Historia e Romës
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Historia e Romës

~Mary Beard

Roma e lashtë është e rëndësishme. Të injorosh romakët nuk do të thotë thjesht të mbyllësh sytë ndaj një të shkuare të largët. Roma vijon të ndihmojë përkufizimin e mënyrës se si ne e kuptojmë botën dhe se si mendojmë për veten, nga teoria e lartë te komedia më banale. Pas dy mijë vjetësh, ajo vijon të kushtëzojë kulturën perëndimore dhe politikën, çfarë shkruajmë, si e shohim botën, si dhe rolin tonë në këtë botë.

Vrasja e Jul Cezarit, në atë që romakët e quanin Idat e Marsit më 44 p.e.s., ka ofruar shembullin dhe në disa raste justifikimin e sikletshëm për vrasjen e tiranëve që nga ajo kohë. Shtrirja e territorit perandorak romak gjendet poshtë gjeografisë politike të Europës moderne dhe më tutje. Arsyeja kryesore se pse Londra është kryeqytet i Mbretërisë së Bashkuar është se romakët e bënë atë kryeqytet të provincës së tyre, Britanias - një vend i rrezikshëm që gjendej, siç e shihnin ata, përtej oqeanit madhështor që rrethon botën e qytetëruar.

Roma na ka lënë trashëgimi idetë e lirisë dhe shtetësisë po aq shumë sa edhe ato të shfrytëzimit perandorak, të kombinuar me fjalorin e politikës moderne nga ‘senatorë’ te ‘diktatorë’. Ajo na ka huazuar fjalë të urta, të tilla si ‘duhet t’i ruhesh grekut që vjen me dhurata’ apo ‘bukë e cirk’ dhe ‘t’i biesh harpës ndërsa Roma digjet’ - e madje edhe ‘atje ku ka jetë ka edhe shpresë’. Ajo na ka shkaktuar qeshje, frikë dhe tmerr në një masë pothuajse po aq të madhe. Gladiatorët kanë aq sukses sot sa kishin edhe atëherë. Poema madhështore e Virgjilit mbi themelimin e Romës, Eneida, është pothuajse e sigurt se ka gjetur më shumë lexues në shekullin e njëzet të e.s. sesa në shekullin e parë të e.s.

Megjithatë, historia e Romës së lashtë ka ndryshuar në mënyrë dramatike përgjatë pesëdhjetë viteve të fundit dhe akoma më shumë përgjatë 250 viteve që nga koha kur Edward Gibbon shkroi Rënia dhe Shkatërrimi i Perandorisë Romake, eksperimentin e tij idiosinkratik historik që filloi studimin modern të historisë romake në botën anglishtfolëse. Ndryshimi i historisë ka ndodhur pjesërisht për shkak të mënyrave të reja të të parit të provave të vjetra dhe të pyetjeve të ndryshme që ne vendosim të ngremë. Është një mit i rrezikshëm ai që thotë se ne jemi historianë më të mirë sesa paraardhësit tanë. Në fakt nuk jemi. Ne thjesht i avitemi historisë romake me prioritete të ndryshme - nga identiteti gjinor te furnizimi ushqimor - gjë që e bën të shkuarën e lashtë të na flasë me një idiomë të re.

Nga ana tjetër ka pasur një gamë të gjerë dhe të jashtëzakonshme zbulimesh të reja - në tokë, në ujë, e madje edhe të humbura nëpër biblioteka - duke na sjellë të reja nga antikiteti, të cilat na thonë më shumë mbi Romën e lashtë nga sa mund të ketë pasur mundësi të mësojë kushdo prej historianëve modernë para nesh. Tashmë kemi një dorëshkrim të një eseje prekëse nga një mjek romak, malli i kushtueshëm i të cilit u dogj; dorëshkrim që u zbulua në një manastir grek vetëm në vitin 2005. Ne kemi anije mallrash të mbytura në Mesdhe, të cilat nuk mbërritën kurrë në Romë, bashkë me ngarkesën e tyre me skulptura të huaja, mobilie dhe qelqe të destinuara për shtëpitë e të pasurve, si dhe të verës e vajit të ullirit që ishin ushqimi bazë për të gjithë. Ndërsa unë shkruaj, shkencëtarët e arkeologjisë po ekzaminojnë me kujdes kampionë të nxjerrë nga kurora e akullt e Groelandës për të gjetur gjurmë edhe atje; të ndotjes së prodhuar nga industria romake. Të tjerë kanë vënë nën mikroskop jashtëqitjet njerëzore të gjetura në një gropë septike në Herkulaneum, në Italinë e Jugut, për të identifikuar dietën e romakëve të zakonshëm, ndërsa ajo hyri - dhe doli - nga rrugët e tyre të tretjes. Përgjigjja, shumë vezë dhe iriq deti.

Historia e Romës ka qenë gjithmonë duke u rishkruar dhe gjithmonë do të rishkruhet; në disa mënyra ne dimë më shumë mbi Romën e lashtë nga sa ata dinin për veten e tyre. Me pak fjalë, historia e Romës është një punë në rrugë e sipër. Ky libër është kontributi im për këtë projekt më të madh; ai ofron versionin tim të asaj se pse historia e Romës ka rëndësi. SPQR e merr titullin nga një shprehje tjetër romake, Senatus PopulusQue Romanus, ‘Senati dhe Populli i Romës’. Ky libër është udhëhequr nga kurioziteti personal mbi historinë e Romës, nga një bindje se një dialog me Romën e lashtë ia vlen të zhvillohet edhe sot, si dhe nga pyetja se si një fshat i vogël e aspak mbresëlënës në Italinë Qendrore u bë një fuqi kaq dominuese mbi një territor kaq të gjerë në tri kontinente.

Ky libër është mbi atë se si Roma u rrit dhe e mbajti veten në këtë pozicion për kaq gjatë, jo për mënyrën se si ajo degradoi dhe u rrëzua, nëse në të vërtetë u rrëzua në kuptimin që imagjinonte Gibbon. Historitë e Romës mund të ndërtohen në mënyra të ndryshme që të përputhen me një konkluzion të caktuar; disa kanë zgjedhur konvertimin e perandorit Kostandin në kristianizëm në shtratin e vdekjes më 337 të e.s. apo plaçkitjen e qytetit më 410 të e.s. nga Alariku dhe Visigotët e tij. Ky i imi përfundon me një moment kulmor më 212 të e.s., kur perandori Karakala vendosi që çdo banor i lirë i Perandorisë Romake të bëhej shtetas romak me të drejta të plota, duke zbehur dallimin mes pushtuesit e të pushtuarit dhe duke plotësuar një proces të zgjerimit të të drejtave dhe privilegjeve të shtetasve të Romës që pati filluar gati një mijë vjet më herët.

Gjithsesi, SPQR nuk është një punë e kryer thjesht nga admirimi. Ka shumë gjëra në botën klasike - si në atë romake ashtu edhe në atë greke - sa për të tërhequr interesin tonë dhe për të kërkuar vëmendjen tonë. Bota jonë do të ishte jashtëzakonisht më e varfër nëse ne nuk do të vijonim të ndërvepronim me botën e tyre. Por admirimi është një çështje e ndryshme. Si një fëmijë i lumtur i kohës sime, unë sot ngurroj kur dëgjoj njerëzit të flasin për pushtues ‘madhështorë’ romakë apo madje edhe për Perandorinë ‘madhështore’ të Romës. Unë jam përpjekur të mësoj t’i shoh gjërat edhe nga ana tjetër.

Në fakt, SPQR përball disa nga mitet dhe gjysmë të vërtetat mbi Romën me të cilat unë, si shumë të tjerë, jemi rritur. Romakët nuk filluan me një plan të madh për pushtimin e botës. Megjithëse ata në fund e paraqitën perandorinë e tyre me termat e një farë lloj manifesti destini, motivet që gjendeshin fillimisht pas ekspansionit të tyre ushtarak nëpër Mesdhe dhe më tutje janë ende një nga misteret më të mëdha të historisë. Përmes fitimit të perandorisë së tyre, romakët nuk është se thjesht shkelën brutalisht popuj të pafajshëm, të cilët po shikonin punët e veta në harmoni paqësore deri sa u shfaqën legjionet në horizont. Fitorja e romakëve ishte padyshim e egër. Pushtimi i Galisë nga Jul Cezari është krahasuar jo pa të drejtë me një gjenocid dhe u kritikua edhe nga vetë romakët në atë kohë me të tilla fjalë. Roma nuk u zgjerua në një botë bashkësish paqësore me njëra-tjetrën, por në një botë me dhunë të gjithëpërhapur, me forca rivale pushteti të mbështetura nga trupa ushtarake (në të vërtetë nuk kishte ndonjë forcë alternative veç ushtrisë), dhe një botë miniperandorish. Shumica e armiqve të Romës qenë po aq militaristë sa edhe romakët; por, për arsye që unë do të përpiqem t’i shpjegoj, ata nuk fituan.

Roma nuk ishte thjesht vëllai rrugaç më i vogël i Greqisë klasike, i etur për inxhinieri, eficiensë ushtarake dhe absolutizëm, ndërkohë që grekët pëlqenin kërkimin intelektual, teatrin dhe demokracinë. Disa romakëve u shkonte për shtat të pretendonin se ishte kështu, dhe u ka shkuar për shtat edhe shumë historianëve modernë për ta paraqitur botën klasike në termat e një dikotomie të thjeshtë mes dy kulturave shumë të ndryshme. Siç do ta shohim, kjo është e gabuar nga të dyja palët. Qytet-shtetet greke qenë po aq të etura për të fituar beteja sa edhe romakët dhe shumica e tyre nuk kishte shumë lidhje me eksperimentin e shkurtër Athinas me demokracinë. Shumë shkrimtarë romakë, jo vetëm që nuk ishin avdokues të bindur të fuqisë perandorake, por ishin ndër kritikët më të ashpër të imperializmit që ka parë bota. ‘Ata shkaktojnë rrënim dhe e quajnë këtë paqe’, është një slogan që shpesh ka përmbledhur pasojat e pushtimit ushtarak. Kjo u shkrua në shekullin e dytë të e.s. nga historiani romak Tacitus, duke iu referuar pushtetit romak në Britani.

Historia e Romës është një sfidë e madhe. Nuk ka një histori të vetme të Romës, veçanërisht kur bota romake u zgjerua shumë përtej Italisë. Historia e Romës nuk është e njëjtë si historia e Britanisë romake apo Afrikës romake. Shumica e fokusit tim do të jetë në qytetin e Romës dhe në Italinë romake, por unë do të kujdesem të shoh gjithashtu edhe Romën nga jashtë, nga këndvështrimi i atyre që jetonin në territore më të gjera të perandorisë, si ushtarë, rebelë apo kolaboracionistë ambiciozë. Dhe histori të llojeve shumë të ndryshme duhet të shkruhen për periudha të ndryshme. Nuk ekziston asnjë kronikë e shkruar për historinë më të hershme të Romës, periudhës kur ajo po zgjerohej në shekullin e katërt p.e.s. nga një fshat i vogël në lojtar të madh në gadishullin italian. Kjo periudhë është një punë e vështirë rindërtimi, e cila kërkon të shtrydhet çdo provë e mundshme - një fragment poçerie ose pak germa të gdhendura në gur - sado e vështirë që të jetë. Vetëm tre shekuj më pas problemi është krejt i kundërt: si t’u japësh kuptim morisë së provave konkurruese të kohës, të cilat rrezikojnë ta bëjnë moçal çdo narrativë të mundshme.

Historia e Romës kërkon edhe një lloj të veçantë imagjinate. Në disa mënyra, të eksplorosh Romën e lashtësisë nga shekulli i njëzet e një është pak a shumë si të ecësh në një litar të tendosur, duke mbajtur gjithmonë ekuilibrin me kujdes. Nëse shikon poshtë nga njëra anë, çdo gjë duket shumë e njohur: ka biseda që vijojnë dhe të cilave ne pothuajse u bashkohemi, mbi natyrën e lirisë apo problemeve të seksit; ka ndërtesa dhe monumente, të cilat i njohim si dhe jetë familjare të jetuara në mënyra që ne i kuptojmë, përfshirë edhe adoleshentët telashendjellës; dhe ka shaka të cilat ‘i kapim’ edhe sot. Në anën tjetër, duket sikur është territor krejtësisht i panjohur. Kjo nuk nënkupton thjesht skllavërinë, pisllëkun (vështirë se kishte diçka të ngjashme me grumbullimin e plehrave në Romën e lashtë), masakrën njerëzore në arenë dhe vdekjet nga sëmundjet, shërimin e të cilave ne sot e marrim si të mirëqenë por edhe hedhjen e foshnjave të sapolindura nëpër gropa plehrash, vajzat e mitura nuse dhe priftërinjtë eunukë pompozë.

Kjo është një botë të cilën ne fillojmë ta eksplorojmë përmes një çasti të veçantë të historisë së Romës, për të cilën romakët nuk ndaluan kurrë së diskutuari dhe që shkrimtarët modernë, nga historianët te dramaturgët, nuk kanë reshtur kurrë së debatuari. Ai ofron prezantimin më të mirë me disa nga personazhet më kyçe të Romës së lashtë, me pasurinë e diskutimeve të romakëve mbi të shkuarën e tyre, përmes të cilave ne vijojmë të përpiqemi t’i kuptojmë - si dhe arsyet pse në historinë e Romës, Senati dhe populli i Romës vijojnë të kenë rëndësi.

Ora më e mirë e Ciceros

SPQR: Viti 63 p.e.s.

Historia jonë e Romës së lashtë fillon në mes të shekullit të parë p.e.s., mbi 600 vjet pas themelimit të qytetit. Ajo fillon me premtimet për revolucion, me një komplot terrorist për të shkatërruar qytetin, me operacione të fshehta dhe deklarata të ashpra publike, me një betejë të luftuar mes romakëve dhe romakëve, në të cilën, shtetasit (të pafajshëm apo jo) u arrestuan dhe u ekzekutuan në masë për llogari të sigurisë së brendshme. Ky është viti 63 p.e.s. Në njërën anë është Lucius Sergius Katilina, një aristokrat i pakënaqur, i falimentuar dhe arkitekti i planit për të vrarë zyrtarët e zgjedhur të Romës dhe për të djegur qytetin - me synim fshirjen e të gjitha borxheve, të të pasurve dhe të të varfërve. Në anën tjetër është Markus Tulius Cicero (thjesht Cicero tani e tutje), orator i famshëm, filozof prift, poet, politikan, njeri plot me batuta dhe shaka, i cili ishte një nga ata të shënjuarit për t’u vrarë - dhe ai që nuk pushoi kurrë së përdoruri talentin e tij si orator për t’u mburrur me atë se si e zbuloi planin e tmerrshëm të Katilinës dhe shpëtoi shtetin. Kjo ishte ora e tij më e mirë.

Në vitin 63 p.e.s., qyteti i Romës ishte një metropol i stërmadh me më shumë se një milion banorë, më i madh se çdo qytet tjetër në Europë deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë; dhe, megjithëse Roma nuk kishte ende perandor, ajo sundonte mbi një perandori që shtrihej nga Spanja deri në Siri, nga Jugu i Francës deri në Sahara.

Qyteti ishte një përzierje e luksit dhe pisllëkut, lirisë dhe shfrytëzimit, krenarisë qytetare dhe luftës civile vrastare. Në kapitujt vijues ne do të shikojmë shumë më pas, te fillesat e kohës romake dhe te zgjerimet e para, luftarake ose jo, të popullit romak. Ne duhet të mendojmë se çfarë gjendet pas disa prej atyre rrëfenjave mbi Romën e hershme, të cilat godasin edhe sot, nga ‘Romuli dhe Remi’ te ‘Përdhunimi i Lukrecias’ dhe do të shtrojmë pyetjet që historianët kanë ngritur që nga vetë lashtësia. Si dhe pse një qytezë e vogël dhe e zakonshme në Italinë Qendrore u rrit kaq shumë, më shumë se çdo qytet tjetër në Mesdheun e lashtë dhe mori nën kontroll një perandori të tillë të stërmadhe? Çfarë të veçante kishin romakët? Por në historinë e Romës ka shumë pak kuptim të niset historia që në fillesat e saj.

Vetëm në shekullin e parë p.e.s. ne mund të fillojmë të eksplorojmë Romën përmes syve të kohës, nga afër dhe me detaje të gjalla. Pasuri e jashtëzakonshme fjalësh ka mbijetuar prej kësaj periudhe: letra private dhe fjalime publike, filozofi dhe poezi - epike dhe erotike, fjalë njerëzish të ditur dhe njerëzish të zakonshëm rruge. Falë të gjithë kësaj, ne kemi mundësi edhe sot të gjurmojmë pazaret dhe marrëveshjet e të mëdhenjve të politikës së Romës. Ne mund të përgjojmë kompromiset e pazaret, si dhe të dallojmë thikat në kurriz, ato metaforiket dhe ato realet. Madje, mund të shijojmë edhe jetët e tyre private: zënkat martesore, problemet me paranë, trishtimin nga vdekja e fëmijëve të dashur ose me raste, të skllevërve të dashur. Ne nuk kemi mundësi të njohim kaq mirë ose në mënyrë kaq intime asnjë periudhë tjetër të mëhershme në historinë e Perëndimit (nuk kemi të dhëna kaq të pasura dhe të larmishme nga Athina klasike). Dhe në një mijë vitet pasuese, deri në botën e Firences së Rilindjes, nuk kemi asnjë vend tjetër që mund ta njohim në detaje të tilla të imta. Gjatë shekullit të parë p.e.s., vetë shkrimtarët romakë filluan për herë të parë të studionin shekujt e mëparshëm të qytetit dhe perandorisë së tyre në mënyrë sistematike. Kurioziteti mbi të shkuarën e Romës natyrisht që shkon shumë më pas se kjo periudhë: ne ende mund të lexojmë, për shembull, një analizë të ngritjes së qytetit në pushtet që u shkrua nga një banor grek në mes të shekullit të dytë p.e.s. Por vetëm nga shekulli i parë p.e.s. studiuesit dhe kritikët romakë filluan të shtrojnë shumë nga pyetjet historike që ne vijojmë t’i shtrojmë edhe në kohën tonë. Përmes një procesi që kombinonte kërkimin studioz dhe një dozë të konsiderueshme sajese konstruktive, ata mblodhën së bashku një version të historisë së Romës së hershme mbi të cilin ne ende mbështetemi. Ne vijojmë ta shohim historinë e Romës, së paku pjesërisht, përmes syve të shekullit të parë p.e.s. Ose, që ta themi në një mënyrë tjetër, historia e Romës, siç e dimë ne, filloi këtu.

Viti gjashtëdhjetë e tre p.e.s. është i rëndësishëm në atë shekull vendimtar. Ishte një kohë thuajse katastrofë për qytetin. Përgjatë një mijë viteve që ne do të eksplorojmë në këtë libër, Roma u përball me rrezik dhe disfata shumë herë. Për shembull, rreth vitit 390 p.e.s., një grup plaçkitësish galezë pushtuan qytetin. Ne vitin 218 p.e.s. komandanti kartagjenas, Hanibali, kapërceu me bujë Alpet me tridhjetë e shtatë elefantët e tij dhe u shkaktoi humbje të tmerrshme romakëve para se ata të arrinin ta mposhtnin. Vlerësimet romake për humbjet në Betejën e Kanës, deri në 70 mijë të vdekur brenda një pasdrekeje të vetme, e bënë atë gjakderdhje po aq të madhe sa Getisburgu apo dita e parë e Somës, e ndoshta edhe më të madhe. Dhe, pothuajse po aq frikësuese në imagjinatën e Romës, në vitin 70 p.e.s., një forcë e sajuar ish-gladiatorësh dhe të arratisurish të tjerë, nën komandën e Spartakut, rezultuan më se të aftë për t’u përballur me disa legjione të keqstërvitura. Romakët nuk qenë kurrë aq të pamposhtur në betejë nga sa ne kemi prirjen të supozojmë apo nga sa ata pëlqenin ta tregonin veten. Në vitin 63 p.e.s., gjithsesi, ata u përballën me armikun e brendshëm, një komplot terrorist në zemër të establishmentit romak.

Historia e kësaj krize ende mund të ndiqet deri në detajet më të vogla, nga dita në ditë e me raste nga ora në orë. Ne dimë ekzaktësisht se ku ndodhi shumica e ngjarjeve dhe në disa prej këtyre vendeve ende mund të shohim diçka nga të njëjtat monumente që dominonin skenën në vitin 63 p.e.s. Mund të ndjekim serinë e operacioneve që i dhanë Ciceros informacionin mbi komplotin dhe të shohim se si Katilina u detyrua të largohej nga qyteti për tek ushtria e tij e sajuar në veri të Romës, ku hyri në betejë me legjionet zyrtare të Romës, betejë që i kushtoi jetën. Gjithashtu mund të dallojmë edhe disa nga argumentet, polemikat dhe pyetjet më të mëdha që ngriti kjo krizë dhe që vijon të ngrejë edhe sot.

  1. Harqet e rënda dhe kolonat e “Tabularium”, mbi të cilin është ndërtuar Palazzo i Mikelanxhelos sipër, është ende një pikë referimi në njërën anë të Forumit të Romës. Ndërtuar vetëm disa dekada para se Cicero të ishte konsull në vitin 63 p.e.s., ajo duhet të ketë qenë një nga zhvillimet arkitekturore më të shkëlqyera të kohës. Funksioni i saj është më pak i qartë. Dukshëm ajo ishte një ndërtesë publike, por jo domosdoshmërish’Arkiva” (tabularium) siç supozohet zakonisht.

Përgjigjja e ashpër e Ciceros - përfshirë ekzekutimet në masë -përfaqësonin në mënyrë të zymtë çështjet që na shqetësojnë ne edhe sot e kësaj dite. A është e ligjshme të eliminosh ‘terroristët’ jashtë procesit të rregullt ligjor? Deri në çfarë pike duhet të sakrifikohen të drejtat civile në interes të sigurisë së brendshme? Romakët nuk pushuan kurrë së debatuari ‘Komplotin e Katilinës’ siç u njoh ai më vonë. A ishte Katilina tërësisht i keq apo ka diçka që mund të thuhet në mbrojtje të asaj që ai bëri? Me çfarë çmimi u shmang revolucioni? Ngjarjet e vitit 63 p.e.s. dhe shprehjet frazeologjike të krijuara në atë kohë, vijuan të përdoren përgjatë të gjithë historisë së Perëndimit. Disa nga fjalët që u thanë në debatet e tensionuara që pasuan zbulimin e komplotit vijojnë të gjejnë një vend, ekzaktësisht siç u thanë, në retorikën tonë politike dhe vijojnë, siç do ta shohim, të shfaqen nëpër pankarta dhe banderola e madje edhe në “tweet-et”e protestave politike moderne.

