Pasoi një epokë e tërë gjatë së cilës në politikën e jashtme perandoria jeton me prestigjin e fituar në periudhën pararendëse, ndërkohë që brenda për brenda saj marrin revan proceset e dizintegrimit. Pas veprës madhështore të tre perandorëve të fundit, Bizanti jepte përshtypjen se ishte i pathyeshëm. Kështu filloi një periudhë paqeje relative që perandoria nuk e kishte njohur kurrë. Por kjo periudhë paqeje nuk qe aspak për Bizantin një pauzë çlodhjeje e konsolidimi, porse një periudhë lëshimi. Fillon kështu shthurja e sistemit që ishte krijuar nga Herakli e që ishte ruajtur së fundi me këmbëngulje nga Bazili II. Trashëgimtarët e dobët të Bazilit II nuk e kishin aftësinë për të vazhduar luftën kundër krerëve feudalë. Copëzimi i pronave të fshatarëve e të ushtarëve ecën përpara me hapa gjigante dhe sjell rënien e forcës ushtarake e të sistemit tatimor të shtetit bizantin. Struktura ekonomike e shoqërore e perandorisë pëson një transformim rrënjësor. Pushteti qendror bizantin jo vetëm heq dorë nga lufta kundër aristokracisë feudale, por bëhet ai vetë përfaqësuesi i kësaj klase gjithnjë e më të fortë. Aristokracia e tokës e fitoi betejën dhe tani shtrohet pyetja se cili grupim i saj do të fitojë epërsinë: aristokracia burokratike apo ajo ushtarake. Historia bizantine e dekadave të ardhshme, që në vështrim të parë duket si një varg i pafund intrigash oborri, u karakterizua nga lufta midis fuqive rivale të fisnikërisë civile të kryeqytetit dhe të fisnikërisë ushtarake të provincës. Në fillim qe kjo e fundit që humbi terren: ndonëse në vetvete më e fortë, ajo ishte dobësuar nga Bazili II. Kështu, aristokracia civile e kryeqytetit fitoi epërsi dhe fillimi i epokës së re karakterizohet në fakt nga sundimi i saj. Intrigat e pafundme të pallatit nuk janë veçse një shfaqje pa shumë rëndësi e këtij regjimi; aspektet kryesore të tij janë nga njëra anë shkëlqimi kulturor i kryeqytetit, nga ana tjetër rënia e fuqisë ushtarake të perandorisë.
Seriaeepigoneveu hapnga trashëgimtari i Bazilit II, vëllai i tij Konstandini VIII (1025-1028). Për gjysmë shekulli ky qëndroi nëhijesi bashkëperandor në krah të vëllait të tij të fuqishëm. Edhe tani që hipi në fron, Konstandini tashmë i nioshuar më shumë e përfaqësoi sesa e qeverisi shtetin. Nuk ishin aftësitë ato qc i mungonin, porse karakteri dhe ndjenja e përgjegjësisë. Ua besonte të tjerëve ndjekjen e punëve të shtetit ndërsa e vriste kohën nëpër bankete dhe shfaqje të hipodromit, duke bërë rrush e kumbulla pasuritë shtetërore të grumbulluara në kohën e Bazilit II.
Problemi më i rëndësishëm kishte të bënte me trashëgiminë e fronit, meqenëse perandori plak nuk kishte trashëgimtarë meshkuj. Më e madhe e vajzave të tij, Eudokija, që e kishte fytyrën të vrarë lije, ishte bërë murgeshë, ndërsa dy princeshat e tjera, më të vogla se ajo, por gjithsesi jo të reja, Zoe dheTeodora, që ishin edhe përfaqësueset e fundit të dinastisë maqedone, do të luajnë një rol të rëndësishëm në historinë bizantine të viteve të ardhshme. Dihet fakti që Konstandini VIII vetëm në shtratin e vdekjes u kujtua të martojë njërën nga vajzat e tij, tashmë në moshë të shkuar, dhe të kërkojë një burrë të denjë për të. Në momentin e fundit u zgjodh eparku i qytetit, Roman Argjiri.
Detyra e eparkut të Kostandinopojës kishte gëzuar gjithmonë një prestigj të madh. Qysh në Librin e Ceremonive pohohej se eparku është babai i qytetit, kurse në shekullin XI një shkrimtar arriti të shprehej se detyra e eparkut ishte një ofiq perandorak, të cilit i mungonte vetëm manteli i purpurtë. Si titullar i këtij funksioni të lartë dhe si përfaqësues i njërës nga familjet më të dëgjuara bizantine, Roman Argjiri ishte eksponenti kryesor i aristokracisë civile të kryeqytetit. Më 12 nëntor të vitit 1028 ai mori për grua pesëdhjetëvjeçaren Zoe dhe pas tre ditësh, më të vdekur Konstandini VIII, hipi në fron. Edhe pse i kishte kapërcyer të gjashtëdhjetat, Romani III Argjir shquhej për paraqitjen fisnike të tij dhe ishte mjaft i kulturuar. Nuk i zotëronte dhuntitë e domosdoshme për të qeverisur, por ishte i apasionuar pas heronjve historikë, të cilët përpiqej t'i imitonte me patosin e një epigoni vanitoz. Një herë ideali i tij ishte Mark Aureli dhe atëherë jepej pas fjalimeve filozofike, herën tjetër Justiniani dhe në këtë rast fillonte të projektonte ndërtime madhështore, dikur tjetër Trajani ose Adriani dhe pcrandori e përfytyronte veten si gjeneral e fitimtar luftërash dhe kjo kllapi vazhdoi derisa një disfatë e rëndë që ai shkoi ta kërkojë pa qenë nevoja në Siri, e solli në vete perandorin ëndërrimtar. Situatën e shpëtoi gjenerali i shquar Gjergj Manaku, që me këtë rast shfaqet për herë të parë në skenën e historisë. Me një seri fushatash të suksesshme, që kulmuan me pushtimin e Edeses më 1032, ky riafirmoi epërsinë e Perandorisë Bizantine.
