Vendi i Skënderbeut në historinë shqiptare dhe evropiane
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Vendi i Skënderbeut në historinë shqiptare dhe evropiane

~Kristo Frashëri

Skënderbeu hyri në skenën e historisë shqiptare dhe evropiane në kohën kur Shqipëria dhe Evropa patën nevojë për të dhe kur Skënderbeu, me kontributin që dha, i justifikoi shpresat e veta. Shqipëria kishte gjysmë shekulli që ishte pushtuar nga ushtritë osmane. Ajo u pushtua në një kohë kur po marshonte me vrap drejt shkrirjes së zotërimeve të shumta feudale vendëse në një shtet të vetëm shqiptar.

Krijimi i shtetit të vetëm shqiptar do të shënonte për shqiptarët hapin më të madh historik që kanë korrur popujt e qytetëruar të Evropës gjatë mesjetës. Pushtimi osman në fund të shek.XIV e ndërpreu me dhunë këtë proces, por nuk e asgjësoi. Prirja për ta vazhduar këtë proces veproi nën dhë, si ato ligjet e padukshme nga syri i njeriut. Por, siç dihet, përpjekjet, të cilat morën flakë në vitet 30 të shek.XV, kishin dështuar. Përpjekjet kishin dështuar jo se shqiptarët ngurronin të rrëmbenin armët, por sepse krerët e tyre ishin të përçarë. Kur luftonte një krahinë me kapedanin e saj kundër zgjedhës së huaj, kapedanët e tjerë rrinin si spektatorë, ngandonjëherë fërkonin me kënaqësi duart, kur shihnin se fqinji i tyre mposhtej. Shqipëria kishte, pra, nevojë për një dorë të fortë, për një kapedan politikisht të aftë dhe ushtarakisht të talentuar, që t'i bashkonte rrëketë e rezistencës në një lumë të fuqishëm dhe t'i dilte zot historisë. Për disa kohë u duk se kjo dorë e fortë do të ishte Gjergj Arianiti, emri i të cilit, në sajë të fitoreve që korri kundër ushtrive osmane, arriti dhe në kancelaritë evropiane. Por, nga pikëpamja politike për të cilën kishte nevojë Shqipëria, ai nuk pati sukses. Përkundrazi, sukses pati një tjetër Gjergj, Gjergj Kastrioti. Ai hyri në skenën e historisë kur shqiptarët kishin më tepër se kurdoherë nevojë për një "kryekapedan", siç e quan Fan Noli Skënderbeun, pra atëherë kur e thirri historia.

Edhe në skenën e Evropës Skënderbeu hyri kur ajo ishte, si Shqipëria, e përçarë. Edhe pse shtetet evropiane ishin të ndërgjegjshme për rrezikun osman, ato rrinin spektatore kur shtetet ballkanike ishin mpleksur për jetë a për vdekje me armatat osmane, ose sepse ishin ende larg rrezikut, si Spanja e Franca ose nga frika, siç ndodhte me shtetet italike e gjermanike, se po të angazhoheshin në luftë kundër armatave osmane, do të sulmoheshin prapa krahëve nga fqinjët e tyre. Ato harronin se pas Ballkanit radha do t'u vinte atyre.

Rolin e kryekapedanit u përpoq ta luante Papati, por zëri i tij vinte në vesh të shurdhër. Përballë këtij rreziku Evropa vazhdoi të rrinte e përgjumur edhe kur armatat osmane shkelën në tokën e Hungarisë, pas së cilës radhën do ta kishte Evropa Qendrore. Hungaria mbeti vetëm përballë furisë osmane. Në ato çaste kritike për Evropën edhe thirrjet e Papës, për të mos i kyrsyer të paktën mjetet financiare, ishin si thirrjet në shkretëtirë.

Me rezistencën heroike të Hungarisë dhe me ofensivën që ndërmori, më 1442, kryekapedani i saj Janosh Huniadi kundër ushtrive osmane, Evropa Qendrore duket sikur e gjeti mburojën për të cilën kishte nevojë. Hungaria u bë gardhi ku ushtritë osmane nuk depertuan dot më tej drejt zemrës së Kontinentit. Por Janosh Huniadi u bë një kryekapedan vetëm në krahun e Evropës Qendrore.