  1. SPQR gjendet sot nëpër të gjithë qytetin e Romës, mbi çdo gjë, nga kapakët e pusetave dhe kazanët e plehrave. Ai mund të gjurmohet pas në kohën e Ciceros, duke u bërë një nga akronimet më jetëgjata në histori. Është e kuptueshme që ky akronim ka shkaktuar edhe parodi. 'Sono Pazzi Questi Romani' është parodia e parapëlqyer italiane: ‘Këta romanët janë të çmendur’.

Cilado qofshin të mirat dhe të këqijat e tij, ‘Komploti’ na dërgon ne në qendër të jetës politike të Romës në shekullin e parë p.e.s., te konventat, polemikat dhe konfliktet. Në këtë mënyrë, ai na lejon ne të dallojmë veprimet në ‘Senat’ dhe në ‘Popullin e Romës’ - dy institucionet, emrat e të cilave janë të mishëruara në titullin tim, SPQR (Senatus Populus Que Romanus). Individualisht dhe në disa raste në kundërshti të hidhura, këto qenë dy burimet kryesore të autoritetit politik në Romën e shekullit të parë p.e.s.. Së bashku ato formonin sloganin e thjeshtëzuar të pushtetit legjitim në shtetin e Romës, një slogan që jetoi përgjatë të gjithë historisë së Romës dhe vijon të përdoret në Italinë e shekullit të XXI të e.s. Akoma më gjerësisht, senati (minus Populus Que Romanus) u ka dhënë emrin e vet asambleve ligjvënëse moderne në të gjithë botën, nga SHBA-ja deri në Ruanda.

Trupa e personazheve në këtë krizë përfshin disa nga figurat më të famshme të historisë së Romës. Gaius Julius Cezari, në atë kohë në të tridhjetat, bëri një kontribut radikal në debat mbi atë se si duhet të ndëshkohen komplotistët. Markus Licinius Krasi, plutokrati Romak, i cili në mënyrë famëkeqe komentoi se askush nuk mund të konsiderohet i pasur në rast se nuk i ka paratë për të pasur një ushtri të vetën private, luajti një rol misterioz pas kuintave. Por në qendër të skenës, si kundërshtari kryesor i Katilinës, ne gjejmë një person, të cilin është e mundshme ta njohësh më mirë se çdokënd tjetër në të gjithë botën e lashtë. Fjalimet, esetë, letrat, barsoletat dhe poezitë e Ciceros ende vijojnë të mbushin dhjetëra volume në tekste të shtypura të kohës sonë. Nuk ekziston askush tjetër në antikitet deri në kohën e Agustinit - shenjtorit kristian, teologut profilik dhe vetëkontrollues entuziast - 450 vjet më vonë, jeta e të cilit është dokumentuar në publik dhe në privat mjaftueshëm sa të jesh në gjendje të rindërtosh një biografi të vlefshme në kuptimin modern të fjalës. Dhe në përgjithësi ne arrijmë ta shohim botën e Romës së shekullit të parë p.e.s. dhe shumicën e historisë së qytetit deri më sot përmes shkrimeve, syve dhe paragjykimeve të tij. Viti 63 p.e.s. ishte një pikë kthese në karrierën e tij: punët nuk qenë kurrë kaq mirë për Ciceron që nga ajo ditë e më pas. Karriera e tij përfundoi në dështim njëzet vjet më vonë. Sërish me vetëbesim mbi rëndësinë e tij, me raste një emër i rëndësishëm, por kurrë më një figurë e klasit të parë, ai u vra gjatë luftërave civile që pasuan vrasjen e Jul Cezarit në vitin 44 p.e.s., ku koka dhe dora e tij e djathtë u ngulën në qendër të Romës që ta shihnin të gjithë dhe ta gjymtonin e sakatonin atë.

Vdekja e lemerishme e Ciceros paralajmëroi një revolucion edhe më të madh në shekullin e parë p.e.s., i cili filloi me një formë të pushtetit politik popullor, ndonëse jo ekzaktësisht një ‘demokraci’ dhe përfundoi me një autokrat të vënë në fron dhe me një Perandori Romake nën sundimin e një njeriu. Megjithëse Cicero mund ta kishte ‘shpëtuar shtetin’ në vitin 63 p.e.s., e vërteta është që shteti në formën që ai e njihte, nuk do të mbijetonte edhe për shumë kohë. Një revolucion tjetër shihej në horizont, i cili rezultoi më i suksesshëm sesa ai i Katilinës. ‘Senatit dhe Popullit të Romës’ iu shtua shpesh figura mbizotëruese e ‘perandorit’, mishëruar në një seri autokratësh, të cilët qenë pjesë e historisë së Perëndimit, të lavdëruar dhe të sharë, të respektuar e të injoruar për shekuj. Por kjo do të trajtohet më vonë në SPQR. Tani për tani ne duhet të ulemi në një nga momentet më mbresëlënëse më me mish dhe më zbuluese në të gjithë historinë e Romës.

Cicero përballë Katilinës

Konflikti mes Ciceros dhe Katilinës ishte pjesërisht një përplasje ideologjie dhe ambiciesh politike, por ishte gjithashtu një përplasje mes dy njerëzve me rrënjë shumë të ndryshme. Që të dy gjendeshin në majë ose pranë majës së politikës së Romës; por këtu ngjashmëritë përfimdojnë. Në fakt, karrierat e tyre shumë të ndryshme ofrojnë ilustrime të gjalla mbi atë se sa e larmishme ishte jeta politike në Romën e shekullit të parë p.e.s.

Katilina, kandidati për revolucionar, kishte një fillim jete më konvencionale, më të privilegjuar dhe në dukje më të sigurt në politikë. Ai vinte nga një familje e spikatur dhe e vjetër që e gjurmonte prejardhjen e vet te baballarët themelues mitikë të Romës. Paraardhësi i tij, Sergestus, thuhej se ishte arratisur nga Lindja në Itali bashkë me Enean pas Luftës së Trojës, para se vetë qyteti i Romës të ekzistonte. Mes paraardhësve të tij me gjak blu, stërgjyshi i tij ishte hero i luftës kundër Hanibalit, me një pretendim ekstra për famë si personi i parë i njohur që pati hyrë në betejë me një dorë me protezë - ndoshta vetëm një gremç metali që pati zëvendësuar dorën e tij të djathtë, të cilën e pati humbur në një betejë më të hershme. Vetë Katilina pati një karrierë fillimisht të suksesshme dhe ishte zgjedhur në një seri postesh politike të ulëta, por në vitin 63 p.e.s. ai ishte pranë falimentit. Një seri krimesh i qenë mveshur emrit të tij, nga vrasja e bashkëshortes së tij të parë dhe fëmijës së vet te seksi me një priftëreshë të virgjër. Por cilado qofshin veset e tij të kushtueshme, problemet financiare vinin pjesërisht nga përpjekjet e tij të përsëritura për t’u zgjedhur si një nga dy konsujt, postet më të fuqishme politike në qytet.

Zgjedhjet në Romë qenë një punë e kushtueshme. Në shekullin e parë p.e.s. zgjedhjet kërkonin një lloj bujarie dorëgjerë e cila nuk ishte gjithmonë e lehtë të dallohej nga ryshfeti. Dora ishte e rëndë. Burrat e suksesshëm në zgjedhje kishin mundësi të rikuperonin shpenzimet, në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, me disa nga të mirat e postit. Dështimet - dhe njësoj si disfatat ushtarake, qenë shumë më të numërta në Romë nga sa pranohet zakonisht -shkaktonin borxhe edhe më të mëdha.

Ky ishte pozicioni i Katilinës, pasi qe mposhtur në zgjedhjet e përvitshme për konsull si në vitin 64 ashtu edhe në vitin 63 p.e.s. Megjithëse historia e zakonshme është se ai kishte këtë prirje që më herët, tashmë kishte shumë pak zgjidhje, veçse t’i drejtohej revolucionit’ ose ‘veprimit direkt’ apo ‘terrorizmit’, mund ta quash si të duash. Duke bashkuar forcat me të dëshpëruar të tjerë të klasës së lartë në gjendje të ngjashme, ai bëri thirrje për mbështetje nga të varfrit e pakënaqur brenda qytetit, ndërsa ndërtoi një ushtri të sajuar jashtë tij. Premtimet e tij të nxituara për lehtësim borxhesh nuk kishin fund (një nga format më të përbuzura të radikalizmit në sytë e klasave të pronarëve të tokave në Romë) dhe nuk kishin fund as kërcënimet e tij të forta për të vrarë politikanët kryesorë e për të djegur të gjithë qytetin.

Së paku kjo ishte mënyra se si Cicero, një nga ata që besonte se ishte shënjuar për t’u shkatërruar, i përmblodhi arsyet dhe qëllimet e kundërshtarit të tij. Cicero ishte me një prejardhje shumë të ndryshme nga Katilina. Ai vinte nga një familje e pasur pronare tokash, si të gjithë politikanët e nivelit të lartë në Romë. Por origjina e tij gjendej jashtë kryeqytetit, në qytezën e vogël të Arpinumit, rreth 120 kilometra larg Romës ose së paku një ditë udhëtim larg me shpejtësinë e udhëtimit në botën e lashtë. Megjithëse ata duhet të kenë qenë lojtarë të rëndësishëm në zonën e tyre, asnjë ngaiamilja e tij më herët nuk kishte pasur post të rëndësishëm në skenën politike të Romës. Me asnjë nga avantazhet e Katilinës, Cicero u mbështet mbi talentet e tij të lindura, mbi lidhjet e nivelit të lartë që ai i kultivoi në mënyrë të palodhur - dhe duke çarë me të folurën e tij deri në majë. Kjo do të thotë se pretendimi i tij kryesor për famë ishte të qenët si avokat i famshëm në gjykatat e Romës; dhe statusi si i famshëm dhe mbështetësit e fuqishëm që i dha avokatia bëri që ai të zgjidhej lehtësisht në secilin nga postet e nevojshme të ulëta njëri pas tjetrit, njësoj si Katilina. Por në vitin 64 p.e.s., aty ku Katilina dështoi, Cicero triumfoi duke fituar garën për postin e konsullit për vitin pasardhës.

Ky sukses kurorëzues nuk ishte tërësisht i lehtë. Me gjithë famën e tij, Cicero përballej me disavantazhin e të qenët njeri i ri’, siç i quanin romakët ata që nuk kishin traditë politike në familje dhe në një pikë të caktuar dukej se ai pati menduar edhe të bënte një pakt elektoral me Katilinën, duke mos e marrë parasysh reputacionin e tij. Por në fund, votuesit e tij influencialë i vunë vulën. Sistemi elektoral i Romës, haptazi dhe pa turp, u jepte peshë të shtuar votave të të pasurve; shumë prej tyre duhet të kenë dalë në konkluzionin se Cicero ishte një opsion më i mirë sesa Katilina, pavarësisht se çfarë përbuzjeje prej snobësh ata kishin për ‘provincializmin’ e tij. Disa nga rivalët e quanin atë vetëm qiraxhi në Romë, një ‘shtetas me kohë të pjesshme’; por ai mori maksimumin në zgjedhje. Katilina përfundoi në vend të tretë dhe humbi. Në vend të dytë, i zgjedhur si konsulli tjetër, ishte Gaius Antonius Hibrida, xhaxhai i të famshmit Antonius, (‘Mark Antoni’), reputacioni i të cilit rezultoi jo shumë më i mirë sesa ai i Katilinës.

Në verën e vitit 63 p.e.s., Cicero duket se ka nuhatur përfundimisht se kishte një rrezik nga Katilina, i cili po provonte fatin e tij edhe një herë si kandidat. Duke përdorur autoritetin e tij si konsull, Cicero shtyu raundin tjetër të zgjedhjeve dhe kur në fund u detyrua të lejojë zhvillimin e tyre, ai u shfaq në ditën e zgjedhjeve me roje të armatosura dhe duke veshur një parzmore ushtarake të dallueshme qartë nën togën e tij. Kjo ishte një shfaqje melodramatike dhe një kombinim i veshjeve civile me ato ushtarake ishte e papërshtatshme dhe alarmuese, njësoj sikur një politikan modern të hyjë në punimet e legjislativit me një kostum dhe një automatik të varur në krah. Dhe kjo shfaqje funksionoi. Këto taktika frikësuese, të kombinuara me programin e zhurmshëm populist, siguruan që Katilina të mposhtej edhe një herë. Ai vështirë se do të dashurohej nga votuesit elitarë duke pretenduar se ishte një varfanjak që po luftonte për varfanjakët e tjerë.

Shpejt pas zgjedhjeve, diku rreth fillimit të vjeshtës, Cicero filloi të marrë informacion sekret akoma më të qartë mbi një plan për dhunë. Prej kohësh kishte qenë duke marrë shumë pak informacion përmes së dashurës së një prej ‘bashkëpunëtorëve’ të Katilinës, një gruaje të quajtur Fulvia, e cila pak a shumë ishte kthyer në një agjente të dyfishtë. Tashmë, falë një akti tjetër tradhtie nga pala tjetër dhe përmes Mark Krasit si ndërmjetës, ai pati një tufë me letra në duart e tij, të cilat inkriminonin drejtpërsëdrejti Katilinën dhe flisnin për gjakderdhjen e tmerrshme që po planifikonte ai - informacion që shpejt u plotësua me raporte të forta për forca të armatosura që po mblidheshin në veri të qytëtit në mbështetje të kryengritjes. Në fund, pasi i mbijetoi një përpjekjeje për ta vrarë të planifikuar për më 7 nëntor, falë një paralajmërimi nga Fulvia, Cicero mblodhi senatin për t’u takuar ditën tjetër, në mënyrë që të denonconte formalisht Katilinën dhe ta përzinte atë nga Roma.

Senatorët sakaq kishin lëshuar një dekret duke i kërkuar (ose duke lejuar) Ciceron si konsull ‘të sigurohej që shteti nuk do të dëmtohej’, dekret që ishte lëshuar në tetor dhe që përafërsisht përbën ekuivalentin e lashtësisë për atë që në kohët moderne njihet si gjendje e jashtëzakonshme’ apo ligji për ‘parandalimin e terrorizmit; dhe që njëkohësisht ishte po kaq i debatueshëm sa këto të sotmit. Tani, më 8 nëntor, ata dëgjuan ndërsa Cicero parashtroi të gjithë çështjen kundër Katilinës, në një sulm të mprehtë dhe shumë të informuar. Fjalimi ishte një përzierje e jashtëzakonshme zemërimi, indinjate, autokritike dhe atyre që dukej se qenë fakte solide. Në një çast ai po i rikujtonte asamblesë të shkuarën famëkeqe të Katilinës; në çastin tjetër shprehte pendesë pa lavdi se ai vetë nuk kishte reaguar ndaj rrezikut në kohën e duhur; pastaj nxirrte detaje të sakta të komplotit - në shtëpinë e kujt qenë mbledhur komplotistët, në çfarë datash, cilët qenë përfshirë dhe çfarë planesh konkrete kishin ata.

Katilina pati vajtur për t’u përballur personalisht me denoncimin. Ai u kërkoi senatorëve të mos besonin asgjë që u thuhej dhe hodhi disa romuze mbi prejardhjen modeste të Ciceros, shoqëruar me mburrjen me prejardhjen e tij të dalluar dhe arritjet e shkëlqyera të paraardhësve të tij. Por ai duhet të ketë kuptuar se pozicioni i tij ishte i pashpresë. Gjatë natës ai iku.

Në senat

Përplasja para senatit mes Ciceros dhe Katilinës është pika kyçe e të gjithë historisë: të dy kundërshtarët u vunë ballë për ballë në një institucion që gjendej në qendër të politikës së Romës. Por si duhet ta imagjinojmë ne përballjen? Përpjekja më e famshme moderne për të na sjellë para syve atë që ndodhi më 8 nëntor është një pikturë e shekullit të nëntëmbëdhjetë nga artisti italian Cesare Maccari (detaji poshtë dhe ilustrimi 1). Është një imazh që përputhet në mënyrë të rehatshme me paragjykimet tona mbi Romën e lashtë dhe jetën e saj publike, madhështore, me hapësira të bollshme, formale dhe elegante.

  1. Në pikturën e Maccari-t të skenës në senat, Cicero është duke folur me zjarr, në dukje pa ndihmën e tekstit. Kjo pikturë kap këndshëm aspiratat tipike të elitës së Romës: të jesh një njeri i mirë dhe i aftë në të folur’ (vir bonus dicendiperitus).

Ky është gjithashtu një imazh që pa dyshim do t’i kishte pëlqyer Ciceros. Katilina qëndron i ulur i izoluar, me kokën poshtë, a thua se askush nuk dëshiron të rrezikojë duke qëndruar afër tij, e aq më pak, të flasë me të. Cicero, ndërkohë, është ylli i skenës, duke qëndruar afër asaj që duket se është një mangall me tym para një altari; duke folur para një audience që dëgjon me vëmendje përballë senatorëve të veshur me toga. Rrobat e jetës së përditshme në Romë - tunika, mantele dhe me raste edhe pantallona - qenë shumë më të larmishme dhe me ngjyra sesa kjo. Togat, gjithsesi, qenë veshja kombëtare formale: romakët e përkufizonin veten sigens togata raca që vesh toga’, ndërsa disa të huaj të asaj kohe me raste qeshnin me këtë veshje të çuditshme dhe të komplikuar. Togat qenë të bardha, me shtesën e një rripi vjollcë për këdo që mbante post publik. Në fakt, fjala moderne ‘kandidat’ vjen nga latinishtja candidatus, që do të thotë ‘me ngjyrë të bardhë’ dhe u referohet në veçanti togave të bardha që romakët vishnin gjatë fushatave elektorale për të bërë përshtypje te votuesit. Në një botë ku statusi duhej të tregohej, rafinimet e veshjeve shkonin edhe më tutje: kishte dhe një shirit të gjerë vjollcë mbi tunikat e senatorëve, që vishej poshtë togës dhe një shirit pak më i hollë nëse ti i përkisje një rangu më të ulët të shoqërisë së Romës, ‘ekuestrianëve’ ose ‘kalorësve’, si dhe këpucë të veçanta për çdo rang.

Maccari ka shpalosur togat e hijshme të senatorëve edhe pse ai duket se ka harruar rëndësinë e shiritave. Por në thuajse çdo mënyrë tjetër piktura është jo më pak joshëse për fantazinë sesa ngjarja dhe mjedisi i kësaj ngjarjeje. Sa për fillim, Cicero prezantohet si një shtetar i moshuar me flokë të bardha, Katilina si një i ri batakçi, kur në fakt që të dy qenë në të dyzetat, dhe Katilina ishte disa vite më i moshuar. Përveç kësaj, takimi shfaqet me shumë më pak pjesëmarrje; nëse ne nuk imagjinojmë se ka më shumë senatorë jashtë tablosë, aty numërojmë as pesëdhjetë vetë duke dëgjuar këtë fjalim historik.

Në mes të shekullit të parë p.e.s., senati ishte një organ me rreth 600 anëtarë; që të gjithë qenë burra, të cilët më herët ishin zgjedhur për një post politik (unë them të gjithë burra - sepse asnjë grua nuk ka mbajtur kurrë një post publik në Romën e lashtë). Çdokush që kapte postin e kuestorit në rini, njëzet të tillë zgjidheshin çdo vit, shkonte automatikisht në senat me një karrige për të gjithë jetën. Ata takoheshin rregullisht, debatonin, këshillonin konsujt dhe lëshonin dekrete, të cilat qenë, në praktikë, zakonisht të zbatueshme - megjithëse këto dekrete nuk e kishin forcën e ligjit dhe gjithmonë shtrohej pyetja e sikletshme se çfarë do të ndodhte nëse një dekret i senatit kundërshtohej apo injorohej. Pa dyshim pjesëmarrja ishte e luhatshme, por ky takim duhet të ketë qenë patjetër me pjesëmarrje të lartë.

Sa i përket sfondit, ai duket mjaftueshëm romak, por me atë kolonë të stërmadhe që ngrihet jashtë tablosë, si dhe muret e shkëlqyera të pikturuara prej mermeri, ka gjasa që nuk përfaqëson thuajse asgjë nga Roma e kësaj periudhe. Imazhi ynë modern mbi qytetin antik si i tillë, i mbushur me ekstravagancë dhe i shndritshëm nga mermeri në shkallë të gjerë, nuk është tërësisht i gabuar. Por ky është një zhvillim i mëvonë në historinë e Romës, që nisi me shfaqjen e sundimit me një njeri të perandorëve dhe me shftytëzimin e parë sistematik të karrierave të mermerit në Karrara, në Italinë e Veriut, rreth tridhjetë vjet pas krizës së Katilinës.

Roma në kohën e Ciceros, me rreth një milion banorë, ishte ende e ndërtuar më së shumti me tulla apo me gurin e zonës, një labirint rrugicash të shtrembëruara dhe rruginash të errëta. Një vizitor nga Athina apo nga Aleksandria në Egjipt, qytete që kishin shumë ndërtesa në stilin e asaj që gjendet në pikturën e Maccari-t, do ta kishe konsideruar Romën si aspak mbresëlënëse, për të mos thënë të pistë. Ai ishte një djep aq i mbarë për lulëzimin e sëmundjes sa një mjek i më vonë romak shkroi se ‘ti nuk ke nevojë për libra shkolle për të mësuar për malarien - ajo ishte gjithkund përreth teje në Romë’. Tregu i getove me qira ofronte një strehim të zymtë për të varfrit, por fitime të lakmueshme për pronarët e paskrupuj. Vetë Cicero kishte sasi të mëdha parash të investuara në prona të cilësisë së ulët dhe në një rast tregoi me shaka, më shumë me mburrje sesa me turp, se edhe minjtë kishin marrë plaçkat dhe ishin larguar prej një nga blloqet e qelive me qira që po rrëzohej.

Pakprej njerëzve më të pasur të Romës patën filluar të shkaktojnë çudi te vizitorët e huaj me luksin e shtëpive të tyre private, të mobiluara me piktura të stërholluara e me statuja elegante greke, mobilie luksi (tavolinat me një këmbë qenë një arsye e veçantë zilie dhe sikleti), madje edhe kolona të importuara mermeri. Kishte gjithashtu një numër ndërtesash publike të dizajnuara në shkallë madhështore, të ndërtuara (ose të veshura me mermer), të cilat ofronin një imazh luksi për qytetin që do të vinte më vonë. Por vendndodhja e takimit të 8 nëntorit nuk ishte aspak e tillë.