Ajo çka e karakterizon sundimin e shkurtër të Roman Argjirit është braktisja e plotë e politikës së Bazilit II. Detyrimi shtesë për parcelat e braktisura të fshatarëve, që Bazili II ua kishte ngarkuar "të fuqishmëve", u hoq nën presionin e pronarëve të mëdhenj të tokave. Në këtë mënyrë u zhduk njëherë e përgjithmonë sistemi i vjetër i detyrimeve shtesë, i cili, fillimisht si epibole e pastaj si allelengyon, përfaqësonte një element bazë të sistemit fiskal bizantin. Fshatarët nuk ishin më në gjendje të paguanin detyrimet shtesë, "të fuqishmit" nuk donin ti paguanin dhe perandori Romani III, përfaqësues tipik i këtyre "të fuqishmëve" nuk mund t'i kundërvihej vullnetit të aristokracisë së tokës. Ligjet e vjetra, që ndalonin blerjen e pronave të bujqve e të stratiotëve nga ana e "të fuqishmëve", zyrtarisht nuk u abroguan e mjaft gjykatës skru- pulozë vazhduan edhe në këtë periudhë t'i konsiderojnë ata të vlefshëm. Por ishte i mjaftueshëm fakti që seria e gjatë e ligjeve që mbronin pronën e vogël fshatare u ndërpre me vdekjen e Bazilit II. Në fakt, edhe masat qeveritare të shekullit X, sado të ashpra ishin, nuk arritën të ndalin fenomenin e blerjes së parcelave të bujqve e të ushtarëve. Aq më shumë tani, kur qeveria mbante një qëndrim neutral në dukje por miratues në fakt, prona e madhe tokësore gjente terren për t'u zhvilluar lirisht. "Të fuqishmit" dolën fitimtarë në të gjithë vijën e frontit, në lëmin politik ashtu si dhe në atë ekonomik. Diga me të cilën pushteti qendror ishte përpjekur të frenonte urinë për tokë të fisnikërisë që nga Romani I e deri tek Bazili II, u shpërthye në mënyrë të pandreqshme. Procesi i zhdukjes së pronës së vogël të lirë përparonte tashmë pa u ndalur. Prona e madhe gllabëroi pronat e fshatarëve e të ushtarëve dhe i ktheu në skllevër ish pronarët e tyre. Me këtë shkallmohej sistemi mbi të dlin mbështetej fuqia e shtetit bizantin qysh nga koha e rimëkëmbjes së tij në shek. VII. Burimet ushtarake e financiare të vendit shteruan e për rrjedhojë varfërimi zvogëloi gjithnjë e më shumë potencialin ushtarak të shtetit.
Në të vërtetë, nuk qenë sovranët e kësaj periudhe ata që e vunë në lëvizje këtë proces. Si eksponentë të një fuqie ekonomiko-shoqërore në rritje të pandalshme, ata s'bënin gjë tjetër veçse i sheshonin rrugën një procesi të papërballueshëm. Kështu që, as rrëzimi i Roman Argjint nuk e ndryshoi gjendjen, sado ishte vepër e përfaqësuesve të një shtrese shoqërore armike të tij. Prej vitesh, midis perandorit Roman dhe perandoreshës Zoe ekzistonin marrëdhënie të ndera. Me marrjen e kurorës perandorake, interesimi i Roman Argjirit për perandoreshën plakë, ra aq sa arriti t'i ndërpresë asaj edhe ushqimin. Por etja për jetë sa vinte e forcohej tek kjo grua e vjetër, që pikërisht tani në pleqëri kishte filluar të zbulonte kënaqësitë e jetës. Një ditë prej ditësh ajo njohu djaloshin Mihal, një fshatar nga Paflagonia, që ishte futur në gjineceun e pallatit perandorak nga i vëllai, eunuku Johan Orfanotrofi. Ai që qëndronte pas gjithë kësaj historie ishte pikërisht Orfanotrofi, njeri me aftësi jo të zakonshme por krejt i paskrupullt. Si eunuk e murg që ishte, nuk mund të aspironte për kurorën perandorake, ndaj u kujdes që kjo të binte në duart e vëllait të tij. Zoe u dashurua pas bukuroshit të ri me afshin e një pasioni senil e kështu ndodhi ajo që ndodhi dhe më 11 prill 1934 Romani III u gjet i therur në banjë. Mbrëmjen e po asaj dite perandoresha u martua me dashnorin e saj të ri dhe ky hipi në fron me emrin Mihal IV (1034-1041).
Por Zoe i kishte bërë llogaritë gabim. Me ardhjen në pushtet, edhe Mihali e humbi interesimin për të. Ky shkoi aq larg sa ta detyronte perandoreshën plakë të mbyllet brenda. Kujtimi i tragjedisë së të mjerit Roman Argjir e shtynte johan Orfanotrofin të ndiqte çdo lëvizje të saj. Perandori Mihal tregoi se ishte një sovran i aftë e një gjeneral i zoti. Por ai vuante nga kriza epileptike, që me kalimin e kohës u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Eunuku dinak diti ta shfrytëzojë këtë dobësi: administrata e perandorisë ra plotësisht në duart e tij. Ai e manovroi me aftësi të madhe timonin e shtetit, por i rriti në mënyrë të pashpirt detyrimet dhe tregoi një vrazhdësi të skajshme në vjeljen e taksave. Me origjinë të varfër, Johan Orfanotrofi personi fikonte centralizmine vjetër burokratik, pa përfaqësuar ndonjë klasë të veçantë. Në këtë kuptim, sundimi i tij e pati një nuancë antiaristokratike. Por ajo që e ndjeu veten më të dëmtuar ishte para së gjithash fisnikëria ushtarake e Azisë së Vogël, ndaj kuptohet që aristokracia burokratike e kryeqytetit mbajti fillimisht anën e qeverisë. Pselli, përfaqësuesi më tipik i partisë civile, konstatonte atëherë me kënaqësi se qeveria e Mihalit IV nuk zbatoi ndonjë politikë të re dhe nuk u ra në qafë anëtarëve të senatit. Palfagonet nuk bënë asnjë përpjekje për tiu rikthyer politikës së dinastisë maqedone. Megjithatë, metodat e qeverisjes aspak të buta të Orfanotrofit e rëndonin së tepërmi popullsinë, duke qenë se ai nuk linte rast pa shfrytëzuar për interesat e veta, derisa dhe gjithë farefisi i tij ushqehej falas në mensën e shtetit.
Politika e egër fiskale e qeverisë e shtyu në kryengritje popullsinë sllave të Gadishullit Ballkanik. Politika e zgjuar e Bazilit II ishte braktisur dhe pushtetit qendror bizantin kërkonte tani edhe nga ky territor shlyerjen e taksave në të holla. Nga ana tjetër, kur më 1037 vdiq kryepeshkopi sllav i Ohrit, Johani, qeveria e Kostandinopojës emëroi në vend të tij kartofylaksin e Shën Sofisë, Leonin. Kryengritja u përhap në mënyrë shqetësuese. Më 1040, njëfarë Pjetër Deljani, që hiqej si nip i Samuelit,25 u shpall car në Beograd. Pak më vonë me kryengritjen u bashkua, për të keqen e tij, edhe Alusjani, një djalë i Ivan Vladislavit, që ishte arratisur nga Kostandinopoja. Flakët e kryengritjes u përhapën në pjesën më të madhe të viseve sllave të Gadishullit Ballkanik dhe u shtrinë edhe në krahinat veriore të Greqisë. Por për shkak të mungesës së unitetit në drejtimin e kryengritjes, lëvizja u mbyt shumë shpejt, më 1041, kur një gjë e tillë dukej fare e pashpresë, po të kihen parasysh përmasat kolosale që ajo kishte marrë. Sidoqoftë në strukturën e ngritur nga Bazili II mbeti e hapur një e çarë e madhe.
