Të drejtat e pushtetit atëror
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Të drejtat e pushtetit atëror

Ligjet greke dhe ato romake i kanë njohur babait një pushtet të pakufizuar, të cilin, fillimisht, atij ia kishte njohur feja. Të drejtat e panumërta dhe të shumëllojshme që iu dhanë këtij pushteti, mund të radhiten në tri kategori, sipas faktit që ati i familjes njihej si prijës i besimit, si zot i pronës dhe si gjykatës.

I.Babai është prijësi më i lartë fetar i besimit shtëpiak; në këtë cilësi, ai rregullonte të gjitha ceremonitë e kultit sipas mënyrës së vet ose sipas mënyrës që kishte trashëguar nga i ati i tij. Askush në familje nuk guxonte të vinte në diskutim epërsinë e tij priftërore. As qyteza dhe as vetë priftërinjtë e mëdhenj nuk mund të ndryshonin gjë nga kulti i tij. Si prift i vatrës, ai nuk njeh askënd mbi vete.

Në cilësinë e prijësit të besimit, ai është përgjegjës për përjetësimin e kultit e për rrjedhojë edhe për kultin e familjes. Gjithçka që ka të bëjë me këtë përjetësim, gjë që përbën edhe përkujdesjen dhe detyrën e tij të parë, varet vetëm prej tij. Prej aty buron një seri e tërë të drejtash: e drejta për të njohur fëmijën e tij pas lindjes apo për ta refuzuar atë. Kjo e drejtë, babait i njihej si në të drejtën greke ashtu edhe nga ligjet e Romës. Sado barbare që kjo e drejtë mund të ishte, ajo nuk binte ndesh me parimet mbi të cilat ngrihej familja. Njohja e bijësisë, qoftë edhe nëse nuk kundërshtohej, nuk ishte e mjaftueshme që fëmija të hynte në rrethin e shenjtë të familjes; për këtë kërkohej leja e të parit të familjes dhe shugurimi në kult Për sa kohë që fëmija nuk është pranuar në fenë shtëpiake, për babanë ai nuk është asgjë.

E drejta për të lënë dhe për të poshtëruar publikisht bashkëshorten, qoftë në rast shterpësie, pasi nuk duhet që familja të shuhet, qoftë në rast tradhtie bashkëshortore, pasi familja dhe pinjollët e saj duhet të jenë të pastër prej çdo lloj ndërhyrjeje.

E drejta për të martuar të bijën, domethënë për t'i kaluar dikujt tjetër autoritetin që ai kishte mbi të. E drejta për të martuar të birin e vet: martesa e të birit garantonte përjetësimin e familjes.

E drejta për të emancipuar, domethënë për të përjashtuar një djalë nga familja dhe nga kulti. E drejta e birësimit, domethënë e drejta për të futur një të huaj në vatrën shtëpiake.

E drejta për të caktuar, në shtratin e vdekjes, një tutor për të shoqen dhe fëmijët e tij.

Duhet të nënvizojmë se të gjitha këto të drejta i atribuoheshin vetëm babait, duke përjashtuar të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes. Gruaja nuk e gëzonte të drejtën e divorcit, të paktën gjatë epokave të lashta. Madje edhe në rastet kur ajo ishte e ve, ajo nuk kishte të drejtë të nxirrte qoftë edhe djalë nga shtëpia dhe as të birësonte një fëmijë. Ajo nuk kishte asnjëherë të drejtë të bëhej tutore, madje as për fëmijët e saj. Në rast divorci, fëmijët, madje edhe vajzat, qëndronin me të atin e tyre. Fëmijët nuk kalonin asnjëherë nën pushtetin e saj. Për martesën e së bijës, miratimi i saj nuk kërkohej kurrë.

II. Më sipër kemi parë se, fillimisht, prona nuk ishte konceptuar si një e drejtë individuale, por si një e drejtë e familjes. Sikurse e thotë qartë Platoni dhe e nënkuptojnë të gjithë ligjvënësit e lashtë, pasuria u përkiste të parëve dhe trashëgimtarëve të tyre. Nga vetë natyra e saj, kjo pronë nuk ndahej. Në çdo familje, mund të kishte vetëm një pronar dhe ky pronar ishte vetëm familja dhe vetëm një përfitues, i cili ishte ati i familjes. Ky parim shpjegon mjaft dispozita të së drejtës së lashtë.