Cicero pati mbledhur senatorët për t’u takuar, siç ndodhte shpesh, në një tempull: në këtë rast ishte një tempull modest, një ndërtesë e vjetër dedikuar perëndisë Jupiter, pranë Forumit, në zemër të qytetit, ndërtuar me planimetri standarde drejtkëndore dhe jo në formën e strukturës gjysmërrethore të fantazisë së Maccari-t -ndoshta kjo ishte një ndërtesë e vogël dhe pak e ndriçuar, me llamba e pishtarë që kompensonin vetëm pjesërisht mungesën e dritareve. Ne na duhet të imagjinojmë disa qindra senatorë të ngjeshur në një hapësirë të vogël e pa ajër, disa të ulur në karrige të sajuara apo stola, të tjerë duke qëndruar në këmbë duke u shtyrë, padyshim, nën ndonjë statujë të përnderuar dhe të lashtë të Jupiterit. Ishte pa dyshim një çast i rëndësishëm në historinë e Romës, por po kaq pa dyshim, si me shumë gjëra të tjera në Romë, ishte një realitet shumë më pak elegant nga sa ne pëlqejmë të imagjinojmë.

Triumf dhe poshtërim

Skena që pasoi nuk është rikrijuar nga piktorë admirues. Katilina la qytetin për t’u bashkuar me mbështetësit e tij që qenë sajuar së bashku në një ushtri jashtë Romës. Ndërkohë, Cicero organizoi një operacion të hidhur dhe të mençur për të ekspozuar komplotistët që nuk kishin ikur nga qyteti. Në mënyrë jo të mençur, siç rezultoi, ata qenë përpjekur të përfshinin në komplot një delegacion burrash nga Galia, të cilët patën ardhur në Romë për t’u ankuar për shfrytëzimin e tyre nga guvernatorët romakë të zonës. Për çfarëdolloj arsyeje – ndoshta për asnjë arsye më të thellë sesa instinkti i mbështetjes së më të fortit - këta galezë vendosën të punojnë në fshehtësi me Ciceron dhe ata qenë në gjendje që të siguronin prova përfundimtare të emrave, vendeve e planeve, si dhe disa letra me informacion fajësues. U kryen arrestime pati dhe nga justifikimet e zakonshme aspak bindëse. Kur shtëpia e njërit prej komplotistëve u gjet e mbushur tejplot me armë, i akuzuari protestoi për pafajësinë e tij duke pretenduar se kishte pasion koleksionimin e armëve.

Më 5 dhjetor, Cicero mblodhi senatin sërish, për të diskutuar se çfarë duhet të bëhet me të arrestuarit. Këtë herë senatorët u mblodhën në tempullin e perëndeshës Konkord ose Harmonia, një shenjë e qartë se çështjet e shtetit qenë gjithçka tjetër përpos harmonike. Jul Cezari bëri një propozim të guximshëm, që komplotistët e kapur të burgoseshin: sipas një burimi, ose deri sa të gjykoheshin siç duhet, pasi të kishte kaluar kriza ose, sipas një burimi tjetër, të burgoseshin për jetë. Dënimet me burg nuk qenë dënimet e parapëlqyera në botën e lashtë, ku burgu ishte diçka më shumë sesa vendi ku të burgosurit mbaheshin para se të ekzekutoheshin. Gjobat, dëbimi dhe vdekja qenë repertori i zakonshëm i ndëshkimit romak. Nëse Cezari propozoi me të vërtetë burgim për jetë në vitin 63 p.e.s., atëherë ka gjasa që ky të jetë rasti i parë në historinë e Perëndimit që u propozua si alternativë ndaj dënimit me vdekje, dhe pa sukses. Duke u mbështetur me dekretin e fuqive të jashtëzakonshme, si dhe me mbështetjen e zjarrtë të shumë senatorëve, Cicero urdhëroi ekzekutimin në masë të të arrestuarve, pa kryer as edhe një gjyq formal. Triumfalisht, ai njoftoi vdekjet e tyre para një turme brohoritëse me një eufemizëm të famshëm me një fjalë: Vixere, ‘ata jetuan’ - që në fakt do të thotë, ‘ata vdiqën’.

Legjionet romake e mposhtën ushtrinë e të pakënaqurve të Katilinës në Italinë e Veriut brenda pak javëve. Vetë Katilina ra duke luftuar trimërisht në ballë të shokëve të tij. Komandanti romak, konsulli koleg i Ciceros, Antonius Hibrida, pretendoi se ishte sëmurë në ditën e betejës finale dhe ia la komandën numrit dy, duke ngritur dyshime në disa rrethe se me kë ishte ai në të vërtetë. Ai nuk ishte i vetmi që ngriti dyshime. Ka pasur spekulime të të gjitha llojeve dhe spekulime nga më të pabesueshmet, të cilat filluan që nga koha e botës së lashtë, mbi persona shumë më të suksesshëm që mund të kenë ndihmuar në mënyrë sekrete Katilinën. A ishte ai me të vërtetë një agjent i dinakut Mark Krasi? Dhe cili ishte pozicioni i vërtetë i Cezarit?

Mposhtja e Katilinës ishte gjithsesi një fitorë e madhe për Ciceron dhe mbështetësit e tij e shpallën pater patriae ose ‘babai i kombit’, një nga titujt më të shkëlqyer dhe të kënaqshëm që mund të kesh në një shoqëri shumë patriarkale siç ishte shoqëria romake. Por suksesi i tij shpejt u kthye në telash. Ishte sakaq në ditën e tij të fundit si konsull, kur dy nga rivalët e tij politikë e ndaluan atë të mbante një fjalim tradicional lamtumire para popullit të Romës: Ata që kanë ndëshkuar të tjerët pa i dëgjuar, nuk duhet të kenë të drejtë të dëgjohen. Pak vite më vonë, më 58 p.e.s., populli i Romës votoi, në terma të përgjithshëm, për të dëbuar nga shteti çdokënd që pati dënuar me vdekje një shtetas pa gjyq. Cicero iku nga Roma, pak para se një ligj tjetër të miratohej, duke e shënjestruar atë me emër dhe mbiemër për dëbim. Deri tani në këtë histori, Populus(Que) Romanus (PQR në SPQR) nuk ka luajtur asnjë rol të rëndësishëm. ‘Populli’ ishte një trupë shumë më amorfe dhe më e madhe sesa senati, e përbërë, në terma politikë, nga të gjithë shtetasit meshkuj të Romës; gratë nuk kishin të drejta formale politike. Në vitin 63 p.e.s. ishin rreth një milion burra të shpërndarë nëpër kryeqytet e nëpër Itali, si dhe më tutje. Në praktikë zakonisht populli përbëhej nga disa mijëra ose disa qindra, të cilët, në çdo rast të caktuar, zgjidhnin të paraqiteshin për zgjedhje, për të votuar apo për takimet në qytetin e Romës. Ekzaktësisht sesa ndikim kishte populli është një temë që ka qenë gjithmonë, edhe në botën e lashtë, një nga më të debatuarat aspekte të historisë së Romës; por dy gjëra janë të sigurta: në këtë periudhë, populli dhe vetëm populli mund të zgjidhte zyrtarët politikë të shtetit të Romës; nuk kishte rëndësi se sa gjak blu kishe, ti mund të merrje një post, le të themi, postin e konsullit vetëm në rast se populli i Romës të zgjidhte. Dhe ata e vetëm ata dhe jo senati, mund të miratonin ligje. Më 58 p.e.s., armiqtë e Ciceros argumentuan se, çfarëdolloj autoriteti ai pretendonte se kishte në bazë të dekretit të senatit për parandalimin e terrorizmit, ekzekutimet prej tij të mbështetësve të Katilinës kishin cenuar të drejtat themelore të çdo shtetasi romak për të pasur një gjyq të rregullt. I takonte popullit të vendoste për dëbimin e tij.

Ai që për një copë here qe, ‘babai i kombit’ kaloi një vit të mjerë në Greqinë e Veriut (vajtimi i tij për veten nuk është aspak frymëzues), deri sa populli votoi për ta thirrur sërish. Ai u mikprit pas me brohoritjet e mbështetësve, por shtëpia e tij në qytet ishte shkatërruar dhe, a thua se synohej t’i çohej argumenti politik drejtpërsëdrejti në shtëpi, një kult për Libertas ishte ngritur mbi rrënoja. Karriera e tij nuk u rimëkëmb më kurrë.

Shkrimi i historisë

Arsyet se pse ne mund ta shkruajmë këtë histori deri në detaje të tilla janë shumë të thjeshta: vetë romakët shkruan shumë mbi të dhe shumë prej asaj që shkruan mbijetoi. Historianët modernë shpesh ankohen se sa pak gjëra ne mund të dimë mbi disa aspekte të botës së lashtë. ‘thjesht mendo se çfarë nuk dimë ne mbi jetët e të varfërve’, ankohen ata, ose mbi perspektivën e grave’. Kjo është anakronike aq sa është edhe gënjeshtare. Shkrimtarët e letërsisë romake qenë pothuajse tërësisht meshkuj ose, së paku, shumë pak shkrime nga gratë kanë mbërritur deri te ne (autobiografia e nënës së perandorit Nero, Agripinës, duhet të numërohet si një nga humbjet më të trishta të letërsisë klasike). Këta burra qenë gjithashtu pothuajse ekskluzivisht të pasur, edhe pse disa nga poetët romakë pretendonin, siç pretendojnë me raste poetët, se ata qenë duke vuajtur urie nëpër papafingo. Ankuesit, gjithsesi, nuk kuptojnë një pikë shumë më të rëndësishme. Gjëja e vetme më e jashtëzakonshme mbi botën romake është se shumë gjëra nga ato që shkruan romakët kanë mbijetuar për më shumë se dy mijëvjeçarë. Ne kemi poezitë, letrat, esetë, fjalimet dhe rrëfenjat, të cilave u jam referuar sakaq, por gjithashtu edhe novelat, gjeografitë, satirat dhe rafte të tëra me shkrime teknike, nga inxhinieria e ujit te mjekësia dhe sëmundjet. Mbijetesa i detyrohet gjerësisht zellit të murgjve të mesjetës, të cilët transkriptuan me dorë, sërish dhe sërish, atë që ata besonin se qenë më të rëndësishmet ose më të vlefshmet nga veprat e literaturës klasike, me një kontribut të rëndësishëm dhe shpesh të injoruar nga studiuesit mesjetarë islamikë, të cilët përkthyen në arabisht një pjesë të materialeve filozofike dhe shkencore. Falë arkeologëve që kanë gërmuar papiruse nga rërat dhe vend-grumbullimet e mbeturinave të Egjiptit, tabela shkrimi prej druri nga bazat ushtarake romake në veri të Anglisë, si dhe gurë varri që shprehen plot elokuencë nga e gjithë perandoria, ne kemi fragmente të jetës dhe letrat e disa prej banorëve të zakonshëm të botës romake. Ne kemi letra të dërguara në shtëpi, listë pazaresh, libra llogarish dhe mesazhet e fundit të gdhendura në varre. Edhe pse e gjitha kjo është një pjesë e vogël e asaj që dikur ekzistonte, kemi akses te më shumë literaturë romake - dhe më shumë shkrime romake në përgjithësi - nga sa është e mundur të mësohet prej një personi të vetëm përgjatë të gjithë jetës.

Pra si ndodhi, ekzaktësisht, që ne e dimë për konfliktin mes Katilinës dhe Ciceros? Historia ka mbërritur te ne përmes rrugëve të ndryshme dhe pjesërisht për shkak të larmishmërisë ajo është kaq e pasur. Në veprat e një numri historianësh të Romës së lashtë ka përshkrime të shkurtra, përfshirë një biografi të lashtë nga vetë Cicero - të gjitha të shkruara rreth njëqind vjet apo më pas ngjarjeve. Më e rëndësishmja dhe domethënëse, është se një ese e gjatë, që vijon për rreth pesëdhjetë faqe në përkthimin standard në anglisht dhe që ofron një narrativë të detajuar dhe një analizë të Lujia kundër Katilinës ose Bellum Catilinae, për të përdorur atë që është pothuajse e sigurt ishte titulli origjinal. Ai u shkrua vetëm njëzet vjet pas <luftës>, në vitet 40 p.e.s. nga Gaius Sallustius Crispus ose <Salust>, siç njihet zakonisht tani. Një <njeri i ri> njësoj si Cicero dhe një mik dhe aleat i Jul Cezarit, ai kishte një reputacion politik shumë të përzier: periudha e tij si guvernator romak në Afrikën e Veriut ishte famëkeqe, edhe për standardet romake, për korrupsion dhe zhvatje. Por, pavarësisht karrierës së tij jo tërësisht të pranueshme, ose për shkak të saj, eseja e Salustit është një nga shkrimet më mprehta të analizës politike që ka mbijetuar që nga bota e lashtë.

Salusti nuk tregon thjesht historinë që shpaloset mbi përpjekjen për kryengritje, si dhe shkaqet e pasojat e saj. Ai përdori figurën e Katilinës si një emblemë të defekteve më të përgjithshme të Romës së shekullit të parë p.e.s.. Në këndvështrimin e Salustit, karakteri moral i kulturës romake ishte shkatërruar nga suksesi dhe pasuria e qytetit, babëzia dhe etja për pushtet, të cilat patën pasuar pushtimin e Mesdheut dhe shpartallimin e të gjithë rivalëve të vet seriozë. Momenti kyç erdhi tetëdhjetë e tre vjet para luftës kundër Katilinës, kur më 146 p.e.s., ushtritë romake më në fund shkatërruan Kartagjenën, bazën e Hanibalit në brigjet veriore të Afrikës. Pas kësaj, mendonte Salusti, nuk mbeti asnjë kërcënim serioz ndaj dominimit romak. Katilina mund të kishte cilësi pozitive, siç pranon Salusti, nga trimëria në rreshtin e parë të fushëbetejës te fuqia e jashtëzakonshme e durimit: ‘aftësia e tij për të përballuar urinë, të ftohtin apo mungesën e gjumit ishte e pabesueshme’. Por ai simbolizonte shumicën e asaj që ishte e gabuar me Romën e kohës së tij. Përveç esesë së Salustit gjenden dokumente të tjera interesante, të cilat në finale shkojnë te dora e vetë Ciceros dhe japin versionin e tij mbi atë që ndodhi. Disa nga letrat që ai i shkroi mikut të tij më të ngushtë, Titus Pomponius Atikus - një pasunar që nuk hyri kurrë në politikë formale, por shpesh lëvizi gurët nga pas - përmend marrëdhëniet e tij fillimisht miqësore me Katilinën. Të përziera me lajme familjare, mbi lindjen e djalit të tij (‘Më lejo të të them, jam bërë baba...’) dhe me mbërritjen e statujave të reja nga Greqia për të dekoruar shtëpinë e tij, Cicero shpjegon më 65 p.e.s. se ai po peshonte idenë e mbrojtjes së Katilinës në gjykata, me shpresë se ata mund të punonin bashkë më vonë.

Se si ndodhi që letra të tilla private u bënë publike mbetet mister. Ka gjasa që një anëtar i familjes së Çiceros bëri kopje të disponueshme për publikun pas vdekjes së tij dhe ato qarkulluan me shpejtësi mes lexuesve kureshtarë, mbështetës apo armiq. Në botën e lashtë, asgjë në të vërtetë nuk publikohej, sipas kuptimit tonë të kësaj fjale. Pothuajse një mijë letra mbijetojnë, si të shkruara nga njeriu i madh ashtu dhe të shkruara për të gjatë njëzet viteve të fundit të jetës së tij. Domethënëse janë letrat e tij vajtuese nga periudha e dëbimit (gjithçka që mund të bëj është të qaj!) dhe hidhërimi për vdekjen e së bijës pas lindjes, ndërkohë që mbulojnë tema të tilla nga agjentët hajdutë te divorcet në shoqëri, tek ambiciet e Jul Cezarit; këto janë disa nga dokumentet më intriguese të botës së lashtë.

Po kaq intrigues është mbijetesa, e ndoshta edhe më habitëse, e pjesëve nga një poemë e gjatë që Cicero shkroi për të lavdëruar arritjet e tij si konsull: ajo nuk disponohet më e plotë, por ishte e famshme apo famëkeqe mjaftueshëm sa më shumë se shtatëdhjetë vargje të saj citohen nga shkrimtarë të tjerë të lashtësisë, si dhe nga vetë Cicero në vepra të mëvona. Një nga vargjet më të njohura si poezi e keqe latinisht që ka mbijetuar përmes Epokës së Errët është kjo: ‘ fortunatam natam me consule Romam' - një rimë që tingëllon si diçka e tillë ‘Roma ishte një shtet me fat / lindur në timen konsullatë’. Dhe kjo është parë si një mungesë madhore dhe disi qesharake e modestisë, por jo vetëm kaq: duket se poema ka treguar për një ‘asamble të zotave’ në të cilën, konsulli ynë mbinjerëzor diskuton me senatin hyjnor në malin Olimp se si ai duhet të menaxhojë komplotin e Katilinës.

Nga shekulli i parë p.e.s., reputacioni dhe fama në Romë vareshin jo vetëm nga fjala e gojës, por edhe nga reklama, në disa raste e përpunuar apo e orkestruar pa shije. Ne dimë se Cicero u përpoq të bindte një nga miqtë e tij historianë, Lucius Luceius, të shkruante një raport lavdërues për mposhtjen e Katilinës prej tij dhe çfarë ndodhi pas saj (‘Unë jam jashtëzakonisht i interesuar’, tha ai në një letër, ‘që emri im të vihet nën dritën e shkrimit tënd’); dhe shpresoi gjithashtu që një poet grek i modës, të cilin ai e pati mbrojtur në gjykatat e Romës për çështjen e vështirë të imigrimit, të kompozonte një epikë të përshtatshme mbi të njëjtën temë. Por, gjithsesi, atij iu desh të shkruante vargje lavdesh për vetveten. Pak kritikë modernë janë përpjekur, në mënyrë aspak bindëse, të mbrojnë cilësinë letrare të veprës, dhe madje edhe të asaj që është bërë vargu simbolik i saj (‘0 fortunatam natam ...’). Shumica e kritikëve romakë, mendimet e të cilëve mbi këtë temë kanë mbijetuar, janë tallur si me vanitetin e nismës, ashtu edhe me gjuhën e përdorur. Edhe një nga admiruesit më të mëdhenj të Ciceros, një student i mprehtë i teknikave të tij të oratorisë, shprehu keqardhje që ai ‘ishte ngopur kaq shumë me vetveten’. Të tjerët me shpejtësi i përqeshën apo i parodizuan vargjet e tij.

Por një pjesë e aksesit më të drejtpërdrejtë që ne kemi nga ngjarjet e vitit 63 p.e.s. vjen nga teksti i disa prej fjalimeve që Cicero dha në kohën e kryengritjes. Dy u mbajtën në takimet publike të popullit të Romës, ku ai informoi njerëzit mbi ecurinë e hetimeve mbi komplotin e Katilinës dhe në shpalljen e fitores kundër disidentëve. Njëri ishte kontributi i Ciceros në debatin në senat më 5 dhjetor, kur u vendos dënimi i përshtatshëm për ata që qenë arrestuar. Dhe, më i famshmi nga të gjithë, ishte fjalimi që ai dha në senat më 8 nëntor, duke denoncuar Katilinën, përmes fjalëve që duhet t’i imagjinojmë sikur po dalin nga goja në pikturën e Maccari-t.

Vetë Cicero ka gjasa që t’i ketë qarkulluar shpejt këto kopje pasi ato u mbajtën, të transkriptuara me shumë punë nga një ushtri e vogël skllevërish. Dhe, ndryshe nga përpjekjet e tij në fushën e poezisë, ato shpejt u admiruan dhe u bënë klasikë të shumëcituar të literaturës latine, si dhe shembuj të rëndësishëm të oratorisë madhështore që duhet të mësohet dhe imitohet nga nxënësit e shkollave në Romë, apo nga aspirantët për folës publikë për pjesën tjetër të lashtësisë. Ato madje u lexuan dhe u studiuan edhe nga ata që nuk qenë tërësisht të rrjedhshëm në latinisht. Kjo vijonte së paku edhe katërqind vjet më vonë në Egjiptin romak. Kopjet më të hershme të këtyre fjalimeve që kanë mbijetuar, janë gjetur në papiruse, të cilat datojnë nga shekulli i katërt ose i pestë i e.s., tashmë thjesht copa të vogla të atyre që në origjinal qenë tekste shumë më të gjata. Ato përfshijnë origjinalin në latinisht dhe një përkthim fjalë për fjalë në greqisht. Ne duhet të imagjinojmë një folës të greqishtes në Egjipt, duke vuajtur paksa dhe duke pasur nevojë për ndihmë, për të kuptuar gjuhën origjinale të Ciceros. Edhe shumë nxënës të mëvonë kanë vuajtur gjithashtu. Ky grup me katër fjalime Kundër Katilinës (in Catilinam) ose Katilinarianët, siç njihen ata sot zakonisht, hynë në traditat arsimore dhe kulturore të Perëndimit. Të kopjuara dhe të shpërndara përmes manastireve mesjetare, ato përdoreshin për të stërvitur gjenerata të tëra nxënësish të gjuhës latine dhe u analizuan imtësisht si kryevepra të literaturës nga intelektualë të rilindjes dhe teoricienët e retorikës. Edhe sot; në edicionet e shtypura mekanikisht, ato mbajnë vendin e tyre në programin mësimor të atyre që mësojnë latinisht dhe mbeten modele të oratorisë bindëse, teknikat e të cilave gjenden pas disa prej fjalimeve më të famshme të kohës sonë, përfshirë fjalime të mbajtura nga Tony Blair dhe Barack Obama.

Nuk u desh shumë dhe fjalët hapëse të fjalimit që Cicero mbajti më 8 nëntor (Katilinariani i Parë) u bënë një nga citimet më të njohura dhe lehtësisht të dallueshme të botës romake: ‘Quo usque tandem abutere, Catilina, patientia nostra? (‘Edhe për sa kohë ti, Katilinë, do të vijosh të abuzosh me durimin tonë?’); dhe këto fjalë u pasuan shpejt disa rreshta më poshtë në tekstin e shkruar me sloganin e ashpër dhe ende shumë të përsëritur: ‘0 tempora, o mores') (Oh në çfarë bote jetojmël; ose, fjalë për fjalë, ‘Çfarë kohe, çfarë zakonesh!’). Në fakt, fraza ‘Quo usque tandem ... ’ duhet të ketë hyrë bindshëm në ndërgjegjen letrare romake në kohën kur Salusti shkroi raportin e tij mbi ‘luftën’, vetëm njëzet vjet më vonë. Kaq shumë qenë trupëzuar ato sa, me qëllim apo me ironi të fortë, Salusti i vendosi në gojën e Katilinës. 'Quae quo usque tandem patiemini, o fortissimi virit (‘Edhe sa kohë ju, shokët e mi trima, do të vijoni të duroni?’) Kjo është mënyra se si revolucionari i Salustit nxit ndjekësit e tij, duke iu rikujtuar atyre padrejtësitë që po vuanin nga elita. Fjalët janë pastër imagjinare. Shkrimtarët e lashtë vazhdimisht u vinin fjalime në gojë protagonistëve të tyre, pak a shumë siç bëjnë historianët e sotëm, të cilët pëlqejnë të përshkruajnë ndjenja apo motive për personazhet e tyre. Shakaja këtu është që Katilinës, armikut më të madh të Ciceros, i vihet në gojë slogani më i famshëm i kundërshtarit të tij.

