhe ndezin shumë qirinj për nder të tyre.

Kopiliku ka ende një veçanti të vogël: është vendtakimi i cubave të vendit, që xhandarmëria shkodrane do të nguronte t'i turbullonte në veprimtarinë e tyre të pandershme. Shumë nga pashallarët më duken të bindur se një muaj cubni të ushtruar ashtu si duhet, e formon më mirë një këmbësor sesa tre vjet ushtrim sipas mënyrës europiane, dhe jam i detyruar t'i justifikoj cubat serbë apo shqiptarë, që luftojnë besnikërisht, në kohë lufte, nën flamurin e fisit të tyre, gjë që sigurisht nuk do ta bënin nëse drejtësia do të zgjidhte këtë çast për t'u kërkuar llogari. Një milje para Kopilikut, rruga pritet në kënd të drejtë nga një shteg që të çon nga liqeni në Rrjoll. Kur po i afroheshim udhëkryqit, pesë burra që po vinin nga lindja, zunë pozicion. Kostumet e tyre, armët e tyre, sidomos qëndrimi i tyre, krijonin një ansambël skulpturor, të cilin nuk lodhesha së admiruari. Edhe suvari im vështronte, por ai admironte më pak: sakaq na bëri shenjë, mua dhe suruxhit, dhe u lëshua me galop në drejtim të fshatit; unë mendova se ai ngutej të arrinte në shtëpi; por pas dy apo tre minutash, u rrëzua në rrugë, pasi mori një kthesë të fortë djathtas; kishte dashur vetëm të qëndronte jashtë rrezes së qitjes së pesë pushkëve. Ngriva i tëri nga roli prej frikacaku që kisha luajtur pa e ditur, aq më tepër se, sipas të gjitha gjasave, pesë burrat ishin pak a shumë njerëz që kërkonin të merrnin hak, por që nuk do të keqtrajtonin një udhëtar. Ata u dukën sikur nuk u fyen nga dyshimet që shfaqi arratia e xhandarit dhe vazhduan rrugën e tyre si njerëz të mirë që mund të ishin.

Suvari im, i pushtuar nga mendime jo më pak të kobshme, filloi ta thyente mërzinë duke kënduar me zërin e tij buçitës, jehonën e të cilit e kthenin kodrat e Kastratit, një këngë të bukur shqiptare nga fisi i Dibrës, ku pa dyshim kishte lindur. Përkthimi i disa strofave mund të krijojë një ide për poezinë e dashurisë së gegëve: në qoftë se ai nuk do të arrijë të japë ritmin e gëzuar, të gjallë dhe të rrëmbyer nga pasioni të këtyre strofave të shkurtra, lexuesi do të mendojë se nuk kam thënë ndonjë gjë të madhe:

Shebojë në livadh, Besën më ke dhënë, O e vogla mollë e bukur!

Shebojë nëflokë, Dil dhe eja të mëflasësh O e vogla inollë e bukur!

Shebojë në gur, Zemrën seç ma theve O e vogla mollë e bukur!

Shebojë mahnitëse, Gjirin më të bardhë s'e bora O e vogla mollë e bukur!

Shebojë në man,

I dashuri yt unë jam O e vogla mollë e bukur!

Unë po shkoj të korr, Dhe xhaxhanë dot s'e shmang O e vogla mollë e bukur!

Pas Kopilikut, Krahu vazhdoi për rreth një ore të mirë. Teksa u drejtuam për nga grumbujt e shkëmbinjve ndër më të bukurit, mbërritëm buzë një humnere të madhërishme katër këmbë të gjerë dhe me një gjatësi gjashtë deri në tetë lega: ishte një nga ato tmerre të bukura që e bëjnë turistin të harrojë shpejt të gjitha lodhjet që ka hequr. Pandehëm se ndodheshim në një pllajë shkumësi të mbuluar katër gisht nga një tokë bimore dhe nga një shi i vërtetë gurësh, por ajo ishte një hulli që e vë re vetëm kur arrin aty dhe që zgjatej në mal, në lindje, deri në rrënjë të malit Bieskat të namune. Shtrati i tharë i përroit që kishte gërryer atë përroskë, shpalos, në fund, një thellësi prej tridhjetë këmbësh (që, në zemër të malit, nuk duket më e vogël se njëqind e pesëdhjetë), një shirit prej rëre të bardhë i cili gjarpëron përmes gjethnajës së dendur të  drurëve që veshin muret e përroskës dhe lartojnë majat e tyre me një jeshile shndritëse në nivelin e rrafshinës së tharë. Zhgënjimi që pëson udhëtari, të cilin trajtat e përgjithshme të peizazhit e kanë bërë të shpresojë se do gjejë një lumë të bukur me ujë të kulluar nën ata drurë të bukur, por që, duke u përkulur mbi humnerë, sheh në fund vetëm valë të vogla rëre dhe blloqe shkëmbinjsh të rrokullisur nga ujërat, e bën të ndiejë më fuqishëm thatësinë e atij peizazhi të ngurtësuar. Ai është përroi i famshëm, Përroi i Thatë, me të cilin do të njihesha më nga afër gjatë gjithë kohës, sepse do të më duhej të mos i ndahesha deri në Bogë.

Ne u shkëputëm për një çast prej tij për të hyrë në luginën e Dedajt, ku shpresoja, sipas një treguesi të zotit Viksnel, të gjeja një gurore të vërtetë fosilesh; por mosnjohja e gjuhës shqipe më bëri të humb këtë të mirë të rënë nga qielli, që ndoshta banorët e fshatrave do të ma kishin treguar. E kompensova këtë duke bërë një plan të detajuar të luginës dhe të rrugës pa krye të anës veriore të rrafshinës, i rrethuar nga banorët e Dedajt, që shihnin të mrekulluar mjetet e mia. Edhe vetë isha i befasuar kur shihja që dylbitë e mia ishin për ata fshatarë një gjë e njohur dhe që ata i përdornin për të parë po aq lehtësisht sa edhe unë vetë. Më vonë gjeta dhe shpjegimin e kësaj hollësie. Kur një shqiptar është i detyruar, për shkak të një të shtëne pushke fatzezë, të marrë arratinë në mal, ai merr me vete armët, një bukë dhe një dylbi që ndihmon sytë e tij prej fajkoi të shquajnë nga larg, qoftë xhandarët, që, në të vërtetë, rrallëherë e çajnë kokën për kaq pak gjë, qoftë të afërmit e viktimës të vënë në ndjekje të tij. Për të shkuar në Mirditë, zonja F. nga Shkodra kishte marrë për udhërrëfyes, pa dyshuar për ndonjë gjë, një njeri si rasti që tregova më lart: ajp pati shumë telashe për shkak të udhërrëfyesit të saj, që e vërtiti nëpër shtigje të frikshme, të shkelura shumë pak nga xhandarët. Sa herë që një pikë e zezë lëvizte në horizont, ai shtrihej barkas, ngjishte te sytë dylbitë dhe mbushte pushkën e tij derisa njihte objektin e dyshimtë. Përvoja i kishte mësuar atij xhentëlmeni me fustanellë taktikën e komitëve në Krime.

Po të më pyesni nëse hakmarijet janë të shpeshta në Shqipëri, unë do të përgjigjesha vetëm me një të dhënë. Kam para syve një listë, fshat më fshat, të vrasjeve të kryera në Pult nga 1854 deri më 1856. Raporti i përgjithshëm është një i vdekur në çdo dhjetë shtëpi; në komunën e Nikës, raporti është një burrë për familje, në krye të trembëdhjetë vjetëve. Shtoni këtu listën mjaft të gjatë të tentativave pa pasoja vdekjeje, dhe do të kuptoni se një shqiptar gegë që në moshën tridhjetëvjeçare nuk ka vrarë njeriun që i takonte të vriste, është pak a shumë në gjendjen e një të mësuari me disa sallone të Parisit i cili në të njëjtën moshë nuk ka shkruar artikullin e tij në një Revistë me shumë emër.

Në Dedaj, pata tërë atë kohë për të studiuar tipin e gegëve malësorë, që kushtet e jetesës dhe të klimës e kanë bërë disi të ndryshëm nga ai i qytetit. Ata janë më shumë blegtorë sesa bujq, me shtat të lartë e të derdhur, me profil të hequr e krenar, shumë i njohur nga ata që kanë udhëtuar në Greqi, ku gjaku shqiptar është përzierë me atë helen. Kostumi tradicional, xhaketë e kuqe dhe fustanellë, është një veshje plot madhështi e zëvendësuar zakonisht nga një veshje e gjatë sidomos prej leshi, me pushkën të hedhur krahaqafë. Pushka është, në njëfarë mënyre, siç e kam thënë, pjesë përbërëse e shqiptarit të pavarur. Mbajtja e kësaj arme, sipas disa koncilëve, teksti i të cilëve mund të lexohet në librin e zotit Hahn, ka qenë formalisht e ndaluar për priftërinjtë katolikë vendës, që nuk e kanë marrë asnjëherë parasysh ndalimin. Shohim këtu një prift të mirë që shkon t'i shprehë ngushëllimet e fundit një njeriu në prag të vdekjes dhe, në kthim, i dërgoi një plumb të pagabueshëm një turku me pamje të dyshimtë i cili nuk i përgjigjet thirrjes "kush po kalon"! Sa u takon grave, nëse puna dhe amësia e hershme i thyen që në moshë të re, krejt bota shpirtërore dhe mirëqenia relative u ruan vajzave të reja një bukuri që shpërthen me gjithë shkëlqimin e një gjaku të ri, të pastër dhe të fuqishëm.

Sapo kisha hyrë në fisin e Skraellit, një nga fiset më të rëndësishme të malit, që numëron rreth 2 500 frymë dhe ofron lehtësisht 600 pushkë. Kaluam një shqopishte të thepisur dhe zbritëm te Përroi i Thatë, i kalueshëm vetëm në këtë pikë. Një burrë rreth të dyzetave, gati gjashtë këmbë i lartë dhe me një pamje shumë të bukur, që po ruante tufën e tij në shqopishte, më foli me një italishte shumë të mirë dhe unë përfitova nga kjo rrethanë fatlume për të marrë disa të dhëna të dobishme. Bashkëbiseduesi im ishte një fshatar i pasur fshati i Zagorës dhe nga fisi Shkreli: ai quhej Çuk dhe çdo vit, në pranverë shkonte buzë detit në Shëngjin, ku fisi i tij kishte marrë me qira kullota të dhëna nga  Osmani, pashai i Shkodrës. Ai kishte mësuar italishten për të shërbyer si përkthyes te tregtarët italianë ose austriakë që zbrisnin në brigjet e Shëngjinit dhe që bënin tregti me malësorët me lesh të papërpunuar e me artikuj të ndryshëm. Ai ftoi tërë mirësjellje Zotërinë Time të kalonte në kthim nga Zagora për fi bërë vizitë, duke më siguruar se do të më shoqëronte deri në Bogë, nëse do gjente njeri për të lajmëruar familjen që të mos e prisnin. Unë i bëra disa pyetje rreth Përroit të Thatë: ai më tha se ky përrua rridhte gati një herë në dhjetë vjet, për një ose dy ditë, kur në Bjeshkët e Namuna kishte reshje të jashtëzakonshme. Thatësira e tanishme e Përroit mund të jetë pasojë vetëm e shpyllëzimit të pjesshëm të maleve, sepse është e pamundur të pranosh që një përroskë e tillë të jetë gërryer nga një përrua i përkohshëm që mezi rrjedh një herë në dhjetë vjet.

