Vepra restauruese e Justinianit dhe dështimi i saj
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Vepra restauruese e Justinianit dhe dështimi i saj

Kriza që kishte çuar në rënien e gjysmës perëndimore të Perandorisë romake u kapërcye në pjesën lindore falë organizimit më të shëndoshë, ekonomisë më të fuqishme dhe popullsisë më të dendur të saj. Por edhe perandoria e Lindjes përjetoi të njëjtën krizë, edhe ajo njohu tmerret e dyndjeve barbare e luftoi për një shekull të tërë kundër rrezikut të barbarizmit të organizmit shtetëror e të ushtrisë. Ndërkohë që valët barbare derdheshin mbi Perëndimin, vetë Bizanti qe paralizuar në gjithë gjymtyrët e tij dhe rrallë herë guxonte të braktiste pozitën e një vëzhguesi të thjeshtë pasiv. Në kapërcyell të shek. V-VI kriza etnike në Lindje tashmë qe kapërcyer përfundimisht dhe Bizanti dukej se ishte në gjendje të zbatojë një politikë më aktive dhe të tentonte rifitimin e viseve perëndimore të humbura. Megjithëse dy gjysmat e perandorisë kishin secila administratën e vet, përsëri ideja e unitetit të saj kishte mbetur e gjallë. Po ashtu mbetej e fortë ideja e universalitetit të perandorisë romake, pavarësisht nga pushtimet gjermanike në Perëndim. Perandori romak vazhdonte të konsiderohej kreu i orbis romanus (botës romake) dhe i ekmnenes (rruzullit) të krishterë. Viset që dikur kishin bërë pjesë në perandorinë romake, konsideroheshin si zotërim i saj i përjetshëm dhe i pakthyeshëm, pavarësisht se atëherë qeveriseshin nga mbretër gjermanikë. Por në fund të fundit, vetë këta mbretër e pranonin sovranitetin e perandorit romak dhe ajo çka ata ushtronin qe vetëm një pushtet i deleguar prej tij.

Ashtu si dhe Odoakri, më pas edheTeodoriku i Madh mbajti titullin perandorak magister militium; monedhat e tij mbanin gjithmonë portretin dhe emrin e perandorit, dhe kurrë nuk nxori ligje, por vetëm edikte, për nxjerrjen e të cilave ishin të autorizuar edhe rifitimi i trashëgimisë së Romës ishte një e drejtë natyrore e perandorit romak. Ishte një mision i shenjtë i tij çlirimi i territorit romak nga zgjedha e barbarëve të huaj dhe e heretikëve arianë, për t'i kthyer kufijtë e dikurshëm perandorisë, një e pandarë dhe e krishterë. Justiniani 1 (527-565) e vuri politikën e tij në shërbim të këtij misioni.

Në fakt Justiniani e drejtonte politikën e perandorisë qysh kur sundonte i ungji, Justini I (518-527). Ky, i lindur në fshatin Tauresio (ndoshta pranë Nishit), qe futur në ushtrinë perandorake ku ngjiti shkallë e karrierës duke u bërë fillimisht oficer, më tej komandant i truprojës e në fund, me vdekjen e Anastasit 1 u zgjodh perandor.108 I detyrohet pikërisht Justinianit ndarja me monofizizmin e Anastasit I dhe rivendosja e unitetit kishtar me Romën, që ishte një premisë e domosdoshme për zbatimin e planeve të mëdha politike në Perëndim. Justiniani, ky bir i një fshatari nga një provincë e Ballkanit, u bë personaliteti më i rafinuar e më erudit i shekullit; dhe kjo është prova më e qartë e forcës qytetëruese që kishte kryeqyteti bizantin. Nga ana tjetër, një provë e pakundërshtueshme e madhështisë së personalitetit të Justinianit është vetë dimensioni universal i objektivave të tij politike si dhe diapazoni i jashtëzakonshëm i interesave dhe i veprës së tij. Anët negative të karakterit të tij, sado serioze e të shumta që të jenë, zbehen përballë cilësive pozitive të shpirtit të tij universal. Është e vërtetë që nuk qe ai, por Belisari e bashkë me të Narseti, ata që udhëhoqën fushatat e mëdha pushtuese; ishte Triboniani ai që drejtoi aksionin e madh të kodifikimit juridik; qe prefekti i pretorit Johani i Kapadoksisë ai që mori masat më të rëndësishme administrative. Por Justiniani qe frymëzuesi i të gjitha ndërmarrjeve të mëdha të epokës së tij. Restaurimi i perandorisë universale romake vazhdonte të ishte aspirata e madhe e bizantinëve. Politika e restaurimit e ndjekur nga Justiniani ishte shprehja më madhështore e kësaj aspirate. Për këtë arsye ajo fitoi për pasardhësit vlerën e një shembulli të shkëlqyer, sado që i mungoi stabiliteti dhe sado që dështimi i saj pati pasoja tejet të rënda për perandorinë.