Kjo është vetëm një nga ironitë e sforcuara dhe ‘keqcitimet’ paradoksale të spikatura në historinë e kësaj shprehjeje të dalluar. Ajo shpesh është fshehur në letërsinë romake kurdo kur kishte plane revolucionare. Vetëm pak vite pas Salustit, Titus Livius ose ‘Livi’, siç njihet më së shumti, po shkruante historinë e tij mbi Romën që nga fillesat, në origjinë në 142 ‘libra’ - një projekt i stërmadh, edhe pse libri në lashtësi ishte ajo që përmblidhej në një role papiri dhe është më afër gjatësisë së një kapitulli modern. Se çfarë kishte për të thënë Livi mbi Katilinën ka humbur. Por kur ai deshi të shprehte konfliktet politike të disa qindra viteve më parë, në veçanti ‘komplotin’ e një Markus Manlius, i cili në shekullin e katër p.e.s. supozohej të kishte ndezur të varfrit e Romës të rebeloheshin kundër sundimit shtypës të elitës, ai shkoi pas te një version i këtyre fjalëve klasike. ‘Quo usque tandem ignorabitis vires vestras?' (Edhe për sa kohë ju do të vijoni të jeni të paditur për fuqitë tuaja?’) imagjinoi ai Manliusin duke pyetur ndjekësit e tyre për t’i bërë të kuptonin se, megjithëse qenë të varfër, ata kishin fuqinë për të triumfuar. Argumenti këtu nuk është thjesht mbi jehonën e gjuhës. As nuk është thjesht mbi figurën e Katilinës si një sinonim i keqbërësit, megjithëse ai e luan këtë rol shumë shpesh në literaturën romake. Emri i tij filloi të përdorej si një nofkë për perandorët jopopullorë, dhe një gjysmë shekulli më vonë, Publius Vergilius Maro (ose Virgjili, siç njihet zakonisht tani) i dha atij një rol të latuar te Eneida, ku keqbërësi imagjinohet duke u torturuar në botën e nëndheshme, ‘duke u dridhur përballë Furive’. Më e rëndësishme është mënyra se si konflikti mes Katilinës dhe Ciceros u bë një shabllon për të kuptuarit e mosbindjes civile dhe kryengritjes përgjatë historisë së Romës dhe më tutje. Kur historianët romakë shkruan mbi revolucionin, imazhi i Katilinës është pothuajse gjithmonë i fshehur pas rrëfenjave të tyre, edhe nëse kjo duhet të paguhet me ndonjë përmbysje të çuditshme në kronologji. Siç sugjerojnë fjalët e zgjedhura me kujdes të Livit, Markus Manlius, një fisnik që vendos të përdorë një revolucion të mallkuar që mbështetet nga një turmë të varfërish, është në përgjithësi një projektim i Katilinës pas në historinë e Romës.

Ana tjetër e historisë

A është e pamundur të ketë një anë tjetër të historisë? Provat e detajuara që ne kemi nga lapsi i Ciceros apo këndvështrimi i tij, nënkupton se perspektiva e tij do të jetë gjithmonë dominuese. Por nuk do të thotë domosdoshmërish se kjo është historia e vërtetë në çdo kuptim të thjeshtë ose që është mënyra e vetme se si mund të shihen gjërat. Ne kemi vrarë mendjen përgjatë shekujve se sa i ngarkuar është rrëfimi që na ofron Cicero dhe kemi dalluar disa këndvështrime e interpretime alternative pak poshtë sipërfaqes së versionit të tij të ngjarjeve. Vetë Salusti e sugjeron diçka të tillë. Sepse, megjithëse raporti i tij bazohet shumë te shkrimet e Ciceros, duke transferuar të famshmen ‘Quo usque tandem’ nga goja e Ciceros tek ajo e Katilinës, ai mund të ishte duke rikujtuar lexuesit e tij se faktet dhe interpretimi i tyre qenë, në rastin më të mirë, fluide.

Një pyetje e dukshme është nëse fjalimi që ne njohim si Katilinariani i Parë është ajo që me të vërtetë Cicero tha para mbledhjes së senatorëve në Tempullin e Jupiterit më 8 nëntor. Është e vështirë të mendosh se ai është një falsifikim në tërësi. E si mund t’ia hidhte ai duke qarkulluar një version që nuk kishte lidhje me atë që tha me të vërtetë? Por pothuajse e sigurt është gjithashtu që kjo që kemi nuk është një transkript fjalë për fjalë. Nëse ai foli duke lexuar shënimet dhe ato që qenë ekuivalenti i lashtë i pikave të diskutimit, atëherë teksti që ne kemi supozohet se gjendet diku mes asaj që ai mbante mend se kishte thënë dhe asaj që do të kishte pëlqyer të thoshte. Edhe nëse po lexonte nga një tekst pothuajse përfundimtar, kur qarkulloi fjalimin te miqtë, ortakët dhe ata që dëshironte t’i impresiononte, është thuajse e sigurt se ai duhet ta ketë përmirësuar atë disi, duke sistemuar disa pjesë të dobëta dhe duke vendosur disa fjalë më të mençura, të cilat mund të mos i kenë ardhur gjatë fjalimit ose mund t’i kenë dalë nga mendja.

Shumë gjëra varen edhe nga fakti se kur fjalimi u vu në qarkullim dhe pse! Ne e dimë nga letrat e tij për Atikusin se Cicero organizoi kopjimin e Katilinarianit të Parë në qershor të vitit 60 p.e.s., kur ai duhet të ketë qenë shumë i vetëdijshëm mbi polemikat e shkaktuara nga ekzekutimi i <komplotistëve> prej tij, polemika që nuk pritej të kalonin shpejt. Duhet të ketë qenë joshëse dhe e leverdishme për Ciceron përdorimi i tekstit të shkruar të fjalimit në mbrojtje të vetvetes, edhe nëse kjo nënkuptonte nevojën për ndonjë ndryshim apo plotësim strategjik. Në fakt, referimet e përsëritura te versioni që ne kemi, ndaj Katilinës, a thua se ai ishte një armik i huaj (në latinisht hostis) mund të jetë në përputhje me një nga mënyrat se si Cicero iu përgjigj kundërshtarëve të tij: duke iu referuar komplotistëve si armiq të shtetit, ai nënkuptonte se ata nuk meritonin mbrojtjen e ligjit romak; ata patën humbur të drejtat e tyre civile (përfshirë të drejtën për një gjykim të rregullt). Natyrisht, kjo mund të ketë qenë sakaq lajtmotivi i versionit oral të fjalimit të mbajtur më 8 nëntor. Ne thjesht nuk e dimë. Por termi duket se mori rëndësi shumë më të madhe dhe unë dyshoj shumë se këtij termi iu dha një theksim shumë më i madh në versionin e shkruar të fjalimit.

Këto pyetje na shtyjnë të kërkojmë më fort për versione të ndryshme të historisë. Harrojeni perspektivën e Ciceros, a është e mundur të marrim ndonjë ide se si mund ta kenë parë ngjarjen Katilina dhe mbështetësit e tij? Fjalët dhe këndvështrimet e Ciceros tashmë dominojnë provat e asaj kohe për shekullin e parë p.e.s. Por, gjithsesi, ia vlen të tentojmë të lexojmë versionin e tij ose çdo version të historisë së Romës, në kundërrymë, duke vlerësuar veçmas të çarat e vogla në këtë histori, duke mbërthyer prova të tjera, të pavarura që ne kemi dhe duke pyetur nëse vëzhguesit mund t’i kenë parë gjërat ndryshe. A qenë me të vërtetë ata keqbërës aq monstruozë sa i përshkroi Cicero? Në këtë rast, kemi pak informacion, aq sa për të ngritur disa dyshime mbi atë që po ndodhte me të vërtetë.

Cicero e paraqet Katilinën si një i dëshpëruar me borxhe të tmerrshme bixhozi, të cilat qenë tërësisht për shkak të defekteve të tij morale. Por situata nuk mund të ketë qenë kaq e thjeshtë. Ka pasur njëfarëlloj krize krediti në Romë në vitin 63 p.e.s., dhe më shumë probleme ekonomike e shoqërore nga sa Cicero tregohet i gatshëm të pranojë. Një arritje tjetër e “konsullatës së tij madhështore” ishte rrëzimi i një propozimi për të shpërndarë tokë në Itali për disa nga të varfrit e qytetit. Që ta themi në një mënyrë tjetër, nëse Katilina u soll si i dëshpëruar, ai duhet të ketë pasur një arsye të fortë për këtë, si dhe mbështetjen e shumë njerëzve të zakonshëm të shtyrë drejt veprimeve të dëshpëruara nga probleme të ngjashme.

Si mund ta themi këtë? Është më e vështirë të rindërtosh ekonominë sesa politikën dy mijë vjet të shkuara, por ne kemi disa detaje të papritura. Evidencat e monedhave të mbijetuara nga kjo periudhë janë veçanërisht domethënëse, si për kushtet e kohës ashtu edhe për aftësinë e historianëve modernë dhe arkeologëve për të shtrydhur materialin që ata kanë në mënyra gjeniale. Monedhat romake shpesh mund të datohen në mënyrë precize, për shkak se gjatë kësaj periudhe ato dizajnoheshin çdo vit të reja dhe ‘firmoseshin nga zyrtarët e përvitshëm që qenë përgjegjës për emetimin e tyre. Ato shtypeshin duke përdorur një seri kllapash të prodhuara me dorë (apo stampash), dallimet e vockla të të cilave në detaje janë ende të dukshme në monedhat përfundimtare. Ne mund të llogarisim përafërsisht se sa shumë monedha mund të stamponte një kllapë (para se ajo të topitej aq sa të mos prodhonte dot një pamje të qartë), dhe nëse ne kemi një kampion mjaftueshëm të madh të monedhave mund të vlerësojmë me përafërsi se sa shumë kllapa janë përdorur për shtypjen e një emisioni të vetëm. Nga kjo mund të krijojmë një ide të përafërt e të gatshme sesa monedha prodhoheshin çdo vit: më shumë kllapa, më shumë monedha dhe anasjelltas.

Sipas këtyre llogaritjeve, numri i monedhave që po prodhoheshin në fund të viteve 60 p.e.s. ka rënë aq fort sa kishte në tërësi më pak monedha në qarkullim nga sa kishte pasur pak vite më parë. Arsyet për këtë janë të panjohura. Si shumica e shteteve para shekullit të tetëmbëdhjetë apo më vonë, Roma nuk kishte politikë monetare dhe as institucione financiare, në të cilat mund të zhvillohet një lloj politike monetare. Por pasojat e mundshme janë të qarta. Pavarësisht nëse ai luajti pa mbarim bixhoz pasurinë e tij apo jo; Katilina - dhe shumë të tjerë - mund të kenë qenë keq për para; ata që ishin sakaq në borxhe duhet të jenë përballur me kreditorët, të cilët, në vështirësi për para për vete, duhet të kenë kërkuar kreditë e tyre.

  1. Kjo monedhë argjendi u prodhua në vitin 63 p.e.s.; dizajn i saj tregon një nga t qytetarët e Romës duke votuar një ligj dhe duke hedhur një tabelë votimi në një ' shtambë për numërim. Dallimet në detaje mes dy versioneve ilustrojnë dallimet në kllapat e stampimit. Emri i zyrtarit përgjegjës për shtypjen e monedhave atë vit, Longinus, është shtypur gjithashtu në monedhë.

Të gjitha këto qenë dhe përveç faktorëve të tjerë afatgjatë, duhet t’u kenë dhënë të përulurve dhe varfanjakëve në Romë një incentivë për të protestuar apo për t’u bashkuar me ata që premtuan ndryshime radikale. Një pabarazi të stërmadhe në pasuri kishte mes të pasurve dhe të varfërve, kushte jetese mjerane për shumicën e popullsisë dhe ndoshta për shumicën e kohës, uri të vazhdueshme ose vdekje urie. Pavarësisht përshkrimit injorues që Cicero i jep simpatizantëve të Katilinës si të paskrupuj, gangsterë dhe të rrënuar, logjika e disa prej shkrimeve të tij, si dhe të shkrimeve të Salustit, sugjeron një situatë tjetër. Ato ose deklarojnë, ose nënkuptojnë se mbështetja për Katilinën avulloi kur u raportua se ai synonte të digjte qytetin. Nëse kjo është e vërtetë, ne nuk kemi të bëjmë me të varfër të këputur tërësisht të pashpresë me asgjë për të humbur - dhe gjithçka për të fituar - nga përmbysja totale. Ka më tepër gjasa që mbështetësit e tij përfshinin edhe të varfrit e përulur e të përvuajtur që ende kishin një interes për mbijetesën e qytetit.

Cicero, në mënyrë të pashmangshme, kishte një interes për ta fryrë rrezikun që përbënte Katilina. Pavarësisht suksesit të tij politik, ai kishte një pozicion të vështirë në majë të shoqërisë romake, mes familjeve aristokrate, të cilat, njësoj si Katilina, pretendonin një prejardhje drejtpërsëdrejti nga themeluesit e qytetit, e madje edhe nga zotat. Familja e Jul Cezarit, për shembull, ishte krenare me prejardhjen e pretenduar nga perëndesha Venus; një tjetër, dhe në mënyrë më interesante, pretendonte prejardhje nga Pasifae mitike, bashkëshortja e Mbretit Minos, çiftimi i jashtëzakonshëm i të cilit me një dem prodhoi monstrën Minotaur. Në mënyrë që të siguronte pozicionin e tij në këto qarqe, Cicero pa dyshim po përpiqej të linte një bëmë gjatë vitit të tij si konsull. Një fitore mbresëlënëse ushtarake kundër një armiku barbar do të ishte ideale, dhe ajo për të cilën ëndërronin shumica e romakëve. Roma ishte gjithmonë një shtet luftarak dhe fitorja në luftë qe rruga më e sigurt drejt lavdisë. Cicero, gjithsesi, nuk ishte një ushtar: ai kishte fituar famë nëpër gjykata, jo duke udhëhequr ushtrinë e tij kundër të huajve të rrezikshëm dhe të pafat. Ai kishte nevojë ‘të shpëtonte shtetin’ në ndonjë mënyrë tjetër.

  1. Ky gur varri romak nga shekulli i katërt i e.s. ilustron një mënyrë të thjeshtë për shtypjen e një monedhe. Monedha e bardhë vendoset mes dy kllapave, të cilat gjenden mbi një kudhër. Njeriu në të majtë po i jep një goditje të fortë këtij ‘sanduiçi’ me çekiç për të shtypur dizajnin mbi monedhë. Siç sugjeron masha në duart e ndihmësit në të djathtë, monedha e bardhë ishte nxehur për ta bërë më të lehtë shtypjen.

Disa komentues romakë vërejtën se kriza luajti shumë mirë në avantazh të Ciceros. Një pamflet anonim, që sulmonte Ciceron përgjatë të gjithë karrierës dhe që është ruajtur për shkak se dikur besohej, dhe gabimisht, se ishte shkruar nga dora e Salustit, deklaron në mënyrë të hapur se ai ‘i ktheu telashet e shtetit në lavdinë e vet personale’, duke shkuar deri aty sa pretendoi se konsullata e tij ishte ‘shkaku i komplotit’ dhe jo zgjidhja. Që ta themi hapur, një pyetje bazë për ne të gjithë është jo nëse Cicero e ekzagjeroi rrezikun e komplotit, por sa shumë e ekzagjeroi.

Skeptikët modernë më të vendosur e kanë konsideruar të gjithë komplotin jo më shumë sesa thjesht imagjinatë e Ciceros - gjë që do të thotë se personi që pretendoi se ishte ‘koleksionist armësh’ qe ekzaktësisht i tillë, letrat inkriminuese qenë falsifikime, delegacioni i galëve qe tërësisht vegël e konsullit dhe tentativat e përfolura për vrasje qenë shpikje paranojake. Një këndvështrim i tillë radikal duket i pagjasë. Në fond të fondit, pati një betejë të drejtpërdrejtë mes mbështetësve të Katilinës dhe legjioneve romake, gjë që vështirë se mund të hidhet poshtë si fantazi. Ka shumë më tepër gjasa që, cilado qofshin motivet fillestare të Katilinës - si radikal largpamës apo terrorist pa parime - ai u shty pjesërisht në veprime ekstreme nga oreksi i konsullit për një luftë dhe prirja për lavdinë e vet personale. Cicero mundet edhe ta ketë bindur veten, pavarësisht se çfarë provash kishte, se Katflina ishte një kërcënim serioz për sigurinë e Romës. Kjo, siç e dimë nga shumë shembuj të kohës sonë, është mënyra se si paranoja politike dhe vetinteresi fonksionon zakonisht. Ne nuk do të jemi kurrë të sigurt për këtë. ‘Komploti’ do të jetë gjithmonë një shembull kryesor i dilemës interpretuese klasike: a kishte me të vërtetë ‘të kuq nën krevat’ apo ajo ishte një krizë, së paku pjesërisht e sajuar nga konservatorët? Kjo duhet të shërbejë edhe si një rikujtesë se në historinë e Romës, si dhe kudo gjetkë, ne duhet gjithmonë të jemi të vëmendshëm për anën tjetër të historisë - gjë që është pjesë e arsyes për shkrimin e SPQR.

Katilina jonë?

Përplasja mes Ciceros dhe Katilinës ka ofruar shpesh një shabllon për konfliktin politik që nga ajo kohë. Veshtirë se mund të jetë rastësi që piktura e Maccari-t për ngjarjet e 8 nëntorit u komisionua, krahas skenave të tjera nga historia e Romës, për sallën e Palazzo Madama, e cila sapo ishte bërë shtëpia e senatit italian të kohës moderne; supozohet se synohej të jepej një leksion për senatorët modernë. Dhe përgjatë shekujve, të drejtat dhe të gabuarat e ‘komplotit’, fajeve respektive dhe virtyteve të Katilinës e Ciceros, si dhe konfliktet mes sigurisë së brendshme dhe lirive civile janë debatuar ashpër dhe jo vetëm mes historianëve.

Me raste historia është rishkruar në mënyrë drastike. Një traditë mesjetare në Toskanë e tregon Katilinën si të mbijetuar nga beteja kundër legjioneve romake dhe që e vijon jetën si një hero vendas që përjeton një korkolepsje romantike me një grua të quajtur Belisea. Një version tjetër i jep atij një djalë, Umberton, gjë që e bën atë paraardhës të dinastisë Umberti në Firence. Edhe me më shumë imagjinatë, drama e Prosper de Crëbillon, Katilina, fillimisht e vënë në skenë në mes të shekullit të tetëmbëdhjetë, sajon një lidhje dashurie mes Katilinës dhe vajzës së Ciceros, Tulia, e plotësuar me disa takime të nxehta në një tempull romak.

Kur komploti është riluajtur në letërsi dhe në skenë, ai është përshtatur sipas përkatësisë politike të autorit dhe klimës politike të kohës përkatëse. Drama e parë e Henrik Ibsen, e shkruar menjëherë pas revolucioneve europiane të viteve 1840, merr ngjarjet e vitit 63 p.e.s. si temë. Këtu një Katilinë revolucionar është vënë përballë korrupsionit në botën ku ai jetoi, ndërsa Cicero, i cili vështirë se mund të imagjinonte ndonjë gjë më të keqe, është fshirë tërësisht nga ngjarjet, duke mos u shfaqur fare në skenë dhe duke u përmendur vetëm rastësisht. Nga ana tjetër, për Ben Johnson, i cfli shkroi menjëherë pas Komplotit të Barutit (Gunpowder Plot), Katilina ishte një antihero sadist, viktimat e të cilit qenë aq të numërta, sa në imagjinatën e gjallë të Johnson, një flotë e tërë u kërkua për t’i transportuar ata përtej lumit Stiks për në botën e nëndheshme. Cicero i tij nukishte gjithsesi i pëlqyer, por një njeri i mërzitshëm deri në vdekje; për më tepër ai ishte kaq i mërzitshëm sa shfaqja e parë e dramës më 1611-n pa shumë nga shikuesit të largoheshin nga teatri gjatë denoncimit të pafund të Katilinës.

6. Në vitin 2012, protestuesit hungarezë kundër përpjekjeve të Partisë Fidesz për të rishkruar kushtetutën, përdorën frazën e famshme të Ciceros, në latinisht. Por ajo nuk është përdorur vetëm në kontekst politik. Në një përplasje famëkeqe intelektuale, Camille Paglia zëvendësoi emrin e Katilinës me atë të filozofit francez Michel Foucault: ‘Edhe sa kohë, o Foucault...?’

Johnson u tregua i padrejtë ndaj fuqisë së Ciceros për oratori bindëse - veçanërisht nëse shohim vijimin e përdorimit të fjalëve të tij, të cituara dhe të përshtatura në mënyrë strategjike. Sepse fjalimi i tij Katilinariani i Parë, dhe veçanërisht rreshti i parë (‘Edhe për sa kohë, ti Katilinë, do të vijosh të abuzosh me durimin tonë?, vijon të sillet vërdallë në retorikën politike të shekullit të njezet e një, e plasur në banderolat politike moderne dhe e përshtatur në mënyrë të rehatshme edhe me kufizimin e Tweet-eve për statuse me deri 140 germa. Gjithçka që duhet të bësh është të vësh emrin e shënjestrës së caktuar moderne. Për më tepër, një rrëke Tweet-esh dhe titujsh të tjerë të postuar gjatë kohës që unë po shkruaja këtë libër, zëvendësuan emrin ‘Katilina’ me emrin e presidentëve të Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Sirisë, kryebashkiakun e Milanos dhe të shtetit të Izraelit: 'Quo usque tandem abutere, François Hollande, patientia nostra?’ Është e pamundur të dihet se sa prej tyre që tashmë përshtasin këtë slogan, janë në gjendje të shpjegojnë origjinën e tij ose se për çfarë arsyeje ndodhi përplasja mes Ciceros dhe Katilinës. Disa mund të jenë klasicistë me një kauzë politike, por kjo ka pak gjasa të jetë e vërtetë për të gjithë kundërshtuesit dhe protestuesit. Përdorimi i kësaj fraze vë në dukje diçka të ndryshme nga ekspertiza e specialistit të klasicizmit dhe ndoshta një gjë edhe më të rëndësishme. Është një e dhënë e fortë që menjëherë poshtë sipërfaqes së politikës perëndimore, konflikti pak i mbajtur mend mes Ciceros dhe Katilinës vijon të funksionojë si shabllon për përplasjet dhe debatet tona politike. Elokuenca e Ciceros, edhe nëse kuptohet përgjysmë, vijon të formojë gjuhën e politikës moderne.

