Kjo famulli gjendet rreth katër orë rrugë në jug-Iindje të Shkodrës dhe pranë bregut të majtë të Drinit. Kishëza e lashtë meriton të përmendet për harqet e saj me kulm të mprehtë dhe për afresket që mbulojnë muret e brendshme të saj. Pranë saj po ndërtohet një kishë e re, më e madhe me shtojcë kambanoreje.
Gjatë punimeve të gërmimit për të hedhur themelet e kësaj të fundit, kishin dalë në dritë varret me skelete. Unë nuk munda t’i shoh pasi ishin hapur shumë muaj përpara vajtjes sime në vend. Pasi u vura në kërkim të materialit arkeologjik që mund të më bënte të mundur të hidhja pak dritë mbi to, pata fatin të gjej, të shpërndara andej-këndej mbi dheun përqark, tullat që i gjykova të epokës romake më të vonë për shkak të përmasave të zvogëluara dhe të trashësisë disi të madhe. I kam parë në të vërtetë të përdorura në Finiq, në muret e epokës pasadriane.
Famullitari më dha të shoh dy monedha të vogla bronzi, romake, shumë të konsumuara, njëra prej të cilave m’u duk e Konstantinit, të cilat ishin gjendur në varret. Gjithashtu, në to janë gjetur copa qeramike greke. Pashë një fund vazoje (ndoshta të një lekythos pa bazament) dhe një pjesë të vogël të buzës së një vazoje të vogël, të zbukuruar me një “gajtan” të pikturuar në të zezë me sfond të kuq. I gjykova si qeramikë atike e fillimit të shek.V p. Kr. U sigurova se ndër varret shpesh gjendeshin qeramika të ngjashme.
Pranë altarit pashë dy fragmente mbishkrimesh mortore që i përmend në shtojcën epigrafike (n.l, në kapitullin përkatës), që m’u dukën afërsisht të epokës së monedhave të përmendura më parë. Mendoj se varreza e nisur rreth fillimit të shek.V p.Kr. (siç na dëshmojnë copat e qeramikës atike, të cilat nuk mund të kenë qenë vendosur në varre në epokë më të vonë se ajo e prodhimit të tyre), ka vijuar në kohë (apo është rifilluar) edhe në epokën romake perandorake, domethënë deri në shek.IV m.Kr., siç na provon monedha e Konstantinit.