Në vitin 533 Belisari zbarkoi në Afrikë me një ushtri të vogël me rreth tetëmbëdhjetë mijë vetë. Kishin perënduar kohët e fuqisë vandale të kohëve të mbretit Genserik. Ndryshe nga fushata e vitit 468, që kishte përfunduar me një katastrofë të vërtetë, ekspedita e Belisarit e asgjësoi shumë shpejt mbretërinë e vandalëve. I shpartalluar keqas në afërsi të Decimit e të Trakarikut, mbreti i vandalëve Gelimer u detyrua të nënshtrohet e më 534 Belisari hyri triumfues në Kostandinopojë. Por pushtimi i mbretërisë së vandalëve duhej të pasohej nga operacione të vazhdueshme e rraskapitëse kundër fiseve vendase mauritane, që për shumë vjet, deri më 548, e kundërshtuan me këmbëngulje sundimin bizantin. Pavarësisht nga kjo, Belisari ndërmori qysh më 535 fushatën kundër perandorisë ostrogote. Fillimisht edhe kjo luftë ngjau me një marshim triumfues. Ndërkohë që një armatë bizantine depërtonte në Dalmaci, Belisari pushtoi Sicilinë dhe iu drejtua Italisë. Njëra pas tjetrës ranë Napoli e Roma. Por pikërisht atëherë luftimet u bën të vështira. Rrethimi i Romës zgjati mjaft e me shumë vështirësi, Belisari mundi të hapë një shteg drejt veriut, të pushtojë Ravenën e të thyejë mbretin trim Ostrogot Vitige, të cilin më në fund e zuri rob dhe e dërgoi në Kostandinopojë (540), siç kishte vepruar më parë me mbretin vandal Gelimer. Por nënë udhëheqjen energjike të Totilës, Ostrogotët ngritën krye e në gjithë Italinë filloi një luftë e ashpër kundër sundimit bizantin. Gjendja u bë jashtëzakonisht kritike: Belisari pësoi një sërë disfatash dhe frytet e fitoreve të para filluan të zbehen. Qëndresën mundi ta thyejë pas luftërash të gjata e të ashpra vetëm ardhja e Narsetit, një strateg gjenial e diplomat i hollë. Kështu, pas njëzet vjet luftimesh me fitoren herë të njërës e herë të tjetrës palë, vendi iu nënshtrua Junistinianit (555). Rivendosja e pushtetit bizantin u shoqërua me rikthimin e marrëdhënieve të vjetra shoqërore dhe ekonomike. Aristokracia latifondiste rifitoi pronat e privilegjet, nga të cilat e kishin zhveshur Ostrogotët.

Pushtimet e mëdha u mbyllën me luftën kundër Vizigotëve në Spanjë. Edhe këtu Bizanti fillimisht u përzje në grindjet e krerëve vendas e më tej dërgoi një ushtri, që pushtoi pjesën jug-Iindore të Gadishullit Hiberik (554). Dukej se perandoria e vjetër po ringjallej. Vërtet mbeteshin ende jashtë saj mjaft nga zotërimet e dikurshme romake, porse Italia, një pjesë e madhe e Afrikës veriore, pjesërisht Spanja dhe ishujt e Mesdheut u ishin shkëputur gjermanikëve dhe ishin vënë nën skeptrin e perandorit romak të Kostandi- nopojës. Mesdheu u bë përsëri një liqen i perandorisë.

Por shumë shpejt u shfaq ana tjetër e medaljes. Luftërat në Perëndim bënë që të braktisej kufiri i Danubit dhe të dobësoheshin aftësitë mbrojtëse të Perandorisë edhe në frontin persian. Qysh në kohën e Anastasit I, qytetet e Martiropojës, Teodosiopojës, Amidës e Nisibit ranë përkohësisht në duart e Persëve. Më 532, Justiniani nënshkroi një trakt paqeje "të përjetshëm" me mbretin pers Khusrva I Anoshakravan (531-579) dhe siguroi kështu liri veprimi në Perëndim duke i paguar tribute perandorisë persiane. Por më 540 Khusravi e shkeli paqen "e përjetshme", u lëshua në Siri, shkatërroi Antiokenë dhe përparoi deri në bregun e detit. Në veri, Persët shkretuan Armeninë, Hiberinë dhe pushtuan krahinën e Lazikës, në bregun lindor të Detit të Zi. Justiniani u detyrua ta shtojë masën e tributit për perandorinë persiane dhe me këtë mundi të sigurojë një armëpushim pesëvjeçar, që u ripërtëri edhe dy herë të tjera e që më në fund, më 562, u zëvendësua me një traktat paqeje me kohëzgjatje 50 vjet. Për këtë, Justinianit iu desh përsëri të rrisë tributin, por të paktën kësaj here ai mundi të sigurojë tërheqjen e Persëve nga krahina e Lazikës. Kishte ardhur koha e shkëlqimit të fuqisë persiane, ndërkohë që Bizanti në Azinë e vogël po tërhiqej në një rol të dorës së dytë.

Rrjedhoja akoma më të rënda patën ngjarjet në Ballkan. Ende pa marrë fund epoka e dyndjeve të mëdha të popujve gjermanikë, në kufijtë e peran- dorisë u shfaqën sakaq popuj të rinj. Rëndësi të veçantë po merrte afrimi i sllavëve. Qysh në kohën e Justinit I, populli i Antëve u përpoq të depërtonte në territoret e perandorisë”, dhe në vitet e para të sundimit të Justinianit fiset sllave, të bashkuara me bullgarët, kryen sulme të përsëritura në viset e Ballkanit. Luftërat pushtuese në Afrikë e në Itali kishin thithur energjitë e nevojshme për mbrojtjen e Ballkanit. Justiniani kishte ndërtuar një sistem të fuqishëm fortifikatash kufitare edhe në Europë, ashtu si në Azi. Në Gadishullin Ballkanik, në këtë anë të vijës së fortifikuar mbi Danub, ishte ndërtuar një tjetër brez i fuqishëm mbrojtës, më i tërhequr. Por edhe fortifikatat më të pathyeshme s'mund të bënin shumë kur mungonin trupat e nevojshme. Sllavët u derdhën në gjithë gjerësinë e GadishuIIit Ballkanik, deri në Adriatik, në gjirin e Korinthit e në brigjet e Egjeut. Ndërkohë që armatat bizantine kremtonin fitoret e tyre larg në Perëndim, viset më të mira të perandorisë shkeleshin nga barbarët. Fillimisht këta mjaftoheshin me plaçkitjen e vendit dhe ktheheshin përsëri matanë Danubit; por valët e dyndjeve sllave u derdhën përsëri në territorin bizantin dhe nuk do të ishte e largët dita kur këta do të vendoseshin përfundimisht në Gadishullin Ballkanik.