Për rreth dy orë, ndoqëm njëri pas tjetrit një shteg të frikshëm, që gjarpëronte pothuaj mbi rrëpirën që ndjek Përroin e Thatë në veri. Grykat më të ashpra të Pirenejve nuk arrijnë të japin një ide për një tokë të tillë ku gëlqerori, i copëtuar nga faktorët atmosferikë, mund të ngrihet nën këmbë në formën e majave apo halave prerëse ku kuajt më të fuqishëm ngecin në çdo dhjetë hapa. Dëshpërimi që po më mbërthente shtohej nga pamja e shiritit të argjenduar të Përroit të Thatë, të cilin e kisha pa pushim para syve dhe pyesja me vete përse nuk zbresim të ecim në rrugën e sheshtë, tërë rërë dhe të butë po aq sa edhe rruginat e pastruara më së miri të një parku mbretëror. U tregova i zgjuar që nuk ua shpreha këtë përsiatje të këndshme njerëzve të mi, që do të më kishin kujtuar thjesht për një idiot. Shumë- shumë ata do të merrnin mundimin të më shpjegonin rregullin fillestar të strategjisë, që, kur ke kapur një lartësi, është kulmi i çmendurisë të zbresësh në një vend të rrezikshëm, sidomos në atë ku e kuqja verbuese e festeve tona, që spikaste në të bardhën e fortë të rërës, do të ishte një pikë shumë e mirë për fu marrë shenjë nga karabina e parë që do të hasnim. Mirëpo, pa sulmuar në mënyrë të padrejtë shqiptarët, do të thosha njëherë e përgjithmonë se është pakujdesi ta paraqesësh virtytin e tyre si tundim për një sulm që do të ekzekutohej me shumë lehtësi.

Po binte nata, kur pamë të hapej para nesh një cirk me një sipërfaqe prej gjysmë lege katrore, formuar nga dy apo tre përroska që hapeshin te Përroi, ku çdo dimër derdheshin përrenjtë e rrëmbyeshëm të shkaktuar nga shtrëngatat dhe shkrirja e dëborës. Ujërat, të thithura lehtësisht nga dheu gëlqeror dhe poroz, kanë grumbulluar në këtë cekëtinë humusin e rrëmbyer nga shpatet e maleve dhe kanë rritur pjellorinë, e cila duket qartë nga bollëku i pazakontë i kulturave bujqësore, i drurëve frutorë, shegëve dhe rrushit të egër. Në fund të cirkut janë shpërndarë shtëpitë e  bardha të fshatit Berzela, kryeqendra e fisit, dhe për këtë arsye e quajtur Shkrel në të gjitha hartat. Nuk ka gjë më të bukur për të parë sesa lugina e Berzelës, sidomos në muajin maj, kur dëbora mbulon ende lartësitë fqinje dhe kur gjethnaja e errët e pyjeve që veshin të gjitha shpatet e thepisura spikat në të njëjtën kohë mes majave të bardha dhe gjelbërimit aq të ëmbël të bimësisë, që zgjohet në luginë.

Teksa unë admiroja këtë peizazh të bukur, njerëzit e mi u dukën më të shqetësuar. Ata shkëmbyen midis tyre disa fjalë, zbritën nga kuajt, dhe unë bëra si ata. Po ecnim mu në buzët e pingulta të humnerës, në një lartësi shumë të madhe. Pesë minuta më pas u shfaq, mbi Përrua, ura e Berzelës, urë e madhe prej guri, pa mbrojtëse anësore, më pak se dy metra e gjerë dhe katër metra e gjatë. Përroska ishte këtu vetëm një hulli, thellësia marramendëse e të cilës ishte e fshehur nga një bimësi mjaft e dendur e akoma më shumë nga hijet e mbrëmjes që po zbrisnin me shpejtësi. Tmerret e bukura të këtij lloji janë kaq të zakonta në Shqipëri, sa as që i zënë në gojë.

Prej këtej deri në Bogë, rruga ndjek bregun e majte të përroskës përmes një toke më të punuar, me gjithë klimën më të ftohtë e cila dëshmohet nga mungesa e disa bimëve, si rrushi i egër, i zakontë në territorin e Berzelës. Pas dy orësh të mira, dhe jo pesë, siç thotë zoti Bue (libri i të cilit është për këtë rrugë si për gjithë të tjerat i një saktësie të admirueshme, me përjashtim të dy apo tre hollësive pak të rëndësishme), arrijmë në fshatin Bogë, që i përket Kelmendit, sipas zotit Bue, Shalës, sipas zotit Jubani54. Ky i fundit ka shkruar për të dhënat zyrtare dhe, nëse dyshimi është i mundshëm, sedra ime prej udhëtari do të ishte më e kënaqur nga pohimi i zotit Bue dhe nga ideja se vizitova një cep të Kelmendit të famshëm, që për dy shekuj ka qenë krenaria e Shqipërisë katolike dhe tmerri i mbarë perëndimit të Perandorisë Osmane, nga Dalmacia deri në pashallëkun e Adrianopojës. Malësorët që u kishin bërë ballë ushtrive prej njëqind mijë njerëz, ranë viktima të përçarjeve të tyre të brendshme: të larguar në masë në Serbi, malli për vendin i pushtoi një ditë dhe ata u kthyen në banesat e tyre të lashta, duke shtypur gjithçka që kërkonte t'i ndalonte. Lodhja e turqve i lejoi ata të qëndronin aty, por më shumë si mbartës të një kujtimi të madh, sesa si fis, sepse kishin mbetur vetëm katër fshatra dhe 4 000 frymë.

Unë gjeta në Bogë, falë rekomandimit konsullor dhe shpirtit mikpritës të gegëve, një pritje të ngrohtë, të cilën nuk e shpërdorova, sepse kalova aty vetëm kohën e nevojshme për punët e mia topografike56. Boga, ashtu si Berzela, është e vendosur në shtratin e një liqeni të lashtë të shterur për shkak kishë e veçuar ngrihet në anën tjetër. Kjo vendosje me kate e tokës diluviale bie më shumë në sy në luginën e Piatrës në Moldavi, një nga temat më interesante të studimit që mund t'i ofrohet një gjeologu. Unë mbërrita pas rreth një orë e gjysmë në krye të Përroit (unë nuk mund ta quaj burim pikën e nisjes së një lumi pa ujë). Do të dëshiroja shumë të depërtoja në grykat e Bjeshkëve të Namuna dhe të shihja, qoftë edhe së largu, fushëgropën shumë të bukur ku fshihej Gucia dhe atë safirin e vogël që e quajnë liqeni i Plavës; por koha më nguste, dhe mora sërish, pa dëshirë, rrugën që kisha përshkuar një ditë më parë.

Pak pas Dedajt, kaluam Përroin mbi një urë druri të ngrënë nga krimbat me një qëndrueshmëri aq shqetësuese, sa ne e kapërcyem në këmbë, njëri pas tjetrit, duke i lënë bujarisht kafshët tona t'ia dilnin mbanë me mëshirën e Zotit. Ura nuk u shemb dhe, pasi u hipëm kuajve, arritëm, përmes të mbjellave që dëshmonin për punën e mundimshme të shqiptarëve, në fshatin Zagorë, ku më priste mikpritja e zellshme e gjigantit tim gegë, Çukut të mirë. Nuk dua ta mërzis lexuesin tim me hollësi të njohura të mikpritjes fshatare në Orient: do të them vetëm, për ta mësuar udhëtarët sibaritë’, se shtrati im u shtrua në pemishte dhe unë fjeta nën qiell të hapur, shprehje që atë natë ishte me të vërtetë e saktë.

Zagora është një fshat shqiptar, por emri, që është sllav dhe do të thotë "në këmbë të malit"[1], duket se tregon një prej atyre vendeve nga gegët kanë dëbuar serbët, në një kohë të papërcaktuar, e cila mund të përkojë me përafërsi me kohën që pasoi menjëherë pushtimin turk60. Ky vend u përkiste në zanafillë tri fiseve serbe, Petroviçëve, Tutoviçëve dhe Pelaive, që formonin një grup prej njëqind shtëpish rreth malit Veleçik61. Një ditë mbërriti në vendin fqinj me ta një shqiptar i ri i quajtur Dedali, që, duke shërbyer si bari te një i pasur i fisit të Kuçit, u dashurua pas Katës, vajzës së tij, kundër dëshirës së të atit. Ky i fundit ia dha vajzën djalit, por duke e dëbuar çiftin e ri nga shtëpia, të cilëve u dha sa për të mbajtur veten disa ushqime dhe një mushkë për t'i mbartur. Ata arritën natën në Veleçik, duke ecur në këmbë, Dedali duke mbajtur gruan e tij të re shtatzënë dhe të rraskapitur nga lodhja. Mushka mori arratinë, dhe Dedali humbi krejt duke u vënë në ndjekje të saj: ai e gjeti në hyrje të një shpelle mjaft të madhe, zbulimi i së cilës i dha krahë haresë së tij, sepse ajo do ta mbronte nga stuhitë e dimrit. Ai u vendos aty së bashku me gruan dhe kjo shpellë, sot e famshme midis gegëve me emrin Shpella e bagëtive, u bë djepi i një prej fiseve të mëdha të Shqipërisë.

Një ditë ndodhi që Petroviçët dhe fqinjët e tyre u alarmuan nga prania mes tyre e një familjeje të madhe dhe të frikshme. Ata shkuan të këshilloheshin me një plak njëqindvjeçar, i cili kishte kohë që nuk merrte pjesë në këshillin e fisit, ku kishte lënë një emër të madh për urtësinë e tij.