Gadishulli Italik, i cili kërcënohej seriozisht nga armatat osmane, mbeti i zbuluar. Rruga e kalimit të ushtrive osmane për në Gadishullin Italik kalonte përmes territorit shqiptar. Fitoret e para të Huniadit I detyruan sulltanët osmanë ta pezullonin përkohësisht pushtimin e Romës. Por, pas disfatës që turqit pësuan nga hungarezët në Serbi u duk sikur vëmendja e sulltanit turk u drejtua nga Italia. Ardhja në Shqipëri e ushtrive osmane me sulltan Muratin në krye dy herë me radhë, më 1449 kundër Sfetigradit dhe më 1405 kundër Krujës, dhe këmbëngulja disa mujore e tyre për ta shtënë në dorë me çdo kusht  Kalanë e Krujës u interpretua drejt nga rrethet politike evropiane, sa me nënshtrimin e Shqipërisë ata hapnin rrugën drejt Italisë. Vonesa e rënies së Sfetigradit dhe rezistenca heroike e Krujës e detyruan sultan Muratin II të tërhiqej i mundur, duke e çliruar përkohësisht Italinë nga ankthi. Ndërgjegjen se po të binte Kruja do t'i vinte radha Italisë e kishte edhe vetë Skënderbeu. Në letrën që ai i drejtonte, nga Kruja, disa vite më vonë princit të Tarentit në Pulje të Italisë, Johan Antonio Ursinit, i shkruante: "Nëse unë do të isha mundur nga turqit, sigurisht Italia do ta kishte ndjerë dhe, si pasojë, ai zotërim që ju tani thoni se është i juaji, do të ishte i turqve".

Ndërkohë, fitoret që korrën shqiptarët, pasi Skënderbeu shpalosi flamurin e kryengritjes çlirimtare më 1443, i dhanë mundësi Shqipërisë të rifillonte procesin historik që kishte ndërprerë invazioni osman, në çerekun e fundit të shekullit të mëparshëm, krijimin e shtetit të bashkuar shqiptar. Rezistenca heroike e Krujës e futi në rrugë të mbarë këtë proces. Më 1451 Skënderbeu nuk ishte më sundimtar I një krahine, përkrah sundimtarëve të tjerë, por zot i Shqipërisë (dominus Albaniae). Pas çlirimit të vendit nga zgjedha osmane, me të cilën shqiptarët, ndonëse jo të gjithë, fituan lirinë e humbur - krijimi i shtetit të bashkuar me karakter kombëtar ishte vepra e dytë e madhe e Skënderbeut. Pasojat historike të këtij procesi janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ai shtet edhe pse i cunguar nga pikëpamja territoriale, por i mbuluar me lavdinë e fitoreve, i vuri themelet e mbijetesës kombit shqiptar. Ky është me pak fjalë vendi që zë Skënderbeu në historinë shqiptare.

Pushtimi i Kostandinopojës, kryeqytetit mijëvjeçar të Perandorisë Bizantine, më 29 maj 1453, nga sulltan Mehmeti II dhe bindja që ai formoi se Hungaria ishte një gardh që nuk mund të çahej, e nxitën sulltan Fatihun të synonte më me ngulm pushtimin e Gadishullit Italik. Nuk ka si shpjegohen ndryshe fushatat gati të përvitshme, me dëme të mëdha dhe gjithnjë me humbje, që sulltan Fatihu ndërmori kundër Shqipërisë. Këtë e thotë shkoqur mbreti i Hungarisë, Mathias Korvini me një letër të mëvonshme që ai i drejtonte Papës, më 1464. Ai shkruante, ndër të tjera: "Unë e di se shenjtëria juaj është e informuar se çfarë ka bërë sulltani gjatë viteve të kaluara në Shqipëri. Askush nuk e vë në dyshim se ai dëshiron vetëm malet epiriote (shqiptare- K.F.), por, përmes tyre, ai kërkon t'i përgatisë vetes një udhë kalimi për të shtypur gjithë Evropën". 

