Të vdesësh i ri, të mbijetosh me lavdi
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Të vdesësh i ri, të mbijetosh me lavdi

Ekspedita kundër Trojës nuk duket se ka ngjallur, që në fillim, te grekët ndonjë entuziazëm të njëzëshëm.

Ka të ngjarë që edhe Odiseu të jetë orvatur të bishtnonte. Penelopa sapo i kishte bërë një djalë, Telemakun. Atij i dukej se çasti nuk qe i përshtatshëm për të braktisur nënën dhe femijën. Kur vijnë e i thonë se duhej t’u hipnin anijeve e të shkonin të shtinin përsëri në dorë, me forcën e armëve, Helenën e rrëmbyer nga princi trojan, për t’i shpëtuar këtij detyrimi, ai shtiret si i çmendur. Më i urti, më finoku, hiqet si mendjelehtë. Vetë Nestori plak vjen gjer në Itakë për t’i dhënë urdhrin e grumbullimit. Ai e sheh Odiseun tek tërheq një parmendë ku qenë mbrehur një gomar dhe një ka. Heroi ecën praptazi duke mbjellë guralecë në vend të grurit. Të gjithë tmerrohen, përveç Nestorit, që është mjaft i zgjuar për ta marrë me mend se Odiseu po luan një nga rrengjet e tij të zakonshëm. Ndërsa Odiseu ecën praptazi e parmenda bën përpara, Nestori mbërthen Telemakun e vogël dhe e vendos përpara plorit. Në këtë çast, Odiseu i thërret mendjes dhe e merr foshnjën në krahët e veta, që të mos i ndodhë gjë. Ja tek iu çor maska; pranon të niset.

Përsa i përket plakut Pele, bashkëshortit të Tetidës, të cilit i kanë vdekur shumë nga femijët, atij i ka mbetur vetëm Akili dhe nuk e duron dot mendimin që ai të niset ndonjë ditë në luftë. Atëherë ai kujdeset që ta dërgojë djaloshtn në Skiros, midis vajzave të mbretit të ishullit. Akili jeton, pra, si vajzë, në atë gjinece. Pasi u rrit, në rininë e hershme, nga Kironi dhe Centaurët, ka arritur tani në atë moshë kur dallimet seksuale ende nuk bien në sy, nuk duket sheshit. Mjekra nuk i ka dalë ende, as qimet nuk i kanë dirsur. Ai ka pamjen e një çupëline shumë të hijshme, atë bukuri të papërcaktuar mirë të adoleshentëve që janë sa djem aq edhe vajza, sa vajza aq edhe djem. Ai qëndron midis shoqeve të veta, i shkujdesur. Odiseu vjen dhe e kërkon. Aty i përgjigjen se nuk ka djalë në atë vend. Odiseu, që u hiqet si tregtar shëtitës kinkalerish, kërkon të futet. Ai shikon nja pesëdhjetë vajza dhe Akili nuk dallon nga to. Odiseu nxjerr nga koshi i vet, për t’i ekspozuar, disa basma, qëndisma, kapëse, stoli, dhe dyzet e nëntë prej vajzave turren për të adhuruar ato xhingla, por njëra syresh mbetet mënjanë, mospërfillëse. Odiseu nxjerr ndërkaq një kamë dhe kjo e re shumë e bukur i turret kamës. Pas mureve, ushton një bori lufte. Panik në lagjen e grave, të dyzet e nëntë vajzat ia mbathin me petka të zhubrosura, vetëm njëra me kamë në dorë, drejtohet nga muzika për t’u nisur në luftë. Odiseu i heq maskën Akilit, siç ia hoqi Nestori Odiseut. Edhe Akili nga ana e vet është gati të niset në luftë.

Për të gjithë fëmijët që pati Tetida para Akilit, shtatë djem, perëndesha nuk mund të pranonte lehtë që ata të ishin vdekatarë të thjeshtë si babai i tyre. Pra, ajo përpiqej që në ditët e para t’i bënte të pavdekshëm. I vinte në zjarr që ai të digjte brenda tyre gjithë atë lagështirë mbartëse kalbjeje, e cila bën që qeniet njerëzore të mos jenë kryekëput flakë e shndritshme. Por, në zjarr bijtë e saj treteshin e vdisnin. Peleu i gjorë ishte mynxyrosur. Prandaj, kur lindi Akili, Peleu tha me vete se së paku këtë të fundit do të përpiqej ta shpëtonte. Në çastin kur e ëma po bëhej gati ta vinte në zjarr, babai ndërhyn dhe e kap. Zjarri i kishte djegur fëmijës vetëm buzët dhe një kockë të thembrës që kishte marrë fund. Centauri Kiron i premton Peleut që të shkojë në malin Pelion dhe të zhvarrosë kufomën e një Centauri jashtëzakonisht të shpejtë në vrapim, që t’ia heqë njërën thembër kufomës e t’ia vendosë Akilit të vogël, i cili që në moshë fare të njomë vrapon po aq shpejt sa një dre. Ky është një version i parë. Një tjetër tregon që, për ta bërë të pavdekshëm, meqë nuk mund ta hidhte në zjarr, Tetida e zhyti në ujin e Stiksit, atij lumi ferri që ndan të gjallët nga të vdekurit. Afermendsh, ai që zhytet në ujërat e Stiksit dhe del përsëri prej andej, përfton virtyte e cilësi energjish të veçanta. Akili, i kredhur në këto ujëra ferri, i bëri ballë provës. Vetëm thembra, nga ku e mbante të varur e ëma, nuk u lag nga uji. Akili nuk është vetëm luftëtari që vrapon shpejt, ai është edhe luftëtari i pacenueshëm nga plagët njerëzore, me përjashtim të një vendi, thembrës, nga ku mund t’i qaset vdekja.