Pasi shtypi kryengritjen e Pjetër Deljanit, Bizanti u përpoq të shtrojë edhe princin rebel Stefan Vojisllav të Zetës. Në fakt, rrotull vitit 1035 princi i Zetës, siç quhet gjithnjë e më shpesh Dioklea e vjetër, u ngrit kundër tutelës bizantine.26 Përpjekja e parë e tij dështoi, por pas një periudhe nënshtrimi e burgosjeje, ai rifilloi luftën për liri dhe doli fitimtar mbi ekspeditat e shumta ndëshkimore të bizantinëve. Edhe ekspedita e fundit e vitit 1042 dështoi plotësisht, sadoë Bizanti thirri në luftë edhe princërit vasalë të Rashës, Bosnjës e të Zakemisë kundër princit të pabindur të Zetës. Në viset malore të vendit të tij, Stefan Vojsliavi korri një fitore të bujshme mbi ushtrinë e fuqishme të strategut të Durrësit. Me këtë fitore, sigurohej përfundimisht pavarësia e principatës së tij. Autoriteti i tij shtrihej tashmë jo vetëm mbi Trebinjën fqinjë, por edhe mbi Zaklumjen. Në këtë mënyrë, Zeta u bë i pari vend ballkanik që u shkëput nga sundimi bizantin.
Pasi mundi kryengritjen e Deljanit, Mihali IV u kthye nga Ballkani i sëmurë për vdekje. Duke parashikuar vdekjen e afërt të perandont, Johani bëri hapat e nevojshme për të mbajtur në familje kurorën perandorake. Perandoresha Zoe adoptoi nipin e Mihalit IV e të Johanit, që quhej po ashtu Mihal. Ky u mbiquajt Kalafati, sipas zanatit të dikurshëm të të atit dhe, si trashëgimtar i pritshëm i fronit, mori titullin e cezarit. Më 10 dhjetor 1041, i dërmuar nga dhimbjet, Mihali IV u mbyll në manastirin e Shën Anargjirëve, ky mbylii sytë po atë ditë.
Mihali V Kalafat e përshpejtoi fundin e dinastisë paflagone. Vetë Johan Orfanotrofi ra viktimë e krijesës së tij: Mihali ia shpërbleu ndihmën të ungjit duke e çuar atë në internim. Askush nuk e ndihmoi eunukun, që ishte bërë i urryer për të gjithë. Kjo i dha zemër Kalafatit, që nxi toi të mbyllë në një manastir edhe perandoreshën Zoe. Por ky veprim i kushtoi kurorën. Mbështetur në besnikërinë e popullsisë së kryeqytetit ndaj dinastisë, fisnikëria dhe Kisha u bashkuan kundër kësaj parvënu-je prepotente. Gjatë sundimit të dinastisë maqedone ndjenjat legjitimiste të popullit bizantin ishin forcuar aq shumë, saqë të ndjehej i lidhur edhe pas ZoesëdheTeodorës. Kalafati që kishte guxuar të ngrinte dorën kundër Porfirogjenetës, u rrëzua nga froni e më 20 prill 1042 u qorrua. Zoe dhe Teodora duhej të qeverisnin tani së bashku, pasi Teodora që me dëshirën e Zoes ishte mbyllur murgeshë, kishte me vete një grupim të fuqishëm e mbi të gjitha Kishën. E drejta e grave për të ushtruar pushtetin në emër të tyre nuk vihej më në dyshim. Por plogështia e dy Porfyrogjenetëve qe e tillë dhe urrejtja e tyre për njëra-tjetrën ishte aq e fortë, saqë vetëm pas pak javësh qeverisja iu besua një burri. Meqenëse Teodora nuk pranoi të martohej, Zoe u lumturua me një martesë të tretë në moshën gjashtëdhjetë e katër vjeç. Më 11 qershor 1042 mori për burrë senatorin e shquar Konstandin Monomaku dhe ditën e nesërme ky vuri kurorën perandorake.
Njëlloj si Romani III Argjir, Konstandini IX Monomaku (1042-1055) ishte një përfaqësues tipik i aristokracisë bizantine të zyrave. Ashtu si Romani, ai qe një sovran pa peshë e pa vullnet. I merrte me lehtësi jetën dhe detyrat e tij prej sovrani dhe i la rrugë të lirë një procesi që do të shkaktonte fatkeqësi të mëdha. Dy perandoreshat plaka, me të cilat ishte i detyruar të ndante zyrtarisht fronin, ishin të lira të bënin ç'të donin dhe në fakt ato e bënë rrush e kumbulla thesarin e shtetit së bashku me perandorin qejfli. Nga ana e saj edhe Zoe ishte bërë më tolerante me kalimin e viteve. Ndryshe nga populli, perandoresha nuk skandalizohej nga marrëdhëniet intime të Konstandinit IX me bukuroshen dinake Sklerine, një mbesë e gruas së tij të dytë. E shpërblyer me titullin e ri sebasta, dashnorja e perandorit merrte pjesë në të gjitha festat e oborrit në krah të dy perandoreshave. Pas vdekjes së saj, titulli dhe funksioni u trashëguan nga një princeshë e bukur alane.
Jeta elegante e pa andralla e kryeqytetit ushtronin pa dyshim një forcë të madhe tërheqëse. Në këtë periudhë vihet re një lulëzim i ri i jetës kulturore bizantine, që nën regjimin militarist të Bazilit II kishte qenë vyshkur. Aristokracia civile e kryeqytetit ishte atë kohë shtresa më e mësuar dhe ajo që i jepte tonin veprimtarisë kulturore në gjithë perandorinë. Froni rrethohej nga njerëz me formim të lartë kulturor, si p.sh., Konstandin Likuda që, si kryeministër, si niesazon, drejtonte punët e shtetit, si juristi i shquar Johan Ksifilini, si filozofi i famshëm Mihal Pselli. Me ndikimin e tij të madh në lëmin e kulturës, me veprimtarinë fatale politike dhe me imoralitetin e skajshëm të tij, Pselli është figura më karakteristike e kësaj kohe.30 Nuk i mungonin skrupujt fetare dhe, të paktën nga pikëpamja estetike, feja e të parëve kishte lënë mbresa të thella në shpirtin e tij. Në fakt, kur aty nga fundi i sundimit të Konstandinit IX rrethi i Lukudës e humbi përkohësisht ndikimin e tij, Pselli së bashku me Ksifilinin vendosën ta vrisnin dëshpërimin duke veshur rrasën e murgut. Por pavarësisht nga ky episod, ai jetonte me shpirt në botën tokësore, adhuronte dijet laike, që i përvetësoi me pasion të pashuar dhe vëzhgonte e analizonte me vëmendjen më të madhe proceset e jetës njerëzore, që si njeri politik përpiqej t'ia nënshtronte vullnetit të tij. Nuk kishte shkrimtar e orator që të mund të krahasohej me të dhe në botën bizantine aq të ndjeshme ndaj artit retorik, dhuntitë e tij prej oratori ishin një armë e papërballueshme. Si njeri politik që ishte, Pselli e përdori vazhdimisht këtë armë, por shpesh e përdori aq keq, saqë çdo gjykim mbi të do të ishte tepër i butë. Por nga ana tjetër nuk do të mund të gjendeshin fjalët e përshtatshme për të vlerësuar siç duhet aftësitë intelektuale të këtij njeriu. Njohuritë e tij përfshinin të gjitha fushat, ato i mahnitnin bashkëkohësit. Pselli ishte pushtuar nga një pasion i zjarrtë për kulturën dhe poezinë e botës klasike. Në fund të fundit, traditat e botës klasike nuk ishin shuar asnjëherë në Bizant. Por Pselli kishte lidhje të veçanta me kulturën e lashtë greke, lidhje që ishin më të drejtpërdrejta e më të thella. Nuk mjaftohej me studimin e neoplatonikëve, ai shfrytëzonte drejtpërsëdrejti burimet origjinale, studioi dhe popullarizoi Platonin e në këtë mënyrë ushtroi ndikim të jashtëzakonshëm mbi bashkëkohësit e mbi pasardhësit. Ai qe më i madhi filozof bizantin dhe i pari humanist i madh.