Duke qenë se prona nuk mund të ndahej dhe i përkiste krejtësisht babait si individ, në të nuk kishin kurrfarë pjese as gruaja dhe as i biri. Gjatë kësaj epoke, regjimi i prikës dhe bashkësia e pasurisë ishin krejtësisht të panjohura. Prika e gruas i përkiste krejtësisht bashkëshortit, i cili ushtronte mbi mallin e prikës jo vetëm të drejtat e administratorit të saj, por edhe ato të pronarit. Gjithçka që gruaja mund të përftonte gjatë martesës, binte në duart e bashkëshortit. Madje, ajo nuk mund ta rimerrte prikën e saj as kur mbetej e ve.

Djali gjendej në të njëjtat kushte si edhe gruaja: ai nuk zotëronte asgjë. Asnjë dhurim i bërë prej tij nuk ishte i vlefshëm dhe kjo për arsyen e vetme se atij nuk i përkiste asgjë. Ai nuk mund të fitonte asgjë; fry tet e ptmës së tij, përfitimet e nxjerra nga tregtia e tij, gjithçka shkonte në favor të babait. Në rast se dikush bënte një testament në emër të tij, trashëgimia e këtij testamenti i përkiste të atit dhe jo atij. Ky fakt shpjegon paragrafin e së drejtës romake, i cili ndalonte çdo lloj kontrate shitblerjeje mes atit dhe të birit. Në rast se babai do t'i shiste diçka të birit të vet, konsiderohej që këtë gjë ai ia shiste vetes, pasi biri fitonte vetëm për të atin e tij.

Në të drejtën romake, por edhe në ligjet e Athinës, shohim se babai mundd të shiste të birin e vet. Kjo rridhte nga fakti që ai mund të dispononte lirisht rreth krejt pronës që i përkiste familjes dhe djali mund të konsiderohej, edhe ai, si pronë, pasi si krahët ashtu edhe puna e tij ishin burim të ardhurash. Pra babai mundej, sipas dëshirës së tij, ose ta mbante vetë këtë mjet pune ose t'ia jepte atë dikujt fjetër. T'ia jepje atë dikujt tjetër, konsiderohej si shitje e të birit. Tekstet që kanë mbërritur deri te ne nga e drejta romake, nuk na sqarojnë plotësisht rreth natyrës së kësaj kontrate shitblerjeje dhe as rreth rezervave që ajo mund të përmbante. Një gjë është e sigurt, djali i shitur kësisoj, nuk ishte skllav i blerësit. Babai mund të vinte në kontratë kushtin që i biri do t'i rishitej atij përsëri. Atëherë ai rivendoste pushtetin e tij mbi të dhe mund ta shiste sërish. Ligji i Dymbëdhjetë Tabelave e lejonte kryerjen e këtij veprimi deri në tri herë, por shpallte se pas kësaj shitjeje të trefishtë, djali çlirohej nga pushteti atëror. Prej këtu mund të gjykojmë se sa absolut ishte pushteti i babait në të drejtën antike.

Plutarku na thotë se, në Romë gratë nuk mund të dilnin përpara trupit gjykues, madje as si dëshmitare. Te juriskonsulti Gaius lexojmë: "Duhet të mbajmë parasysh se individët që ndodhen nën pushtetin e të tjerëve, domethënë gruaja, djali dhe skllavi, nuk kanë kurrfarë të drejte përpara drejtësisë. Pasi, nisur nga fakti që këta persona nuk mund të zotërojnë asgjë vetë, është arritur në përfundimin e drejtë se ata nuk mund të kërkojnë asgjë përpara drejtësisë. Në rast se biri juaj, i nënshtruar ndaj pushtetit tuaj, ka kryer një delikt, akuza e drejtësisë bie mbi ju. Delikti i kryer nga djali kundër babait të vet nuk lë vend për kurrfarë veprimi gjyqësor." Nga të gjitha këto, rezulton qartë se gruaja dhe djali, nuk mund të ishin as kërkues, as të pandehur, as akuzues, as të akuzuar, as dëshmitarë. Nga krejt familja, vetëm babai është ai që mund të dilte para gjykatës së qytezës; drejtësia publike ekziston vetëm për të. Nëse për djalin dhe gruan, drejtësia nuk bëhej në qytezë, kjo do të thotë se ajo bëhej në gjirin e familjes. Gjykatës i tyre ishte kreu i familjes, i cili kryesonte seancën si të ishte në pupitrën e një gjykate, në funksion të autoritetit të tij bashkëshortor apo atëror, në emër të familjes dhe në praninë e hyjnive të shtëpisë.