Fëmijët e mi, u tha plaku, kjo është prova së cilës do t'i nënshtrohen bijtë e Dedalit për të mësuar se deri në ç'pikë janë për t'u pasur frikë. Ftojini për një drekë në nder të tyre dhe, kur të jenë ulur, vendosuni sofrën përpara, por që duart e tyre të mos e arrijnë. Në qoftë se ata afrohen te sofra, i vrisni menjëherë, sepse janë njerëz paqësore dhe të ndrojtur. Nëse, përkundrazi, çohen dhe kapin sofrën për ta vendosur mes tyre pa e çarë kokën për ju, kjo do të jetë shenja se janë njerëz të dhunshëm dhe ju do të bëni mirë të lini vendin natën tjetër së bashku me tufat dhe plaçkat tuaja të çmueshme, ndryshe do t'ju vrasin ose do t'ju kthejnë në shërbëtorë.

Bënë siç u tha plaku dhe sllavët panë të shtangur bijtë e Dedalit të ngrihen me ngut, të kapin sofrën dhe ta vendosin para babait të tyre. Po atë natë, të gjithë morën rrugët e emigrimit, me përjashtim të një pjese të Petroviçëve, që formon  Gjysma e dytë e shekullit XV.

Maja e Veleçikut (1 726 m) kulmon në veri të Zagorës. sot një grup prej tridhjetë e tetë familjesh. Raca e Dedalit u bë fisi i Kastratit, që llogarit 2 600 frymë. Të sulmuar nga turqit që komandonte Tahir Beu, Kastratasit shpartalluan pushtuesit, që mundën të organizoheshin përsëri vetëm prapa Përroit të Thatë, kufiri i sotëm i fisit.

Katër orë pasi kisha kaluar Përroin mbi një urë guri në gjendje të mirë, hyra në Shkodër, ku u përgatita seriozisht për ekskursionin tim në Malin e Zi. Sigurova pa lodhje letrat e nevojshme, dhe pashai vuri në shërbimin tim një lundër shqiptare me gjashtë rremtarë, që do të më zbrisnin në krye të dhjetë orëve në Rjekë, në vetë zemrën e Malit të Zi. Shtruam në konsullatë çështjen e sigurisë, sepse një statu quo armiqësore mbretëronte ende midis Malit të Zi e Turqisë, dhe në kufi pasionet ishin më se të acaruara. Zoti Jubani më shtyu të merrja në anijen time, si mbrojtje, njëfarë malazezeje, që gjendej atëherë në Shkodër dhe që priste rastin për t'u kthyer në male. Përkujdesja rezultoi e mirë, por aspak e domosdoshme, dhe në fund u refuzua. Mbrojtja ime nga ajo që quhet rëndom seksi i dobët, në ato rrethana, nuk do t'i kushtonte asgjë dinjitetit tim, por nuk kisha kohë për të humbur. Kjo mbrojtje femërore është më e dobishme se çdo ferman i botës, sepse për malazezët, si për gjithë popujl kalorësiakë, respekti për  gruan është detyra më e lartë e burrit të besës dhe luftëtari që do të hapte zjarr mbi një grup në mesin e të cilit është një femër, pushon së qeni kandidat për titullin i'ounak (hero). Duhet t'i tërheqë më mirë mbi vete të gjithë plumbat dhe të mos u përgjigjet të shtënave, dhe ky është një ligj aq i shenjtë në mal, saqë kuçitët, kur janë në luftë me malazezët, fshihen prapa grave të tyre (thonë gjuhët e liga), për të shkrehur armën pa qenë i rrezikuar.

Ka në Shqipëri një proverb në formë dialogu që vizaton me mjaft besnikëri statusin e gruas në Orientin europian. Skena zhvillohet në një kafene poliglote.

Ç'është një grua ?

Një turk- Një robinjë.

Një shqiptar.- Një skllave.

Një serb.- Një shërbëtore.

Një bullgar- Një shoqe.

Një çifut.- Një ortake.

Një grek.- Një mbretëreshë.

Fjala greke është edhe më shprehëse: vassiliki. Unë dëshiroj që ky madrigal i bukur të pajtonte miqtë e mi helenë me lexueset e bukura franceze që duhet fi kenë pranuar si dogmë fetare thumbimet qesharake të zotit Edmond Abu. Por një proverb nuk duhet marrë në kuptimin e ngushtë të fjalës, ai shpreh veçse sipërfaqen e gjërave. Turku, që përbuz mrekullisht gruan, është edhe bashkëshorti më i butë për ta drejtuar, dhe serbi malazez, që e quan gruan e tij një shërbëtore, madje edhe më keq, ka dashurinë më të thellë për shoqen e devotshme që shkon, në mes të plumbave, për t'i çuar një grusht fishekësh apo për t'i mbushur pushkën.

Nisja për në Malin e Zi. Liqeni. Ishujt Vranina dhe Lesendra

Unë i hipa lundrës sime një mëngjes të bukur gushti. Gjatë orëve të para, kisha para syve një peizazh të një butësie paksa monotone, të cilin e përshkrova më lart; në të djathtë, Krahu i Shkodrës i sunduar nga Shtatë Malet që hijezoheshin në mjegullën e lehtë; në të majtë, rrëpirat e vargmalit të Rumisë, majat më të mprehta të të cilit vinin dhe zhyteshin në liqen duke formuar aty kepe dhe ishuj që të linin një mbresë shumë të bukur. Në palosjet e këtij vargmali fshihen fshatra shqiptare, të cilat formojnë rajonin e quajtur kraina, që ka të ngjarë të ketë kuptimin sllav të kufirit dhe mbi të gjitha të kufirit malor. Pas pesë legash vozitjeje, pamë njëra pas tjetrës Vraninën dhe Lesendrën, dy ishuj binjakë që janë në njëfarë mënyre portat e liqenit, në pjesën e sipërme të tij. Porta e parë paraqitet fatmirësisht me majën e dyfishtë dhe fortifikimet e saj mjerane; sa i takon të dytës, ajo  nuk është gjë tjetër veçse një shkëmb i thatë, që mbizotëron nga të gjitha anët, dhe unë kurrë nuk kam mundur ta kuptoj përse turqit e kanë bërë plasdarmin e tyre të atij bregu.

Historia e këtyre dy ishujve është mjaft interesante. Më 1832, Reshit Pashës, që komandonte Shkodrën, iu shkrep të kapte shtatë ishullorë të Vraninës, që kishin shkuar për tregti në këtë qytet dhe, pa asnjë formë procesi gjyqësor, qoftë edhe sa për sy e faqe, urdhëroi t'u pritej koka si spiunë. Ishullorët, të dëshpëruar nga kjo egërsi pa arsye, kaluan në anën e vladikës ose princit- peshkop të Malit të Zi, Pjetrit II, që i fortifikoi me nxitim, por jo plotësisht, duke u bërë zot absolut i lundrimit në liqen. Kjo ishte një kohë e trishtuar për shkodranët që nuk kishin mundësi t'u kundërviheshin lundrave të holla e të gjata të malazezëve që, duke mos iu trembur topave të kështjellës, sidomos gjatë netëve të errëta dhe ditëve me mjegull, u kthyen paturpësisht në Rjekë me një gjah të mirë kokash të prera. Osmani, pashai i Shkodrës, bëri një gjë shumë popullore kur, më 1843, sulmoi ishujt, dëboi prej andej banorët, i përforcoi, duke i mbështetur punimet e tij të atypëratyshme me një flotilje të përbërë nga një anije me vela katrore dhe dy kanoniera. Kjo i doli për mbarë, sepse vladika lëshoi 3 000 burra të vendosur kundër Vraninës; por, të prapsur nga shkëmbimi i zjarrit mes dy garnizoneve, malazezët u tërhoqën dhe nuk i shqetësuan më ishujt.

Unë kalova Lesendron, duke i treguar nga larg fermanin tim një oficeri të trupave jo të rregullta, i cili m'u drejtua në italisht dhe u kënaqa për disa minuta nga pamja e një grupi bashibozukësh me shprehjen më krenare që mund të ketë ëndërruar përfytyrimi i Dekampit apo i Bidës. Lashë në të majtë një liman të vogël ku dukeshin si dremisnin të ankoruara dy  kanoniera turke, që më shurnë kishin pamjen e zhonkëve kinezë sesa të anijeve europiane. Vështrimi im mundi të kapë pamjen e ashpër të brigjeve të Cernicës, pararojë e Malit të Zi.

Zhabljak, Cernovica, Rjeka, Cetinja

Me një emocion që mund të kuptohet fare lehtë, u gjenda përballë atij cepi të lavdishëm të tokës që ka penguar prej katër shekujsh gjithë pasurinë dhe gjithë fuqinë e Perandorisë Osmane. Isha ende nën mbresën e thellë të ditës së Grahovos, që ishte në atë kohë krejt e freskët. Trupat që kishin mposhtur rusët në Danub erdhën për t'u thyer nga trimëria e padisiplinuar e një grushti fshatarësh heroikë. Po atë çast, katër fuqi të mëdha po bëheshin gati të ndërhynin midis Portës së turpëruar dhe malazezëve të gatshëm për të pushtuar Hercegovinën, ku po i thërriste popullata e shqetësuar dhe fërgëlluese e krishtere. Emri i Malit të Zi, që ishte shpërfillur nga Europa para dhjetë vjetësh, u zbulua nga ngjarjet që kërcënonin të shkaktonin ngatërresa të çështjes së Orientit; dhe, megjithëse disi i familjarizuar nga udhëtimet e ndryshme me historinë dhe fizionominë e atyre viseve të çuditshme, kisha një kureshtje të ethshme për të studiuar nga afër atë racë të pamposhtur dhe për të cilën, sikurse u ndodh të gjithë popujve të cilët një ngjarje e papritur i nxjerr në dritë, u shkruan shumë të vërteta dhe të pavërteta.

Peizazhi që kisha para syve më ngjalli, që në fillim, një përshtypje të çuditshme dhe që mund ta shpreh vetëm nëpërmjet një krahasimi. Në një nga historitë më të jashtëzakonshme të Edgar Posë, një njeri i mbetur vetëm në bordin e një anijeje në rrezik të mbytej, sheh papritmas të vinte drejt tij, mes natës dhe shtrëngatës, masa e zezë dhe e heshtur e një anijeje gjigante që e kishte përfshirë rryma. Nuk e di se si mund të jetë Mali i Zi, i parë një mëngjes të bukur vere; por qielli u mbulua në çastin kur po kaloja në lartësinë e Vraninës, dhe malet e Cemicës m'u shfaqën befas, duke skicuar linjat e tyre të ashpra të një të gjelbre të errët në një qiell në ngjyrë plumbi, që pasqyrohej në ujërat e ndenjura, të rënda dhe të zeza si boja e shkrimit. As edhe një fshat, as edhe një kasolle bariu, as edhe një dhi në kodrat përreth: një palëvizshmëri dhe një qetësi e thellë për atë që dinte, si unë, se në gjuajtjen e parë të nisur nga njëra prej kanonierave, ato kodra do të mbuloheshin menjëherë me luftëtarë të dalë në njëfarë mënyre nga poshtë tokës dhe do të kurorëzoheshin nga shkreptimat dhe tymi.

