Prej kohësh më të lashta ilirët zhvillonin një aktivitet mjaft intensiv në nxjerrjen e mineraleve dhe përpunimin e tyre, madje në ato vise ku gjendeshin qendrat më të pasura minerale - në Bosnje dhe në Slloveni.
Zhvillimi i xehtarisë dhe lidhur me të përpunimi i metaleve, mund të ndahet në dy pjesë. Periudha e parë është koha deri te invadimi i keltëve dhe kolonizimi grek, kurse e dyta prej këtyre ngjarjeve e deri te okupimi romak. Në periudhën e parë ilirët më shpesh e përpunonin bronzin, prej tij bënin armët e tyre, veglat dhe sidomos stolitë. Në këtë kohë stolitë dhe armët i bënin edhe nga hekuri, mirëpo më pak se sa prej bronzi. Madje edhe në Slloveni, ku qysh në shekullin VIII para e.r. ekzistonte një prodhimtari mjaft e madhe e hekurit, një numër i madh objektesh të zbuluara në vendbanimet e atjeshme janë prej bronzi.
Në periudhën e dytë, e cila në brendësi fillon me ardhjen e keltëve, ndërsa në brezin bregdetar me kolonizimin e bregdetit adriatik (në bregdetin e Jonit, kjo periudhë fillon shumë më herët), përdorimi i hekurit bëhet i përgjithshëm. Prodhimi i hekurit, sidomos në Bosnje, fiton një nxitje të fuqishme me ardhjen e keltëve, ndërsa përpunimi i këtij metali, nën ndikimin e përpunimit të zhvilluar të këtyre metaleve, te keltët, arrin përsosje. Kështu një zhvillim i madh i prodhimit dhe përpunimit të hekurit nuk e nxori nga përdorimi bronzin mirëpo prodhimi dhe përdorimi i këtij metali në këtë kohë bie dukshëm.
Për xehtarinë dhe përpunimin e metaleve te ilirët ekzistojnë një numër i madh shënimesh të autorëve antikë, mirëpo këto shënime kanë të bëjnë me situatën e krijuar mbas ardhjes së romakëve në këto vise. Për periudhën e vjetër, na dëshmojnë së pari prodhimet, e mandej edhe veglat dhe mjetet e ndryshme të cilat u shërbenin xehtarëve dhe metalurgëve për nxjerrjen e xeheve nëpër miniera dhe për punimin e metaleve, e përveç kësaj për këtë veprimtari na dëshmojnë mjaft bindshëm edhe sasitë e mëdha të zgjyrës, që u zbuluan në shumë vendbanime ilire, si dhe furrat në të cilat shkrihej metali. Të gjitha këto burime na bëjnë të mundshme të krijojmë një pamje mjaft të qartë të kësaj dege jashtëzakonisht të rëndësishme ekonomike të ilirëve.
Për xehtarinë dhe përpunimin e metaleve në epokën e vjetër të hekurit, domethënë në periudhën para ardhjes së keltëve dhe para kolonizimit grek, na tregojnë veglat dhe mjetet që shërbenin për nxjerrjen e xeheve dhe për punimin e metaleve. Në mesin e tyre përmendim së pari kazmat dhe tokmakët - dy vegla për të cilat mund të supozojmë se shërbenin nëpër miniera. Kazma bëhej prej bririt të drerit (në kohën më të vjetër) ose prej metalit dhe shërbente jo vetëm në xehtari, por edhe në punimin e tokës, prandaj është vështirë të caktohet edhe përdorimi ekskluziv, mirëpo shumë prej kazmave të gjetura shërbenin edhe për punë në miniera, kjo nuk ka dyshim, sepse xehet e forta me mjete të tjera nuk mundet të nxirreshin në atë kohë
Xehet duhej të coptoheshin, para setë viheshin në furra për shkrirje. Kjo bëhej me anë të tokmakëve masivë nga guri i fortë ose nga metalet, të cilët në një numër mjaft të madh u gjetën në shumë miniera të njohura ilire. Tokmakët e gurit me formë vezësh, me një lug në mes, ku bëhej lidhja, u zbuluan në Jarmovac në Priboji, në Mraçaj e gjetkë. Disa prej këtyre tokmakëve qenëtë rëndë deri në dhjetë kilogram, kështu që besohet se ata shërbenin edhe për thyerjen e shkrepave në miniera para se të fillonte mihja me kazmë.