Cicero do të ishte shumë i lumtur me këtë. Kur ai i shkroi mikut të tij Luceius, duke i kërkuar historianit që të përkujtonte arritjet e mandatit të tij si konsull, po shpresonte për famë të përjetshme: ‘Ideja që për mua do të flasin brezat e ardhshëm më shtyn të kem një farë shprese për pavdekësi’, shkroi ai me një dozë droje të vetështirur shumë mirë. Luceius, siç e kemi parë, refuzoi. Ai mund të jetë tërhequr përballë kërkesës së pavend të Ciceros që ‘të neglizhonte rregullat e historisë’ dhe t’i shkruante ngjarjet më shumë të plota sesa të sakta. Por në fund, rezultoi se Cicero arriti më shumë pavdekësi për arritjet e tij në vitin 63 p.e.s. sesa do të mund t’i jepte Luceius, pasi është cituar dhe ricituar për më shumë se dy mijë vjet.

Ne do të gjejmë shumë më tepër nga këto konflikte politike, interpretime të debatueshme dhe disa jehona të pakëndshme të kohës ku jetojmë sot në kapitujt që do të pasojnë. Por tani është koha për t’u kthyer pas nga toka relativisht e qëndrueshme e shekullit të parë p.e.s. dhe thellësitë më të mëdha të historisë së Romës. Si e rindërtuan Cicero dhe bashkëkohësit e tij periudhën e viteve të para të qytetit të tyre? Pse origjina ishte kaq e rëndësishme për ta? Çfarë do të thotë të pyesësh ‘Kur filloi Roma?’ Sa mund të dimë ne apo mund të dinin ata, me të vërtetë mbi Romën e hershme?

Cicero dhe Romuli

Sipas njërës prej traditave romake, Tempulli i Jupiterit, ku Cicero sulmoi ashpër Katilinën më 8 nëntor 63 p.e.s., qe themeluar shtatë shekuj më herët nga Romuli, babai themelues i Romës. Romuli dhe shtetasit e rinj të bashkësisë së tij të vockël po luftonin fqinjët e tyre, një popull i njohur si sabinët, në vendin që më pas u bë Forumi; qendra politike e Romës së Ciceros.

Gjërat po ecnin keq për romakët dhe ata qenë në tërheqje. Si një përpjekje finale për të rrëmbyer një fitore, Romuli iu lut zotit Jupiter - jo thjesht Jupiterit, në fakt, por Jupiterit Stator, ‘Jupiteri që i mban burrat tëfortë'. Romuli i premtoi zotit se do të ndërtojë një tempull për ta falënderuar, në rast se romakët do t’i rezistonin tundimit për fia dhënë vrapit dhe do të mbanin terrenin përballë armikut. Ata ia dolën dhe Tempulli i Jupiterit Stator u ngrit në atë vend, i pari në një seri të gjatë kultesh dhe tempujsh në qytet të ndërtuara për të përkujtuar ndihmën hyjnore në sigurimin e fitores ushtarake për Romën.

Së paku kjo është historia që u tregua nga Livi dhe shumë shkrimtarë të tjerë romakë. Arkeologët nuk ia kanë dalë kurrë të identifikojnë bindshëm mbetjet e këtij tempulli, i cili gjithsesi duhet të jetë rindërtuar shumë deri në kohën e Ciceros, veçanërisht në rast se origjina e tempullit ishte me të vërtetë që nga fillesat e Romës. Por nuk mund të ketë dyshim se kur ai zgjodhi për të mbledhur senatin aty Cicero e dinte me saktësi se çfarë po bënte.

Ai kishte precedentin e Romulit në mendje dhe po e përdorte këtë vend për të dhënë një mesazh. Cicero dëshironte t’i mbante romakët të bashkuar (‘t’i mbante burrat fort’) përballë armikut të ri, Katilinës. Në fakt, ai tha pothuajse ekzaktësisht këtë në fond të fialimit të tij, kur - pa dyshim duke bërë me shenjë nga statuja e zotit - ai i bëri thirrje Jupiterit Stator dhe i rikujtoi audiencës themelimin e tempullit:

‘Ti, Jupiter, që u themelove nga Romuli në të njëjtin vit me vetë qytetin, zoti i cili ne me të drejtë themi mban të fortë qytetin dhe perandorinë - ti do ta mbash këtë njeri dhe bandën e tij larg tempullit tënd dhe tempujve të zotave të tjerë, nga shtëpitë e qytetit dhe nga muret e tij, nga jetët dhe pasuritë e të gjithë shtetasve të Romës...’

Nënkuptimi që Cicero po e vinte veten në rolin e Romulit nuk u kalua pa u vënë re në Romën e kohës së tij dhe me raste u përmbys: disa njerëz e përdorën atë si një rast tjetër për t’u tallur me origjinën e tij nga një qytezë e vogël duke e quajtur ‘Romuli nga Arpinumi’.

Kjo ishte një mënyrë klasike se si romakët flisnin për baballarët themelues dhe rikujtonin përrallat mbi fillesat e Romës e mbi çastin kur qyteti filloi të ekzistojë. Edhe sot, imazhi i ujkut që ushqen foshnjën Romul dhe vëllain e tij binjak Remus sinjalizon origjinën e Romës. Statuja e famshme e bronzit që paraqet këtë skenë është vepra më e kopjuar dhe më lehtësisht e identifikueshme e artit romak, ilustruar në mijëra suvenire, kartolina, peceta çaji, tavlla e magnete frigoriferi, duke u përhapur nëpër të gjithë qytetin modern edhe si emblema e klubit të fotbollit të Romës.

Për shkak se ky imazh është kaq familjar, është e lehtë ta marrësh historinë e Romulit dhe Remit - Remit dhe Romulit, për t’i dhënë renditjen e zakonshme romake - pak a shumë për të vërtetë dhe të harrosh se kjo është një nga ‘legjendat historike’ më të çuditshme që ekzistojnë për themelimin e një qyteti në çfarëdolloj periudhe dhe vendi të botës. Ajo është mit e legjendë dhe kjo është e sigurtë, edhe pse romakët supozonin se ishte, në terma të përgjithshme, fakt historik. Një ujk që ushqen binjakët është një episod kaq i çuditshëm në një përrallë të çuditshme, sa edhe shkrimtarët e lashtë në disa raste treguan një dozë të shëndetshme skepticizmi se si një kafshë lehonë shfaqet në një rastësi fatlume për të ushqyer me gji një çift foshnjash të braktisura në djep. Pjesa tjetër e narrativës është një përzierje e jashtëzakonshme detajesh enigmatike: nuk është vetëm ideja e pazakontë e të pasurit dy themelues (Romuli dhe Remi), por edhe një seri elementësh qartazi joheroikë, nga vrasja, përdhunimi dhe rrëmbimi, te të pasurit për shtetas themelues kriminelë e njerëz në arrati.

  1. Cilado qoftë data e saktë e vetë ujkut, binjakët foshnja janë me siguri shtesa të mëvona, të bëra në shekullin e pesëmbëdhjetë në mënyrë eksplicite për të treguar mitin themelues. Kopje të saj gjenden nëpër të gjithë botën, pjesërisht falë Benito Mussolini-t, i cili e shpëmdau atë gjerë e gjatë si simbol të Romanith.

Këto aspekte të neveritshme u kanë bërë kaq shumë përshtypje historianëve modernë, sa ata kanë sygjeruar se e gjithë historia duhet të jetë sajuar si një formë antipropagande nga armiqtë dhe viktimat e Romës, të kërcënuar nga zgjerimi agresiv i saj. Kjo është një përpjekje plot fantazi, për të mos thënë e dëshpëruar, për të shpjeguar çuditë e përrallës dhe nuk shpjegon çështjen më të rëndësishme. Kurdo dhe kudo që ajo të ketë lindur, shkrimtarët romakë nuk ndaluan kurrë së treguari, ritreguari dhe debatuari intensivisht historinë e Romulit dhe Remit. Në lojë kishte më shumë gjëra sesa thjesht pyetja se si u themelua qyteti. Ndërsa ata u ngjeshën në tempullin e vjetër të Romulit për të dëgjuar të riun ‘Romul të Arpiumit’, senatorët duhet të kenë qenë shumë të vetëdijshëm se historia e themelimit ngrinte pyetje më të mëdha mbi atë se çfarë do të thoshte të ishe romak, çfarë karakteristikash speciale përkufizonin popullin romak - dhe, jo më pak e rëndësishme, çfarë defektesh e dështimesh patën trashëguar ata nga paraardhësit e tyre.

Nëse do të kuptosh romakët e lashtë është e nevojshme të kuptosh se nga se ata besonin se vinin dhe të mendosh mbi rëndësinë e historisë së Romulit e Remit dhe temave kryesore, hollësitë e ambiguitetet e alternativave të tjera mbi themelimin. Sepse binjakët nuk qenë kandidatët e vetëm për të qenë romakët e parë. Përgjatë pjesës më të madhe të historisë së Romës, shfaqet shpesh edhe heroi i Trojës, Enea, i cili u arratis për në Itali për të themeluar Romën si Trojën e re. Dhe jo më pak e rëndësishme është të përpiqemi të shohim se çfarë mund të gjendet pas këtyre historive. ‘Kur filloi Roma?’ - është një pyetje që ka rezultuar po aq joshëse dhe ngacmuese për studiuesit modernë, sa edhe për paraardhësit e tyre të lashtësisë. Arkeologjia ofron një skicë të Romës më të hershme, shumë të ndryshme nga ajo e miteve romake. Kjo skicë është mjaft surprizuese, shpesh çoroditëse dhe e debatuar. Edhe ujku i famshëm prej bronzi debatohet ashpër. A është kjo, siç është menduar zakonisht, një nga veprar më të hershme të artit romak që ka mbijetuar deri te ne? Apo. është, siç ka sugjeruar një analizë shkencore e kohëve të fundit, realisht një kryevepër e Mesjetës? Në çdo rast, gërmimet nën qytetin modern përgjatë njëqind viteve të fundit kanë zbuluar shumë pak gjurmë, të cilat shkojnë ndoshta deri në vitet 1 mijë p.e.s. të një fshati të vockël pranë lumit Tiber, që një ditë u bë Roma e Ciceros.

Të gërmosh në Romën e hershme

Shumë tregime mbi Romulin dhe themelues të tjerë na tregojnë ne mbi mënyrën se si romakët e shihnin qytetin e tyre, vlerat dhe dobësitë e tyre. Ata na tregojnë gjithashtu se si shkollarët romakë debatonin të shkuarën dhe studionin historinë. Por nuk na thonë ne asgjë ose në rastin më të mirë na thonë pak gjëra, mbi atë se çfarë pretendonin se ishin: kjo do të thotë, si ishte Roma më e hershme, çfarë procesi kaloi ajo për t’u bërë bashkësi urbane dhe kur ndodhi kjo. Një fakt është i qartë. Roma ishte sakaq një qytet shumë i vjetër kur Cicero ishte konsull në vitin 63 p.e.s, por, nëse nuk ka literaturë të mbijetuar nga periudha e themelimit, ne nuk mund të mbështetemi mbi legjenda. Si mund të kemi ne informacion mbi origjinën e Romës? A ka ndonjë mënyrë për të hedhur dritë mbi vitet e para të një qyteze të vogël pranë Tiberit që u rrit në një perandori botërore? Sado të përpiqemi, është e pamundur të konstruktosh një narrativë koherente që të zëvendësojë legjendat e Romulit dhe Eneas. Është gjithashtu shumë e vështirë, pavarësisht konkluzioneve plot vetëbesim për të kundërtën, të vendosësh data të sakta në fazat më të hershme të historisë së Romës. Por ne mund të fillojmë të krijojmë një ide më të mirë mbi kontekstin e përgjithshëm në të cilin qyteti u zhvillua për të shijuar disa detaje të gjalla dhe surprizuese (dhe disa akoma më iluzive dhe joshëse) mbi atë botë.

Një mënyrë për ta bërë këtë është që të largohemi nga rrëfenjat mbi themelimin dhe të kërkojmë gjurmë që luhaten në gjuhën latine ose në institucionet e mëvona romake që mund të na çojnë pas te Roma më e hershme. Çelësi këtu është ajo që shpesh në mënyrë të thjeshtë dhe të gabuar quhet ‘konservatorizmi’ i kulturës romake. Roma nuk ishte më shumë konservatore sesa Britania e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në të dyja vendet, inovacione radikale lulëzuan në dialog me ato që gjoja qenë tradita dhe retorika konservatore. Megjithatë, kultura romake ishte ngurruese në hedhjen poshtë në tërësi të praktikave të saj të së shkuarës dhe në vend të kësaj kishte tendencën të ruante të gjitha llojet e ‘fosileve’ - në ritualet fetare apo në politikë ose kudo tjetër - edhe nëse rëndësia e tyre origjinale kishte humbur. Siç e ka thënë këndshëm një shkrimtar modern, romakët qenë pak a shumë si njerëzit që blejnë çfarëdolloj pajisjesh të reja kuzhine, por nuk vendosin dot kurrë të hedhin të vjetrat, të cilat vijojnë të gjenden në vendin e tyre, edhe pse nuk përdoren kurrë. Shkollarët, si modernë ashtu edhe të lashtësisë, shpesh kanë dyshuar se disa nga këto fosile apo pajime të vjetra, mund të jenë prova të rëndësishme për kushtet e Romës më të hershme.

Një shembull i parapëlqyer është rituali që zhvillohej në qytet në dhjetor çdo vit, i njohur si Septimontium (‘Shtatë kodrat’). Se çfarë ndodhte në këtë festë nuk është tërësisht e qartë, por një romak i ditur vërejti se ‘Semtimontium’ ishte emri i Romës para se të bëhej ‘Romë’, dhe një tjetër dha një listë të ‘kodrave’ (montes) të përfshira në festival: Palatium, Velia, Fagutal, Subura, Cermalus, Opius, Kaehus dhe Cispius (Harta 2). Fakti që janë tetë emra sugjeron se diçka është ngatërruar diku në këtë rresht. Por në lidhje me argumentin, çudia e kësaj liste (Palatium dhe Cermalus janë të dyja pjesë e së njëjtës kodër që zakonisht njihet si Palatine), kombinuar me idenë se ‘Septimontium’ ishte paraardhësi i ‘Romës’, ka ngritur mundësinë që këto emra të jenë emrat e fshatrave të ndarë që paraprinë qytetin. Dhe mungesa e disa kodrave të njohura nga lista, Kuirinale dhe Viminale, ka shtyrë disa historianë të shkojnë edhe më tutje. Shkrimtarët romakë u referoheshin të gjitha këtyre kodrave si colles në vend të emrit më të zakonshëm latin montes (kuptimi i të dyja fjalëve është pak a shumë i njëjtë). A vë në dukje ky dallim dy bashkësi të ndryshme gjuhësore diku në historinë e hershme të Romës? A ka mundësi që ne të jemi duke u marrë - për ta shtyrë më tutje argumentin - me ndonjë version të dy grupimeve të reflektuara në historinë e Romulit, sabinët të lidhura me colles dhe romakët me montes?

Ka gjasa që po. Ka pak dyshim se Septimontium lidhet në një farë mënyre me të shkuarën e largët të Romës. Por është shumë e vështirë të dihet se saktësisht në çfarë mënyre dhe sa e largët është kjo lidhje. Argumentet janë jo aq të forta nga sa unë i kam bërë të duken, e ndoshta janë edhe më të dobëta se kaq. Pse, në fund të fundit, duhet t’u besojmë romakëve të lëçitur në pretendimin e tyre se Septimontium ishte emri i hershëm i qytetit? Ky mund të ishte thjesht një hamendësim i dëshpëruar, për të shpjeguar një ceremoni arkaike që i çudiste ata po aq shumë sa edhe ne. Dhe këmbëngulja për ekzistencën e dy bashkësive duket në mënyrë të dyshimtë e shtyrë nga dëshira për të shpëtuar së paku një pjesë të vogël të legjendës së Romulit për ‘historinë’.

Shumë më e prekshme është evidenca e gjetur nga arkeologjia. Nëse gërmon në qytetin e Romës, poshtë monumenteve të lashta të dukshme, atëherë gjen gjurmë të një vendbanimi shumë më të hershëm dhe primitiv ose të disa vendbanimeve. Vetë poshtë Forumit gjenden mbetjet e një varreze të hershme, e cila shkaktoi jashtëzakonisht shumë entuziazëm kur u gërmua për herë të parë, në fillim të shekullit të njëzetë. Disa nga të vdekurit qenë kremuar, hiri i tyre ishte vendosur në urna të thjeshta krahas ibrikëve e vazove, të cilat në origjinal përmbanin ushqim dhe pije (një burri i qenë dhënë sasi të vogla peshku, mish deleje e derri - dhe ndoshta pak qull). Të tjerët qenë varrosur, në disa raste me qivure të thjeshta lisi të bëra nga ndarja më dysh e një trungu dhe gërryerja e tij. Një vajzë, rreth dy vjeç, ishte vendosur në varr me një fustan me rruaza dhe një byzylyk fildishi. Gjetje të ngjashme ka edhe në vende të tjera nëpër të gjithë qytetin e lashtë. Shumë më poshtë, një prej atyre që më vonë u bë shtëpi e madhe në Kodrën Palatine, për shembull, gjendet hiri i një të riu, të varrosur me një shtizë në miniaturë, ndoshta një simbol i mënyrës se si ai e kishte kaluar jetën.

Të vdekurit dhe të varrosurit janë shpesh shumë më të pranishëm sesa të gjallët në të dhënat arkeologjike. Por varrezat nënkuptojnë ekzistencën e një bashkësie dhe gjurmët e saj supozohet se gjenden në grupe kasollesh, konturet e imëta të të cilave janë dalluar nën pjesë të ndryshme të qytetit, përfshirë Palatinen. Ne kemi shumë pak ide të karakterit të tyre (përtej faktit që janë ndërtuar me dru, baltë e kashtë), e aq më pak për llojin e jetës që ato mbanin. Por sërish ne mund të mbushim një pjesë të hendekut nëse shikojmë pak jashtë Romës. Një nga këto struktura të ruajtura më së miri dhe të gërmuara me kujdes, u gjet në Fidenae, pak kilometra në veri të qytetit, në vitet 1980. Është një ndërtesë drejtkëndëshe, rreth 6 me 5 metra, e përbërë nga druri (lis dhe vidh) dhe baltë e ngjeshur - e ashtuquajtura pise de terre, ende e përdorur deri në ditët tona - me një portiko të thjeshtë, por efektive përreth, formuar nga daljet e çatisë. Brenda ishte një vatër në qendër dhe disa objekte balte për rezerva në formë shtambash (plus një më i vogël, të cilat duket se qenë përdorur si enë për baltën e poçeve), si dhe gjurmë të disa ushqimeve që merren lehtë me mend (drithëra e bathë), si dhe kafshë shtëpiake (dele, dhi, lopë e derra). Zbulimi më surprizues mes rrënojave ishin mbetjet e një maceje, e cila kishte ngordhur (ndoshta ishte e lidhur) nga një zjarr i madh që eventualisht shkatërroi të gjithë ndërtesën. Ajo është macja e parë e njohur shtëpiake në Itali dhe kjo përbën edhe pretendimin e saj për famë.

Ka grimca emocionuese të jetës njerëzore duke nisur nga një vajzë e vogël e shtrirë në varrin e saj me veshjen më të mirë te ‘macja’ e mjerë, të cilës askush nuk ia liroi lidhësen kur shpërtheu flaka. Pyetja është: çfarë na thonë të gjitha këto detaje. Mbetjet arkeologjike natyrisht demonstrojnë se ka një prehistori të gjatë dhe të pasur para Romës së lashtë që ne shohim, por se sa e gjatë, kjo është një çështje tjetër.

Një pjesë e problemit janë kushtet e gërmimeve në vetë qytetin. Toka e Romës është ndërtuar kaq intensivisht përgjatë shekujve sa ne gjejmë gjurmë të vendbanimeve të hershme vetëm në ato vende ku ka qëlluar të mos jenë shqetësuar.

12.Një umë tipike kremimi nga varrezat e hershme të Romës dhe të zonave përreth. Në formën e një kasolleje të thjeshtë, këto shtëpi për të vdekurit janë një nga guidat më të mira që ne kemi për pamjen e strehëve për të gjallët.

Themelet e gërmuara gjatë shekujve të parë dhe të dytë të e.s. për tempujt e stërmëdhenj prej mermeri në Forum zhdukën pjesën më të madhe të asaj që në atë kohë gjendej nën sipërfaqe: qilarët e pallateve të Rilindjes prenë edhe më shumë në pjesë të tjera të Romës. Pra ne kemi vetëm pjesë të vockla, por kurrë panoramën e madhe. Kjo është arkeologjia në kushtet më të vështira dhe - megjithëse fragmente të reja provash zbulohen vazhdimisht - interpretimi dhe ri-interpretimi i tyre është gjithmonë i kundërshtuar dhe shpesh kontrovers. Për shembull, ka një debat që vazhdon mbi atë nëse copat e vogla të kashtës dhe suvasë të gjetura në gërmimet në Forum në mes të shekullit të njëzetë tregojnë se aty ka pasur gjithashtu një vendbanim të hershëm me kasolle - ose nëse ato qenë hedhur aty pa dashje si pjesë e mbeturinave të përdorura disa shekuj më vonë për të shtruar një sipërfaqe të re në këtë zonë. Duhet të themi gjithashtu se megjithëse për një varrezë ky vend ngjan i përshtatshëm, për një fshat duhet të ketë qenë me lagështirë dhe moçalor. Datimi i saktë është edhe më i debatueshëm; kjo është arsyeja pse unë qëllimisht kam përdorur fjalën e vagullt ‘e hershme’ përgjatë faqeve të fundit Nuk mund të theksohet kurrë mjaftueshëm se nuk ka asnjë datë të sigurt të pavarur për materialin arkeologjik nga Roma më e hershme apo zona përreth dhe debatet vijojnë të zjarrta mbi moshën e pothuajse çdo zbulimi të madh. Janë dashur dekada punë përgjatë shekullit të kaluar - duke përdorur diagnostikime të tilla si punimet e baltës të prodhuara me rrotë (të cilat supozohet se janë më të vona sesa punimet me dorë), prania e herëpashershme në varre e qeramikave greke (datimi i të cilave është më i mirë, por sërish jo i kuptuar në perfeksion) dhe krahasimi i kujdesshëm nga një vend te një tjetër - për të prodhuar një skemë të përafërt kronologjike që të mbulojmë një periudhë nga rreth vitit 1000 p.e.s. në vitin 600 p.e.s.