Një hapësirë që hapej në të djathtë tregonte grykat e Moraçës, e cila ushqente pothuaj e vetme liqenin dhe lagte  rrafshinat pjellore të Zetës dhe të Leskopolies. Një kodër e veçuar; që vërehej me vështirësi në mjegull, mbarte një fortesë osmane, atë të Zhabljakut, rojtare e humbur e Turqisë në atë kufi. E humbur është fjala, sepse malazezët e kishin rimarrë Zhabljakun sa herë që kishin bërë përpjekje ta shtinin në dorë.

Ndërtuar rreth vitit 1423 nga Stefan Cemogora, pushtuar nga turqit, ai ishte për njëfarë kohe kryeqyteti i heroit të legjendave, Ivan Cemoieviçit. Rreth vitit 1432, turqit ia rrëmbyen atij Zhabljakun, ai u tërhoq në male dhe themeloi aty shtetin e vogël i cili që nga ajo kohë theu të gjitha përpjekjet e pashallarëve të Bosnjës dhe të Shqipërisë. Më 1835, dymbëdhjetë malazezë guximtarë pushtuan befas një natë fortesën e Zhabljakut dhe u mbrojtën aty kundër forcave turke që gjendeshin afër, të komanduara nga njëfarë Dervish Aga. Me të dëgjuar të shtënat e pushkëve, malazezët e rajonit të Rjekës u hodhën në masë dhe u ndeshën me tërbim për tri ditë: por afrimi i pashait të Shkodrës, me forca të shumta, i detyroi të rrethuarit, të ngarkuar me plaçkë lufte, të tërhiqeshin pa u shqetësuar fort dhe teksa largoheshin i vunë flakën qytetit dhe kalasë.

Më 1852, ndodhia qe më serioze: Daniloja, i zgjedhur rishtas dhe në përpjekje, ndoshta, t'u tregonte atyre që kundërshtonin emërimin e tij, se, pavarësisht nga mosha njëzetedyvjeçare, ishte një malazez nga racë e mirë, kërkoi dhe gjeti rastin të kënaqte instinktet e parapëlqyera të popullit të vet. Ai kishte mësuar se Zhabljaku mbrohej vetëm nga njëzet e pesë burra, megjithëse në listat dërguar Portës së lartë  rezultonin njëqind burra: pashai merrte pagën e shtatëdhjetë e pesë të tjerëve dhe e fuste në arkën e vet. Çdo gjë do të kishte shkuar mirë e bukur, pa trillin e Danilos. Me urdhër të tij, pesëmbëdhjetë malësorë iu ngjitën fortesës, bënë aty korrjen e zakonshme të kokave të cilat i dërguan në Cetinjë, kthyen topat kundër qytetit, flakën jashtë portave qytetarët myslimanë dhe thirrën njëqind e pesëdhjetë njerëz të tyre në kala, të cilën e përforcuan. Pashai i Shkodrës nxitoi, pasi u mendua mirë, të ndreqte këtë pasojë me mendjemprehtësi: ai dërgoi kundër Zhabljakut ushtarët që duhej t'i kishte vendosur aty që më parë, dha sinjalin e sulmit duke shfrytëzuar mjegullën e dendur, dhe humbi treqind vetë në sulmin e parë, që u pasua nga sulme të tjera më pak të përgjakshme dhe njëlloj të pafrytshme. Atëherë ai u mjaftua me një bllokadë që mund të kishte zgjatur po aq sa ajo e Misolongit; por Daniloja, duke iu bindur presionit të Austrisë, la vendin dhe urdhëroi të shkatërrohej kalaja. Pashai urdhëroi rindërtimin e fortesës mbi një plan krejt modern dhe nga e vjetra kanë mbetur vetëm disa fortina të mbuluara me kube.

Përballë Zhabljakut ngrihet në një kodër qyteza malazeze e Dodoshit, historisë së të cilës nuk i mungon origjinaliteti. Disa malësorë sypatrembur, gjatë luftës së shkurtër të 1832, kishin shtënë në dorë ishullin e Salkavinës, të cilin turqit ua kishin dhënë në fillim me qira, dhe për të mbrojtur fitoren e tyre, ata ngritën një kule (një lloj bunkeri) në fshatin Dodosh; pastaj ndanë midis tyre fushën duke sajuar akte shitblerjeje, dhe filluan të punonin tokën, duke caktuar me radhë njerëzit që do të ruanin me armë në dorë atë fitore të një lloji tjetër. Turqit e shpronësuar kishin vetëm një rrugë shpëtimi, të cilën e shfrytëzuan plot zhurmë: herë pas here, gjylet e Zhabljakut hidhnin përmbys mbi brazdë një bujk ndërsa të tjerëve u shkaktonin çaste hutimi fort të justifikueshme. Atëherë u vendos se cilido që, nën zjarrin e armikut, do të braktiste punën, do të paguante një gjobë prej njëzet talaris dhe do të mbante një përparëse gruaje. Më 1839, u  zhvilluan disa bisedime paraprake për paqe, mospranimi i njerëzve të Dodoshit për të dorëzuar Salkovinën shkaktoi fillimin e luftës: dhe që nga ajo kohë, në dobi të tyre u vendos një lloj parashkrimi. Kjo pra është një histori e shkurtër e malazezëve: çdo pëllëmbë nga trualli i paktë që ata mbjellin është bërë pjellore prej djersës së tyre vetëm pasi ka qenë vaditur më parë nga gjaku i tyre.

Kisha hyrë në kanalin e gjerë dhe dredha-dredha ku shkarkohet Cernovica dhe kisha filluar zbuloja me sy masivët që binin pingul mbi të, kur një shtrëngatë e frikshme shpërtheu mbi ne pothuaj në dalje të liqenit, duke i bërë një shaka të pakëndshme kënaqësisë që po provoja në soditjen e madhështive të egra të vendit. Më kot kërkoja mbi kreshtë ose në shpat të maleve ndonjë gjurmë të fortifikimeve, një kullë ose të paktën një nga ato fortifikata që mund të mbronin qitësit nga zjarri i kanonierave. Për mua qe interesante të hetoja nga largësia në largësi kanalin që gjarpëronte midis dy shtresave të bukura prej bimësh ujore; por rrëketë e shiut që më lagnin deri në palcë fshinë çdo shqetësim shkencor nga mendja ime. Fshati i parë që do të takoja qe Prevalka; ai ishte një grup kasollesh, te këmbët e të cilave vinte lumi, dhe që dukej i shkretë. Përshtypja e parë nuk ishte aspak e pëlqyeshme. Sapo kisha vizituar fshatrat shqiptare, me shtëpitë e vogla të lyera me gëlqere, plot ajër, me çatitë e kuqe mes gardheve të gjelbra dhe hije të pemëve të mollëve, të gjallëruara nga të gjitha zhurmat që tregonin jetë, dhe u gjenda përnjëherësh përballë një lloj qyteze kabilase, të trishtë dhe të zymtë në të parë. Thuhet se varfëria nuk është ves, por është e sigurt se ajo krijon përgjithësisht një paragjykim të keq, që reflektimi e shpërndan menjëherë nga mendjet e çiltra të etura për t'u ndriçuar. Unë kuptova shpejt se në atë botë orientale ku forca e ashpër është pothuaj gjithmonë fjala e fundit, liria ka kërkesa të tmerrshme dhe se kushti i parë për të qenë një popull është të dijë të jetojë në ato kasolle të mjera, të cilat po i vështroja me shumë respekt.

Pas dy orë të mira vozitjeje, vala e errët dhe e palëvizshme e lumit ia la vendin një rryme mjaft të shpejtë dhe ujërave me një tejdukshmëri të përsosur, që rridhnin midis livadheve të qeshura: lugina zgjerohej dhe peizazhi merrte një karakter më të butë. Thellësia e lumit zvogëlohej aq shpejt sa, edhe pse sasia e ujit që zhvendoste lundra ishte fare e vogël, rremtarëve tanë iu desh të hynin në ujë deri në mes të këmbëve dhe ta shtynin fort barkën që kërciste mbi gurët. Fillova të shqetësohesha seriozisht për atë mënyrë të çuditshme lundrimi, kur një skelë e vogël e rrethuar nga shtëpi me pamje të këndshme u shfaq në një qoshe të luginës. Kishim arritur në Rjekë. Ankoruam përballë skelës ku munda të ngjitem duke u kacavjerrë mbi supet e arnautëve të mi dhe me këtë veprim pak heroik zbrita në shtetet e Danilos I.

Në këtë vend kalova vetëm një natë, por do t'ua këshilloja udhëtarëve që mund të kenë më shumë se unë kohë të lirë të kalojnë aty të paktën dy ditë, për të vizituar vetë qytetin dhe sidomos rrethinat e tij të jashtëzakonshme. Rjeka përbëhet prej dy pjesësh mjaft të ndryshme nga njëra-tjetra: qyteti në kuptimin e vërtetë të fjalës, i mbledhur në një kodër rreth manastirit, dhe skelës, që i ngjan të parit vendqëndrim që të del përpara në brigjet e Luarës. Banesat afër skelës kanë një pamje paksa europiane, e cila zhduket sapo lë bregun: shtëpia ku një familje e pasur e vendit mikpret turistët, me një dhuratë të vogël tepër modeste, skela dhe ura me formë antike e ngritur mbi lumë duken se datojnë që nga Daniloja, si çdo gjë që ka në këtë vend dukjen e punëve me dobishi publike.

