Triperëndesha përballë një molle të artë
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Triperëndesha përballë një molle të artë

Kështu përfundon akti i parë i skenarit që do të çojë në luftën e Trojës. Kujt do t’i takojë, me mollën, çmimi i bukurisë hyjnore? Perënditë nuk mund të marrin një vendim. Nëse do të zgjidhte Zeusi, vetëm njëra perëndeshë do të kënaqej në kurriz të dy të tjerave. Si i gjithëfuqishëm i paanshëm, ai i ka përcaktuar pushtetet, fushat, privilegjet përkatëse të secilës prej tri perëndeshave. Në qoftë se Zeusi jep parapëlqim për Herën, do të fajësohej për njëanshmëri në favor të bashkëshortes, po të zgjidhte Athinanë, do t’i përmendin dobësinë atërore, dhe nëse shprehet pro Aferditës, aty do të shihet prova që ai nuk mund t’i bëjë dot ballë dëshirës dashurore. Në hierarki, asgjë nuk lë shteg midis tyre për ndryshim. E pamundur për të që të gjykojë. Edhe këtë duhet ta marrë përsipër ndonjë vdekatar i thjeshtë. Edhe në këtë rast, perënditë do t’ia kalojnë njerëzve përgjegjësinë e vendimeve që nuk pranojnë të marrin mbi vete, siç u kanë caktuar fatkeqësi e mynxyra që nuk ia dëshironin vetes.

Akti i dytë. Në malin Ida. Pikërisht në këtë vend, në Trojadë, u mbrujt rinia heroike. Ashtu si Pelioni, vend rrafshnaltash djerrë, larg qytetesh, arash të mbjella, tokash me vreshta, pemëtoresh, hapësirë jete të ashpër e fshatare, vetmie që ka për shoqëri vetëm barinjtë e kopetë e tyre, gjuetie kafshësh të egra. Djaloshi, edhe vetë ende i egërsuar, duhet të bëjë aty mësimin e virtyteve të guximit, të qëndresës, të zotërimit të vetvetes, që e bëjnë njeriun heroik.

Personazhi që u zgjodh për t’i dhënë zgjidhje garës midis tri perëndeshave quhet Parid. Ai ka një emër të dytë: Aleksandër, që është emri i fëmijërisë. Paridi është më i riu nga bijtë e Priamit. Kur Hermesi, i pasuar nga tri perëndeshat, zbret nga kreshtat e malit Ida për t’i kërkuar Paridit të gjykojë e të thotë cila është për të më e bukura, Paridi po ruante kopetë mbretërore të të atit në malin Ida. Pra, ai është një lloj mbreti bari a bariu mbretëror, fare i ri, një kuros, ende në lulen e rinisë.

Paridi ka pasur një femijëri dhe një rini të jashtëzakonshme, është djali më i vogël i Hekubës, bashkëshortes së mbretit Priam, sundimtarit të Trojës, këtij qyteti të madh aziatik në bregdetin e Anadollit, shumë të pasur, shumë të bukur, shumë të fuqishëm.

Pak para se të lindte, Hekuba pa në ëndërr sikur po pillte jo një qenie njerëzore, por një pishtar që do t’i vinte zjarrin qytetit të Trojës. Natyrisht, ajo i kërkoi shortarit, a disa të afermve të njohur për zotësinë e tyre në shpjegimin e ëndrrave, se ç’domethënie kishte kjo gjë. I dhanë kuptimin që deri diku është i qartë: ky fëmijë do të jetë vdekja e Trojës, shkatërrimi i saj me zjarr e flakë. Ç’duhet bërë? Atë çka bënin të moçmit në raste të këtilla. Ta dënojnë femijën me vdekje, pa e vrarë: duke e vënë përballë saj. Priami ia beson femijën një bariu që ai ta braktisë, pa ushqim, pa përkujdes, pa mbrojtje, në po ato vise vetmie ku ushtrohet rinia heroike, jo në fushën e mbjellë e të populluar, por në shpatet e atij mali, larg nga njerëzit e të lënë në mëshirën e egërsirave. Të braktisësh një fëmijë, është si t’ia taksësh vdekjes, pa i ndotur duart me gjakun e tij, ta dërgosh në botën e përtejme, ta zhdukësh. Mirëpo, qëllon ndonjëherë që fëmija nuk vdes. Kur rastësisht shfaqet sërish, ai kthehet me disa cilësi që vijnë pikërisht nga ajo që, i paracaktuar për të vdekur, ka kaluar atë sprovë dhe ka mundur t’i shpëtojë. Fakti që ka kapërcyer ngadhënjyeshëm që në lindje dyert e vdekjes, i jep të shpëtuarit shkëlqimin e një qenieje të veçantë, të një të zgjedhuri. Çfarë ngjau me Paridin? Thuhet se në filiim, për disa ditë, e mëndi një arushë. Femra e ariut, me mënyrën e vet të ecjes dhe përkujdesjes ndaj të vegjëlve, shihet shpesh si një lloj nëne njerëzore. Ajo e ushqen hë për hë këtë të sapolindur, pastaj disa barinj, ruajtës të kopeve të mbretit në malin Ida, e zbulojnë dhe e marrin. Ata e rrisin në mes tyre, afërmendsh pa e ditur se kush është. I vënë emrin Aleksandër në vend të Parid, emër që ia kishin vënë kur lindi i ati dhe e ëma.

