Aleanca hyri në veprim. Ndërsa Demetri ishte i zënë me dardanët, një flotë ilire prej 100 anijesh me 5.000 veta u dërgua nga Agroni kundër etolëve në Medion. Etolët, që e mbanin të rrethuar qytetin, prisnin dorëzimin e tij nga çasti në çast. Ata ishin aq të sigurt, saqë kishin filluar të bënin hesapet për ndarjen e plaçkës. Të shkujdesur nga çdo problem i karakterit ushtarak, etolët u gjetën përpara së papriturës së hidhur. Ilirët, që ishin futur në liman natën pa u ndier, zbritën me të shpejtë nga anijet dhe, pasi u rreshtuan në formacion luftarak, u sulën kundër lëmit etol. Me sa duket, ilirët ditën të maskojnë mirë lëvizjen e flotës së tyre të madhe dhe të hyjnë në gjirin e Ambrakisë pa u diktuar. Por, edhe sikur të kishte ndodhur ndryshe, asnjëra nga flotat e dobësuara greke nuk qe në gjendje t'u dilte atyre përpara. Duke përshkruar këtë fushatë, Polibi i atribuon një rol të veçantë befasisë në taktikën ilire dhe qëndrimit të shkujdesur të armiqve të tyre. Mund të ketë qenë kështu se në fund të fundit ruajtja e fshehtësisë në lëvizjen e forcave, ashtu sikurse befasia, janë elementë të domosdoshëm të taktikës luftarake. Por këto nuk qenë faktorët kryesorë që vendosën fatin e betejës. Nga vetë përshkrimi i Polibit, nuk është vështirë të kuptohet se rolin vendimtar në këtë ndeshje e luajti organizimi më i mirë i ushtrisë ilire dhe epërsia e saj taktike në manovrimin e forcave. Pesha që kishte rreshtimi i tyre dhe përqendrimi i forcës goditëse në pikën më të dobët të armikut, pohon Polibi, bënë që ilirët ta shkulnin armikun nga pozicionet e tij. Të thyer nga ilirët, etolët u gjetën pas kësaj midis dy zjarreve; medionasit, që deri atëherë qëndronin të mbyllur në qytet, dolën dhe i ranë armikut në shpinë. Ata lanë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur dhe të gjithë pajisjet e tyre luftarake.
Përshtypja që bëri në Greqi kjo ngjarje qe shumë e madhe. Ushtria që mbahej si më e forta ndër ushtritë greke, ushtria që krenohej me traditat e saj luftarake për fitoren mbi galët në 270 p.Kr. dhe që për gati 10 vjet me radhë i kishte shkaktuar kaq telashe Demetrit II të Maqedonisë, kishte marrë papritur një grusht dërrmues. Jo më i vogël qe edhe shqetësimi që ngjalli në botën greke kjo ngjarje, që nuk dihej se ç'pasoja mund të kishte. Por ilirët nuk kishin detyrë tjetër këtë radhë veç zhbllokimit të Medionit, gjë që u dha mundësi të izolonin Epirin nga kontakti me etolët, duke përgatitur kështu kushtet për një ndërhyrje të gjerë në këtë vend. Pas përfundimit të betejës, ata ngarkuan menjëherë plaçkën në anijet e tyre dhe morën rrugën e kthimit. Në atdhe fitorja mbi etolët u kremtua me të madhe.