Manastiri ka një histori shumë më të pasur. Rjeka kishte qenë kryeqyteti i Malit të Zi pas humbjes së Zhabljakut, kur Cetinja nuk ekzistonte ende. Më 1492, aty kishte një shtypshkronjë sllave, dhe mitropoliti Nikifor më tregoi, në shtëpinë e tij, në Cetinjë, një meshar të shtypur në këtë datë në Rjekë. Kështu, në këtë popullsi të trajtuar si barbare, shtypshkronja ekzistonte në një epokë kur ajo ishte e panjohur në dy të tretat e Europës së qytetëruar, afërsisht një gjysmë shekulli para kohës kur ajo ishte te ne objekt i ashpërsisë drakoniane të Fransuasë I! Nuk dihet mirë se kur u zhduk kjo shtypshkronjë: në  ditët tona, vladika Pjetri II, duke iu bindur një prej atyre frymëzimeve të zgjuara për të cilat shquhej, ngriti një shtypshkronjë sllave në godinat e peshkopatës së tij dhe shtypi aty libra të ndryshëm që trajtonin subjekte fetare ose kombëtare, përmbledhje të poezive të veta dhe vjetarin e vyeshëm malazez të njohur me emrin Grlitza. Por me vdekjen e tij, në kulmin e dimrit nisi lufta e 1852 dhe mësymja e Omer Pashës: municionet filluan të mungonin, germat e shtypshkronjës u shkrinë për t'u bërë plumba dhe që nga ajo kohë nuk u zëvendësuan.

Në Rjekë, mora me qira për plaçkat e mia, një kalë të vogël e të fuqishëm mali dhe mora në këmbë, nën një shi të rrëmbyeshëm, shtegun që të çon në Cetinjë. Daniloja, i cili u përpoq shumë që kombi i tij të përfitonte nga përparimet e ndryshme materiale e morale, nuk mendoi kurrë, dhe me të drejtë, për të përmirësuar rrugët e principatës; një rrugë e mirë strategjike do të ishte e lehtë për t'u ndërtuar, por ajo do të ishte mbi të gjitha e dobishme për një ushtri armike në rast mësymjeje. Si pasojë, kalova disa orë duke kërcyer mbi kulmet prerëse të shkëmbit gëlqeror, duke ndjekur në fillim një shteg të qetë që ngjitej bashkë me luginën e Cernoviçit deri te bërryli ku kjo e fundit merrte papritur kthesën për në jug. Vazhdova të ngjitja malin dhe, me të mbërritur në majë, u ktheva me shpejtësi për të përfshirë me një vështrim të shpejtë rajonin e madh që kisha lënë pas.

Nuk duhet kërkuar analogji midis Malit të Zi dhe gjithë vendeve malore, struktura pak a shumë e ndërlikuar e të cilave reduktohet gjithmonë në disa degëzime vargmalesh që përputhen me një sistem të rregullt të lumenjve të vegjël dhe të mëdhenj. Mali i Zi dhe një pjesë e Hercegovinës, formojnë një brumë gëlqeror që mund ta krahasojmë me një tortë të stërmadhe prej dylli me mijëra hojëza. Këtu, hojëzat janë lugina (dolinas), diametri i të cilave luhatet nga një legë në dhjetë hapa: kur janë shumë të vogla, ato quhen rudina ose livadhe. Fjala livadh duket sikur nënkupton ujë, por është pikërisht uji ai që mungon më shumë në Malin e Zi; përveç dy apo tre përrenjve të parëndësishëm, disa puseve dhe burimeve, principata nuk ka burime të tjera ujore përveç përrenjve në stinën e shirave, uji i të cilave thithet shpejt nga poret e terrenit gëlqeror ku hapen hone (ponor), të ngjashme me katavothra-t e Greqisë. Lumenjtë e përhershëm ekzistojnë vetëm prapa shpatit lindor, dhe shkojnë e derdhen në Moraça ose në liqen që është zgjatim i tyre.

Një proverb malazez e jep shumë mirë strukturën e çuditshme dhe pothuaj pa analogji të njohura të vendit:

Kur Zoti krijoi botën, po kalonte në hapësira me një thes në krah ku ishin malet, që i mbillte me grushte atje ku e gjykonte me vend. Por thesi erdhi e u gris dhe prej tij shpëtoi një masë e frikshme malesh, që erdhën dhe ranë këtu: dhe ja ky është Mali i Zi.

Pasi kapërceva malin, zbrita në një vend të ulët ku shtrihej fshati i madh Dobersko-Selo. Mendova se do të çlodhesha pak kur pashë një lloj rruge të shkelur: por kishte rënë shi, dhe një pjesë e rrugës ishte pikërisht shtrati i një përroi të shpejtë, me ujëra të shkumëzuara dhe të turbulluara që vetëm ndryshoi torturën time. Për t'i rënë shkurt, do të them se pas disa orësh të atij shtegu të frikshëm, arrita në një kthesë të rrugës ku vështrimi m'u zhyt përnjëherësh mbi një rrafshinë një orë e gjysmë rrugë, pjesërisht e punuar, e cila m'u duk një Eden pas gjithë atyre që kisha kapërcyer. Një fshat me një banesë të bukur modeme në fund të tij ngrihej rrëzë një maje shkëmbore, që formonte një lloj ngushtice të rrafshinës: ishte Cetinja. Largova udhërrëfyesin tim dhe shkova drejt e te peshkopata, ku u gjenda pikërisht në kohën e duhur, për të harruar shtrëngatën dhe rrugët e gjata, pritjen e zotit Hanri Delary, sekretari francez i princit, që më sistemoi në shtëpinë e tij dhe shkoi t'i përcillte menjëherë Danilos letrat që kisha për të dhe me kërkesën time për një takim. Po bëhej vonë, dhe nuk shpresoja aspak të më priste atë mbrëmje: por zoti Delary më lajmëroi se princi më ftonte për darkë që atë mbrëmje, në orën nëntë.

Duke pritur orën, dola me zotin Delary, për të njohur paraprakisht Cetinjën dhe rrethinat e saj.

Cetinja, Lugina e Njegoshit. Kotori.

Kryeqyteti i Malit të Zi nuk ta mbush syrin: ndoshta është fshati më i vogël që ekziston në principatë. Për një kohë shumë të gjatë ai ishte vetëm një manastir, seli e parapëlqyer nga vladikët që kishin aty përparësinë e të qenit larg turqve dhe të të ndierit të mbrojtur nga ndonjë befasi. Pak nga pak, u bënë bashkë shtatë apo tetë shtëpi rreth peshkopatës; sot aty ka gjithsej gjashtëmbëdhjetë të tilla, në qoftë se zbresim ndërtesat publike, manastirin, pallatin, depon e armëve, hotelin e udhëtarëve, shtëpinë e ministrit, mbeten dymbëdhjetë ndërtime private.

Megjithëse qyteti nuk është i madh, ai, të paktën, është ndërtuar në mënyrë të rregullt. Ai formon një lloj T-je dhe përbëhet nga dy rrugë që bashkohen në kënd të drejtë: në pikën e bashkimit është një shesh trekëndësh, në mes të këtij sheshi një pemë, nën pemë një pus që përfaqëson mjaft mirë foruni-in e Cetinjës. Ndërtesa e vetme e njohur që zbukuron këtë shesh është hoteli i udhëtarëve, shtëpi e ndërtuar në stilin europian dhe që daton këto vitet e fundit, pasi disa turistë patën idenë e bukur të kërkonin në Malin e Zi atë anë piktoreske, që është bërë e rrallë në Perëndim. Hoteli është i rehatshëm, dhe i zoti i saj është një serb nga Dalmacia me fytyrë të qeshur, shumë pak poliglot, por me të cilin udhëtarët mund të kenë kënaqësinë të jepen pas një bisede të gjallë përmes shenjave. Ne nuk e përfytyrojmë dot deri në ç'pikë, në një rrethanë të ngjashme, një vizatim sado i vogël mund të jetë i dobishëm.

Përveç kësaj, kur ke kohë, mund të hidhesh deri te kryqëzimi dhe të vështrosh - gjithçka është relative - shëtitoren e Cetinjës. Rreth pusit, disa vajza të reja, me një bukuri paksa mashkullore, me një trup sa të zhdërvjellët aq edhe të fuqishëm, vijnë për të mbushur ujë, dhe sidomos të shkëmbejnë ato thashethemet e vogla që gjysma e racës së hirshme njerëzore nuk i lë pa i bërë në Cetinjë ashtu si në çdo qytet të vogël të Francës. Nuk mund të bëja be se shumë prej vështrime nuk shkëmbeheshin midis këtij grupi dhe atij që, katër hapa më larg, ndërsa bisedonte për politikë, bënte sikur po ndiqte çastet tronditëse të lojës me top. Rreth lojtarëve me veshje të lehta, të rinjtë elegantë vendës, bukuroshë fort mirë të armatosur, thithin çibukët, diskutojnë për goditjet dhe, shkarazi, bisedojnë për çështjen e Orientit, për kryengritjen e Bosnjës, për masat që ka marrë Franca, për pashain e ri të Shkodrës dhe për masakrën e  Kolashinit. Në një lëndinë të bukur që shtrihet në cep të rrugës, luftëtarë të një moshe më të pjekur janë ulur në rreth; nga larg, duket sikur sheh një gosti; nga afër, sheh se ata etër të atdheut, senatorë, përianites (roja të princit), ose fshatarë të thjeshtë, janë përfshirë nga kënaqësitë e një loje vendëse me letra.

Një grup i fundit, i rreshtuar përgjatë stolit që zotëron pjesën e jashtme të hotelit, të tërheq vëmendjen për kostumet e çuditshme, qëndrimin që të kujton skulpturën dhe njëfarë trishtimi krenar që të bën të mendosh për të mërguarit e famshëm të lashtësisë. Në të vërtetë, ata janë lutës, të dërguar nga fshatrat e krishtera të Hercegovinës, Pivës, Skoranzit apo Drobnjakut, që kanë ardhur të kërkojnë mbrojtjen e Danilos kundër tiranëve të tyre. Prestigj i mrekullueshëm i një heroizmi të jashtëzakonshëm! Prijësi i disa maleve pothuajse të shkreta është sot gjyqtari i paqes dhe i luftës në Turqinë Perëndimore, dhe plogështia ku e ka çuar mosveprimi, i imponuar pas fitores diplomacia europiane nuk i ka zbehur aspak shpresat e zjarrta që të krishterët e Orientit kanë mbështetur tek ai.