Tit-Livi rrëfen se, Senati, duke dashur të çrrënjoste nga Roma Bakanalet, dekretoi dënimin me vdekje për të gjithë ata që kishin marrë pjesë në to. Dekreti u zbatua lehtësisht për sa u përket qytetarëve. Por, lidhur me gratë, të cilat ishin jo më pak fajtore, vështirësia qe serioze; gratë nuk mund të nxirreshin përpara drejtësisë së shtetit; ato mund t'i gjykonte vetëm familja e tyre. Senati e respektoi këtë parim të lashtë, duke u lënë baballarëve dhe bashkëshortëve të drejtën për t u dhënë grave dënimin me vdekje.

E drejta që kreu i familjes ushtronte në gjirin e shtëpisë së vet, ishte e plotë dhe e paapelueshme. Ai mund të dënonte me vdekje, njëlloj sikur vepronte edhe gjykatësi në qytezë; vendimet e tij nuk mund të ndryshoheshin nga asnjë vendim. "Burri, thotë Katoni i vjetër, është gjykatës i gruas së vet; pushteti i tij është i pakufizuar; ai mund të bëjë gjithçka që dëshiron. Në rast se gruaja e tij ka kryer ndonjë faj, ai e ndëshkon; në rast se ajo ka pirë verë, ai e dënon; në rast se ajo ka kryer ndonjë marrëdhënie me ndonjë burrë tjetër, ai e vret." Kjo e drejtë ishte e njëjtë edhe në rastin e fëmijëve. Valer-Maksimi përmend njëfarë Atiliusi, i cili vrau vajzën e tij, fajtore për aktin e përdaljes, ndërkohë që të gjithë njohin rastin e një babai tjetër, i cili dënoi me vdekje të birin e vet, pasi ai kishte bashkëpunuar me Katilinën.

Në historinë e Romës, faktet e kësaj natyre janë të shumta. Por do të ishte një ide e rreme nëse besohej se babai gëzonte një të drejtë absolute për të vrarë gruan dhe fëmijët e tij. Ai ishte gjykatësi i tyre. Nëse ai i dënonte ata me vdekje, kjo bëhej vetëm në emër të drejtësisë. Meqenëse babai ishte i vetmi person në familje, që i nënshtrohej gjykimit të qytezës, gruaja dhe djali nuk mund të gjenin gjykatës tjetër veç tij. Në gjirin e familjes, ai ishte gjykatës i vetëm.

Ndër të tjera, duhet nënvizuar se autoriteti atëror nuk ishte një pushtet arbitrar, sikurse mund të ishte autoriteti që rrjedh nga e drejta e më të fortit. Ky autoritet e kishte themelin e vet në besimet e rrënjosura në fund të shpirtrave dhe po aty ai gjente edhe kufizimet e veta. Për shembull, babai kishte të drejtë të përjashtonte të birin nga familja e tij; por ai e dinte mirë se në rast se ai do e bënte këtë, familja e tij rrezikohej të shuhej dhe manët e të parëve të vet, do të binin në harresën e përjetshme. Ai kishte të drejtë të birësonte dikë tjetër; por feja këtë e ndalonte, nëse ai kishte djalë. Ai ishte pronar i vetëm i pasurisë; por ai nuk kishte, të paktën në epokat më të hershme, të drejtën për ta tjetërsuar atë. Ai mund të poshtëronte publikisht të shoqen e vet; por për të bërë këtë, ai duhej të guxonte të thyente lidhjen e vendosur nga martesa. Në këtë mënyrë, feja i impononte babait po aq detyrime sa i njihte edhe të drejta.

E tillë ka qenë për një kohë të gjatë familja e lashtë. Besimet e mendjes njerëzore, kanë qenë të mjaftueshme, pa nevojën e të drejtës së forcës apo të pushtetit shoqëror, për të ndërtuar një familje të rregullt, për t'i dhënë asaj një disiplinë, një qeverisje, një drejtësi dhe për të përcaktuar, në të gjitha hollësitë, të drejtën private.

info@balkancultureheritage.com