Pikërisht në rrethin e këtyre këshilltarëve erudite perandorake, ku bënin pjesë Pselli, Ksifilini e Likudi si dhe mësuesi i Psellit, eruditi e poeti i madh Johan Mauropode, lindi shtytja për ringjalljen e studimeve të larta. Më 1045 u themelua në Kostandinopojë një universitet filozofie e një tjetër drejtësie. Studimi i filozofisë ishte organizuar sipas sistemit tri vial e katërvial: gramatika, retorika e dialektika formonin shkallën e parë të dijes; aritmetika, gjeometria, muzika e astronomia shkallën e lartë. Filozofia përfaqësonte sintezën e fundit të të gjithë dijes. Drejtimi i mësimdhënies ishte në duart e Psellit, që u nderua me titullin kumbues të "Konsullin (hypatos) të filozofëve". Dekan i fakultetit juridik u emërua Johan Ksifilini, të cilit iu dha titulli "ruajtës i së drejtës" (nomofylaks). Lindte kështu një qendër e re e kulturës greke dhe e së drejtës romake, që renditet ndër arritjet historike më të mëdha të Bizantit. Në të njëjtën kohë, universiteti i ri i përgjigjej edhe një nevoje të madhe praktike, si institut ku formoheshin gjykatësit dhe funksionarët e rinj.
Në dy shekujt e fundit, që ishin periudha e lulëzimit më të madh të absolutizmit perandorak, senati kishte luajtur një rol thjesht dekorativ. Po qëkurse funksionarët më të lartë të kryeqytetit, d.m.th. senatorët më në zë, formonin shtresën sunduese, titulli i senatorit nuk ishte me një ofiq nderi. Sa më shumë forcohej sistemi i qeverisjes nga funksionarët e kryeqytetit, aq më shumë bëheshin ata që merrnin titullin senatorial. Radhët e senatit u hapën edhe për shtresa të tjera të popullsisë së kryeqytetit. Me këtë baza shoqërore e regjimit zgjerohej dhe gjithnjë e më shumë elemente ishin të interesuar për sundimin permanent të senatit.
Porse epërsia e aristokracisë burokratike të kryeqytetit nuk donte të thoshte me domosdo një forcim të pozitave të pushtetit qendror kundrejt forcave feudale. Ndërsa prona e vogël shupitej dita me ditë, latifondi vazh- donte të zhvillohej. Privilegji për të cilin pronarët luftonin më shumë ishte përjashtimi nga taksat: imuniteti ose, siç quhej në Bizant, ekskusia. Në shek. XI pushteti qendror i kushton kujdes të madh dëshirave të zotërinjve feudalë dhe ua akordon atyre këtë privilegj me lehtësi të madhe. Pronarët laikë e kishtarë u liruan nga disa tatime, më të fuqishmit e më autoritarët prej tyre u liruan madje nga të gjitha duke fituar imunitet të plotë. Taksat dhe detyrimet e tjera të bujkrobërve nuk derdheshin më në arkat e shtetit, por në xhepin e pronarëve. Në këtë kohë, krahas imunitetit fiskal shfaqet ndonjëherë edhe imuniteti gjyqësor: pronarët i gjykonin vetë bujqit e tyre. Në këtë mënyrë i shmangeshin gjithnjë e më shumë autoritetit të shtetit. Pronarët që gëzonin imunitet të plotë fiskal e gjyqësor shkëputeshin nga rrjeti administrativ i pushtetit qendror dhe puna arriti deri aty saqë funksionarët perandorakë e kishin të ndaluar të shkelnin në pronat e mëdha të tokës.
Por sado pushteti qendror tregonte gatishmëri të përhershme për të kënaqur kërkesat e aristokracisë së tokës, megjithatë ishte një pikë në të cilën ai nuk lëshonte pe. Ai nguli gjithmonë këmbë për t'i vënë një kufi të prerë rritjes së numrit të fshatarëve në pronat e mëdha. Dokumentet perandorake që bëjnë fjalë për privilegjet e përcaktojnë qartë numrin e parikeve që duhet të kishte një pronë e caktuar dhe insistojnë vazhdimisht që këta parike nuk duhet të tërhiqen nga radhët e bujqve shtetërore e të stratiotëve. Në të vërtetë, për sa kohë që miratonte një numër të dhënë parikësh, qevena s'mund të ndalte me rritjen e numrit të tyre, aq më shumë kur bëhej fjalë për pronarë të fuqishëm. Sidoqoftë ajo nuk hiqte dorë nga kontrolli. Nëse lufta dramatike midis pushtetit qendror dhe forcave feudale u shua, vazhdonte akoma lufta e heshtur lidhur me pariket. Kjo tregon se formimi i bërthamave të reja të qiramarrësve ishte një problem shumë herë më rëndësishëm, sesa blerja e tokave të reja.
Këmbëngulja e treguar nga pushtetit qendror në këtë çështje është mjaft befasuese, po të kihet parasysh se atë kohë ai ishte i shtrënguar të çedonte në çdo front. Një e çarë e re u hap në sistemin administrativ të shtetit me lindjen e sistemit të pronjes. Si shpërblim për shërbimet e kryera, "të fuqishmit" bizantinë merrnin për administrim (eis pronoian) sipërfaqe të caktuara, me të drejtën që të përfitonin të gjitha të ardhurat që vileshin nga këto toka. Pronja dallonte nga format e mëparshme të dhurimit të tokave për faktin që fillimisht ajo kufizohej në një periudhë të caktuar kohe, zakonisht deri në vdekjen e përfituesit. Ajo, pra, nuk ishte e transferueshme as nëpërmjet jetërsimit e as nëpërmjet trashëgimit. Në zhvillimin e shtetit bizantin sistemi i pronjës, i dokumentuar më së pari aty nga mesi i shek. XI, ishte i destinuar të kishte një të ardhme të madhe.