Unë u ktheva vonë në peshkopatë, disi i shqetësuar, jo pa shkak, nga mënyra si do të paraqitesha para Lartësive të Tyre. Dy ditët e udhëtimit që thashë më shndërruan në turistin më pak të paraqitshëm që mund të përfytyrohet. Petku im më i mirë kishte humbur tre kopsa, pa llogaritur një mëngë të cilës i kishin dalë paksa fijet; dhe kur desha të kërkoja një rrobaqepës në Cetinjë, m'u përgjigjën me njëfarë mospërfilljeje se malazezët kishin gjëra më të mira për të bërë, sesa të qepnin xhaketa, se ajo punë ishte e mirë për Shuabët (gjermanët) dhe se kur një malazez kishte nevojë për veshje, shkonte e blinte në Kotor. Kishte sigurisht një qëndrim paksa të fryrë në këtë aktbesim heroik, por m'u desh të mbetesha i kënaqur me aq. Pastaj, kishte rrezik që kapela ime t'i ngjante pak si tepër një kapele e cila ishte bërë popullore te ne nën lapsin e Domiesë; dhe kulmi ishte ekskursioni im në Bogë gjatë të cilit, për shkak të fesit që mbaja, më ra dielli në kokë, gjë që pati pasoja:  isha në çastin e ndërrimit të lëkurës, por pa mundur ta shpejtoja atë. Më duhej të paraqitesha me një veshje prej klakeri të rëndomtë, me ballin peta-peta, para një princi sovran dhe një gruaje të re, elegante, ndoshta të qeshur! Mblodha veten dhe ndoqa pas zotin Delary në pallat. Kaluam një oborr, ku preheshin, në shtratin e tyre, topat turke të kapur në Grahovo, dhe hymë brenda. Dy përianites shumë të bukur, të ulur pa kujdes në fund të shkallës, u çuan menjëherë në këmbë për të na nderuar, dhe ne hyjmë në sallonin e pritjes, ku, pas disa minutash pritjeje, pashë të hynte princi, princesha dhe një djalosh trupmadh, që mbante veshur uniformën e kolegjit Louis-le-Grand: ishte nipi i tyre Nikica Mirkoviç, një nga të rinjtë malazezë të dërguar në Francë për t'u shkolluar.

Princi më drejtoi, në një frëngjishte të mirë, disa fjalë mirëseardhjeje dhe më tha se isha miku dhe i ftuari i tij gjatë gjithë kohës që do të kaloja në Cetinjë; pastaj shkuam në sallën e ngrënies, ku shërbehej sipas mënyrës franceze. Pata frikë se mos mbretëresha e hijshme e shtatë - nahijeve, vuri re, atë darkë, shqetësimin e pafajshëm, por tepër të papritur të një të ngarkuari me mision të Institutit të Francës: atë të përvjedhjes nga vështrimet e saj të një mënge të veshjes që nuk ishte aspak e përshtatshme në kushtet e një pritjeje zyrtare. Unë gjeta disa rreshta që shkrova, pak pas kësaj date, për trashëgimtarin e ri të Pjetrit II:

Danilo Petroviç Njegoshi është sot njëzet e shtatë vjeçJ0°. Është një djalë i ri shtatshkurtër, me trup të bukur, flokëverdhë, me një fizionomi të paqëndrueshme, mjaft e vështirë për t'u kapur, sikurse vihet re me lehtësi kur krahason portretet e ndryshme të tij të botuara që prej pesë vjetësh. Në prehje, kjo fizionomi e qetë, eftohtë, enigmatike nuk pasqyron tjetër veç qëndrimit sfidues dhe në njëfarë mënyre mbrojtës, të pothuaj gjithë princave të Orientit, të rrethuar nga rreziqe dhe tradhti. Tek ata dinakëria fshihet nën plogështinë, madje do të thosha se te Daniloja dremitja zyrtare, mbulohet nga shpirtmirësia. Flet bukur dhe rrjedhshëm, përdor fjalë të thjeshta dhe të figurshme; në kundërshtinë më të vogël apo nën pushtetin e një emocioni çfarëdo, sytë e tij me një ngjyrë të kaltër tëpërhime lëshojnë një shkreptimë të shpejtë dhe, tek ithtari i ri i Pjetrit të Madh, rishfaqet gjaku i vjetër malazez.

Deri te Daniloja qeverisja ishte e trashëgueshme në familjen Njegoshi; por trashëgimia ishte në njëfarë mënyrë anësore. Kushtetuta e Kishës greke duke ndaluar martesën e peshkopëve, bënte që vladikat mund të kishin për pasues të tyre vetëm nipërit. Në çdo brez kishte një trashëgimtar të caktuar që më parë për në Kishë, në fron apo në beqari. Pjetri II kishte dy nipa, Mirkon dhe Danilon. Ky ifundit ishte shëndetlig dhe nuk dukej i përshtatshëm përjetën ushtarake:

Në rinin e tij tëhershme, peshkopi i ardhshëm bëri jetën e ashpër, baritore dhe forcuese të malazezëve të të gjitha shtresave. Njerëzit e Kotorit, qëkur Danilojafitoi rangun ekokave të kurorëzuara, kujtojnë me kënaqësi se dikur e kishin parë të shkonte në Pazar duke vënë para mushkat e ngarkuara me prodhimet e thjeshta të Malit të Zi. Kur vdiq vladika, ishte njëzet vjeç; ai vrapoi për në Cetinjë, mblodhi asamblenë popullore ku një parti e rëndësishme ishte formuar kundër tij, dhe për një çast vuri me shpatulla për muri çdo përpjekje për kundërshti. Në këtë rrethanë, edhe pamja e tij e jashtme u kthye në dobi të tij: gjithë ata burra prej bronzi dhe çeliku, të mësuar t'u bindeshin gjigantëve, për fat të mirë parashikuan energjinë e fuqishme të fshehur nën atë pamje të brishtë. Kompetencat e tij ligjore ishin mjaft të kufizuara, por përkrahja publike i dha pushtetin e një diktature morale që veprimet e tij të mëvonshme e rregulluan dhe forcuan.

Në një udhëtim në Trieste, Daniloja u prit nga një prej bashkatdhetarëve, një tregtar serb, babai i dy vajzave shumë të bukura, njëra prej të cilave i la mbresë të thellë prijësit të malazezëve. Por për fat të keq titulli i vladika-s e dënonte djaloshin me një beqari të përjetshme. Por dashuria ka ngadhënjyer shpesh mbi vështirësi më të mëdha: Daniloja përdori dashurinë për të dyfishuar pushtetin e vet. Ai ia dha titullin vladika kushëririt të tij, dhe mbeti laik e princ shekullar, me titullin e knjazit, tashmë i përdorur para tij nga princat e Serbisë. Që atë çast asgjë nuk e pengonte martesën e tij me të bukurën Darinka K...z sot mbretëresha shumë e dashur e malazezëve.

Kisha dëgjuar të flitej në Paris dhe në Raguzë për bukurinë e princeshës Darinka, dhe pohoj se përshtypja ime e parë nuk qe një zhgënjim, gjë që ndodh shpesh në raste të ngjashme. Princesha dukej te të njëzetepestat1(M. Shtati i saj fort i hijshëm, i zhdërvjelltë, i derdhur, fytyra e saj rrezëllitëse, linjat e rregullta që tregonin një natyrë disi të ftohtë me një bukuri të cilën e nxirrnin në pah sy të ngjyrë kafe dhe flokët e dendur, sendërtonin me saktësi idenë që kemi për tipin e bukur ilirian ose më mirë oriental. E rritur në Trieste, princesha është tërësisht franceze për nga arsimimi, nga gjuha, nga leximet dhe zakonet, madje do të thosha edhe nga kostumi, sepse ai kostum i shkëlqyer malazez, nën të cilin ka pozuar për disa nga portretet e saj, është për të vetëm një veshje për madhështi dhe për ndonjë rast të rrallë. Kjo kuptohet lehtë, sepse veshjet prej zonje të rëndë bizantine e shtypin, e ngjeshin në njëfarë mënyre, një shtat të zhdërvjellët dhe të hedhur, por në solemnitetet zyrtare me një bukuri të çuditshme dhe mbi të gjitha me një madhështi, e cila nuk ka si të mos bëjë përshtypje të thellë.

Princi mban veshur me shumë hir kostumin e bukur malazez që Parisi e ka admiruar para tre vjetësh, gjatë vizitës që bëri aty: atij i ka shtuar vetëm një kravatë, që e prish disi harmoninë piktoreske të të gjithë veshjes. Nga gjithë malazezët që pashë, ai është ndoshta i vetmi që nuk mban mustaqe; tek ai, ato janë zëvendësuar nga favoritet e holla bionde.

Në Cetinjë kalova pak ditë: pritja shumë e hijshme e Danilos më detyronte që të mos e teproja me mikpritjen e tij, dhe qëndrova pranë tij aq kohë sa ishte e nevojshme për të kryer disa kërkime në arkivat e shtetit (e gjithë arkiva, për parantezë, gjendet në një bibliotekë me një madhësi krejt të zakonshme), për t'u marrë me pak topografi dhe për të realizuar një pamje të Cetinjës. Kjo e fundit kishte njëfarë rëndësie për sytë e Lartësisë së Tij. Ai m'u ankua shumë për një artist gjerman që e kishte pritur me gjithë të mirat, por që e kishte shpërdoruar mikpritjen duke botuar hë Illustrierte Zeitung, vizatime të pasakta dhe poshtëruese. Unë i kisha parë ato vizatime dhe nuk guxova t'i shprehja mendimin tim, domethënë se ishin bërë shumë mirë dhe sidomos se ishin tepër të sakta. E pyeta se çfarë e kishte lënduar. "Por,- tha ai,- a nuk e keni parë se kishte vizatuar shumë koka të ekspozuara te Kulla e Turqve? Europa, nëse i merr seriozisht këto gjëra, do të ketë të drejtë të besojë se jemi ende barbarë, si e përsëritin me të gjitha tonet diplomatët turq dhe gazetat austriake. Megjithatë artisti duhej ta dinte se që prej tre apo katër vjetësh e kam ndaluar këtë zakon!"

Eshtë e vërtetë. Vizatuesi për të rritur efektin e vizatimeve, kishte sajuar një gënjeshtër të vogël dhe princi kishte të drejtë të thoshte se kishte shpifur. Ndalimi i vendosjes së kokave të prera të turqve te Kulla ishte, me sa më thanë, një nga reformat e kryera nën ndikimin e princeshës. Në fillim cë qëndrimit në Cetinjë, sa herë dilte në dritare, kishte para sy ve kokat e nxira e të thara nga dielli, që hiqeshin kur zëvendësoheshin me të tjera; ajo ia doli që ekspozimi i mynxyrshëm të zhdukej. Malazezët presin vazhdimisht koka, por ato i tregojnë vetëm të vendosura në disa pika të kufirit, ku çeta është gjithmonë në këmbë.

Unë pata kureshtjen të ngjitesha te shkëmbi i sunduar nga ajo kullë, që do të na kishte treguar gjithë ato tragjedi, në qoftë se monumentet do të mund të flisnin. Unë pashë një ndërtim të bërë fare pa mjeshtëri, të rrumbullakët dhe që, sigurisht, mund të ishte vetëm një vendrojë dhe një kullë e përcaktuar për ekspozimet për të cilat fola. Shiu kishte larë të gjitha gjurmët e përgjakura dhe aty pashë vetëm një rrjedhë në ngjyrën e qumështit që derdhej nga shkëmbi kryesor, më duket, drejt jug-perëndimit, dhe që e vëren në monumente të ndryshme të ndërtuara mbi të njëjtën natyrë shkëmbi, pikërisht në Rozafë të Shkodrës. Legjenda është kudo e njëjta, me disa variante.