Një nga rezultatet e kësaj martese të pabarabartë, midis një perëndeshe dhe një qenieje njerëzore, është se i gjithë shkëlqimi, e gjithë fuqia që lidhen me Tetidën hyjnore, pjesërisht vijnë e kurorëzojnë me lavdi personazhin e Akilit. Në të njëjtën kohë, figura e tij mund të jetë vetëm tragjike: pa qenë perëndi, Akili nuk do të mundte as të jetonte, as të vdiste si njerëzit e zakonshëm, si vdekatar i thjeshtë. Por, megjithatë, fakti që i shpëton shtresës së zakonshme të njerëzimit, nuk e bën Akilin një qenie hyjnore, të siguruar me pavdekësi. Fati i tij, që për të gjithë luftëtarët, të gjithë grekët e asaj kohe ka vlerë modeli, vazhdon të na magjepsë: ai zgjon brenda nesh, si jehonë, vetëdijen që e bën ekzistencën njerëzore të kufizuar, të pikëlluar, të ndarë, një dramë ku drita dhe hija, gëzimi dhe dhembja, jeta dhe vdekja janë pazgjidhmërisht të përziera. Fati i pashoq i Akilit është damkosur me vulën e dykuptimësisë. Me prejardhje gjysmë njerëzore, gjysmë hyjnore, ai nuk mund të jetë plotësisht as nga njëra anë, as nga tjetra.

Në prag të jetës, që në hapat e parë, rruga nëpër të cilën ai duhet të çapitet, degëzohet në dy drejtime. Cilido qoftë drejtimi që do të zgjedhë, atij do t’i duhet, në udhë e sipër, të heqë dorë nga një pjesë thelbësore e vetes. Ai nuk mund, njëherësh, edhe të gëzojë atë çka ekzistenca në dritën e diellit i dhuron si më të ëmbël njerëzve, dhe t’i sigurojë vetes privilegjin për të mos i munguar kurrë kjo dritë, për të mos vdekur. Ta gëzosh jetën, pasurinë më të çmuar për krijesat e përkohshme, këtë pasuri unike, të pakrahasueshme me asgjë tjetër, sepse është një dhe e vetmja që, me ta humbur, nuk e gjen dot më, do të thotë heqje dorë nga çdo shpresë pavdekësie. Të duash të bëhesh i pavdekshëm, do të thotë, deri diku, të pranosh ta humbasësh jetën, madje para se ta kesh jetuar atë plotësisht. Në qoftë se Akili zgjedh, siç uron babai plak, të qëndrojë atje ku është, në shtëpinë e vet, në Fti, pranë familjes dhe në siguri, ai do të ketë jetë të gjatë, të qetë e të lumtur, duke përshkuar të gjithë ciklin e kohës që u është dhënë vdekatarëve, gjer në një pleqëri të rrethuar me dhembshuri. Por, sado shkëlqimtare që të jetë, qoftë edhe e ndriçuar nga më e mira e asaj çka kalimi në këtë dhë u sjell si lumturi njerëzve, ekzistenca e tij nuk do të lërë pas vetes asnjë gjurmë të shkëlqimit të saj. Që nga çasti kur merr fund, kjo jetë kridhet në terrin e natës, në hiç. Njëkohë'sisht me të, heroi zhduket i gjithi dhe përgjithmonë. Duke u zhytur në Had, pa emër, pa fytyrë, pa kujtesë, ai shuhet sikur të mos ketë ekzistuar kurrë.

Përndryshe, Akili mund të bëjë zgjedhjen tjetër: jetën e shkurtër dhe lavdinë për gjithmonë. Ai zgjedh ikjen larg, vendos të lërë gjithçka, të rrezikojë gjithçka, t’i kushtohet që më parë vdekjes. Ai dëshiron të bëjë pjesë te pakica e të zgjedhurve që nuk çajnë kokë as për rehati, as për pasuri, as për ndere të zakonshme, por që duan të ngadhënjejnë nëpër beteja, ku është gjithmonë në lojë vetë jeta e tyre. T’u bësh ballë në fushën e betejës kundërshtarëve më të kalitur, do të thotë ta vësh vetveten në provë, në një garë vlerash ku secili duhet të tregojë kush është, të shfaqë në sytë e të gjithëve zotësinë e vet, një zotësi që arrin kulmin në përleshjen luftarake dhe që përmbushet me “vdekjen siç ka hije”. Në mes të betejës, në lule të rinisë, fuqitë burrërore, trimëria, energjia, hijeshia rinore, të pacenuara, nuk do ta njohin kurrë rrëgjimin e pleqërisë.

A thua se do të duhej që, për të shkëlqyer në kthjelltësinë e shndritjes së saj, flaka e jetës të çohej në një pikë të atillë përskuqjeje të madhe, saqë të tretet në po atë çast që ndizet. Akili zgjedh vdekjen me lavdi, në bukurinë e pacenuar të një jete fare të re. Jetë e shkurtuar, e gjymtuar, e rrëgjuar dhe lavdi e pavdekshme. Emri i Akilit, aventurat, historia dhe personi i tij mbeten përgjithmonë gjallë në kujtesën e njerëzve, brezat e të cilëve pasojnë shoqi-shoqin nga shekulli në shekull, për t’u zhdukur të gjithë, njëri pas tjetrit, në errësirën dhe heshtjen e vdekjes.

info@balkancultureheritage.com