Aparati burokratik perandorak, i kudondodhur e i gjithëfuqishëm, detyrohet të lëvizë në hapësira gjithnjë e më të ngushta. Në disa krahina, administrata qendrore u kalon sipërmarrësve private deri edhe vjeljen e detyrimeve. Kjo zgjidhje i siguronte arkës shtetërore të ardhura pak a shumë të qëndrueshme, pasi sipërmarrësit e taksave merrnin përsipër të derdhnin një shumë të caktuar. Por në anën tjetër këta gëzonin liri të plotë veprimi në krahinat e tyre dhe në këtë kuadër përpiqeshin të vilnin taksa sa më të mëdha në interes të vet. Gjithë kjo tregon se pronarët e mëdhenj të tokave, pronjarët e sipërmarrësit e taksave fillojnë të krijojnë struktura të pavarura administrative, të modeluara sipas sh- embullit të aparatit administrativ të shtetit e që dublonin këtë të fundit. Të gjitha këto dukuri të reja sillnin më vete një rritje të barrës së taksave për popullsinë, prej së cilës vetëm një pjesë përfundonte në arkat e shtetit.
Çorganizimi fiskal pasqyrohet në mënyrën më të qartë e më fatale në prishjen e monedhës. Në monedhat e emërtuara nga shteti, përmbajtjes së arit i shtohen në masë gjithnjë e më të madhe përzierje metalesh pa vlerë. Kjo solli zhvleftësimin e nomizmes, e cila prej një shekulli kishte njohur një stabilitet pa kurrfarë luhatjeje kursi Tani valuta bizantine e humbi këtë stabilitet të pashembullt e bashkë me të edhe prestigjin e madh që kishte gëzuar në botë.
Karakteristikë tjetër kryesore e kësaj periudhe është dekadenca e fuqisë ushtarake bizantine. Në përpjekje për të kufizuar ndikimin e fisnikërisë ushtarake, qeveria e partisë civile zvogëloi numrin e efektivave të ushtrisë dhe për të gjetur burime të reja të ardhurash i detyroi të paguanin taksa edhe bujqit-ushtarë. Pa marrë parasysh faktin që tashmë një pjesë e madhe e parcelave të ushtarëve kishin rënë viktimë e procesit të feudalizmit, qeveria i shtrëngoi stratiotët e mbetur të tërhiqeshin nga shërbimi ushtarak nëpërmjet pagimit të një shume të caktuar. Ushtria e themave pushon së ekzistuari dhe vetë fjala themë për të treguar trupat e stratiotëve provincialë humbet nga fjalori i shek. XI. Njëkohësisht strategu i themës e humbet pushtetin e tij të dikurshëm edhe si qeveritar i provincës, ndërkohë që gjykatësi i themës (krites ose pretor) fiton rëndësi gjithnjë e më të madhe dhe tani është kryesisht ai që drejton administratën provinciale. Por dobësimi i sistemit të themave donte të thoshte në thelb shpërbërje e organizimit shtetëror, mbi të cilin në shekujt e shkuar ishte mbështetur madhështia e Bizantit.
Pakësimi i vazhdueshëm i forcave ushtarake vendase nxori përsëri në pah rëndësinë e ushtrisë mercenare. Po vihej re një kthim prapa në situatën e para Heraklit, kur shtylla vertebrore e ushtrisë bizantine përfaqësohej nga Gotët. Veçse tani vendin e tyre e zënë Normanët. Nën komandën e Gjergj Maniakut luftuan në Sicili druzhina e lavdishme variago-ruse dhe luftëtari legjendar skandinav Harold. Tashmë garda perandorake formohej me luftëtarë variage por duke filluar nga vitet 80-të të shek. XI, këta nuk rekrutoheshin më në Rusi, siç ndodhte në kohën e Bazilit II, por kryesisht në Angli. Garda variago- ruse u zëvendësua nga ajo variago-angleze. Garda normane zuri në njëfarë mase vendin e reparteve të dikurshme të gardës bizantine, që dalëngadalë u zhdukën krejtësisht.
Bëmat luftarake të Gjergj Maniakut në Sicili ishin rrezja e fundit e dritës në horizontin bizantin, që po bëhej gjithnjë e më i errët. Ai u përpoq të përfundonte veprën e lënë përgjysmë nga Bazili II dhe të vazhdonte politikën e lavdishme ekspansioniste të dinastisë maqedone duke ripushtuar Sicilinë. Dobësimi i fuqisë së arabëve të Sicilisë ishte një ogur i mirë për suksesin e operacionit. Me një fushatë të rrufeshme triumfale Gjergj Maniaku u rrëmbeu myslimanëve pjesën lindore të Sicilisë me qytetet e Mesinës e Sirakuzës. Por këto suksese shkuan kot për faj të mosbesimit të sovranëve të Kostandinopojës. Në momentin vendimtar Konstandini IX e shkarkoi gjeneralin fitimtar nga detyra. Maniaku e pranoi sfidën. I shpallur perandor nga trupat e tij, ai zbarkoi në Durrës dhe marshoi mbi Selanik. Fitorja e tij, që do të shkaktonte me siguri një kthesë të fortë në politikën bizantine, dukej se qe çështje momenti. Por, gjatë një beteje, që dukej tashmë e fituar, ai u plagos rëndë nga një shigjetë (1043).
Disa vjet më vonë ndodhi një tjetër përpjekje për uzurpim të fronit. Kësaj radhe vatra e rebelimit u bë "Maqedonia", d.m.th. Thraka veriperëndimore. Mllefit të ushtrisë për shkak të politikës antimilitariste të qeverisë i shtohej edhe kundërshtimi i provincës ndaj politikës centralizuese të Kostandinopojës. Në krye të kryengritësve u vu kreu i "partisë maqedone", Leon Torniku, që ishte me origjinë armene, por jetonte në Adrianopojë e kishte lidhje të ngushta me krahinën. Revolta e Tornikut mori përmasa akoma më të rrezikshme se ajo e Maniakut: më 1047 Kostandinopoja u vu nën rrethim dhe rrezikonte të binte. Por nëse disa vjet më parë pushteti i Konstandinit IX shpëtoi krejt rastësisht, tani shpëtoi nga pavendosmëria e uzurpatorit, që e la t'i shpëtonte çasti i duhur për pushtimin e kryeqytetit.
Pakësimi sistematik i forcave të armatosura nga ana e qeverisë së Kostan- dinopojës shpjegohet deri diku me faktin se pas fitoreve të mëdha të periud- hës pararendëse, perandoria dukej se nuk kërcënohej nga rreziqe të jashtme. Fushatat fitimtare të Gjergj Maniakut në Lindje e në Sicili vërtetuan epërsinë e Perandorisë Bizantine mbi arabët. Konstandini IX mundi të çojë përpara politikën e Bazilit II në Armeni dhe ta konkludojë me aneksnnin e mbretërisë së Anit.