Rreziqeve të jashtme iu shtuan edhe shqetësime të brendshme tepër serioze. Një luftë e ashpër u ndez midis pushtetit autokrat qendror dhe organizatave politike të popullit. Kështu, në janar 532 shpërthen në Kostandinopojë kryengritja e fuqishme e Nikës. Në kohën e sundimit të Justinit I, kundër të gjelbërve të mbështetur nga Anastasi, Justiniani kishte përkrahur të kaltnt, të cilët pranonin politikën shtetërore e kishtare të tij. Por me të ardhur në push- tet, Justiniani u përpoq të çlirohej nga ndikimi i demoseve dhe mori masa të ashpra kundër veprimtarisë së partive popullore. Masat represive që goditën njëlloj të dyja partitë, e armiqësuan perandorin qoftë me të kaltrit e qoftë me të gjelbrit e kjo armiqësi e përgjithshme u rëndua më tej nga taksat që iu ngarkuan popullit për të financuar ndërmarrjet e mëdha që parashikonte politika e tij. Për rrjedhojë, të dy demoset u bashkuan në një luftë të përbashkët kundër pushtetit qendror. Në hipodrom u hodh parulla e pazakonshme: "Paçin jetë të gjatë të gjelbrit e të kaltrit mëshirëplotë!" Kryengritja mori përmasa shqetësuese. Kryeqyteti u përfshi nga flakët, një nip i Anastasit I u shpall perandor dhe veshi purpurën në hipodrom. Justiniani e humbi çdo shpresë dhe u bë gati të ikte, por e ndali perandoresha kurajoze Teodorë. Sidoqoftë, qe vendosmëria e Belisarit dhe shkathtësia e Narsetit: Ky i fundit arriti të thyejë unitetin e kryengritësve duke filluar bisedime me të kaltrit. Nga ana e tij Belisari sulmoi hipodromin me trupa besnike të perandorit, masakroi kryengritësit që u zunë në befasi dhe me këtë kasaphanë të tmerrshme, e cila mori jetën e mijëra njerëzve, iu dha fund kryengritjes. Autokracia bizantine triumfoi mbi aspiratat për autonomi të qytetit, shprehës i të cilave qenë pikërisht demoset. Bashkëpunëtorët e afërt të perandorit që pak më parë ky kishte qenë i detyruar t'i shkarkonte nën presionin e masave, u thirrën përsëri në detyrë. Shën Sofia u rindërtua dhe fitoi shkëlqim të ri. Në vend të tempullit të vjetër, që u dogj, Justiniani ngriti një ndërtesë madhështore me kupolë, një vepër kjo, që përfaqëson një gur ndarës në zhvillimin e arkitekturës së krishterë. Porse shtypja e kryengritjes nuk solli një ulje të vërtetë tensioni. Politika e Justinianit i imponoi popullsisë taksa gjithnjë e më të rënda, që erdhën duke u shtuar për shkak të ndërmarrjeve të mëdha ushtarake si dhe të shpenzimeve për ndërtimin e monumenteve të kërkuara nga perandori. Çmimi i pushtimeve Justinianase qe shterimi i plotë financiar i krejt vendit.

Prefekti i pretorit Johani i Kapadokisë, të cilit i takonte detyra e pakënd- shme e mbledhjes së mjeteve për financimin e fushatave gjigante të padronit të tij, mori mbi vete urrejtjen dhe mërinë e popullsisë. Porse atij i detyrohet edhe veprimtaria e frytshme që u zhvillua në lëmin administrativ në kohën e Justini- anit; atij i drejtohet shumica e novellave (direktivave) e mbi të gjitha qe meritë e tij nëse qeveria e Justinianit mori masa energjike kundër gjithëpushtetit të aristokracisë latifondiste.” Por këto masa nuk patën sukses e latifondi vazhdoi të rritej në dëm qoftë të pronës së vogël e qoftë të pronarëve shtetërorë. Në lëmin e administratës, Justiniani mori masa të tilla që synonin të rregullonin funksionimin e saj, të zhduknin fenomenin e shit-blerjes së ofiqeve shtetërore dhe sidomos të siguronin mbledhjen e rregullt të tatimeve. U hoq dorë nga parimi dioklecianas i ndarjes së prerë midis pushtetit ushtarak e atij civil në provincë. Por shkrirja e dy pushteteve u zbatua vetëm në krahina të caktuara dhe jo në kuptimin e një shkrirjeje të vërtetë, por të mbizotërimit herë të autoritetit ushtarak e herë të autoritetit civil. Reformat administrative të Jus- tinianit nuk bazoheshin në një parim të caktuar e nuk mundën të realizojnë një ripërtëritje rrënjësore të sistemeve administrative të mplakura. U krijuan forma të përziera, që përfaqësonin vetëm një fazë tranzicioni midis sistemit solid diokleciano-konstandinian dhe sistemit administrativ të Heraklit, që qe e kundërta e të parit por gjithsesi po aq koherent sa ai.

Qeveria e Justinianit zhvilloi një vepnmtari të gjallë në politikën eko- nomike dhe i dha një shtytje të fuqishme veprimtarisë tregtare dhe artizanale. Si pikëpjekje e natyrshme e shkëmbimeve tregtare midis Azisë dhe Europës, Kostandinopoja kontrollonte tregtinë midis dy kontinenteve. Tregtia mesdhetare ishte tërësisht në duart e tregtarëve grekë e sirianë. Fusha kryesore e veprimtarisë së Perandorisë Bizantine nuk qe aq shumë tregtia me vendet e Perëndimit, tashmë të varfëruara, sesa tregtia me Lindjen, me Indinë dhe Kinën. Tregtia me Lindjen, sidoqoftë nuk kufizohej vetëm me importet, sepse Bizanti eksportonte drejt Lindjes cohëra të çmuara dhe prodhime poçerie të realizuara në punishtet siriane, ndonëse eksportet e tij ishin mjaft të vogla në krahasim me kërkesën bizantine për produkte luksi nga Lindja, sidomos për mëndafsh. Veç kësaj, përbënte një pengesë fakti që tregtia me Kinën duhej të kryhej me ndërmjetësinë persiane. Kjo kërkonte shpenzime të mëdha të panevojshme dhe shtonte më tej pakësimin e arit edhe në kohë paqeje; por në periudhë lufte me Sasanidët persianë, një gjë e tillë do të thoshte ndërprerje e plotë e tregtisë së mëndafshit. Rruga tokësore për në Kinë përshkonte territorin persian e gjithashtu, rrugët detare në Oqeanin Indian zotëroheshin nga tregtarët e persianë që lundronin nga Gjiri Persik në Taprobane (Cejlon), ku ngarkoheshin mallrat e ardhura nga Kina.