Mbi këtë bazë, varrimet më të hershme në Forum duhet t’u përkasin viteve 1000 p.e.s, kasollet në Palatine rreth 750-700 p.e.s, (në mënyrë interesante pranë vitit 753, siç kanë vërejtur shumë vetë). Por edhe këto data nuk janë aspak të sigurta. Metodat e fundit shkencore - përfshirë ‘datimi me radiokarboh, në të cilin mosha e një materiali organik zbulohet duke matur sasinë e mbetur të izotopit karbonik radioaktiv - kanë sugjeruar se që të gjitha këto fakte janë edhe më të vjetra, me disa qindra vjet. Kasollja në Fidenae, për shembull, ishte datuar rreth mesit të shekullit të tetë p.e.s., sipas kritereve tradicionale arkeologjike, por nëse përdorim radiokarbonin, ajo shtyhet pas nga fundi i shekullit të nëntë p.e.s. Aktualisht, datat janë të bollshme, edhe më shumë sesa zakonisht; nëse ka ndonjë gjë për të thënë këtu, kjo është që Roma po del gjithnjë e më e vjetër.

Ajo që është e sigurt, është se nga shekulli i gjashtë p.e.s., Roma ishte një bashkësi urbane, me një qendër dhe disa ndërtesa publike. Para kësaj, për fazat më të hershme, ne kemi mjaftueshëm gjetje të hapërdara nga ajo që njihet si Epoka e Bronzit e Mesme (mes viteve 1700 dhe 1300 p.e.s.) për të sugjeruar se disa njerëz po jetonin në atë kohë këtu, dhe jo thjesht po ‘kalonin përmes’. Përgjatë periudhës ndërmjet, ne mund të kemi bindjen se fshatra më të mëdha u rritën, ndoshta (duke gjykuar mbi atë se çfarë përfundon në varre), si dhe vërehet një grup gjithnjë e më i pasur familjesh elite; dhe këto u rritën së bashku në një bashkësi të vetme, tipari urban i së cilës ishte i qartë nga shekulli i gjashtë p.e.s.. Ne nuk mund ta dimë me siguri se kur banorët e këtyre vendbanimeve të ndara fillimisht menduan për veten si një qytezë e vetme. Dhe nuk ia kemi idenë fare se kur ata menduan për, apo iu referuan, këtij qyteti si Romë. Arkeologjia gjithsesi nuk është vetëm për data dhe origjina. Materiali i gërmuar në qytet, në zonën përreth dhe madje edhe më larg, ka gjëra të rëndësishme për të na thënë mbi tiparet e vendbanimit të hershëm të Romës. E para, Roma kishte kontakte të gjera me botën e huaj. Unë sakaq e kam përmendur kalimthi byzylykun e fildishit të vajzës së vogël në varrezë, si dhe poçerinë greke (të bërë në Korinth ose Athinë), që u zbulua në gërmimet në Romë. Ka gjithashtu shenja lidhjesh me veriun, në formën e pak bizhuterive dhe dekorimeve me qelibar të importuar; nuk dihet se si këto mbërritën deri në Italinë qendrore, por dukshëm ato tregojnë se ka pasur kontakt, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me zonën e Baltikut. Roma e hershme, me aq pak sa mund të shohim, ishte e lidhur mirë, siç bëri të ditur Cicero, kur theksoi vendndodhjen e saj strategjike.

E dyta, ka pasur ngjashmëri, dhe disa dallime të mëdha, mes Romës dhe fqinjëve të saj. Gadishulli italian mes viteve 100 dhe 600 p.e.s. ishte jashtëzakonisht i përzier. Kishte shumë popuj të pavarur, me tradita kulturore mjaft të ndryshme, me origjinë dhe gjuhë të ndryshme. Ato që janë dokumentuar më mirë janë vendbanimet greke në jug, në qyteza të tilla si Kumae, Tarentum dhe Napoli (Neapolis), të themeluara në shekullin e tetë p.e.s. nga imigrantë prej disa qyteteve më të mëdha në Greqi - konvencionalisht të njohura si ‘koloni’, por jo ‘kolonizuese’ në kuptimin modem të kësaj fjale. Në të gjitha kuptimet, shumica e pjesës jugore të gadishullit, si dhe Sicilia, qenë pjesë e botës greke, me tradita letrare dhe artistike të lidhura me këtë botë. Nuk është rastësi se disa nga specimenet më të hershme të shkrimit grek që kanë mbijetuar, e ndoshta më të hershmet, janë zbuluar atje. Është shumë më e vështirë të rikonstruktosh historinë e banorëve të tjerë të gadishullit: nga etruskët në veri, përmes latinëve dhe sabinëve në dyert e Romës në jug, te oskanët, të cilët përbënin popullatën origjinale të Pompeit, dhe samnitët më poshtë tyre. Asgjë nga literatura e tyre, nëse ata kishin një të tillë, nuk ka mbijetuar dhe për prova për ta ne varemi tërësisht nga arkeologjia, nga tekstet e gdhendura në gur dhe bronz - në disa raste të kuptueshme e në raste të tjera jo - si dhe në raportimet e romakëve të shkruara shumë më vonë, shpesh të mbushura me pikëpamjen e supremacisë romake; për rrjedhojë ne kemi imazhin standard të samnitëve si të ashpër, barbar, të paurbanizuar dhe primitivë të rrezikshëm.

Gjithsesi, ajo që tregojnë gjetjet arkeologjike është se Roma në ditët e saj të para ishte me të vërtetë shumë e zakonshme. Kapërcimi, nga vendbanime të hapërdara në një bashkësi urbane, të cilën ne mund ta dallojmë si Romë, duket se ka ndodhur afërsisht në të njëjtën periudhë me zhvillimet në rajonin fqinj dhe në jug. Dhe mbetjet materiale nëpër varreza, poçeria vendase dhe zbukurimet e bronzit, si dhe importet më ekzotike, janë gjithashtu të ngjashme. Në vetvete, ajo që është zbuluar në Romë është më pakmbresëlënëse dhe më pak sugjeruese për pasuri sesa zbulimet gjetkë. Asgjë nuk është gjetur në qytet për t’u krahasuar, për shembull, me gjetjen e disa varreve të jashtëzakonshme në Praenesten fqinje – megjithëse kjo mund të ketë ndodhur për shkak të mungesës së fatit ose; siç kanë dyshuar disa arkeologë, për shkak se disa nga gjetjet më të mira nga gërmimet në shekullin e nëntëmbëdhjetë në Romë janë vjedhur dhe shitur drejtpërsëdrejti në tregun e antikuarëve. Një nga pyetjet që ne duhet të trajtojmë përgjatë kapitujve të ardhshëm është: kur Roma pushoi së qenë e zakonshme?

Mbretërit e Romës

Mbishkrimi i zbuluar në vitin 1899 nën gurin e zi në Forum përfshin fjalën ‘mbret’ ose latinisht rex: RECEI, siç shfaqet në formën e hershme të gjuhës së përdorur këtu. Kjo fjalë e vetme përbën arsyen për famë të mbishkrimit dhe zbulimi i tij ka ndryshuar mënyrën se si është kuptuar historia e hershme e Romës.

14. Mbishkrimi i hershëm në shtyllën e gërmuar poshtë gurit të zi mund të gabohet lehtë si mbishkrim në greqisht dhe me të vërtetë u ngatërrua nga disa vëzhgues të mëvonë të lashtësisë. Në fakt, ajo është e shkruar në latinishten arkaike, në germa shumë të ngjashme me greqishten dhe është organizuar në të ashtuquajturin stili bustofedon: që do të thotë, rreshtat lexohen në mënyrë të alternuar majtas - djathtas dhe djathtas-majtas.

Teksti në shumë kuptime është jashtëzakonisht irritues. Ai është i paplotë dhe një e treta e sipërme e shtyllës nukka mbijetuar. Është pothuajse i pakuptueshëm. Latinishtja është e vështirë në të gjitha rastet; por seksioni i humbur e bën gati të pamundur të rrokësh kuptimin e saj në tërësi. Edhe pse ne mund të jemi të sigurt se ky gur nuk shënjon varrin e Romulit-apo të ndokujt tjetër - shumica e interpretimeve janë thjeshtë pak më shumë se sa përpjekje të guximshme për të bashkuar disa kuptime të mjegullta të ca fjalëve individuale që janë të dallueshme në të. Një teori e njohur moderne është se aty shkruhet një paralajmërim që të mos lejohen kafshët e lidhura të hedhin bajga mbi kult - e cila në dukje mund të ketë qenë një shenjë e keqe. Gjithashtu është shumë e vështirë të dihet se sa i vjetër është guri. Mënyra e vetme për të datuar tekstin është përmes krahasimit të gjuhës dhe skriptit me një grusht shkrimesh të tjera të mbijetuara nga latinishtja e hershme, shumica e të cilave janë gjithashtu të padatuara me siguri. Sugjerimet dallojnë me mbi 300 vjet, nga datimi rreth vitit 700 p.e.s. deri në vitin 400 p.e.s. Konsensusi i dobët aktual është se ai është gdhendur në gjysmën e dytë të shekullit të gjashtë p.e.s.

15. Në këtë pikturë, ‘Betimi i Horatëve’ (1784), Jacques-Louis David përshkruan një legjendë nga koha e sundimit të Tulus Hostilius, kur Roma ishte në luftë me Alba Longën fqinje. Dy çifte trinjakësh, një për secilën palë, ranë dakord të luftojnë me njëri-tjetrin për të përfaqësuar bashkësitë e tyre. Këtu David imagjinon Horatët romakë duke marrë shpatat nga babai i tyre. Njëri prej tyre kthehet fitimtar, vetëm për të vrarë motrën e tij (e parë këtu duke qarë), e cila ishte fejuar me një prej armiqve. Kjo ishte një histori e vlefshme për romakët dhe jo më pak për francezët e shekullit të tetëmbëdhjetë, të cilët që të dy lavdëronin patriotizmin dhe nuk vinin në diskutim kostot

Bota e Dymbëdhjetë Tabelave

Regjimi republikan filloi me një rënkim më shumë sesa me një shpërthim. Ka gjithfarëlloj përrallash të treguara nga historianët romakë mbi rendin e ri politik, mbi luftërat në shkallë madhore dhe mbi dekadat e para të shekullit të pestë p.e.s. si dhe të heronjve të fuqishëm e batakçinjve, të cilët janë bërë edhe bazë për legjenda moderne. Për shembull, Lucius Kuinktius Cincinatus, i cili dy mijëvjeçarë më vonë i dha emrin e tij qytetit amerikan Cincinatit, supozohet se u kthye nga një gjysmekzil në vitet 450 p.e.s. për t u bërë diktator dhe për të udhëhequr ushtritë romake në fitore kundër armiqve para se me fisnikëri të tërhiqej drejtpërsëdrejti sërish në fermën e tij pa kërkuar lavdi të mëtejshme politike. Në kontrast me këtë, Gaius Marcius Koriolanus, i cili frymëzoi Korionalusin e Shekspirit, ishte një hero lufte që u kthye në tradhtar rreth vitit 490 p.e.s., i cili bashkoi forcat me një armik me synimin për të sulmuar qytetin por u ndalua nga nëna dhe gruaja, të cilat ndërhynë për ta bindur të mos e bënte. Por realiteti ishte shumë i ndryshëm dhe në dimensione mjaft më modeste.

26. Bujku që shpëtoi shtetin. Kjo statujë e shekullit të njëzetë nga qyteti modem i Cincinatit tregon Cincinatusin duke dorëzuar simbolet e postit politik dhe duke u nisur për te parmenda e tij. Shumë rrëfenja romake e prezantonin atë si një patriot të madh, por kishte edhe një anë tjetër të Cincinatusit, atë të kundërshtarit të paepur të të drejtave të plebenjve dhe të varfërve në qytet.

Cilido qoftë organizimi politik i qytetit në kohën kur u rrëzuan Tarkuinët, arkeologjia bën të qartë se për shumicën e shekullit të pestë p.e.s., Roma nuk po lulëzonte fare. Një tempull i shekullit të gjashtë p.e.s., që në disa raste është lidhur me emrin e Servius Tulius ishte një nga ato ndërtesa që u dogj rreth vitit 500 p.e.s. dhe nuk u rindërtua edhe për shumë dekada. Dhe është e qartë se ka pasur edhe një rënie në importet e punimeve të baltës nga Greqia gjatë kësaj kohe, gjë që është një tregues i mirë për nivelin e mirëqenies. Thënë thjesht, nëse fundi i periudhës regale mund të cilësohet arsyeshëm si ‘La Grande Roma dei Tarquini’, vitet e para të Republikës ishin shumë më pak madhështore. Dhe pavarësisht luftërave heroike që shfaqen kaq shumë në kronikat romake, këto luftëra mund të kenë luajtur një rol më të madh se sa duhet në imagjinatën e Romës, por qenë shumë lokale, të luftuara në një rreze prej brenda pak kilometrash nga qyteti. Gjasat janë që këto qenë bastisje tradicionale mes bashkësive fqinje apo sulme guerilase, të cilat më vonë u shkruan në mënyrë anakronike si përplasje formale ushtarake. Pjesa më e madhe e këtyre përleshjeve, pa dyshim, qenë ende në bazë gjysmë private, të kryera nga kapedanë të pavarur. Së paku kjo është çfarë sugjerohet nga një incident legjendë nga fillimi i viteve 470 p.e.s., kur 306 romakë thuhet se u vranë në një kurth. Ata thuhet se i përkisnin që të gjithë një familjeje të vetme, familjes Fabii, plus shërbyesve, atyre që sorollateshin rreth tyre dhe klientëve: kjo ngjan më shumë me një bandë të madhe sesa me një ushtri.

Të Dymbëdhjetë Tabelat janë antidota më e mirë për narrativat heroizuese të mëvona. Tabelat origjinale prej bronzi nuk mbijetojnë më. Por një pjesë e përmbajtjes së tyre është ruajtur, për shkak se romakët e mëvonë e shikonin këtë përmbledhje lara-lara të rregulloreve si fillesat e traditës së spikatur të ligjit romak. Ajo që u gdhend fillimisht në bronz u vu shpejt në një formë pamfleti dhe vijoi të mësohej përmendësh, së paku kështu thotë Cicero, nga nxënësit e shekullit të parë p.e.s. Shumë kohë pasi këto rregulla kishin pushuar së pasuri ndonjë rol praktik, ato vijuan të ribotohen e riredaktohen dhe shumë komentarë shkollarësh të lashtësisë u hartuan mbi kuptimin e secilës prej klauzolave, rëndësinë e tyre ligjore dhe gjuhën - disa avokatë të shekullit të dytë të e.s. qenë shumë të irrituar, pasi ndienin se kolegët e tyre të fiksuar pas librave qenë tepër të interesuar në misteret gjuhësore të këshillave të vjetra romake. Asgjë nga kjo literaturë voluminoze nuk ka mbijetuar e paprekur. Por një pjesë e saj është cituar apo perifrazuar në shkrime që kanë mbijetuar, ndërsa duke gërmuar nëpër to, përfshirë edhe disa nga rrugët më të tërthorta të literaturës romake, shkollarët kanë gjurmuar tetëdhjetë klauzola pak a shumë nga ato të tabelave të shekullit të pestë p.e.s.

I gjithë procesi ka qenë jashtëzakonisht teknik me debate të ndërlikuara që vijojnë mbi fjalët e sakta të klauzolave, mbi diskutimet se sa përfaqësuese të origjinaleve janë seleksioni i klauzolave të përmbledhura dhe se sa të saktë qenë shkollarët e mëvonë romakë kur i cituan ato. Është e sigurt se mbi to është bërë përshtatje deri në një farë mase: latinishtja duket arkaike, por jo mjaftueshëm arkaike për shekullin e pestë p.e.s. dhe me raste perifrazimet kanë qenë përpjekje për të përshtatur kuptimin origjinal me procedurat e mëvona të ligjit romak. Në disa raste, edhe avokatët e ditur të Romës keqkuptonin atë që ata lexonin në Dymbëdhjetë Tabelat. Ideja se një borxhli i falimentuar që kishte shumë kreditorë mund të ekzekutohej, ndërsa trupi i tij duhej të ndahej mes tyre, në copa sipas sasisë së borxhit, duket më shumë si një keqkuptim (ose së paku kështu kanë shpresuar shumë kritikë modernë). Pavarësisht kësaj, këto citate ofrojnë rrugën më të drejtpërdrejtë për në shoqërinë e mesit të shekullit të pestë p.e.s., në shtëpitë dhe familjet e tyre, shqetësimet dhe horizontet intelektuale.

Kjo është një shoqëri shumë më e thjeshtë dhe horizontet e saj janë më të kufizuara nga sa nënkupton kronika e Livit. Kjo është e qartë si nga gjuha dhe format e shprehjes ashtu edhe nga përmbajtja. Megjithëse përkthimet moderne bëjnë aq sa mundin për ta bërë të gjithë këtë të tingëllojë disi më kthjehët, fjalët origjinale në latinisht janë shpesh shumë larg të qenët të tilla. Në veçanti, mungesa e emrave dhe e përemrave diferencues e bën pothuajse të pamundur të dish se kush po bën çfarë ndaj kujt. ‘Nëse ai thërret te ligji, duhet të iki. Nëse ai nuk ikën, duhet të thërrasë dëshmitarë dhe pastaj ta zërë atë’, kjo supozohet se nënkupton, siç përkthehet zakonisht, ‘Nëse një paditës thërret një të paditur para ligjit, i padituri duhet të paraqitet. Nëse nuk paraqitet, paditësi duhet të thërrasë dikë tjetër për dëshmitar, pastaj të konfiskojë të paditurin’. Por nuk e thotë saktësisht këtë. Të gjitha shenjat tregojnë se cilidoqoftë ai që e hartoi këtë dhe shumë klauzola të tjera, po vuante për të përdorur gjuhën e shkruar në hartimin e rregullave të qarta dhe se konvencionet e argumentit logjik dhe të shprehurit racional qenë në fillesat e tyre më modeste.

Megjithatë, thjesht përpjekja për të krijuar një rekord formal të kësaj natyre ishte një hap i rëndësishëm në atë që sot shpesh quhet shtetformimi. Një nga pikat kyçe të kthesës në shumë shoqëri të hershme është një kodifikim i ligjit, zakonisht rudimentar dhe shumë i pjesshëm. Për shembull në Athinën e lashtë, Drako ishte i famshëm për përpjekjen e parë për t’i hedhur në shkrim ato që qenë rregulla orale në shekullin e shtatë p.e.s, megjithëse ai tashmë është sinonim për masat më të ashpra (drakoniane’); një mijë vjet para kësaj, në Babiloni, kodi i Hamurabit bëri diçka të ngjashme. Të Dymbëdhjetë Tabelat janë pak a shumë të tilla. Ato janë shumë larg të qenët një kod ligjor tërësor dhe mund të mos kenë pasur kurrë synimin të jenë të tilla. Dhe nëse citimet e mbijetuara nuk janë keqinformuese, atëherë duhet të theksojmë se ato nuk përfshijnë pothuajse asgjë nga ligji publik apo kushtetues. Ajo që bëjnë është të nënkuptojnë angazhimin për procedura të rëna dakord, të përbashkëta dhe të pranuara publikisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve si dhe disa mendime mbi trajtimin e pengesave praktike e teorike për këtë gjë. Çfarë duhet të bëhet nëse i padituri është tepër i moshuar për t’u takuar me paditësin? Paditësi duhej të ofronte një kafshë transporti për të. Çfarë ndodh nëse pala fajtore ishte një fëmijë? Penaliteti në këtë rast mund të ishte rrahja dhe jo varja, një dallim që u paraprin edhe ideve tona mbi moshën e përgjegjësisë penale.

Temat e këtyre rregulloreve vënë në dukje një botë pabarazish të shumta. Kishte skllevër të llojeve të ndryshme, nga ata që kishin dështuar të shlyenin kreditë tek ata që kishin rënë në ndonjë formë skllavërie, për shkak të borxheve, si dhe tek ata që qenë tërësisht të skllavëruar, supozohet (megjithëse ky është vetëm një hamendësim) të rrëmbyer apo të kapur rob në luftë. Disavantazhi i tyre shprehet qartë: penaliteti për sulmin ndaj një skllavi vendoset në gjysmë të penalitetit të sulmit ndaj një njeriu të lirë, ndërsa skllavi mund të dënohej me vdekje për një shkelje, për të cilën një qytetar i lirë mund të shpëtonte vetëm me një rrahje. Por disa skllevër eventualisht liroheshin, siç është e qartë nga një referencë për ish-skllevërit ose libertus.

Kishte hierarki edhe brenda popullsisë së shtetasve të lirë. Një klauzolë nxjerr në pah dallimin mes patricëve dhe plebenjve, një tjetër mes assidui (burrave me pronë) dhe proletarii (ata pa pronë -kontributi i të cilëve në qytet ishte prodhimi i pasardhësve, proles). Një tjetër u referohet ‘patronëve’ e ‘klientëve’ dhe marrëdhënies së varësisë e detyrimit të ndërsjellë mes shtetasve të pasur dhe atyre të varfër, gjë që mbeti e rëndësishme përgjatë të gjithë historisë së Romës. Parimi bazë ishte që një klient varej nga patroni për mbrojtje dhe ndihmë financiare ose tjetër, në shkëmbim të një varieteti shërbimesh, përfshirë votim në zgjedhje. Shkrime të mëvona romake janë përplot me retorikë të stërholluar dhe të lartë nga klasa e patronëve mbi virtytet e kësaj marrëdhënieje, si dhe mbi ankesat mjerane nga ana e klientit për poshtërimet që ata duhej të duronin, që të gjitha vetëm për një vakt të dorës së dytë. Te të Dymbëdhjetë Tabelat, rregulli deklaron thjesht: ‘Nëse një patron i ka bërë dëm klientit të tij, ai duhet të mallkohet’, çfarëdo që kjo fjala e fundit të nënkuptojë.