Në prill 1456, kur u përhap lajmi se një ushtri e madhe turke po marshonte kundër Shqipërisë, ambasadori i Milanit në Romë I shkruante sovranit të vet, dukës Sforca: "Sulltani, si një luan, po uturin, nuk mendon gjë tjetër, veçse si të gllabërojë Romën. Për këtë qëllim ka dërguar 20 mijë kalorës në Shqipëri kundër Skënderbeut". Është i njohur vlerësimi që dha kalorësi anglez, John Newport, i cili kishte marrë pjesë si vullnetar në ushtrinë e Skënderbeut në betejën e Ujëbardhës, në shtator 1457. Kur disa muaj më vonë u kthye në atdhe, gjatë qëndrimit në Romë ai deklaroi: "Po të bjerë kështjella shqiptare,  pushtimi i Evropës nga turqit është i sigurt, mbasi nuk ka fuqi tjetër që ta bëjë këtë rezistencë".

Sa kohë që Kruja ndodhej në duart e shqiptarëve dhe të Skënderbeut sulltan Fatihu e kishte të vështirë të kalonte nga brigjet e Shqipërisë në brigjet italiane, sepse Skënderbeu do ta godiste prapa shpine. Për këtë arsye, sa herë që vinin ushtritë osmane në Shqipëri, në Itali përhapej paniku nga frika se ndoshta kështjella shqiptare mposhtej. Në të njëjtën kohë, sa herë dështonin fushatat që ndërmerrte sulltani kundër Shqipërisë, aq herë merrte frymë lirisht Italia. Në qershor 1467, kur Fatihu erdhi përsëri në krye të mbarë ushtrive perandorake dhe rrethoi për të tretën herë Krujën, paniku pushtoi jo vetëm brigjet italiane të Mbretërisë së Napolit, por edhe rivalen e saj, Republikën e Venedikut. Panikun e ndeshim të regjistruar në disa akte të senatit të Venedikut. Shkurt, sa kohë shqiptarët patën në krye Skënderbeun, madje edhe disa vite pas vdekjes së tij, Fatihu nuk guxoi të ndërmerrte asnjë fushatë zbarkimi në brigjet e Italisë. Vetëm pasi pushtoi Krujën më 1478 dhe Shkodrën më 1479, sulltan Fatihu ndërmori zbarkimin e ushtrive osmane në brigjet e Italisë. Kjo do të thotë se rezistenca shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut i kushtoi sultan "ngadhnjimtarit" një vonesë prej të paktën një çerek shekulli. Më 1480, kur ushtritë osmane zbarkuan për të parën herë në brigjet e Puljes, Italia pati kështu kohë të kapërcente grindjet e brendshme dhe të ishte në gjendje t'i bënte ballë ekspeditës osmane. Siç dihet, ekspedita osmane në brigjet e Italisë zgjati vetëm 6 muaj. Madje, ajo ishte jo vetëm ekspedita e parë, por edhe orvatja e fundit e Perandorisë Osmane kundër Perëndimit.

Në historiografi zakonisht vlerësohet kontributi që dha Skënderbeu me ndihmën ushtarake që i dha mbretit të Napolit, Vendi i Skënderbeut në historinë shqiptare . Ferdinandit Aragonez për të shtypur kundërshtarët e tij, të cilët predikonin marrëdhënie miqësore me Perandorinë Osmane. Ky ishte, padyshim, një kontribut i rëndësishëm i shqiptarëve sepse ndihmoi që në fronin e Napolit të qëndronte dinastia Aragneze, e cila I kundërvihej Perandorisë Osmane. Ekspedita italiane e Skënderbeut çmohet sepse është një operacion konkret, por nga ana e kontributit historik, vonesa që Skënderbeu dhe shqiptarët i shkaktuan Perandorisë Osmene me rezistencën e tyre është më e madhe se ajo që i dhanë Ferdinandit të Napolit. Vlen ta mbyllim me gjykimin që ndeshim në një akt të vitit 1467 të senatit të Republikës së Lagunave, ku thuhet: "Nëse pushtohet bregdeti shqiptar, Ruajna o Zot!, armikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hidhet kur të dojë në Itali".

Me këtë kontribut vendi që zë Skënderbeu në historinë evropiane mund të vlerësohet me fjalët e përmendura që tha në Romë më 1458 kalorësi anglez John Newport, se nën udhëheqjen e tij Shqipëria u bë kështjella që mbrojti Evropën në kuptimin e qytetërimit evropian.

info@balkancultureheritage.com