Jusatiniani u përpoq të hapte një shteg për në Kinë duke i kaluar anash territorit persian e duke kaluar nëpërmjet bazave bizantine të Kersonës e Bosforit drejt gadishullit të Krimesë e Lazikës në Kaukaz. Prej këndej ata zhvillonin marrëdhënie të ngushta tregtare me popujt e stepave në veri të Pontit, të cilëve u shisnin cohëra, objekte zbukurimi e verë dhe u blinin lëkurë, shollë e skllevër. Për këtë arsye, Bizanti i jepte rëndësi të madhe forcimit të ndikimit të tij në Krime e në krahinën e Kaukazit. Problemi i mëndafshit bëri që bizantinët të binin për herë të parë në kontakt me turqit, të cilët asokohe e kishin shtrirë sundimin e tyre deri në pjesën veriore të Kaukazit dhe që, ashtu si bizantinët, ishin në armiqësi me persët për çështje të tregtisë së mëndafshit. Në kohën e pasardhësve të Justinianit, Justinit II, bizantinët arritën një aleancë me turqit e luftuan së bashku kundër perandorisë persiane.

Në të njëjtën kohë, Justiniani përpiqej të siguronte kalimin me det për në Oqeanin Indian nëpërmjet Detit të Kuq, të fuqizonte lidhjet detare me Lindjen për më tepër vendosi lidhje edhe me mbretërinë etiopiane të aksumit. Por as tregtarët bizantinë e as ata etiopianë nuk ia dolën dot t'u shkëpusin persëve zotërimin e Oqeanit Indian. Nga ana tjetër, rruga tokësore nga brigjet e Detit të Zi drejt viseve të brendshme të Azisë ishte e vështirë dhe e rrezikshme. Ndaj qe vërtet një ngjarje fatlume për perandorinë fakti që agjentët e saj mundën të zbulojnë sekretin e prodhimit të mëndafshit dhe të sjellin kontrabandë në Bizant disa krimba mëndafshi. Prodhimi i mëndafshit njohu paskëtaj lulëzim të vërtetë në Perandorinë Bizantine, veçanërisht në Kostandinopojë, në Antioke, në Tir e në Bejrut, më vonë edhe në Tebë. Prodhimi i mëndafshit u bë një ndër degët kryesore të artizanatit bizantin dhe duke qenë monopol shtetëror, u kthye në një burim të ardhurash të mëdha për perandorinë."

Vepra më e madhe dhe më e qëndrueshme e epokës së Justinianit qe padyshim kodifikimi i së drejtës romake. Nën drejtimin e Tribonianit vepra përfundoi në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër. Së pari mbi bazën e Codex theodosianus (Kodit të Theodosit), të përmbledhjeve private të kohëve të Dioklecianit, të Codex Gregorianus e të Codex Hermogenianus, u hartua një përmbledhje e të gjithë edikteve (urdhëresave) perandorake që ishin në fuqi që nga kohët e Adrianit. Kjo përmbledhje u botua më 529 me titullin Codez Justinianus. Pesë vjet më vonë u botua një variant më i plotë i tij. Rëndësi më të madhe pati Digesti, i botuar më 533 dhe që ishte një përmbledhje e shkrimeve të juristëve të vjetër romakë, dhe që, së bashku me ediktet e perandorëve, përfaqësojnë grupin e dytë të ligjeve në fuqi. Codex Justinianus përbën një hap jashtëzakonisht të madh përpara në krahasim me vepra të tjera të këtij lloji, porse hartimi i tij u bë i mundur në saje të një pune të madhe përgatitore që ishte kryer në shekujt e shkuar. Digesli përfaqëson një vepër të tipit të ri: qe përpjekja e parë për të vënë rregull e për të grumbulluar në mënyrë sistematike sentencat e pafundme dhe shpesh kontradiktore të juristëve romakë. Krahas Codex-it dhe Digesti-t u hartuan Institutiones, të konceptuara si një manual për studimin e së drejtës, që përmbajnë ekstrakte nga dy veprat kryesore. I gjithë Corpus turis civilis plotësohet nga përmbledhja Novellae, që ishin ligje të dala pas botimit të Codex-it. Codex-i, Digesti dhe Institutiones u botuan në latinisht, kurse pjesa më e madhe e Novellae në greqisht. Shumë shpejt dolën në qarkullim përkthime në greqisht të pjesëve më të rëndësishme të Corpus-it e veç tyre edhe përmbledhje e komentarë.

Kodifikimi i së drejtës romake i shërbeu si bazë juridike e njësuar shtetit të centralizuar bizantin. E drejta romake, ashtu si paraqitet në kodifikimin e juristëve bizantinë, me një qartësi të pakrahasueshme mendimi e me densitet shprehjeje, përcakton rregullat për të gjithë jetën politike e private, për jetën e shteti si dhe të individit e të familjes së tij, marrëdhëniet reciproke midis qytetarëve, marrëdhëniet ekonomike si dhe ato të pronës. Pro në të njëjtën kohë orpus turis civilis nuk është një riprodhim mekanik, pra absolutisht besnik ndaj së drejtës romake antike. Juristët e Justinianit e shkurtuan dhe, në ndonjë pikë, edhe e ndryshuan të drejtën romake të kohëve klasike dhe këtë e bënë për t'ia përshtatur kërkesave të shoqërisë së kohës, për ta përputhur me mësimet e moralit të krishterë dhe me të drejtën zakonore të Lindjes helenistike. Në shumë pika, ndikimi i krishterit çoi në thellimin e frymës humane e kjo vlen më së pari në fushën e së drejtës familjare. Porse në të njëjtën kohë ngurtësia dogmatike e krishterimit çoi në atë që t'u mohohej mbrojtja e ligjit besimtarëve të feve të tjera. Kodi i Justinianit shpall lirinë e barazinë e të gjithë njerëzve, por në praktikë një parim i tillë nuk zbatohej. Sidoqoftë, nëse në të drejtën justiniane gjendja e skllevërve u përmirësua dhe nëse lirimi i tyre u lehtësua e madje u inkurajua, kjo ishte padyshim një rrjedhojë e këtyre principeve të larta dhe e ndikimit të krishterimit. Akoma më i rëndësishëm është fakti që puna e skllevërve luante një rol të dorës së dytë në jetën ekonomike të shekullit VI, sidomos në fshat. Faktor kryesor i veprimtarisë prodhuese është colonus (koloni), dhe e drejta justiniane nuk e merr atë aspak në konsideratë. Në të kundërtën, vihet theksi mbi nyjën që duhej të lidhte kolonin me tokën dhe në këtë mënyrë sanksionohej përsëri juridikisht skllavërimi i pjesës më të madhe të popullsisë fshatare.