Xehet e thërmuara shkriheshin në furrat e ndërtuara posaçërisht. Kanë qenë në formën e “furrave të sotme të bukës”, ose me konstruksion tjetër, dhe janë zbuluar më shpesh brenda kalave të fortifikuara.
Nga të gjitha objektet të cilat kanë shërbyer për punimin e metaleve shumë të shpeshta janë kallëpet për derdhje të veglave të bronzit. Kryesisht janë të bëra nga guri, por shumë rrallë edhe nga dheu i pjekur dhe janë zbuluar në një numër të madh lokalitetesh, sidomos në Bosnje, ku punimi i bronzit ishte më i zhvilluari. Në shumë vise, ku xehtaria nuk ishte e zhvilluar, se atje do ta kenë sjellë mjeshtrit qarkullues që udhëtonin nga një vend në tjetrin duke sjellë me vete edhe veglat e veta si dhe lëndën e bronzit të papunuar dhe aty kanë punuar dhe prodhuar gjërat sipas nevojës dhe shijes së porositësit. Megjithatë, kallëpet janë zbuluar më shpesh në afërsi të minierave, madje në vendbanimet që ishin të fortifikuara, ku mjeshtrit mund të punonin të sigurtë.
Këta mjeshtër shkrinin sasi të vogla bronzi, për shembull aq sa ishte e nevojshme të prodhohej një sopatë, disa maje shigjetash, ose ndonjë varëse. Me enë balte e mermin metalin e shkrirë nga furrat shkrirëse dhe e derdhnin nëpër kallëpe. Ekzemplari më i mirë i një ene të këtillë u gjet në varrin e një mjeshtri-metalurg, që u zbulua në nekropolin e madh në Sanski Mosti. Ky ekzemplar ka bishtin dhe vrimën në formë sqepi, nëpër të cilën metali i shkrirë derdhej në kallëp.
Po në atë varr u gjet edhe një objekt nga dheu i pjekur, i cili gjithashtu përdorej me rastin e shkrirjes së metalit. Ishte një gyp i gjatë, i kthyer në njërën anë në një bërryl, i cili me siguri ishte i përforcuar për rrëshiqin e farkëtarit, që ishte i kthyer nga zjarri. Asgjë tjetër nga rrëshiqi i farkëtarit nuk ka mbetur, mirëpo edhe kjo mjafton të pohojmë përdorimin e kësaj vegle të domosdoshme për të krijuar temperatura të larta, të nevojshme për shkrirjen e metaleve.
Me ardhjen e keltëve ilirët njohën vegla të reja për përpunimin e hekurit, siç janë për shembull darët e hekurta. Siç duket nga keltët ilirët në brendësi mësuan të përdorin edhe rëshiqin e farkëtarit. Është e mundur që ilirët, sidomos ata në Slloveni, ku prodhimi i hekurit ishte zhvilluar shumë më herët, para ardhjes së keltëve në ato vise, të dinin për rrëshiqin e farkëtarit edhe para keltëve, mirëpo kjo mënyrë nuk është vërtetuar arkeologjikisht.
Me ardhjen e keltëve në brendësi u zhvillua shumë më fuqishëm edhe prodhimi i argjendit. Në viset jugore ilire punimi i argjendit ishte shumë i zhvilluar edhe para ardhjes së keltëve. Qendra e prodhimtarisë dhe e përpunimit të argjendit ishte qyteti Damastion, i cili gjatë shekullit IV dhe III para e.re. edhe monedhat e veta i priste nga argjendi. Lokalizimi i këtij qyteti, të cilin e përmend Straboni, nuk është vërtetuar deri tani. Autorët bashkëkohorë e kërkuan në Shqipërinë e jugut (në rrethin e Gjirokastrës), mandej në Shqipërinë e veriut e gjetiu. Argjendi nxirrej dhe përpunohej gjithashtu në Bosnje, me siguri në vendin ku edhe në periudhën romake u zhviliua një nga qendrat më të rëndësishme xehtare në Ballkan, në Domavi (Gradina e sotme në Srebrenica në Bosnjen lindore).