Por ndërkohë periudhës së lumtur të paqes po i vinte fundi. Nëse forcat e armiqve të vjetër të perandorisë ishin paralizuar, shumë shpejt në kufijtë bizantine u shfaqën popuj të rinj luftarakë. Po ndodhte kështu një ndryshim jo vetëm i situatës së përgjithshme të perandorisë, por dhe i faktorëve kryesorë të politikës së jashtme bizantine. Në lindje, në vend të arabëve shfaqen turqit selxhukë, në perëndim normanët, në veri, në vend të bullgarëve e të rusëve, bëjnë përpara popujt e stepave si pecenegët, udët e kumanët. Rusët e lëshuan sulmin e tyre të fundit kundër Bizantit më 1043. Afrimi i popujve të stepës dhe zhvendosja e epiqendrës së perandorisë ruse drejt verilindjes, bëri që Rusia të pushojë së qeni një faktor i drejtpërdrejtë i politikës bizantine. Por më 1048 pecenegët kapërcyen Danubin dhe ky fakt pati pasoja tepër të rënda për Perandorinë Bizantine. Rëndësia e pecenegëve ishte nënvizuar qysh një shekull më parë nga Konstandin Porfyrogjeneti në traktatin e tij të politikës së tij të jashtme. Bizantinët i përdorën ata si aleatë kundër armiqve të tyre veriorë dhe në shek. X përbënte një parim themelor të politikës së jashtme bizantine aleanca me këtë popull nomad që në çastin e duhur mund të godiste pas krahëve bullgarët e hungarezët e t'u zinte kështu rusëve rrugën drejt jugut. Por pas pushtimit të Bullgarisë gjendja kishte ndryshuar rrënjësisht. Brezi që ndante Bizantin nga hordhitë romake nuk ekzistonte më: territori i perandorisë shtrihej deri në Danub dhe inkursionet e pecenegëve nuk drejtoheshin më kundër armiqve të perandorisë por kundër vetë Perandorisë Bizantine. Bizanti nuk ishte në gjendje t'i zmbrapste hordhitë nomade që vërshonin në këtë anë të Danubit. Ndaj i lejoi ata të vendoseshin në territorin e perandorisë dhe, i shtyrë nga halli, u besoi atyre mbrojtjen e kufijve. Por shumë shpejt pushtetit bizantin iu desh të rrëmbente armët kundër shtetasve të vet të rinj, që plaçkitnin e shkretonin gjithë territorin. Por forcat perandorake pësuan disfata të njëpasnjëshme dhe qeveria u shtrëngua të kërkonte një paqe të turpshme, për të cilën iu desh të bëjë dhurata, lëshime territoriale e dhënie titujsh oborri për krerët pecenegë.
Në vitin e fundit të qeverisjes së dobët të Konstandinit IX ndodhi një ngjarje me rëndësi botërore: skizma (ndarja) e kishave. Pas ngjarjeve të shekujve të shkuar, skizma fetare përfundimtare midis Romës e Kostandinopojës mbetej vetëm një çështje kohe. Lindja e Perëndimi ishin zhvilluar duke ndjekur rrugë tepër të ndryshme. Tepër të thella ishin ndarja midis dy metropoleve dhe kontradiktat që piqeshin në fusha të ndryshme. Mungonin të gjitha kushtet për ruajtjen e universalizmit të Kishës. Prej shekujsh bota e krishterë përfshinte në gjirin e vet forca që ndiqnin drejtime të ndryshme, në lëmin politik dhe në atë kulturor. Ndryshe nga ç'është thënë shpesh, nuk qe "cezaropapizmi" bizantin ai që shkaktoi çarjen. Përkundrazi, në Bizant faktori më i fortë i unitetit ishte pikërisht perandoria. Me qëllim që të shpëtonin universalizmin shtetëror bizantin e të vazhdonin të shpalosnin pretendimet e tyre mbi Italinë, perandorët bizantinë mbështetën universalizmin kishtar roman, duke iu kundërvënë edhe vet Kishës së tyre. Por, ashtu si pavarësia politike e Perëndimit i kishte hequr bazat universalizmit shtetëror bizantin, po ashtu tërheqja e botës sllave në orbitën e Kishës së Kostandinopojës i hoqi çdo mundësi suksesi universalizmit kishtar roman. Aneksimit kishtar të sllavëve të jugut iu shtua dhe bashkimi i Rusisë me patriarkatin e Kostandinopojës. Nuk është një rastësi që pak kohë pas kësaj ngjarjeje, në Bizant u vu re një ashpërsim i tendencës antiromane. Kisha bizantine, që mbështetej në një prapatokë të fuqishme sllave, nuk mund të përkulej më përballë epërsisë së Romës. Qysh në kohën e Bazilit II, ishte bërë e pamundur të ruheshin marrëdhëniet miqësore me Romën, që kishin qenë tradicionale në politikën e dinastisë maqedone. Në kohën e patrikut Sergj (999-1019) emri i papës nuk përmendet në më diptiket. Më 1024 papati i dobët pranoi një kompromis paqësor, në bazë të të cilit Kisha e Kostandinopojës duhej të njihej si "universale në sferën e saj." Por kjo zgjidhje kompromisi e humbi vlerën për shkak të frymës së re që lindi me lëvizjen reformatore të Klynisë. Ndodhi kështu një ndarje e sferave të influencës, drejt së cilës shtynte edhe vetë zhvillimi i procesit historik. Por një fakt i tillë u arrit nëpërmjet një ndarjeje të dhunshme.
Ndarja në fjalë u përgatit nga një tërësi faktorësh, ku bie në sy kundërvënia midis një papati të fortë e kundërshtar i vendosur i çdo kompromisi dhe një patriarkati po aq të fortë, i vetëdijshëm për dinjitetin e vet dhe i mbështetur nga një perandori e dobët, që nuk ishte më në gjendje t'i bënte ballë rrjedhës së ngjarjeve. Ky kombinim faktorësh u poq aty nga mesi i shek. XI, kur në fronin papal hipi Leoni IX, një eksponent i lëvizjes reformatore të Klynisë, ndërsa froni patriarkal u zu nga Mihal Cerulari, prelati më ambicioz i historisë bizantine dhe kur pushteti perandorak ndodhej në duart e dobëta të Konstandin IX Monomak.