Një tipar karakteristik i legjislacionit justinian është theksimi i veçantë që i bëhet absolutizmit perandorak. Corpus iuris civilis i dha një vulë juridike pushtetit autokratik dhe një gjë e tillë do të ushtrojë për një kohë të gjatë një ndikim të dukshëm mbi krejt zbulimin e mëtejshëm të shkencave politike, jo vetëm në Bizant, por në gjithë Perëndimin. E drejta romake do të mbetet në Bizant themeli i gjithë zhvillimit të sistemit të tij juridik dhe Curpus-i i Justinaninit përbën pikënisjen për çdo veprimtari të kësaj fushe në të ardhmen. Nga ana e tij, Perëndimi iu rikthye së drejtës romake vetëm në shek. XII. Përvetësimi i së drejtës romake nëpërmjet studimit të Curpus inris civilis të Justinianit pati një rëndësi themelore në përpunimin e koncepteve politike e juridike të Perëndimit. Duke filluar nga ajo kohë, e drejta romake në formën që mori nëpërmjet kodifikimit justianian, u bë një faktor bazë në zbulimin e së drejtës në të gjithë Europën, deri në ditët tona.

Justiniani qe i fundit perandor romak në fronin bizantin. Por në të njëjtën kohë ai ishte edhe një sovran i krishterë, i vetëdijshëm për origjinën hyjnore të autoritetit të tij perandorak. Aspirata e tij universaliste nuk vinte vetëm nga një frymëzim romak, por dhe nga një frymëzim kristian. Koncepti romak i imperium (perandorisë) ishte për të i njëjti me atë të ekumenes (botës) së krishterë dhe triumfi i fesë së krishterë ishte për të një mision po aq i shenjtë sa ai i restaurimit të fuqisë romake. Nga koha e Teodosit I, asnjë perandor nuk ishte angazhuar si ai në luftën për kristianizimin e perandorisë dhe për asgjësimin e paganizmit. Ndonëse numn i paganëve qe zvogëluar së tepërmi, ndikimi i tyre në jetën kulturore dhe në arsim mbetej mjaft i fortë. Justiniani ua ndaloi paganëve mësimdhënien dhe më 529 mbylli akademinë e Athinës, djepin e neoplatonizmit pagan. Pedagogët u dëbuan dhe gjetën strehim në oborrin e perandorit persian, duke çuar kështu në Persi frytet e kulturës greke. Në Bizant, feja e lashtë tashmë mori fund dhe me këtë mbyllej një epokë e tërë e historisë njerëzore.

Kisha e krishterë gjeti tek Justiniani jo vetëm një mbrojtës, por edhe një kryetar. Në të vërtetë, edhe pse qe i krishterë, Justiniani mbetej në thelb një romak dhe ideja e autonomisë së sferës fetare ishte krejt e huaj për të. Ai i konsideronte papët dhe patrikët si shërbëtorë të tij. Ashtu siç drejtonte punët e shtetit, drejtonte edhe ato të kishës, duke ndërhyrë personalisht në çdo problem që kishte të bënte me organizimin kishtar, duke i rezervuar vetes të drejtën për të vendosur edhe në çështjet dogmatike e liturgjike, duke drejtuar koncile, duke shkruar trakte teologjike dhe himne kishtare. Në kuadrin e historisë së marrëdhënieve midis Shtetit dhe Kishës, epoka e Justinianit përbën momentin e ndikimit më të madh të pushtetit perandorak në jetën kishtare, dhe asnjë perandor tjetër para apo pas tij, nuk pati një pushtet aq të pakufishëm mbi Kishën.

Problemi më therës i kishës në atë kohë vazhdonte të ishte qëndrimi që duhej mbajtur ndaj monofizizmit. Politika pushtuese në Perëndim shtronte domosdoshmërinë e një marrëveshje me Kishën e Romës e një gjë e tillë kërkonte marrjen e një qëndrimi kundër monofizizmit. Por një gjë e tillë e nxiste armiqësinë e Egjiptit e të Sirisë ndaj pushtetit qendror të perandorisë dhe i jepte hov të ri forcave separatiste kopte dhe siriane. Por, nëse nga njëra anë paqja me Kishën Perëndimore mund të fitohej vetëm nëse thellohej çarja me Lindjen, nga ana tjetër afrimi i kishave monofizite të Egjiptit e Sirisë bëhej i mundur vetëm nëse braktisej Perëndimi dhe njëkohësisht edhe popullsia e viseve që formonin bërthamën e perandorisë. Justiniani kërkoi më kot një rrugëdalje nga kjo dilemë. Në vitin 533 ai shpalli në koncilin ekumenik të Kostandinopojës dënimin e të ashtuquajturve "tre nenet", që dyshoheshin se kishin prirje nestoriane. Bëhej fjalë për shkrimet e Teodorit të Mopsuesties, Teodoretit të Ciros dhe të Ibës së Edesës. Por ky akt, ashtu si dhe përpjekjet e mëvonshme për t'u afruar me monofizitet, s'bëri gjë tjetër veçse e shtoi tensionin ekzistues dhe nuk mundi të qetësojë as edhe vetë monofizitët.