Vitet kalojnë. Një ditë, një kasnec i pallatit vjen të kërkojë demin më të bukur të tufës mbretërore për një fli të përmortshëm që Priami dhe Hekuba duan të bëjnë për atë fëmijë që ia dhanë vdekjes, për të nderuar atë nga i cili u desh të ndaheshin. Ky dem është i parapëlqyeri i Aleksandrit të ri, që vendos ta shoqërojë e të orvatet për ta shpëtuar. Si çdo herë kur ka kremtime mortore për nder të një të ndjeri, ka jo vetëm flijime, por edhe lojëra dhe gara të përmortshme, vrapimi, boksi, mundjeje, hedhje shtize. Aleksandri i ri regjistrohet për të konkurruar me bijtë e tjerë të Priamit kundër ajkës së rinisë trojane. Ai del fitimtar në të gjitha garat.

Të gjithë habiten dhe pyesin cili është ky bari riosh i panjohur, aq i pashëm, aq i fuqishëm, aq i shkathët. Njërit nga bijtë e Priamit, Deifobit, të cilin ne do ta hasim sërish gjatë kësaj historie, i hipin xhindet dhe vendos që ta vrasë këtë furacak që ngadhënjeu përmbi të gjithë. Ai e ndjek këmba-këmbës Aleksandrin e ri që shkon e strehohet në tempullin e Zeusit, ku ndodhet edhe motra e tyre, Kasandra, një virgjëreshë e re, shumë e bukur, me të cilën ra në dashuri Apolloni por që nuk ia fitoi dot zemrën. Për t’u hakmarrë, perëndia i fali një dhunti të pagabueshme parashikimi, por e cila nuk i hyn në punë për kurrgjë. Përkundrazi, kjo dhunti vetëm sa do t’ia rëndojë më shumë fatkeqësinë, sepse askush nuk do t’u besojë ndonjëherë parashikimeve të saj. Në situatën e pranishme, ajo shpall hapur: “Kujdes, ky i panjohur është Paridi ynë i vogël”. Dhe në të vërtetë Parid-Aleksandri nxjerr pelenat që kishte pasur të veshura kur e braktisën. Mjafton të tregojë këto që ta njohin. E ëma, Hekuba, çmendet nga gëzimi, kurse Priami, mbret plak shumë i mirë, është edhe ai i ngazëlluar që e gjeti përsëri të birin. Ja, pra, Paridi, i përfshirë sërish në familjen mbretërore.

Në çastin kur të tri perëndeshat, të shoqëruara nga Hermesi, të cilin Zeusi e ngarkoi të zgjidhte çështjen në emër të tij, i vijnë për vizitë, Paridi e ka zënë përsëri vendin e vet në gjirin e fisit mbretëror, por, meqenëse e ka kaluar të gjithë rininë si bari, e ka ruajtur zakonin të shkojë e t’i shohë kopetë. Ai është një njeri i malit Ida. Paridi i sheh tek mbërrijnë Hermesi dhe tri perëndeshat, ndihet disi i befasuar dhe i shqetësuar. I shqetësuar, sepse, në përgjithësi, kur një perëndeshë i shfaqet haptas një qenieje njerëzore, me lakuriqësinë e saj, me vërtetësinë e vet të pavdekësisë, punët marrin për keq e mos më keq për spektatorët: askush nuk ka të drejtë ta shohë hyjninë. Kjo gjë është njëherësh një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një rrezik nga i cili nuk e merr dot veten. Kështu, Tiresiu, ngaqë pa Athinanë, e humbi shikimin. Në po këtë mal Ida, Aferdita, e zbritur nga qielli, u bashkua me Ankizin, babanë e atij që do të jetë Eneu. Pasi fjeti me të, si me një vdekatare të thjeshtë, në mëngjes Ankizi e sheh në gjithë bukurinë hyjnore, e zë tmerri, i lutet duke i thënë: “Unë e di që jam i humbur tanimë, nuk do të kem më kurrë mundësi për kontakt epshor me ndonjë krijesë femërore. Kush ka shkuar me një perëndeshë, nuk mund t’u jepet më pastaj krahëve të një vdekatareje të thjeshtë. Jeta, sytë, burrëria e tij janë venitur”.

Në fillim pra, Paridi është i llahtarisur. Hermesi i jep siguri. Ai i shpjegon që ka për detyrë të zgjedhë, të japë çmimin, kështu kishin vendosur perënditë dhe se i takonte atij të thoshte cila ishte për të më e bukura. Paridi bie në hall të madh. Tri perëndeshat, pa dyshim, me bukuri të barasvlerë, përpiqen kush e kush ta joshë me premtime ngashënjyese. Po u bë e përzgjedhura e tij, secila prej tyre bën be se do t’i sjellë një pushtet unik e të veçantë, që vetëm ajo e ka privilegjin ta japë.

Çfarë mund t’i ofrojë Athinaja? Ajo i thotë: “Po më zgjodhe mua, do të kesh fitoren nëpër përleshjet në luftë dhe urtinë që do ta kenë zili gjithë bota”. Hera i deklaron: “Po më zgjodhe mua, do të fitosh mbretërimin, do të jesh sundimtar i gjithë Azisë, sepse si bashkëshorte e Zeusit, në shtratin tim është skalitur sovraniteti”. Aferdita nga ana e saj i thotë: “Po më parapëlqeve mua, do të jesh ngashënjyesi i plotë, gjithë çka është më e bukur në planin femëror do të jetë jotja dhe, në veçanti, Helena e bukur, fama e së cilës është përhapur ngado. Kur të të shohë, ajo nuk ka për të të kundërshtuar. Ti do të jesh dashnori dhe burri i Helenës së bukur”. Fitoren në luftë, sovranitetin, Helenën magjiplotë, bukurinë, qejfin, lumturinë me një grua... Paridi zgjedh Helenën. Me sfond nyjën e marrëdhënieve midis perëndive dhe njerëzve, ja tek vihet në çast në punë mekanizmi, ngritja e të cilit përbën aktin e dytë të kësaj historie.

info@balkancultureheritage.com