Në pjesën më të madhe, Dymbëdhjetë Tabelat trajtojnë probleme të brendshme, me një përqendrim veçanërisht te jeta familjare, fqinjët problematikë, pronën private dhe vdekjen. Ato përcaktojnë procedurë për braktisjen apo vrasjen e foshnjave të deformuara (një praktikë e zakonshme përgjatë të gjithë antikitetit, në mënyrë më të butë të njohur nga shkollarët modernë si ekspozim’) për trashëgiminë dhe për kryerjen e rregullt të funeraleve. Klauzola të veçanta i ndalojnë gratë nga gërvishtja e mollëzave gjatë një funerali, ndalojnë ngritjen e turrave të druve për kremim tepër pranë shtëpisë së dikujt, si dhe për varrosjen e arit,- me përjashtim të arit dentar - bashkë me trupin. Dëmet kriminale apo aksidentale qenë një shqetësim tjetër i kuptueshëm. Kjo ishte një botë në të cilën njerëzit shqetësoheshin se si duhej të trajtonin rastin kur pema e komshiut varej mbi pronën e tyre (zgjidhja: ajo duhet të pritet te lartësia e përcaktuar) ose me kafshët e komshiut që binin në fusha (zgjidhja: dëmi duhej të shlyhej ose kafsha nuk kthehej). Ata shqetësoheshin për hajdutët gjatë natës, gjë që duhej të ndëshkohej më ashpër sesa vjedhja gjatë ditës, mbi vandalë që shkatërronin të mbjellat e tyre apo mbi armët që aksidentalisht vrisnin një të pafajshëm. Por, siç tingëllon kjo pak a shumë e njohur, ishte edhe një botë ku njerëzit kishin firikë nga magjia. Çfarë duhet të bësh kur armiku u bën magji bimëve apo të mallkon? Për fat të keq, përgjigjja për këtë ka humbur.

Nëse gjykon nga Dymbëdhjetë Tabelat, Roma e mesit të shekullit të pestë p.e.s. ishte një qytezë bujqësore, mjaftueshëm komplekse për të dalluar ndarjen bazë mes skllavit dhe të lirit, si dhe mes rangjeve të ndryshme të shtetasve, si dhe mjaftueshëm e sofistikuar për të hartuar disa procedura formale civile për të trajtuar mosmarrëveshjet, për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore e familjare dhe për të imponuar disa rregulla bazë mbi aktivitete të tilla njerëzore si menaxhimi i të vdekurve. Por nuk ka prova se kjo ishte diçka më shumë sesa kaq. Tentativa për formulimin e rregulloreve, në disa raste të vështira e madje konfuzue, duhet të vërë në diskutim disa nga referencat që gjenden te Livi dhe shkrimtarë të tjerë të lashtësisë për ligje dhe traktate të komplikuara të kësaj periudhe. Dhe mungesa e, së paku në atë pjesë të klauzolave që kanë mbijetuar, të çdo reference ndaj një zyrtari publik specifik, me përjashtim të Virgjëreshës së Vestës (e cila si një priftëreshë duhej të çlirohej nga kontrolli i babait), natyrisht që nuk informon për ekzistencën e ndonjë aparati shtetëror dominues. Për më tepër, nuk ka thuajse asnjë përmendje të botës jashtë Romës - me përjashtim të referencave mbi disa rregulla të caktuara që aplikohen ndaj një hostis (një ‘i huaj’ apo një ‘armik’,- në latinishte janë e njëjta fjalë që nënkupton që të dy) dhe një referencë të mundshme mbi shitjen në skllavëri ‘në vend të huaj përtej Tiberit’, si një ndëshkim i shkallës së më të ashpër për borxhin. Ndoshta kjo përmbledhje ka pasur një fokusim qëllimisht të brendshëm dhe jo të huaj. Gjithsesi, nuk ka shenja në të Dymbëdhjetë Tabelat se kjo ishte bashkësia që u jepte një prioritet të lartë marrëdhënieve, qofshin ato të dominimit, pushtimit apo miqësisë, përtej lokalitetit të vet.

E gjitha kjo duket një botë larg epokës së Ciceros, e madje edhe epokës së Barbatusit dhe e Apius Klaudius Kaekus, të cilët jetuan vetëm njëqind vjet më vonë, me paradën e tyre të posteve publike, me atë rrugë të re që godet në jug drejt Kapuas dhe që mburret për pengjet nga Lukania. Pra çfarë ndryshoi dhe kur?

Konflikti i klasave

E para, çfarë ndodhi në pohtikën e brendshme? Dymbëdhjetë Tabelat qenë një pasojë e asaj që shpesh tashmë quhet si Konflikti i Klasave (fjala latine ordo do të thotë, mes të tjerave, ‘klasë shoqërore’), konflikt që, sipas shkrimtarëve romakë, dominoi politikën e brendshme në këtë dyqindvjeçar kyç pas fundit të monarkisë. Kjo ishte një përpjekje nga shtetasit plebenj për të drejta të plota politike dhe barazi me elitën, shtetasit patricë, të cilët në përgjithësi urrenin të lëshonin nga monopoli i tyre i trashëgueshëm i pushtetit Në Romë kjo është parë që nga ajo kohë si një rivendosje heroike e lirisë politike të qytetarëve të zakonshëm dhe ka lënë gjurmët e saj në politikë dhe në fjalorin politik deri në botën moderne. Fjala ‘plebe’ mbetet veçanërisht e ngarkuar në konfliktin tonë të klasave; edhe më 2012-n, aludimi se një politikan konservator britanik ka fyer një polic duke e quajtur atë ‘pleb’-shkurt për ‘plebe’ - solli dorëheqjen e tij nga qeveria.

Siç shpaloset rrëfenja mbi këtë konflikt, vetëm pak vite pasi u themelua Republika, në fillim të shekullit të pestë p.e.s., plebenjtë filluan të kundërshtojnë për jashtimin nga pushteti dhe shfrytëzimin e tyre nga patricët. E pse duhet të luftojmë në luftërat e Romës, pyetën ata vazhdimisht, kur të gjitha përfitimet nga shërbimet e tyre mbushnin xhepat e patricëve? E si mund ta cilësonin veten shtetas me të drejta të plota kur ata qenë shpesh viktima të ndëshkimit arbitrar e madje, nëse binin në borxhe, edhe skllavërimit? Çfarë të drejte kishin patricët që t’i mbanin plebenjtë si klasë e dytë? Ose, siç e shkroi Livi me fjalët ironike të një reformatori plebe, në terma jashtëzakonisht reminishentë me kundërshtimin gjatë shekullit të njëzetë ndaj aparteidit, ‘Pse nuk miratoni një ligj për të ndaluar një plebe të jetojë ngjitur me një patric apo të ecë në të njëjtën rrugë ose të shkojë në të njëjtën festë apo të qëndrojë njëkohësisht me të në të njëjtin Forum?

Më 494 p.e.s., të rraskapitur nga problemet e borxheve, plebenjtë organizuan të parën grevë masive në qytet, një kombinim i kryengritjes me grevën, në përpjekje për të detyruar patricët të pranojnë reformën. Kjo funksionoi. Kështu filloi një seri e gjatë koncesionesh, të cilat gradualisht gërryen të gjitha dallimet e rëndësishme mes patricëve e plebenjve dhe efektivisht rishkruan strukturën e pushtetit politik në qytet. Dyqind vjet më vonë kishin mbetur pak privilegje për patricët, me përjashtim të së drejtës për të mbajtur disa poste të lashta priftërinjsh dhe për të veshur një formë të caktuar këpucësh mode.

Reforma e parë më 494p.e.s. ishte emërimi i përfaqësuesve zyrtarë, të njohur si tribunë të popullit (tribuni plebis), për të mbrojtur interesat e plebenjve. Pastaj u krijua një asamble e veçantë vetëm për plebenjtë. Kjo u organizua, njësoj si Asambleja e Centurieve, në një sistem votash në bllok, por detajet teknike qenë të ndryshme në mënyrë thelbësore. Ajo nuk bazohej në një hierarki të pasurisë. Në vend të kësaj, grupet e votave qenë përkufizuar gjeografikisht, me votuesit të anëtarësuar në tribu (tribus) ose nën ndarjet rajonale të territorit të Romës, të cilat nuk kishin të bënin me një grupim etnik në kuptimin modern të fjalës ‘tribu’. Në fund, pas një greve finale, në një reformë që Shipio Barbatus duhet ta ketë parë vetë më 287 p.e.s., vendimeve të kësaj asambleje iu dha forca e plotë e ligjit mbi të gjithë shtetasit e Romës. Me fjalë të tjera, një institucion plebenjsh mori të drejtën për të vënë ligje mbi, dhe për llogari, të të gjithë shtetit në tërësi.

Mes viteve 494 dhe 287 p.e.s., mes më shumë retorikave trazuese, grevave dhe kërcënimeve për dhunë, të gjitha postet kryesore të priftërinjve u hapën njëri pas tjetrit për plebenjtë dhe statusi i tyre si klasë e dytë u çmontua. Një nga fitoret më të famshme të plebenjve erdhi më 326 p.e.s., kur sistemi i skllavërimit për borxhe u anulua, duke themeluar parimin se liria për shtetasin e Romës ishte një e drejtë e paprekshme. Një masë kyçe po kaq domethënëse, por politikisht më e vogël ishte miratuar dyzet vjet më herët, më 367 p.e.s. Pas shumë dekadash refuzimi dhe pretendimesh nga patricët e vijës së ashpër se ‘ishte një krim kundër zotave të lejohej një plebe të bëhej konsull’, u vendos që një nga postet e konsujve të hapej për plebenjtë. Nga viti 342 p.e.s. u ra dakord që të dy konsujt mund të jenë plebenj, në rast se zgjidheshin të tillë.

27. Një nga postet që mbeti gjithmonë i kufizuar për patricët ishte ‘flaminate’, një post i lashtë fetar i disa prej zotave më të rëndësishme. Një grup i këtyre priftërinjve shikohen këtu në shekullin e parë p.e.s. në Altarin e Paqes (shiko figurën 65), të dallueshëm nga kapelat e tyre të çuditshme.

Por ngjarjet më dramatike nga të gjitha u shënuan në konfliktin rreth hartimit të Dymbëdhjetë Tabelave, në mes të shekullit të pestë p.e.s. Klauzolat që janë ruajtur mund të jenë të shkurtra, me nënkuptime e ndoshta edhe pak të thata, por, siç e treguan historinë vetë romakët, ato u hartuan në një atmosferë tragjike mashtrimesh shumëngjyrëshe, aludimesh për tirani, tentativë për përdhunim dhe vrasje. Rrëfenja thotë se për shumë vite plebenjtë patën kërkuar që ‘ligjet’ e qytetit të bëheshin publike dhe jo thjesht një burim sekret për patricët; dhe, si koncesion, postet normale politike u pezulluan më 451 p.e.s. dhe dhjetë burra (decemviri) u caktuan për të mbledhur, hartuar dhe publikuar ato. Në vitin e parë, decemviri me sukses plotësoi dhjetë tabela me ligje, por puna e tyre nuk pati përfunduar. Kështu, për vitin pasardhës u krijua një bord tjetër, i cili rezultoi shumë i ndryshëm dhe në karakter shumë më tepër konservator. Ky bord i dytë prodhoi dy tabelat e mbetura, duke vendosur një klauzolë famëkeqe që ndalonte martesat mes patricëve dhe plebenjve. Megjithëse iniciativa për hartimin e ligjeve nisi si frymë reformiste, ajo u kthye në përpjekjen më ekstreme për t’i mbajtur të dyja grupimet jashtëzakonisht të ndara: ‘ligji më çnjerëzor’ e quajti Cicero atë, tërësisht kundër frymës së hapjes së Romës.

Por më e keqja erdhi më vonë. Bordi i dytë decemviri - të Dhjetë Tarkuinët, siç njihen ata në disa raste - filloi të imitojë sjelljen e tiranëve, deri te dhuna seksuale. Në atë që është pothuajse një përsëritje e përdhunimit të Lukrecias, e cila solli themelimin e Republikës, njëri prej tyre, patrici Apius Kladius (një stërstërgjysh i ndërtuesit të rrugës) kërkoi seks me një grua të re plebeje, e cila kishte emrin e përshtatshëm Virgjëresha, e pamartuar, por e fejuar. Mashtrimi dhe korrupsioni pasuan. Apius korruptoi një prej mbështetësve të vet që të pretendonte se ajo ishte skllavja e tij, e cila ishte vjedhur nga i ashtuquajturi babai i saj. Gjykatësi në këtë rast ishte vetë Apius, i cili natyrisht vendosi në favor të bashkëfajtorit të vet dhe eci nëpër Forum për të rrëmbyer Virgjëreshën. Në debatin që pasoi, babai i saj, Lucius Virginius, rrëmbeu një thikë nga tezga e një kasapi aty pranë dhe e theri vajzën për vdekje: TJnë po të çliroj ty fëmija im, në mënyrën e vetme që më ka mbetur’; bërtiti ai.

Historia e Virgjëreshës ka qenë gjithmonë shumë më shqetësuese sesa ajo e Lukrecias. Ajo jo vetëm që kombinon vrasjen brenda familjes me brutalitetin e konfliktit të klasave, por në mënyrë të pashmangshme ngre pyetjen se çfarë çmimi duhet të paguhet për dëlirësinë. Çfarë lloj modeli prindi është ky? Kush kishte më shumë faj? A duhet që parimet e larta të ruhen me një çmim të tillë të tmerrshëm? Por edhe një herë përdhunimi (në tentativë) rezultoi një kataklizëm për ndryshimin politik. Ekspozimi i trupit të Virgjëreshës dhe fjalimi pasionant që Virginiusi mbajti para ushtrisë solli përleshje, kryengritje, shkarkimin e bordit tiranik të decemvirëve dhe, siç thotë Livi, rikuperimin e lirisë. Pavarësisht njollosjes nga tirania, Dymbëdhjetë Tabelat mbetën. Ato shpejtfilluan të shikohen si paraardhëse të denja të ligjit romak, me përjashtim të ndalimit të martesave mes klasave, i cili u anulua shpejt.

Rrëfenja e Konfliktit të Klasave përbën një nga manifestet më radikale dhe më koherente të pushtetit popullor dhe lirisë që ka mbijetuar nga bota e lashtë - shumë më tepër radikale nga ato që kanë mbijetuar prej Athinës demokratike klasike, shumica e shkrimtarëve të së cilës kundërshtonin demokracinë dhe pushtetin popullor sa herë që duhej të thonin ndonjë gjë konkrete për këtë temë. Të marra së bashku, kërkesat që u janë vënë në gojë plebenjve ofronin një program sistematik për reformë politike, bazuar në aspekte të ndryshme për lirinë e shtetasve, nga liria për të marrë pjesë në qeverisjen e shtetit dhe liria për të ndarë shpërblimet, te liria nga shfrytëzimi dhe liria për informim. Kjo rrëfenjë nga lashtësia që tregon se si veprimi i organizuar i popullit të Romës detyroi aristokracinë trashëgimtare të patricëve të bëjë lëshime dhe siguroi të drejta të plota politike për plebenjtë, frymëzoi lëvizjet e klasës punëtore në shumë vende në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë, të cilat gjetën në të një precedent të vlefshëm dhe disa nga argumentet më bindëse. Gjithashtu nuk është çudi që sindikatat e para shikonin grevat e plebenjve si një model për greva të suksesshme.

Por sa e saktë është historia që romakët rrëfyen për këtë konflikt? Dhe sa dritë hedh ajo në ‘hopin e madh përpara’ të Romës? Këtu copat e mozaikut bëhen më të vështira për t’u bashkuar. Por konturet e panoramës dhe disa data, që ka gjasa janë kyçe, gjenden. Shumë aspekte të kësaj historie që ka ardhur deri te ne duhet të jenë të gabuara, shumë të modernizuara nga shkrimtarë të mëvonë, veçanërisht drejt fillesave të periudhës së konfliktit, fillesa që shtrihen shumë më tepër në mite sesa në histori. Virgjëresha ka gjasa është jo më pak personazh imagjinar sesa Lukrecia. Ka një mospërputhje të rëndë mes klauzolave të mbijetuara të Dymbëdhjetë Tabelave dhe historisë së stërholluar të decemvirëve. Nëse hartimi erdhi drejtpërsëdrejti nga përplasja mes patricëve dhe plebenjve, si shpjegohet që në klauzolat e ruajtura ka vetëm një referencë për këtë dallim (te ndalimi i martesave)? Shumica e argumenteve, e akoma më shumë e retorikës, së reformatorëve të hershëm plebenj është pothuajse e sigurt se është pjellë e imagjinatës së shkrimtarëve të shekullit të parë p.e.s., e nxjerrë nga debatet e sofistikuara të ditës së tyre dhe jo produkt i botës së Dymbëdhjetë Tabelave - dhe mund të jetë më shumë provë për ideologjinë popullore politike të një periudhe të mëvonë sesa e Konfliktit të Klasave. Për më tepër, pavarësisht sigurisë me të cilën flisnin romakët se përjashtimi i plebenjve nga pushteti datonte që nga rënia e monarkisë, ka sinjale që sugjerojnë se ai u zhvillua vetëm gjatë rrjedhës së shekullit të pestë p.e.s. Lista standarde e konsujve, për shembull, sado imagjinare që të jetë, përfshin në fillim të shekullit të pestë p.e.s. shumë emra që dallohet se janë plebenj (përfshirë atë të konsullit të parë, vetë Lucius Junius Brutus), gjë që zhduket tërësisht në gjysmën e dytë të atij shekulli.

Pasi të themi këtë, duhet shtuar se nuk ka dyshim që periudhat e gjata të shekujve të pestë dhe të katërt p.e.s. qenë të copëtuara nga përplasjet shoqërore dhe politike mes një minorance me privilegje të trashëguara dhe pjesës tjetër. Dallimi formal mes familjeve patrice dhe atyre plebeje vijonte të mbijetonte edhe një gjysmë mijëvjeçari më vonë, si një nga ato ‘fosilet’ që unë i diskutova më parë, por që shprehej thjeshtë me një shfryrje snobizmi dhe asgjë më shumë. Është e vështirë të shpjegosh se pse ky dallim ekzistonte nëse dallimi mes dy grupeve nuk pati qenë dikur shënjues domethënës i pushtetit politik, shoqëror dhe ekonomik. Ka gjithashtu arsye të forta për të menduar se viti 376 ishte një pikë madhore kthese, edhe pse jo në atë mënyrë se si e imagjinuan historianët romakë.

Për ta, ky ishte një moment revolucionar kur u vendos që jo vetëm posti i konsullit duhej të ishte i hapur për plebenjtë, por se një nga dy konsujt duhej të ishte gjithmonë plebe. Nëse është kështu, ligji u shkel sapo ai u bë, sepse në shumë raste në vitet që pasuan u regjistruan si konsuj dy emra patricësh. Livi e vuri re problemin dhe sugjeron në mënyrë jobindëse se plebenjtë qenë të kënaqur thjesht me fitimin e së drejtës për të garuar, por jo shumë të shqetësuar për t’u zgjedhur. Ka më shumë gjasa ky të jetë viti kur posti i konsullit u themelua si zyrë e përhershme që rinovohej çdo vit dhe që supozohej se qe e hapur si për patricët ashtu edhe për plebenjtë, pavarësisht se zgjedhja e një plebeu nuk qe e detyrueshme.

Kjo me siguri që përputhet me dy të dhëna të tjera domethënëse. E para, edhe në kronikën tradicionale të Romës, të dhënat për shumicën e viteve nga 420 në 360 p.e.s. mbajnë emra të ‘kolonelëve’ misteriozë si zyrtarët më të lartë të shtetit. Kjo ndryshon një herë e mirë më 376 p.e.s., kur konsujt bëhen normë për pjesën e mbetur të historisë së Romës. E dyta, ka gjithashtu gjasa që senati mori formën përfundimtare në këtë kohë. Shkrimtarët romakë kishin tendencën ta merrnin si të mirëqenë se origjina e senatit gjendej pas në kohën e Romulit, si një këshill ‘burrash të moshuar’ (senes), dhe se nga fundi i shekullit të pestë p.e.s. ai ishte sakaq një institucion i plotë që vepronte pak a shumë njësoj si në vitin 63 p.e.s. Një zë shumë teknik në një fjalor të lashtë romak nënkupton një version shumë të ndryshëm, duke sugjeruar se vetëm rreth mesit të shekullit të katërt p.e.s senati u themelua si një trupë permanente me anëtarë përgjatë të gjithë jetës dhe jo një grup i ngritur sipas rastit me miq dhe këshilltarë të atyre që qenë zyrtarë në detyrë, pa vijimësi nga një vit në tjetrin e madje nga një ditë në tjetrën. Nëse kjo është e saktë (dhe, natyrisht, jo të gjitha copat e informacionit teknik janë domosdoshmërish të sakta), atëherë kjo mbështet idenë se sistemi politik i Romës mori formën e tij karakteristike në mesin e shekullit të katërt p.e.s. Fakti është se Roma nuk dukej dallueshëm ‘romake’ edhe për një shekull pas vitit 509 p.e.s, pavarësisht se çfarë paraardhësi kishin institucionet e saj apo çfarë elementësh të tillë si asambletë apo censuset mund të kenë funksionuar më herët.

Kjo do të thotë se ajo që ne gjejmë të shfaqur në varrin e Barbatusit nuk është një karrierë tradicionale e një anëtari tradicional të elitës së Romës; megjithëse kjo është siç u panë gjërat më vonë. Varrosur diku në fillim të shekullit të tretë p.e.s., Barbatusi ishte në fakt një përfaqësues i një rendi relativisht të ri republikan në Romë - dhe, siç do ta shohim më tutje, edhe jashtë saj.

Bota jashtë: Veii dhe Roma

Ekspansioni i pushtetit romak nëpër Itali ishte dramatik. Është e lehtë të habitesh apo të rrëqethesh, nga perandoria e mëvonë përtej detit e Romës, e cila në fund ishte mbi tre milionë kilometra katrorë; nëse merr si të mirëqenë idenë se Italia ishte romake. Por transformimi i qytezës së vogël pranë Tiberit më 509 p.e.s. në një shtet më shumë se trembëdhjetë mijë kilometra katrorë në vitin 280 p.e.s., me kontroll efektiv në së paku gjysmën e gadishullit Italian, ishte po aq trullosëse. Si ndodhi kjo? Dhe kur?