Por pavarësisht nga të gjitha këto dështime, perandoria e Justinianit tregoi se kishte arntur një fuqi dhe një autoritet të madh. Ishte hera e fundit që perandoria e vjetër romake shpalosi gjithë potenciaiin e saj dhe përjetoi çastet e fundit të madhështisë qoftë në pikëpamje politike e qoftë në atë kulturore. Për sa i përket shtrirjes territonale, ajo mundi të përfshijë përsëri gjithë botën mesdhetare. Në fushën e letërsisë dhe të arteve, kultura e vjetër njohu një lulëzim të ri, edhe pse nën petkun kristian. Paskëtaj erdhi një periudhë e gjatë rënie kulturore. Pavarësisht nga dëshirat e tij, periudha e Justinianit nuk qe fillimi i një ere të re, por fundi i një epoke të madhe që përjetonte perëndimin e saj. Justiniani nuk arriti ta rinovojë perandorinë: mundi vetëm t'i shtrijë për pak kohë kufijtë e saj, pa qenë në gjendje të kryejë rigjenerimin e brendshëm të Shtetit të vjetër romak. Restaurimit territorial i mungonin bazat e shëndosha e pikërisht për këtë arsye rrjedhojat e dështimit të papritur të restaurimit justinian qenë dy herë katastrofike. Pas gjithë atyre sukseseve madhështore, Justiniani i la pasardhësve të vet një perandori krejtësisht të shteruar, me ekonomi dhe financë të rrënuar. Atyre u ra barra e rëndë të ndreqnin defektet e perandorit të madh dhe të shpëtonin ç'mund të shpëtohej.                     

Perandoria e pësoi goditjen më të rëndë në Itali, më e rëndësishmja ndër territoret e ripushtuara, që kishte kërkuar forca e sakrifica të panumërta. Më 568 ajo u sulmua nga Longobardët e për pak kohë një pjesë e mirë e vendit u pushtua prej tyre. Në Spanjë shpërtheu kundërofensiva e visigotëve dhe pikëmbështetja më e rëndësishme bizantine e atij vendi, Kordova, ra në duar të tyre së pari më 572 e pastaj përfundimisht më 584, dyzet vjet më vonë, në duar të visigotëve ranë edhe mbeturinat e fundit të pushtimeve të Justinianit në Spanjën jugore. Për sa i përket Afrikës, Bizanti mundi t'i ruajë pozitat e veta aty deri në kohën e ofensivës së madhe arabe, por gjithmonë në luftë të pareshtur me fiset vendase mauritane. Madje edhe në Itali perandoria do mund të ruajë për shumë shekuj të tjerë krahina të rëndësishme. Ajo çka mbeti nga pushtimet e Justinianit formoi bazën e ndikimit bizantin në Perëndim në shekujt që pasuan, por aspiratat universaliste u kthyen tashmë në një kujtim të kohëve të shkuara.

Detyrimisht, qendra e gravitetit të politikës bizantine u zhvendos përsëri drejt Lindjes. Pasardhësit e Justinianit duhej të zgjidhnin problemin e forcimit të prestigjit të tronditur të perandorisë në Lindjen e Afërme. Një ndër karakteristikat e politikës së jashtme bizantine në dekadat që pasuan është pozicioni i vendosur që ajo mori ndaj perandorisë persiane. Ndonëse perandoria qe sfilitur, pasardhësi dhe nipi i Justinianit, Justini II (565-578) nuk pati frikë të refuzojë pagimin e tributeve që i detyrohej mbretit persian. Me këtë akt, shkelej traktati i paqes që Justiniani me shumë vështirësi arriti të nënshkruajë me persët. U ndez kështu një luftë e gjatë dhe e ashpër objekt kryesor i së cilës ishte zotërimi i Armenisë, prej shumë kohësh mollë sherri midis dy perandorive për shkak të rëndësisë së saj strategjike dhe ekonomike. Pikërisht atë kohë Bizanti i jepte më shumë se kurrë rëndësi zotërimit të asaj krahine. Nëse në tëkaluarën vërshimi i popujve gjermanikë e futi perandorinë në një krizë të rëndë, gjendja nuk ndryshoi edhe pas shtegtimit të gjermanëve drejt perëndimit, pasi Bizanti humbte kështu ushtarët mercenarë për të cilët kishte nevojë. Qeveria u detyrua të bazohej më shumë në rekrutimin masiv të popullsisë vendase dhe i hodhi sytë nga populli luftarak armen. Nën sundimin e perandorëve Justin II, Tiber Konstandin (578-582) dhe Mauric (582-602) lufta vazhdoi për njëzet vjet me humbje e fitore, duke kërkuar angazhimin e gjithë rezervave të perandorisë. Më në fund, brenda për brenda perandorisë persiane shpërthyen çrregullime të rënda dhe perandori energjik Mauric diti t'i shfrytëzojë ato në favor të Bizantit. Me mbështetjen e Mauricit, djaloshi Khusraw II Parwiz, nip i të madhit Khusraw arriti të hipi në fronin persian dhe përfundoi një traktat paqeje, sipas të cilit një pjesë e madhe e Armenisë persiane i kalonte Perandorisë Bizantine (591).

Maurici është një nga perandorët më të mëdhenj të Bizantit. Qeverisja e tij përfaqëson një etapë themelore në shndërrimin e strukturës së vjetër shtetërore të periudhës së fundit romake në një sistem të ri, më vital të Perandorisë Bizantine mesjetare. Përparësia që iu dha politikës lindore dhe braktisja e detyruar e pjesës më të madhe të territoreve të pushtuara nga Justiniani në Perëndim, nuk shënoi aspak heqjen dorë nga interesat që Perandoria kishte në këtë anë të botës. Me masat e rëndësishme organizative të Mauricit, u arrit që perandorisë t'i mbetej ende për mjaft kohë të paktën një pjesë e zotërimeve të saja perëndimore. Duke riorganizuar mbeturinat e pushtimeve justiniane, Maurici krijoi ekzarkatet e Ravenës e të Kartagjenës dhe me një organizim të rreptë ushtarak u përpoq t'i bënte ata të aftë, që të vetëmbroheshin. Zotërimet e Afrikës veriore dhe ato të Ravenës, të rrethuara nga territore të kontrolluara nga Longobardët, u organizuan si vikariate ushtarake dhe administrata qoftë ushtarake e qoftë politike, iu besua ekzarkëve. Të dy ekzarkatet u bënë pararojë e fuqisë bizantine në Perëndim. Kjo mënyrë organizimi inauguroi periudhën e militarizimit të administratës bizantine dhe paralajmëroi sistemin e ardhshëm të themave.