Kur ndërtohej kalaja, një xhind i së keqes përmbyste çdo natë punën e bërë ditën. Punëtorët u mblodhën për t'u këshilluar me njëri-tjetrin dhe vendosën që, për të prishur magjinë, të varrosnin të gjallë në themele gruan e parë që do të kalonte. Viktimë u bë nusja e re dhe shumë e dashur e kryepunëtorit, që, i detyruar nga betimi i tmerrshëm që kishin bërë, e kreu vetë detyrën e llahtarshme. Gruaja e re nuk u ankua, por vetëm kërkoi që të linin në lartësinë e gjirit një të çarë shumë të vogël, që do ta lejonte të ushqente me qumësht fëmijën e saj. Që nga ajo kohë, qumështi rrjedh pa pushim... Kalaja, e shenjtëruar nga një flijim njerëzor, ngrihet ngadhënjimtare dhe do të qeshë vazhdimisht me përpjekjet e djallit dhe të njerëzve.

Kullën e hirtë nuk e kanë zbukuruar vetëm kokat turke: të gjithë armiqtë e Malit të Zi e kanë furnizuar atë me kontingjentin e tyre. Më 1807, ishin francezët zotërues të Dalmacisë dhe mbrojtës të papërshtatshëm të Raguzës; të hedhur kundër nesh nga Rusia, malazezët sulmuan trupat tona pranë Bergatos dhe i zmbrapsën te sheshi. Nami i trimërisë së francezëve ishte i tillë sa kënga që u kompozua me këtë rast  ishte për pothuaj pesëdhjetë vjet më kombëtarja për malazezët: ishte një dehje e vërtetë si ajo e ushtarëve romakë pas një fitoreje të parëndësishme mbi të parët tanë: Mille Francos... setnel occidimus. Malazezët, njerëz praktikë, i përdorën kokat e prera të ushtarëve tanë... për të luajtur me top. "Kemi të drejtë të themi se kokat franceze janë të lehta, thoshin ata duke u shkrirë gazit: është e sigurt se rrokullisen mirë!" Sot nuk kam nevojë ta them, marrëdhëniet janë më dashamirëse dhe malazezët na duan po aq sa dikur na kanë urryer. Austriakët e patën radhën para njëzet vjetësh. Vladika u kishte shitur, me autoritetin e tij, disa toka nga zotërimi i vet si peshkop; kur u paraqitën gjeometrat, u pritën me të shtëna pushke; u desh të dërgoheshin kundër malësorëve regjimentet e vjetra që pësuan humbje të përgjakshme, dhe kulla pati si stoli vargun e kokave të granatierëve teutonë.

Meqë kisha punë në Raguzë, u ndava me princin, i cili më përsëriti me zjarr ndjenjat e simpatisë për Francën e francezët dhe më siguroi se do të më priste me dashamirësi. "Unë i detyrohem shumë Francës,- më tha shumë herë,- mund të them se ndërhyrja e saj më shpëtoi në luftën aktuale."

- Lartësia Juaj,- i thashë,- ju po i zmadhoni dashamirësisht shërbimet që mund t'ju jenë bërë: një popull si juaji ia detyron shpëtimin e tij vetëm vetvetes. Franca, në krye të popujve të qytetëruar, ka përshëndetur me simpati heroizmin e Malit të Zi që u mbrojt kundër një agresioni të pabesë; por Grahova e çoi më përpara zgjidhjen sesa të gjithë diplomatët e botës. Kombi malazez është një komb trim dhe duhet të mendohesh mirë kur ke të bësh me të.

- Pa dyshim,- m'u përgjigj ai,- njerëzit tanë janë trima, por kjo nuk mjafton. Të rrethuar nga urrejtjet dhe dashaligësia, të privuar nga komunikimi përmes detit, kemi kaluar çaste kur na kanë munguar armët. Do të kishim vdekur me nder, por sidoqoftë do kishim vdekur; në qoftë se jetojmë, ua përsëris, këtë ia detyrojmë Francës, dhe unë nuk kam për ta harruar kurrë këtë. Unë ju prita si një vëlla, sepse jeni francez; tregojini bashkatdhetarëve tuaj se ç'ndjenja ushqejmë për ta.

Lashë me emocion të vërtetë këtë cep të lavdishëm, ku mbarë një popull praktikon, pa mburrje e pa mundim, virtytet krenare që formojnë kombet duke i ngritur mbi themele të palëkundura. Pashë nga afër prijësin e ri që nxiste në Europë aq shumë kureshtje e simpati. Do të doja të kisha kohë të lirë sa të studioja më thellë shndërrimin që i bëri vendit të vet dhe ta gjykoja vetë një krizë që ka si vlerëmohuesit ashtu edhe miratuesit e saj. Rezultati më i dukshëm i reformave të Danielit I qe përqendrimi i pushtetit që e lejoi të shmangte ose të pakësonte luftërat e vogla e të pandërprera të kufijve, luftëra të cilat diplomacia turke i nxirrte si pretekst për të ruajtur të drejtën e përhershme të sulmit kundër Malit të Zi. Kësaj autonomie de facto që e mban përherë në gjendjen e shqetësuar të një rojë të veçuar, principata i ka bashkuar një lloj ekzistence të ligjëruar nga shtetet europiane midis të cilave ka fituar rangun e saj: dorëzani e çmueshme e një sigurie, që do ta lejojë të zhvillojë në paqe forcat e saj prodhuese dhe elementet e saj të mirëqenies.

Por ky rend i ri i gjërave ka një rrezik: fuqizimi i një diktature të përkohshme në fillim dhe frytdhënëse në duart e një njeriu po aq të bindur sa Daniloja për lartësinë e misionit të tij, do të ishte një fatkeqësi, që ditën kur pushteti do të kalonte te një sovran me karakter apo atdhetari të dyshimtë. Është e vërtetë, mbetet të mësohet, nëse kombi do të vazhdonte të kishte besim të pakufizuar te një i paaftë shterpë ose keqbërës: për këtë është e natyrshme të dyshohet, kur kemi parë figurat homerike të vitëzes dhe të iounaks™, që kanë ruajtur në thellësi të Ilirisë shpirtin dhe zakonet e kryqëzatave. Dorëzania e së ardhmes është atje; dhe pavarësisht prej paralajmërimeve të kobshme të shtypit turk dhe austriak, nuk e qorton dot Danilon 1 se ka spekuluar me shtrembërimin e karakterit kombëtar.

E lashë Cetinjën i hipur mbi një kalë që ma kishte huazuar plot mirësjellje princi, dhe i shoqëruar nga një perianik i f uqishëm, mora shtegun dredha-dredha, por të shkelur mirë, që të çon në Kotor dhe në tokat e Austrisë. Nuk do të përsëris atë që thashë pak më lart për pamjet e admirueshme të maleve nga po kaloja. Bëra një ndalesë të shkurtër në bujtinën e një fshati të vogël e të bukur, që ngrihet në kufi të shtegut. Bujtinari, burrë i vjetër me mustaqe të hijshme dhe që duhej të kishte lënë kujtime jo fort të këndshme në shumë fshatra myslimane të veriut, po bënte fishekë duke u ngrohur në diell në prag të derës. Nuk ka gjë më të zakonshme në Malin e Zi sesa ky fshatar që, me çibukun e ndezur mes dhëmbëve, mbushte fishekët pa e vrarë shumë mendjen që një shkëndijë e gabuar mund të hidhte në erë barutin e tij, vetë atë dhe shtëpinë e tij. Nga ana tjetër, vera e tij nuk ishte shumë e keqe; unë i ofrova vetë verë perianik-ut, por luftëtari i përkorë u mjaftua të njomte në ujë një copë bukë të zezë që e nxori nga rripi, dollap ushqimesh i malazezit.

Lugina e Njegoshit, që i kishte dhënë emrin e saj dinastisë mbretëruese, m'u duk një nga më të bukurat e Malit të Zi: drurët, tokat e punuara, fshatrat me pamje mjaft të rehatshme e befasojnë këndshëm udhëtarin të cilin e trishton thatësira e përgjithshme e vendit. Kalova pranë fshatit të Niegoshit dhe të Dujidos, që ngriheshin në të dyja anët e rrugës. Male me një lartësi mesatare mbyllnin horizontin në veri dhe në jug; në perëndim, horizonti përfundon në një prej atyre linjave të befta që e bëjnë turistin e mësuar me pamjet e vendeve të thyera, të marrë me mend se po i afrohet një rrëpire. Në të vërtetë, me  të mbërritur në buzë të rrafshnaltës, pashë të hapej para meje honi më marramendës që kam parë në jetën time. Në fund të një hinke që sundohej nga kulmet e mprehta të një guri gëlqeror të errët, shndriste si një diamant bojë qielli një lloj liqeni i vogël, i madh sa dora. Ishte fundi i gjirit të Kotorit; qyteti mbetej i fshehur nga këndet e dala të shkëmbinjve dhe, nga pika ku ndodhesha, isha aq sipër tij sa në vështrimin e parë m'u duk sikur një gur zalli, i zhvendosur nga këmba e kalit tim, kishte kërcyer deri në rrugët e sheshit me një shpejtësi të frikshme.

Po mendoja se gjendesha një çerek ore nga qy teti; zbrita nga kali dhe iu futa një shtegu, zigzaget pafund të të cilit (munda të numëroj, besoj, më shumë se tetëdhjetë) bënë të mundur që pas një ore e gjysmë të arrij në brigjet e një lumi që del nga gurët e zallit, dhjetë minuta nga gryka: është sërish një derdhje e ujërave nëntokësore të Malit të Zi. Kjo theqafje e pakrahasueshme është shumë e shkelur nga malazezët që kthehen nga pazari i Kotorit dhe që, kur nuk kanë mushka, i ngarkojnë ushqimet në shpinën e fuqishme dhe të palodhur të shoqëruesve të tyre: si njëra palë ashtu edhe tjetra i kanë njëlloj të sigurta këmbët. Në dy të tretat e tatëpjetës, një rrugë e bukur perandorake vjen pas një shtegu të gërryer nga ujërat, që shënon dhe kufirin ku fillon Austria.