Xehtaria dhe përpunimi i metaleve pësoi një kthesë të madhe në kohën e okupimit romak. Posa konsoliduan pushtetin e tyre, romakët filluan eksplorimin intensiv të minierave ekzistuese dhe hapjen e të rejave duke shfrytëzuar fuqinë punëtore dhe mjeshtërinë e vendasve. Nevojat e Perandorisë Romake për hekur, ar, plumb dhe metale të tjera u shtuan shumë mbas luftërave të suksesshme kundër Kartagjenës dhe mbasi kufijt e Perandorisë përfshinë një varg vendesh të Mesdheut, kështu që ekspiorimi i minierave të pasura ilire, të cilat tregtarët italikë i njihnin qysh më herët, u imponua si domosdoshmëri e pashtytshme. Ngutjen me të cilën romakët filluan të shfrytëzojnë pasuritë minerale në Ballkan e ilustron fare mirë fakti që e shënoi Flori: perandori August i urdhëroi mëkëmbësit të vet Vibit që t’i detyrojë ilirët e nënshtruar të shpëiajnë arin. Vetëm nja pesëdhjetë vjet më vonë informon Plini se Dalmacia është aq e pasur me ar sa që në kohën e Neronit, gjatë një dite, mund të gjendeshin edhe deri pesëdhjetë libra ar. Edhe shumë shkrimtarë dhe poetë të tjerë romakë theksojnë pasurinë e viseve ilire me ar, mirëpo fatkeqësisht, nuk theksojnë se ku kanë qenë ato miniera të pasura ari. Supozohet se në kohën romake ari është nxjerrë në lumenjt e Bosnjes Qendrore - Vërbas, Llashva, Fojnica etj., ku gjithashtu janë gjetur sasi të mëdha rëre shpëlarëse.
Edhe më të rëndësishëm se sa ari përekonominë e Romës ishin minierat e hekurit, të bakrit dhe të plumbit në Bosnje dhe në Slloveni. Tri janë rajonet kryesore të minierave në Bosnje, të pasura me të gjitha këto xehe. Këto janë rajoni i Bosnjes Qendrore, i pasur me xehe, me minierat e rëndësishme të hekurit në Vranicë, në luginën e Llashvës në rrethin e Varoshit e gjetiu. Rajoni i Bosnjes Perëndimore ishte shumë i pasur me hekur (minierat rreth Sanës dhe Japres), me plumb, me bakër dhe me xehe të tjera. Rajoni i tretë ishte ai i Bosnjes Lindore, i pasur me plumb, bakër dhe me zing, ndërsa qendra e aktivitetit xehtar në këtë rajon në periudhën romake gjendej në Domavi.
Afër minierave romakët ngritën shumë vendbanime të reja dhe qytete, shumë prej të cilave përjetuan prosperitet të madh. Këto vendbanime dhe qytete ishin të lidhura me rrugë shumë të mira me viset e tjera të Perandorisë, kështu që edhe ky fakt i kontriboi zhvillimit të madh të tregtisë dhe të degëve të tjera ekonomike në ato rajone.
Derisa prodhimi i arit në Ilirik stagnonte qysh prej shek. II të e.r. hekuri prodhohej në sasi gjithnjë e më të mëdha, kështu që prodhimi në shek. III dhe IV arrin intensitetin e vet më të madh. Shtimi i prodhimtarisë së këtij metali në Ilirik ishte veçanërisht i domosdoshëm në kohën kur Perandoria Romake, nën presionin e popujve të ndryshëm barbarë, u detyrua të lëshojë viset e pasura me xehe dhe kur prodhimtaria e xehtarisë në shumë vise të Perandorisë nis të zvogëlohet për shkak të turbullirave që përfshinë kufijtë e Perandorisë dhe për shkak të kalimit të atyre kufijve nga ana e popujve barbarë. Këto depërtime qenë shkak që edhe në Bosnje minierat të fillojnë të ndiejnë pasojat e kohërave të trazirave, kështu qysh nga fundi i shekullit IV shumë miniera filluan të punojnë me kapacitete të zvogëluara. Në shekullin V shumë miniera pushojnë së punuari. Një përtëritje e shkurtër e tyre ndodh, si na informon Kasiodori në kohën e sundimit të ostrogotëve në shekullin VI, por ngjarjet e mëtejshme të bujshme në Ballkan penguan gati krejt veprimtarinë e mëtejshme në këtë sferë.
Gjatë tërë kohës romake shumica e punëtorëve në miniera ishin vendas. Ata ishin të njohur si mjeshtër të shkëlqyeshëm, prandaj shumë prej tyre në kohën e Trajanit u shpëmgulën në Daki për të punuar në minierat e atjeshme.