Që Maurici nuk kishte ndër mend të hiqte dorë nga zotërimet perëndi- more, këtë e provon dhe testamenti i hartuar prej tij më 579, kur u godit nga një sëmundje e rëndë. Sipas testamentit në fjalë, djali i tij i madh Teodosi duhej të qeveriste provincat lindore, me rezidencë në Kostandinopojë, kurse djali i vogëi, Tiberi do të sundonte në Itali e në ishujt perëndimorë, me seli në Romë. Pra Roma do të kthehej në rolin e saj si qytet perandorak dhe kryeqytet i dytë. Ideja e perandorisë universale nuk ishte braktisur, as ajo e perandorisë romake të vetme të qeverisur në mënyrë kolegjiale, me dy ad- ministrata të dalluara në secilën pjesë.

Por, nëse paqja në Lindje qe rivendosur, ndonëse vetëm përkohësisht, dhe nëse në Perëndim qe shpëtuar ajo që ishte mundur të shpëtohej nga pushtimet e mëdha të Justinianit, në Ballkan gjendja po bëhej gjithnjë e më kritike. Konfuzioni i mbjellë aty që nga koha e dyndjeve sllave, u bë më i madh me depërtimin e avarëve në Europën qendrore. Në ultësirën e Panonisë u krijua një ligë e fuqishme popujsh dhe që nga ai moment Bizanti u ndodh nën trysninë në rritje të avarëve dhe të fiseve sllave të vendosura në rrjedhën e mesme të Danubit dhe që ishin vasalë të perandorisë. Shumë shpejt u ndez një konflikt i egër për zotërimin e fortifikatave kufitare bizantine, që mbronin vendkalimet nëpër Savë e Danub. Pas një rrethimi të gjatë e të ashpër, khani i Avarëve Baiani hyri në Sirm, më 582. Dy vjet më vonë ranë Viminaci e, përkohësisht, edhe Singidumi. Sistemi mbrojtës bizantin qe çarë dhe tani furtuna sllavo-avare përfshiu gjithë Gadishullin Ballkanik. Në të njëjtën kohë, edhe fiset sllave që banonin në rrjedhën e poshtme të Danubit të pavarura për avarët, depërtuan thellë e më thellë në provincat bizantine. Atëherë regjistrohen sulmet e para sllave dhe avaro-sllave kundër Selanikut (584- 586). Por dukuria më e rëndësishme qe se duke filluar nga vitet 80-të të shek. VI, sllavët filluan të ngulen në Gadishullin Ballkanik. Fiset sllave nuk u mjaftuan më vetëm me plaçkitje, por zunë vend në territorin bizantin e u bënë zot i tij.

Ndër ngjarjet e mëdha të politikës ndërkombëtare të periudhës së her- shme të shtetit bizantin, asnjëra nuk pati ato pasoja në të ardhmen e per- andorisë sa depërtimi i sllavëve në Ballkan. Të gjitha dyndjet barbare të mëparshme kishin pasur një karakter të përkohshëm: vetë dyndja e madhe gjermanike, edhe pse pati ndikim të thellë në zhvillimin e politikës bizantine, nuk e goditi rëndë pjesën lindore të perandorisë. Në të kundërtën, sllavët u vendosën përfundimisht në Ballkan dhe me këtë fillon një proces i tërë që në fund të fundit do të çojë në forcimin e shteteve sllave në territorin bizantin.

Fushatat pushtuese në Perëndim në kohën e Justinianit dhe luftërat e vazhdueshme me persianët gjatë sundimit të pasardhësve të tij, e detyruan Bizantin të qëndronte në pozita mbrojtëse në Gadishullin Ballkanik. Vetëm përfundimi me sukses i luftës persiane bëri të mundur organizimin e një ofensive të madhe kundër sllavëve në pellgun e Danubit. Me sa dukej, vetëm një ekspeditë e madhe kundër pozicioneve sllave përtej Danubit mundi t'i siguronte kufijtë veriorë nga sulmet e reja sllave dhe t'i garantonte perandorisë zotërimin e Ballkanit. Kështu, më 592 filloi një luftë vendimtare për fatet e Ballkanit. Fillimisht u duk se punët po shkonin mirë për bizantinët, të cilët disa herë e kapërcyen Danubin dhe thyen në mënyrë të përsëntur sllavët dhe avarët. Por këto suksese nuk patën ndonjë efekt të madh mbi turmat e pafundme sllave. Luftësnuk po i dukej fundi, ndërkohë që drejtimi i fushatave në këto vise të largëta bëhej i vështirë dhe morali i trupave binte.

Pas dështimit të përpjekjeve për restaurim të Justinianit, qeveria bizantine pësoi një rënie të madhe prestigji. Si një reaksion i natyrshëm kundër absolutizmit justinian, u rrit autoriteti politik i senatit, ndërkohë që populli kërkonte më shumë liri. Në vitet kritike të kapërcyellit të shek. VI-VII, u vu re përsëri një intensifikim i veprimtarisë politike të demoseve. Kontradiktat shoqërore dhe fetare që sa venin e acaroheshin çuan në konflikte të brendshme e në përpjekje të shpeshta midis të kaltërve dhe të gjelbërve në të gjitha qytetet e perandorisë. Disiplina në ushtri u dobësua dhe shpesh herë pakënaqësitë shpërthyen hapur, sidomos në lidhje me zvogëlimin e pagës ushtarake, që qeveria detyrohej ta bënte për shkak të vështirësive ekonomike. Pakënaqësia e thellë që ishte përhapur anë e kënd perandorisë përfshiu edhe ushtrinë, tashmë të lodhur e të demoralizuar pas një lufte të gjatë e pa perspektivë. Kur më 602 ushtria mori urdhër të fushonte përsëri në pozicionet përtej Danubit, plasi kryengritja. Një nënoficer gjysmëbarbar nie emrin Foka u mbart mbi mburoja nga shokët dhe në krye të ushtarëve të rebeluar marshoi drejt Kostandinopojës. Atëherë kryengritja shpërtheu edhe në vetë kryeqytetin bizantin. Dy grupimet kundërshtare dolën hapur në luftë kundër qeverisë perandorake. Maurici u rrëzua nga froni dhe Foka u shpall perandor me miratimin e senatit.