Mihal Cerulari kishte pasur një jetë të trazuar, plot ngjarje të lumtura e të hidhura. Kaloi disa vjet në mërgim, pasi u përzje në një komplot të aristokracisë bizantine kundër Mihalit IV Paflagon. Pas rrëzimit të dinastisë paflagone u kthye në Kostandinopojë, por tashmë nuk i mbetej tjetër mundësi veç asaj të karrierës kishtare, pasi gjatë mërgimit kishte veshur rrasën e murgut. Më 1043 hipi në fronin patriarkal e duke filluar nga ai çast u hap një fushë e re veprimi për shpirtin e tij të palodhur luftarak. Ishte po aq i vetëdijshëm për rëndësinë e funksionit të tij sa dhe kundërshtari i tij roman, dhe kjo vetëdije shkrihej me një vullnet të hekurt që thyente çdo pengesë. Por në Romë, në krah të papës ishte edhekreu i antibizantinëve intrazigjentë, kardinali Umberto. Lufta midis Mihal Cerularit dhe Umbertit ishte një luftë midis dy burrave që ndiqnin me të njëjtën këmbëngulje qëllimet e tyre, të gatshëm të zbrisnin vendosmërisht në fushën e betejës dhe ta vinin botën përballë një dileme. Lufta shpërtheu kundër dëshirës së perandorit dhe duke shpërfillur nevojat imediate politike. Ajo nisi në Italinë e jugut, ku interesat e dy qendrave kishtare ndesheshin prej shekujsh por ku tani, pas invasionit norman, dukej më e nevojshme se kurrë një ujdi midis Romës e Kostandinopojës. Por kur divergjencat u shtrinë në terrenin dogmatik e liturgjik, gjendja u bë kritike dhe çdo marrëveshje u bë a priori e pamundur, pasi ballafaqoheshin në mënyrë ballore doktrinë me doktrinë e rit më rit. Bëhej fjalë për çështje të vjetra që e kishin ndarë ndërgjegjen fetare të njerëzve qysh nga koha e Fotit: doktrina perëndimore e procesionit të dyfishtë të Shpirtit të Shenjtë, agjërimi roman i së shtunës dhe ndalimi i martesës së priftërinjve, përdorimi i bukës së mbrujtur në ceremoninë e kungimit në kishën bizantine dhe përdorimi i bukës së ndorme në Kishën romane. Është domethënës fakti që kjo çështje e fundit diskutohej atëherë me shumë zjarr. Për arsye taktike, Cerulari vuri në plan të parë mosmarrëveshjet liturgjike, që ishin më të kuptueshme për publikun e gjerë sesa mosmarrëveshjet që lidheshin me interpretimin dogmatik, shumë më komplekse e më të rëndësishme. Patriku bizantin mbështetej edhe nga Kishat ortodokse të Lindjes dhe ato të vendeve sllave. Patriku i moderuar Pjetër i Antiokesë më në fund u bind nga Cerulari, kurse Leoni, kryepeshkopi grek i Ohrit, qe ndër të parët që filloi polemikën me Romën.
Konflikti arriti në një përfundim dramatik me ardhjen e një dërgate romane nën drejtimin e kardinal Umbertit. Të trimëruar nga qëndrimi i perandorit, i cili tregohej i gatshëm të sakrifikonte patrikun e vet për hir të miqësisë me Romën, më 16 korrik 1054 të dërguant e papës vendosën mbi altarin e Shën Sofisë një bullë shkishërimi kundër Cerularit e përkrahësve të tij më të shquar. Por patriku, që ndjehej i fortë nga mbështetja e Kishës dhe e popullit, arriti ta bindë perandorin e pavendosur të bashkohej me qëndnmet e tij. Në marrëveshje me perandorin, ai thirri një sinod ku iu përgjigj sfidës duke shkishëruar të dërguarit e Romës. U desh shumë kohë që njerëzimi ta kuptonte rëndësinë e këtij incidenti. Bashkëkohësit nuk i kushtuan shumë vëmendje dhe një gjë e tillë flet shumë mbi përmbajtjen e marrëdhënieve romano-bizantine të periudhës pasardhëse. Divergjencat midis dy qendrave kishtare ishin bërë tashmë një gjë e zakonshme dhe askujt nuk i shkonte mendja se përplasja e vitit 1054 do të kishte efekte të ndryshme nga grindjet e mëparshme dhe do të çonte në një shkëputje përfundimtare të pariparueshme.Konstandini IX Monomak vdiq më 11 janar 1055. Pas vdekjes se tij, Teodora ushtroi e vetme pushtetin perandorak. Ajo mbetej e vetmja përfaqësuese e dinastisë maqedone dhe me vdekjen e saj, në fillim të shtatorit 1056, dinastia e lavdishme u shua. Fati i më së madhes dinasti bizantine qe vërtet interesant. Nëse në fillim i ishte dashur të kapërcejë vështirësi të panumërta për t'u afirmuar, më vonë ajo luftoi me shpirt ndër dhëmbë për të mbijetuar, derisa u shua, duke i dhënë fund një ekzistence të shkuar në hije për gati tre shekuj. Aq sa të mëdha e të lavdishme kishin qenë bëmat e saj, po aq i palavdishëm ishte fundi i saj.
Në shtratin e vdekjes, perandoresha emëroi si trashëgimtar njeriun që u gjykua si më i përshtatshëm nga partia në pushtet, një funksionar i vjetër që ishte "më pak i aftë për të qeverisur sesa për të qenë i qeverisur e i komanduar". Emri i tij qe Mihal dhe me sa duket mbante postin e logotetis straiotiku (komandant i ushtrisë). Zakonisht thirrej me llagapin Plaku ose Stratiotiku. Ardhja në fron e tij shënoi triumfin e partisë civile. Pretendimet e funksionarëve u shtuan në mënyrë marramendëse dhe senatorët u mbushën me nderime e dhurata. Përkundrazi, një delegacion i strategëve i udhëhequr nga Isak Komneni e Katakalon Kekaumeni, u përzu në mënyrë brutale nga perandori, i cili nuk denjoi as t'i presë. Kjo i acaroi në kulm kontradiktat dhe, e revoltuar nga qëndrimi i perandorit, komanda ushtarake ngriti krye kundër qeverisë së Kostandinopojës. Më 8 qershor 1057, Isak Komneni u shpall perandor në një lokalitet të Pallagonisë. Me të u bashkuan përkrahës të shumtë që erdhën nga të gjitha viset e Azisë së Vogël. Forcat rebele arritën shumë shpejt qytetin e Nikesë. Ushtria perandorake e dërguar enkas kundër Isakut u thye. Mihali VI u detyrua të pranojë bisedimet me antiperandorin dhe, nëpërmjet një mërgate të udhëhequr nga Konstandin Likuda, Leon Alopi e Mihal Pselli, i ofroi titullin e cezarit dhe trashëgiminë e fronit. Por të tilla lëshime s'bënë gjë tjetër veçse u dhanë zemër armiqve të perandorit dhe zemëruan përkrahësit e tij. Tani kundër tij ngriti krye edhe grupimi opozitar brenda Kostandinopojës, që u hodh në anë të Isak Komnenit. Por ajo që vendosi fatin e luftës qe një fuqi e tretë, Kisha, e cila përfaqësonte faktorin më të rëndësishëm krahas dy grupimeve aristokratike rivale. Patriku i fuqishëm Mihal Cerulari u vu në krye të opozitës dhe Shën Sofia u bë vatër e agjitacionit kundërqeveritar.50 Pikërisht këtu Mihali VI u detyrua të abdikojë e të veshë rrasën e murgut. Më 1 shtator 1057 Isak Komneni hyri në Kostandinopojë dhe mori kurorën perandorake nga duart e patrikut.