Në mbrëmje isha në Kotor, i ulur në tryezë para darkës së mirë të hotelit Marie-Thërëse, dhe harrova lodhjet e ditës në shoqërinë e këndshme e të papritur të zotërinjve Delary, Mateo, Masië dë Klerval dhe Niko, që sapo kishin vizituar fushën e betejës të Grahovës. Të nesërmen në mbrëmje, isha gati për t'u kthyer në Raguzë.

Dubrovnik dhe Trebinja 1858

Ky tekst është vazhdim dhe plotësim i kreut të mëparshëm. Midis provincave osmane, Lëzhani nuk shfaq ndonjë kureshtje të madhe për Bosnjën dhe Hercegovinën. Por qëndrimi i tij (i pavullnetshëm) në Dubrovnik e shtyn të hidhet në këtë të fundit deri në Trebinje . Në qoftë se largësitë e përshkuara janë të vogla, kontrastet natyrore dhe kulturore midis bregdetit adriatik dhe krahinave të thella janë të habitshme. Një kapitel i pallatit të Raguzës. Nisja për në Hercegovinë. Bergatoja. Katër djemtë e Branivoit.

Pas kthimit nga ekskursioni në Malin e Zi, që e tregova pak më parë, m'u desh të qëndroj disa javë në Raguzë dhe përfitova nga kjo kohë për të studiuar atë qytet interesant me më shumë kujdes nga ai që kisha treguar deri atëherë. Sigurisht që vizita ime e parë qe në pallatin dukal, për të cilin tashmë kam folur. Një oficer austriak me sjellje të shkëlqyera që e kisha takuar aty, në pallat, më tregoi disa skulptura greke dhe romake të ardhura nga Raguza e Vjetër, Epidauri i lashtë i Ilirisë, rrënojat e të cilit u përdorën nga raguzianët si një gurore e pashtershme. Ai më foli në mënyrë të veçantë për një kapitel që paraqiste Eskulapin të rrethuar nga vetitë e hyjnisë së tij mirëbërëse dhe që dukej se ishte për banorët e Raguzës diçka e ngjashme me Mannekenpis-in e banorëve të Brukselit, një mburojë shekullore e qytetit të tyre.

Dola për të parë këtë kapitel që ndodhet mbi një nga kolonat e jashtme të pallatit dhe nuk e pata të vështirë të vërej se Eskulapi në fjalë ishte thjesht një punë e së njëjtës epokë me pjesën tjetër të pallatit dhe nuk ishte gjë tjetër veçse një alkimist tepër i zënë me mbikëqyrjen e furrave të tij dhe brirëve ku kryheshin shndërrimet e metaleve. Një libër i hapur mbi gjunjët e tij, ku ai nuk e ndal aspak vështrimin, është pa dyshim doracaku që i shërben si udhërrëfyes. Në një faqe tjetër të kapitelit, një njeri i veshur shumë thjesht, që mban në dorë një qese, është pa dyshim një klient i tij ose më mirë një shërbëtor i dërguar për të kërkuar ndonjë ilaç. Është e pamundur që një antikuar të gabojë për këtë monument dhe benediktini Apendini, historian i Raguzës dhe një nga botuesit e të ashtuquajtur Eskulap, ka dhënë këtu një specie të varfër të diturisë së tij arkeologjike.

Sa i takon vetë pallatit, arrita të skicoj pamjen e brendshme, për habinë e madhe të një nëpunësi austriak, që mendoi se e kishte për detyrë të paralajmëronte kapitenin e rrethit, duke i shpjeguar se pak më parë kishte shkuar një anglez për copiare la casa dhe se të gjitha kureshtjet e udhëtarëve ishin shumë të  dyshimta. Kapiteni i shpjegoi se ishte e ndaluar të kopjoje vetëm fortifikimet dhe unë iu rifuta vizatimit tim; por jam shumë i sigurt se gjashtë muaj më pas, kur jehonat e luftës do të zgjonin Dalmacinë e qetë, ushtari do të përgëzohej për mprehtësinë e treguar dhe do të qortohej zemërgjerësia e eprorit të tij. Gjëja më interesante që vërejta në oborrin e pallatit, ishte busti i një qytetari të Raguzës, Mikel Pracato, që kishte jetuar në vitin 1630. Monumenti, i shembur nga tërmeti i famshëm i 1667, u ngrit përsëri në shekullin pasardhës. Ja dy mbishkrimet që mbajnë dy faqet e piedestalit:

MICHAELI PRAZATTO BENEMERITO CIVI EX S. C. MDCXXXVIII

CONLAPSA. MAXIMO TERREMOTU A. MDCLXVII ERECTA. QUA SUPERSTES A. MDCCLXXXIII.

Rasti më lidhi, në hotelin e sheshit Plive, me një nëpunës të m'adh osman që luajti njëfarë roli në paqësimin e kufirit të Malit të Zi. Qemal Efendiu (kështu e kishte emrin) ishte, me sa mësova më vonë, një nga ata turqit e rrallë me të vërtetë të qytetëruar, zelli bujar i të cilëve do të mund të zëvendësonte perandorinë e padishahëve, në qoftë se diçka mund ta ngrinte ende Turqinë nga pika ku ishte gremisur. Tepër i bindur nga e vërteta e proverbit oriental: "Nuk e ngjyen dot dorën në qypin me mjaltë, pa të mbetur mjalti te gishtat", Qemali nuk kishte treguar deri në atë kohë ndonjë ngutje për të hyrë në administratë, ku e thërriste sa merita e tij vetjake aq edhe pozicioni i tij shoqëror dhe kishte pranuar vetëm detyra të përkohshme, si ajo e sekretarit të përgjithshëm të Hercegovinës që kryente atëkohë. Ai do të nisej për në Trebinjë, në shtabin e tij të përgjithshëm; ky ishte një rast i shkëlqyer për mua për të vizituar atë rajon, ku do të bëja vëzhgime shkencore të shumëllojshme. Nuk e zgjata më tej dhe vendosa të nisem edhe unë për në Trebinjë. As më kishte shkuar në mendje se do të shkoja aty me sekretarin e përgjithshëm, sepse kjo do të më pengonte për të bërë rrugës shënimet topografike që do të dëshiroja t'i hidhja në letër; ajo ishte një rrugë prej gjashtë orësh, vërtet zgjatej përmes një vendi të frikshëm, por një udhëtar që vinte nga Mali i Zi nuk kishte përse të trembej. Lashë Qemalin dhe shpurën e tij të nisej dhe gjysmë ore  më pas, i armatosur me dylbinë dhe busullën time, fillova t'u kacavarem lartësive të thata, përmes të cilave gjarpëronte rruga e bukur austriake nga Raguza në fortifikatën e doganës. Shqetësimi i madh i Qemal Efendiut ishte pikërisht zgjatimi i kësaj rruge përmes territorit turk nga dogana në Trebinjë, një mirësi e pafundme për kantonët popullorë të Hercegovinës, që mungesa e rrugëve i izolonte nga njëri-tjetri pothuaj aq sa lugajat e Marokut apo të Kabilias.

Fshati i vetëm raguzian që do të takoja në atë rrugëtim prej një orë e gjysmë ishte ai i Bergatos, oazë kulturash bujqësore të shëndetshme, por që nuk kishte interes tjetër përveç interesit për dy kujtime historike. Njëri është kujtimi i një beteje të kryer për fat të keq kundër malazezëve nga francezët në Perandorinë e parë, kujtimi tjetër është një histori mjaft interesante që nuk duhej të ishte e rrallë në Mesjetë. Një fisnik i varfër nga Bergatoja, i quajtur Branivoi, që kishte jetuar në shekullin e katërmbëdhjetë, kishte lënë katër djem të quajtur Mihal, Dobrovoi, Branko dhe Braiko, aventurierë të çartur që arritën të pushtojnë gjithë kontenë e Shelmit, më e rëndësishmja e Ilirisë. Trimi Zrep, guvernatori i Trebinjës dhe vasal i mbretit të Rashës, u mund prej tyre në Trebinjë, ku dhe u vra dhe zotërimet e tij u pushtuan nga ngadhënjimtarët që nuk denjuan t'i bëjnë nderime mbretit kryezot.

Stefani, bani i Bosnjës, i pakënaqur nga fqinjësia me këta krerë të rrezikshëm dhe i nxitur nga ankimet e banorëve të Shelmës, por edhe nga banorët e Raguzës, tregtia e të cilëve ishte penguar dhe zotërimet e tyre ishin shkatërruar nga djemtë e Branivoit, vendosi t'i ndëshkojë. Ai pushtoi Zagorien dhe Nevesinjën me vojvodën Reposvan Purçiçn dhe ngarkoi Nigierin, vojvodë tjetër, të ndjekë katër vëllezërit deri atje ku niund t'i arrinte. Selia e tyre ishte Stoni, ku ata jetonin me nënën e tyre, grua e zgjuar dhe e vendosur, që mund t'i ketë shtyrë vetë në atë rrugë të rrezikshme. Kështjella e tyre, e quajtur Shën Mihal, ishte në këmbë të malit në bregun e detit. Ata ishin trima dhe gjithë mospërfillje për kundërshtarët e tyre; pavarësisht nga dobësia e tyre numerike, Mihali dhe Dobrovoi, të takuar në Briestnga Nigieri, e pranuan betejën ku gjetën vdekjen. Brankoja  gjeti mbrojtje pranë mbretit të Rashës, Stefan Qorrit, të cilit i kërkoi një ushtri për të rifituar kontenë e tij, duke premtuar se do ta njihte veten për vasal të mbretit të Rashës; por ky i fundit nuk pranoi: "Ju ishit katër vëllezër, tha ai, dhe kur punët po u shkonin mbarë, nuk morët mundimin të vinit tek unë; madje, ju vratë shërbëtorin tim besnik, Zrepin, dhe pushtuat zotërimet e tij, pa e çarë kokën për mua dhe, sot, që i keni punët keq, vini dhe më kërkoni ndihmë: Zoti më ruajt në ua dhënça atë!" Dhe urdhëroi të arrestohej dhe të burgosej Brankoja në Kotor, ku dhe e la aty deri sa vdiq. Braikoja, i kërcënuar në kryeqytetin e tij, u tërhoq së bashku me gruan në ishullin e Olipës, ku një galerë raguziane erdhi dhe e arrestoi dhe e çoi në Raguzë ku vdiq i burgosur. Gruaja e tij u dërgua në familjen e saj.

Në arkivat e Raguzës unë gjeta dy deklarata të Këshillit "mbi çështjen e djemve të Branivoit", e para është për dërgimin e galerës dhe e dyta për masat që duhej të merreshin kundër Braikos në burg.

info@balkancultureheritage.com