Dështimi i ekspeditës danubiane pas dhjetë vjet luftërash të papërcaktuara, jo vetëm shënoi fatin e Gadishullit Ballkanik, tashmë nën kontrollin e sllavëve, por shkaktoi edhe shpërthimin e krizës së brendshme të perandorisë, që po piqej tash sa kohë. Në vitet e sundimit të Fokës (602-610) shteti i vjetër i periudhës së vonë romake, tashmë në grahmat e fundit, u hodh në betejën e fundit, ku luhej jeta a vdekja e tij. Regjimi terrorist i Fokës qe korniza e jashtme brenda së cilës u zhvillua faza përmbyllëse e shembjes së regjimit shtetëror e shoqëror të periudhës së vonë romake.

Agonia e formës së vjetër shtetërore u shpreh në një regjim terrori të pakontrolluar e njëkohësisht në luftëra të brendshme tepër të ashpra. Perandori Mauric pasi u shfronësua u ther mizorisht dhe ndërsa jepte shpirt u tërhoq zvarrë për të marrë masakrën e bijve të tij. Këto ekzekutime u pasuan nga vrasje në masë: terrori goditi kryesisht familjet e shquara, ndaj dhe qëndresa u organizua sidomos në ato ambiente. Aristokracia u kundërpërgjigj duke organizuar vazhdimisht komplote, që nga ana e tyre përfundonin me masakra të reja.

Foka gjeti përkrahje vetëm në Romë. Midis Romës dhe Kostandinopojës kishte shpërthyer qysh nga fundi i shek. VI një konflikt i mprehtë pas protestave të ashpra të Grigorit I kundër titullit "patriark ekumenik" që patriarkët e Kostandinopojës mbanin qysh prej një shekulli. Maurici i ishte përgjigjur mjaft ftohtë kësaj proteste. Kurse Foka u tregua i gatshëm të bëjë lëshim dhe politika e tij pro Romës kulmoi me ediktin që i dërgoi papës Bonifac III më 607, ku ai i njihte Kishës apostolike të Shën Pjetrit primatin mbi të gjitha kishat.Një dëshmi e favoreve të veçanta që Foka gëzonte në Romë, është një kolonë e ngritur në forumin romak, mbishkrimet e së cilës ngrinin në qiell tiranin bizantin.

Por në Bizant Foka bëhej gjithmonë e më i urryer, sidomos në Azinë e Vogël, ku politika e tij ortodokse kishtare degjeneroi në persekutime të përgjakshme të monofizitëve dhe të Judejve. Partia e të gjelbërve, dikur përkrahëse e tij, u armiqësua aq keq me të, saqë anëtarët e saj u përjashtuan nga postet zyrtare, ndërsa tani të kaltrit u vunë pjesërisht në shërbim të regjimit. Luftërate demosëve u ashpërsuan në një pikë ekstreme. Në perandori shpërthyen flakët e luftës civile.

Po afrohej katastrofa, që perandorët e mëparshëm kishin mundur ta shmangnin me luftë e sakrifica të panumërta. Në Ballkan apo në Azi u krijua një gjendje lufte e hapur. Mbreti i Persisë Khusravi II shpalli se do merrte hakun e Mauricit dhe shpërtheu një ofensivë të madhe kundër Bizantit. Perandoria ishte sfilitur nga luftërat e brendshme. Aftësitë mbrojtëse dhe gatishmëria luftarake e saj kishin rënë në nivelin më të ulët. Me gjithë qëndresën e ashpër të fillimit, bizantinët pësuan disfatë pas disfate. Armata persiane çau mbrojtjen kufitare e më 605 pushtoi kështjellën e Darës. Prej këndej u hodh në Azinë e Vogël dhe pushtoi Cezarenë. Një divizion persian mbërriti deri në Kalcedoni. Njëkohësisht në Ballkan lëshoheshin valët e dyndjeve dhe avare, megjithëqë më 604 Foka e kishte rritur masën e tributit për Avarët. Shumë shpejt i gjithë Gadishulli Ballkanik u përmbyt nga masa të pafundme sllavësh. Perandoria ishte në prag të katastrofës.

Ajo çka e shpëtoi qe pikërisht një operacion i guximshëm në periferi. Herakli, ekzark i Kartagjenës ngriti krye kundër regjimit terrorist të Fokës. Me të u bashkua edhe Egjipti. Herakli dërgoi djalin e tij, që quhej gjithashtu Herakël, në Kostandinopojë në krye të një flote të fuqishme; nëpër ishujt e nëpër portet ku kaloi, Herakli i ri u prit plot entuziazëm nga popullsia e sidomos nga partia e të gjelbërve. Më 3 tetor flota e tij mbërriti në Kostandinopojë, ku po ashtu u prit si shpëtimtar. Regjimi territorist i Fokës u përmbys dhe më 5 tetor Herakli u kurorëzua perandor nga patriku. Tirani i shfronësuar u vra dhe statuja e tij në hipodrom u hodh poshtë e u dogj, për të simbolizuar një domnatio memoriae (dënimi i harresës). Bashkë me statujën u dogj edhe flamuri i të kaltërve.

Vitet e anarkisë nën sundimin e Fokës përfaqësojnë fazën e fundit të historisë së perandorisë së vonë romake. Kështu mbyllet periudha romake e vonë apo bizantine e hershme. Nga kriza doli një tjetër Bizant, i çliruar nga trashëgimia e shtetit të vonë romak, tashmë në dekadencë të plotë dhe i ushqyer me energji të reja. Ky është momenti i fillimit të vërtetë të historisë bizantine, d.m.th. i historisë së perandorisë greke mesjetare.

info@balkancultureheritage.com