Gjatë dekadave të fundit, pushteti i aristokracisë burokratike të kryeqy tetit ishte forcuar së tepërmi. Por me ardhjen në fron të Isak Komnenit gjërat ndryshuan. Megjithëse i shkurtër, sundimi i eksponentit të parë të dinastisë Komnene e fuqizoi ushtarakisht perandorinë. Kufiri lindor u mbrojt me sukses, një sulm i bullgarëve u thye dhe pecenegët, që kishin qenë problem i përhershëm, u bllokuan në kufijtë e tyre. Duke qenë eksponent i aristokracisë ushtarake të Azisë së Vogël, Isaku synonte të instalonte një regjim të fortë ushtarak. Në monedhat e kohës figura e perandorit shfaqet me shpatë të zhveshur.51 Pas ardhjes në fuqi, Isaku mbajti një qëndrim të akullt ndaj senatorëve, duke këmbyer kështu qëndrimin fyes që paraardhësi i tij kishte mbajtur ndaj përfaqësisë së gjeneralëve, të udhëhequr prej tij. Megjithatë ai nuk kaloi në ekseset që kishin karakterizuar sundimin e Mihalit VI. Ata që kishin luajtur rolin e ndërmjetësit midis tij e Mihalit VI dhe që në momentin e duhur u hodhën në anën e tij, u shpërblyen me nderime të reja. Pselli u dekorua me titullin e lartë proedros, Likudi u vu në krye të administratës së shtetit, detyrë që e kishte mbuluar edhe në kohën e Konstandinit IX, e më vonë hipi në fronin patriarkal. Më radikal u tregua Isaku në luftën kundër dëmeve materiale të shkaktuara nga sistemi i shkuar i qeverisjes. Thesaret përrallore që Bazili II kishte grumbulluar në arkat e shtetit ishin harxhuar dhe pronat tokësore të kurorës qenë zvogëluar së tepërmi nga dhurimet e vazhdueshme. Isaku praktikoi masën e rrezikshme të konfiskimit të pronave dhe shpronësimet nuk kursyen as pronat e Kishës. Një gjë e tillë shkaktoi një konflikt të ashpër me patrikun e fuqishëm Mihal Cerulari.
Fuqizimi i Kishës bizantine në shek. XI u personifikua në personalitetin e Mihal Cerularit. Me arritjen e pavarësisë nga Roma qe realizuar vetëm një pjesë e programit të patrikut. Ky nuk e konsideronte më pak të rëndë- sishëm një rregullim të raportit midis Kishës e shtetit në Kostandinopojë. Ai e kishte ndihmuar Isakun të hipte në fron dhe për këtë pretendonte të shpërblehej, gjë që edhe u bë. Administrimi i Shën Sofisë, që deri atëherë kishte qenë një privilegj i perandorit, iu besua patrikut dhe perandorit, siç duket, premtoi të mos ndërhyjë më në jetën e Kishës. Drejtimi i shtetit ishte atribut i perandorit, por ai i Kishës duhej të ishte e drejtë ekskluzive e patrikut. Në krahasim me të kaluarën, kjo pasqyronte një fuqizim të ndjeshëm të pozitave të Kishës. Por kjo përpjekje për të krijuar një ekuilibër nëpërmjet kufizimit të sferave përkatëse të influencës dështoi, pasi as njëra e as tje- tra palë nuk e respektoi marrëveshjen. Perandori konfiskoi prona të Kishës ndërsa patriku vazhdoi të ushqejë ambicien e rrezikshme për ta ngritur pushtetin shpirtëror mbi atë shekullor. Është interesant fakti që Mihal Cerulari i argumentonte pretendimet e veta me dhurimin e Konstandinit, që tani për herë të parë ushtron një ndikim përcaktues në zhvillimin e historisë bizantine. Thuhet se Mihali mbathi këpucët e purpurta të perandorit dhe e kërcënoi këtë me shfronësim.
Por ashtu si patriku, edhe perandori ishte plot besim në vetvete dhe krejtësisht i bindur për fisnikërinë e detyrës së tij. Shpërtheu kështu një luftë, viktimë e së cilës u bënë vetë protagonistët. Në fillim fatet e kësaj lufte folën në favor të perandorit, i cili kishte mundësinë të vinte në veprim mjetet e pushtetit. Por popullariteti patrikut ishte i tillë që çdo ushtrim dhune kundër tij në Kostandinopojë u bë i pamundur. Vetëm kur u largua nga kryeqyteti për të vizituar një manastir jashtë qyteti ai u zu nga garda perandorake dhe u çua në internim (8 nëntor 1058). Por ai u tregua i patundur dhe hodhi poshtë kërkesën për të abdikuar nga të drejtat e tij. U bëe nevojshme thirrja e një sinodi për të shpallur vendimin me të cilin shkarkohej patriku. Por përsëri u evitua Kostandinopoja për mbajtjen e këtij sinodi, që më në fund u mblodh në një qytet të provincës. Teksti i akuzës u hartua nga Pselli që nuk hezitoi të akuzojë mikun e tij të dikurshëm për herezi e vese nga më të pabesueshmet. Por as kjo nuk e ndaloi atë që pak më vonë ta ngrinte në qiell në një epitaf si kampionin më të lavdishëm të ortodoksisë dhe simbol të virtytit. Në fakt, Mihal Cerulari vdiq ndërsa sinodi vazhdonte punimet. Konstandin Likuda u zgjodh patrik dhe Pselli mori detyrën e kryeministrit.
U duk sikur perandori kishte fituar. Por shumë shpejt u pa se patriku i vdekur ishte më i rrezikshëm si martir sesi kundërshtar i gjallë. Pakënaqësia e popullit, që u bë evidente qysh kur bariu i tij u syrgjynos, arriti kulmin pas vdekjes së tij. Kundërvënies së aristokracisë burokratike iu shtua edhe armiqësia e Kishës dhe pakënaqësia e popullit. Vështirësitë u bënë gjithnjë e më të mëdha e në fund perandorit iu desh të dorëzohej. Ashtu si dy vjet më parë aleanca e Kishës me aristokracinë ushtarake përcaktuan rrëzimin e Mihalit VI, po ashtu aleanca e saj esaj e tanishme me aristokracinë burokratike çoi në rrëzimin e Isak Komnenit. Kështu, në dhjetor të vitit 1059, i sëmurë e i dëshpëruar, perandori ndoqi këshillën e Psellit, zhveshi purpurën dhe iu kushtua jetës prej murgu në manastirin e Studitit.