Marrëdhëniet e Romës me botën e jashtme qenë tërësisht të thjeshta, për aq sa mund të themi, deri rreth vitit 400 p.e.s. Marrëdhëniet e saj të tregtisë me zonën e Mesdheut qenë jo më shumë sesa e zakonshmja për një qytezë italiane. Ndërveprimet e drejtpërdrejta qenë më së shumti vendore, para së gjithash me bashkësitë latine në jug, të cilat kishin një gjuhë të përbashkët një ndjesi prejardhjeje të përbashkët dhe shumë festivale e vende të shenjta të përbashkëta me Romën. Maksimumi që mund të thuash është se nga fundi i shekullit të gjashtë p.e.s., romakët ka gjasa të kishin një farë kontrolli mbi disa grupe latinësh. Si Cicero ashtu edhe historiani Polibius (një vëzhgues i mprehtë grek i Romës, i cili shfaqet shumë në kapitullin e ardhshëm) pretendon se ka parë dokumente ose ‘traktate’, nga kjo periudhë që sugjerojnë se Roma ishte në atë kohë një lojtar i madh në këtë botë të vogël vendore latine. Dhe, siç e kemi parë, historia e shekullit të pestë p.e.s. sugjeron pak a shumë shpërthime vjetore luftimesh, por në shkallë të kufizuar, pavarësisht se me çfarë termash lavdëruese u përshkruan më vonë. Argumenti më i thjeshtë për këtë është se nëse do të kishte viktima të shumta çdo vit për disa dekada, qyteza e vogël e Romës nuk do të mund të kishte mbijetuar.

Momenti i ndryshimit erdhi nga fillimi i shekullit të katërt p.e.s., me dy ngjarje që luajnë një rol kryesor dhe jashtëzakonisht të mitologjizuar në të gjitha kronikat e lashta mbi ekspansionin e Romës: shkatërrimi i qytetit fqinj Veii nga romakët nën heroin Kamilus më 396 p.e.s., dhe shkatërrimi i Romës nga galët më 390 p.e.s. Se çfarë gjendet pas përplasjes së Romës me Veii është tërësisht e panjohur, por ajo është shkruar a thua se ishte ekuivalenti italian i Luftës së Trojës: dhjetë vjet rrethim u deshën për të pushtuar qytetin, e barabartë me dhjetë vitet e rrethimit të Trojës; dhe romakët fitimtarë në fund e kapën qytetin duke dalë nga një tunel nën Tempullin e Junos, si një ekuivalent i kalit të Trojës. Realiteti i pushtimit’ (term ky me gjasa tepër i fryrë), duhet të ketë qenë shumë më modest. Kjo nuk ishte një përplasje superfuqish. Veii ishte një qytezë e pasur, pak më e vogël se Roma, dhe vetëm 15 kilometra përtej Tiberit.

Megjithatë, pasojat e fitores romake qenë domethënëse, edhe pse jo në mënyrën që sugjerohet nga shkrimtarët romakë, të cilët theksuan skllavërimin e popullsisë, me të gjitha mallrat dhe plaçkat të rrëmbyera pas fitores, si dhe me shkatërrim total të qytezës. Treqind e pesëdhjetë vjet më vonë, poeti Propertius rrëfeu për një panoramë të dëshpëruar të Veiit në ditën e tij, si shtëpi e jo më shumë sesa ca deleve dhe disa ‘barinjve të ngeshëm’. Ky është më shumë një leksion moral mbi rrezikun e disfatës sesa një përshkrim i saktë (ka gjasa që Propertius të mos ta ketë vizituar kurrë vendin e qytetit), sepse arkeologjia e këtij vendi sugjeron një të vërtetë shumë të ndryshme. Megjithëse mund të ketë pasur grabitje të pandërprera e skllavërim në çastin e fitores së romakëve si dhe një fluks banorësh të rinj, shumica e vendeve të shenjta të zonës vijuan të funksionojnë njësoj si më parë, qyteza vijoi të jetë e banuar, edhe pse në një shkallë më të vogël dhe ato prova që ne kemi nga fermat bujqësore sugjerojnë për vijimësi më shumë sesa për ndërprerje.

Ndryshimi ishte i rëndësishëm në një drejtim tjetër. Roma aneksoi Veiin dhe tokat e saj, duke rritur menjëherë përmasat e territorit romak me rreth 60 për qind. Shpejt pas kësaj, katër tribu të reja gjeografike me shtetas të Romës u krijuan, për të përfshirë Veiin, banorët indigjenë të saj, si dhe banorët e rinj. Ka shenja se zhvillime të tjera të rëndësishme ndodhën afersisht në këtë kohë dhe ka gjasa të kenë qenë të lidhura me të. Livi pretendon se ishte pas rrethimit të Veiit kur ushtarët romakë u paguan për herë të parë, nga taksat e Romës. Pavarësisht nëse është literalisht e vërtetë apo jo (dhe sido që të jenë paguar ata për shkak se monedha nuk ekzistonte ende), ky mund të jetë indikacion i një lëvizjeje përpara në një organizim më të centralizuar të ushtrive të Romës dhe një rënieje të luftës private.

Disfata pasoi shpejt fitoren. Rrëfimi vijon se në vitin 390 p.e.s. një bandë galësh - ndoshta një fis që po lëvizte në kërkim të tokës ose me gjasa, një trupë e mirëstërvitur mercenarësh që kërkonin punë më poshtë në jug,- mposhti një ushtri romake në lumin Alia, jo shumë larg qytetit. Romakët duket se bënë pak më shumë sesa thjesht t’ia merrnin vrapit dhe galët marshuan për të pushtuar Romën. Një rrëfenjë apokrife përshkruan se si një plebe virtuoz, me emrin e përshtatshëm Markus Kaedicius (paralajmëruesi i katastrofave’), dëgjoi zërin e një zoti të panjohur që e paralajmëroi atë se po afroheshin galët, por raporti i tij u injorua, për shkak të statusit të tij të ulët. Kjo rezultoi një mësim për patricët,- mësuar përmes pësimit - se zotat komunikonin edhe me plebenjtë.

Rrëfimtaria romake i dha një mbulim ekstravagant kapjes së qytetit, me akte të ndryshme heroizmi për të lënë mënjanë shkatërrimin e kudogjendur. Një i varfer tjetër dha prova të devocionit të tij kur hodhi gruan dhe fëmijët nga karroca dhe e vuri karrocën në shërbim të Virgjëreshave të Vestës, të cilat po evakuonin emblemat e tyre të shenjta dhe hajmalitë drejt një vendi të sigurt në qytezën Kaeres aty pranë. Shumë aristokratë të moshuar thjesht vendosën të përballen me të pashmangshmen dhe qëndruan me durim në shtëpi duke pritur për galët, të cilët për një çast kujtuan se pleqtë qenë statuja para se t’i masakronin ata. Ndërkohë, Kamilusi, shkurtimisht në ekzil i akuzuar për përvetësim të plaçkës së luftës, u kthye tamam në kohë për të ndaluar romakët nga pagesa e një haraçi të madh te galët, duke bindur bashkëpatriotët e tij të braktisnin qytetin dhe të iknin te Veii, si dhe të mermin përsipër ta rithemelonin qytetin. Ose së paku ky është një version. Një rrëfenjë më pak nderuese thotë se galët ikën triumfalisht bashkë me haraçin.

28. Një vizatim i fillimit të shekullit të njëzetë e realizuar (nga një fotografi më e hershme) tregon mbetjet e murit Servian pranë stacionit qendror hekurudhor të Romës. Seksione të këtij fortifikimi vijojnë t’i përshëndesin udhëtarët që dalin nga Roma Termini, megjithëse tashmë ato janë pak a shumë të zymta të mbyllura pas kangjellave.

Ky është një rast tjetër i ekzagjerimit të romakëve. Rrëfenjat e ndryshme, të cilat u bënë të zakonshme për memorien kulturore romake, ofronin një leksion të rëndësishëm patriotik: në vendosjen e nevojave të vendit mbi atë të familjes, në tregimin e trimërisë përballë disfatës së sigurt dhe në rrezikun që mbart matja së vlerës së qytetit në termat e arit. Katastrofa u bë kaq shumë pjesë e imagjinatës popullore romake sa disa kundërshtarë të ashpër po e përdomin atë në vitin 48 të e.s. si argument (ose lojë e dëshpëruar) kundër propozimit të perandorit Klaudius për të pranuar galët në senat. Gjithsesi, nuk ka prova arkeologjike për këtë lloj shkatërrimi masiv që romakët e më vonë e imagjinuan, përveç rastit nëse djegiet e datuara rreth vitit 500 p.e.s. janë në fakt, siç kanë menduar dikur arkeologët, mbetjet e sulmit galik që ndodhi njëqind vjet më vonë.

Një shenjë e qartë për grabitjen në panoramën e Romës është muri i stërmadh mbrojtës, disa seksione mbresëlënëse të së cilit janë ende të dukshme, të ndërtuara pas ikjes së galëve dhe me një gur veçanërisht të fortë, që ishte produkt i territorit të ri të Romës përreth Veiit. Por ka arsye të fuqishme se pse kjo disfatë është një episod i vlefshëm për t’u theksuar nga historianët romakë. Ajo vë në dukje ankthet romake mbi pushtues nga përtej Alpeve, nga të cilët Hanibali ishte më i rrezikshmi, por jo i vetmi. Kjo ka ndihmuar gjithashtu për të shpjeguar se pse kaq pak prova të forta kanë mbijetuar nga Roma e hershme (sepse ato u dogjën), dhe kështu shënon një fillim të ri, në termat antikë, të ‘historisë moderne’. Kjo i jepte përgjigje se pse Republika më e vonë e qytetit të Romës, pavarësisht famës së vet botërore, ishte ende një labirint lepujsh: romakëve iu desh ta rindërtonin atë me shpejtësi, pasi galët ikën. Dhe ai hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet e Romës me botën.

Romakët përballë Aleksandrit të Madh

Ajo që ndodhi pas kësaj ishte një revolucion sa i përket përmasave të shkallës, vendndodhjes dhe pasojave të luftërave të Romës. Tiparet bazë të luftërave pak a shumë të përvitshme vijuan. Shkrimtarët e huaj qenë të emocionuar nga një listë e gjatë betejash romake të luftuara përgjatë shekullit të katërt p.e.s., dhe lavdëruan e padyshim ekzagjeruan fitoret heroike, ndërkohë që vajtonin disa disfata të turpshme dhe tërheqje poshtëruese. Beteja e Grykës Kaudine, më 321 p.e.s., në të cilën samnitët e Italisë së Jugut shpartalluan romakët, u bë po aq rezonante sa beteja e Alias ose plaçkitja e Romës shtatëdhjetë vjet më herët - edhe pse ajo nuk ishte me të vërtetë një betejë. Romakët u zunë në kurth në një grykë të ngushtë malore, të njohur si Sfurku, pa ujë dhe ata thjesht u dorëzuan.

Megjithatë, që nga plaçkitja e Romës më 390 p.e.s. dhe betejës së Sentinumit më 295 p.e.s., numri i njerëzve të përfshirë në këto konflikte u rrit në mënyrë dramatike. Fushatat u kryen gjithnjë e më larg Romës. Ndërsa Veii ishte vetëm 16 kilometra larg, Sentinumi ishte rreth 300 kilometra përtej Apenineve. Marrëveshjet e arritura mes Romës dhe të mposhturve kishin pasoja të gjera për të ardhmen. Ndikimi ushtarak i Romës nga fundi i shekullit të katërt p.e.s. ishte kaq i madh sa Livi e ndjeu të vlefshme ta krahasonte fuqinë e Romës me atë të pushtuesit botëror, Aleksandri i Madh, i cili mes viteve 334 dhe 323 p.e.s. udhëhoqi ushtrinë e tij maqedonase në një seri pushtimesh nga Greqia deri në Indi. Livi pyeti veten se kush do të kishte fituar, romakët apo maqedonasit, nëse ata do të përplaseshin ballë për ballë, një dilemë ushtarake që gjeneralët në karrige të lëkundshme e kanë edhe sot e kësaj dite.

Pati dy konflikte veçanërisht të rëndësishme në Itali në këtë periudhë: e para ishte e ashtuquajtura Lufta Latine, e luftuar kundër fqinjëve latinë të Romës mes viteve 341 dhe 338 p.e.s. Shpejt pas kësaj pasuan ‘Luftërat Samite’, rasti i fitoreve të Barbatusit. Ato u luftuan me faza mes viteve 343 dhe 290 p.e.s. kundër një grup bashkësie me baza në pjesët malore të Italisë së jugut: samnitët ishin shumë më pak të ashpër dhe primitivë nga sa i leverdiste Romës t’i paraqiste ata, por edhe më pak të urbanizuar sesa anë të tjera të gadishullit. Që të dyja këto luftëra janë konstruksione pak a shumë artificiale, izolimi i dy armiqve dhe dhënia e emrit të tyre për luftime shumë më të shpeshta e më të përhapura të kësaj periudhe, nga një këndvështrim shumë romano-centrik (asnjë samnit nuk luftoi kurrë një ‘Luftë Samnite’)- Pavarësisht kësaj, ato vënë në pah disa ndryshme të rëndësishme.

Sipas rrëfenjës së zakonshme, e para u shkaktua nga një revoltë e latinëve kundër pozicionit dominues të romakëve në rajon. Ky ishte sërish një konflikt lokal, por u bë i famshëm, e madje edhe revolucionar, për marrëveshjet e bëra më pas mes romakëve dhe bashkësive të ndryshme latine. Kjo, për shkak se këto konflikte i dhanë nënshtetësinë romake një numri të madh prej të mposhturve, në shumë qyteza në të gjithë Italinë Qendrore, në një shkallë që shkoi shumë përtej precedentit të vendosur në Veii. Pavarësisht nëse ky ishte një gjest bujarie, siç e kanë interpretuar shumë shkrimtarë romakë apo një mekanizëm shtypjeje, siç mund ta kenë parë ata që e panë shtetësinë romake të imponuar mbi veten, ngjarja ishte një fazë thelbësore në ndryshimin e përkufizimit të asaj që do të thoshte të ishe romak’. Dhe kjo solli, siç do ta shohim, ndryshime të stërmëdha në strukturën e pushtetit romak.

Gati pesëdhjetë vjet më vonë, dekadat e Luftërave Samnite përfunduan, kur më shumë se gjysma e gadishullit u vu nën sundimin e Romës në mënyra të ndryshme, nga traktatet e ‘miqësisë’ te kontrolli i drejtpërdrejtë. Shkrimtarët romakë i prezantonin këto luftëra a thua se qenë përplasje mes dy shtetesh për supremacinë në Itali. Ato natyrisht nuk ishin të tilla, por shkalla e konfliktit ishte diçka e re dhe hapi siparin për të ardhmen. Në Betejën e Sentinumit, romakët u përballën me një grup të madh armiqsh (‘aleancë’ mund të jetë një fjalë tepër formale për të): vetë samnitët, si dhe etruskët dhe galët nga pjesa më veriore e gadishullit. Numri i lartë i luftëtarëve duket se ka tërhequr vëmendjen e Duris në Samos, i cili regjistroi numrin e stërmadh dhe të pagjasë të 100 mijë viktimave mes samnitëve dhe aleatëve. Shkrimtarët romakë e panë këtë si një fitore veçanërisht heroike. Ajo madje u bë edhe temë e një tragjedie shoviniste romake dyqind vjet më vonë, e plotësuar me një kor tragjik ushtarësh romakë dhe që paraqiste një nga komandantët romakë të tillë që dha jetën për të siguruar suksesin e ushtrisë. Por ata edhe debatuan, siç vijojnë ta bëjnë shkollarët modernë, se sa realisht e madhe ishte kjo betejë, më e madhja nga të gjitha betejat. Livi nuk tregoi shumë durim me vlerësimet e Duris mbi shkallën e betejës e madje edhe me shifra më të fryra me të cilat u përball gjatë kërkimeve të tij. Nëse vlerësimi i tij për forcat romake prej rreth 16 mijë burrash (plus shumë aleatë) është korrekt apo jo, kjo është e pamundur të mësohet. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: ishte një botë e ndryshme luftarake nga përplasjet e nivelit të ulët të shekullit të pestë p.e.s.

Kjo është një botë që ne ende mund ta dallojmë në një zbulim të jashtëzakonshëm të kryer në gërmimet e viteve 1870 në atë që dikur duhet të ketë qenë fundi i qytetit të lashtë të Romës: një fragment joshës i vogël pikture, nga një varr, që ndoshta daton nga fillimi i shekullit të tretë p.e.s. Në origjinal, kjo ishte një pikturë shumë më e madhe, e cila mbulonte një mur të tërë dhe ajo është organizuar në një seri kuadratesh, njëri mbi tjetrin, të cilat mendohet se paraqesin skena nga këto konflikte mes Romës dhe samnitëve. Nëse është kështu, kjo është piktura e parë e mbijetuar në Perëndim që tregon një fushatë ushtarake të identifikueshme dhe reale - e konkurruar nga vetëm një skenë tjetër më e përgjithshme lufte e pikturuar në një varr në Italinë e Jugut, për të cilën disa arkeologë me optimizëm e kanë imagjinuar si një paraqitje të fitores krenare të samnitëve në grykën Kaudine.

Interpretimi i kësaj pikture ka qenë shumë i debatuar dhe tashmë ajo për fat të keq është gërryer, por tipari i përgjithshëm është mjaftueshëm i qartë. Pjesa më e poshtme paraqet luftimet trup me trup, të dominuara nga një burrë, helmeta elegante e të cilit zgjatet te skena më sipër; skena më sipër tregon disa përleshje imponuese. Secila nga dy skenat e ruajtura më mirë tregojnë një burrë me togë të shkurtër që mban një ushtë. Njëri prej tyre, ka gjasa që të dy ka emrin ‘Q_Fabius’ dhe ndoshta është Kuintus Fabius Maksimus Rulianus, i cili ishte oficer komandues në Sentinum dhe që i dha Barbatusit rolin e tij të vetëm të latuar në betejë, duke e instruktuar atë ‘të sillte rezervat nga prapavija’. Këtu ai tregohet- me një shpurë parazitësh pas tij në një shkallë dallueshëm më të vogël në dukje në negociata me ‘Fanius’, një luftëtar pa armë, i veshur me pajime ushtarake që përfshijnë mbrojtëse të rënda këmbësh dhe në një rast me një helmetë me pupla, i cili po i zgjat dorën e zhveshur të djathtë. A është Faniusi një samnit që po i dorëzohet një përfaqësuesi të racës që vesh toga’ - pikturuar ekzaktësisht i tillë në këtë pikturë të shekullit të tretë p.e.s.?

Nëse shohim këto imazhe të thjeshta dhe të stilizuara, romakët mund të duken kundërshtarë mëse të aftë për Aleksandrin e Madh. Por nëse do të ishin apo jo me të vërtetë të aftë për ta mposhtur atë, kjo është çështja që Livi e ngre në një devijim të gjatë nga tema në Historia menjëherë pas përshkrimit të rimëkëmbjes mbresëlënëse të Romës nga poshtërimi në grykën Kaudine. Atij nuk i shpëtoi nga vëmendja fakti se luftërat samnite po zhvilloheshin në Itali në fund të shekullit të katërt p.e.s., pak a shumë e njëjta kohë kur mbreti maqedonas po zhvillonte fushatën e tij shkatërrimtare në Lindje. Në kohën kur Livi jetoi, gjeneralët e Romës kishin kohë që përpiqeshin ethshëm të imitonin Aleksandrin. Ata imitonin stilin e tij të dalluar të flokëve dhe e thërrisnin veten ‘I madh’, ndërkohë që si Jul Cezari ashtu edhe perandori i parë Augusti, bënë pelegrinazh në varrin e Aleksandrit në Egjipt- kështu thuhej- dhe ai theu aksidentalisht hundën e kufomës, ndërkohë që i bëri homazhin. Pra nuk është çudi që Livi peshoi pyetjen klasike kundërfaktuale: kush do të kishte fituar nëse Aleksandri do ta kthente ushtrinë e tij drejt Perëndimit dhe do të përballej me romakët në vend të persëve?

Aleksandri, pranon ai, ishte një gjeneral i madh, megjithëse jo pa defekte, pija mes të tjerave. Por romakët kishin avantazhin që nuk vareshin nga nj ë udhëhe qës i vetëm karizmatik. Ata kishin thellësi në komandën e tyre, mbështetur nga një disiplinë e jashtëzakonshme ushtarake. Ata kishin gjithashtu, këmbëngulte ai, mundësinë për të thirrur një numër më të madh trupash të stërvitura mirë- falë aleancave të Romës në të gjithë Italinë- dhe aftësinë për të thirrur përforcime pak a shumë kurdo që i nevojitej. Shkurt, përgjigjja e tij ishte se, nëse do t’i jepej mundësia, romakët do ta kishin mposhtur Aleksandrin.

Ekspansion, ushtarë dhe qytetarë

Në mënyrën e tij të tërthortë, Livi - i cili në disa raste duket paksa i ngathët në analizën e tij - ofron një përgjigje të perceptuar për pyetjen se çfarë i bënte ushtritë romake të kësaj periudhe kaq të mira për të fituar dhe se si ndodhi që Roma e shtriu kontrollin kaq shpejt në pjesën më të madhe të Italisë. Kjo është një nga të paktat raste në të cilat ai sheh nën sipërfaqen e narrativës, duke theksuar faktorë shoqërorë dhe strukturorë, nga organizimi i komandës së Romës te burimet dhe fuqia njerëzore e saj. la vlen ta shtyjmë argumentin e Livit pak më tutje, për të menduar më shumë për atë që ndodhi, në retrospektivë, në fillesat e Perandorisë Romake.

Dy gjëra janë të qarta dhe minojnë disa mite keqinterpretuese moderne mbi fuqinë e Romës dhe ‘karakterin’ e saj. E para, romakët nuk qenë për nga natyra më luftarakë sesa fqinjët dhe bashkëkohësit e tyre, dhe nuk qenë më luftarakë nga sa qenë të aftë për ndërtimin e rrugëve dhe urave më të mira. Është e vërtetë se kultura romake i jepte një vlerë të lartë të jashtëzakonshme - dhe të pakëndshme për ne- suksesit në luftë. Aftësia, trimëria dhe dhuna vdekjeprurëse në betejë lavdëroheshin vazhdimisht, nga gjeneralët e suksesshëm që parakalonin nëpër rrugë te turmat që përshëndesnin me gëzim procesionin e tij triumfal, tek ushtarët e zakonshëm që tregonin gjurmët e plagëve të betejave në mes të debateve politike, me shpresë se këto plagë do t’u jepnin më shumë vlerë argumenteve të tyre. Në mesin e shekullit të katërt p.e.s. baza e platformës kryesore të folësve në Forum ishte dekoruar me sqepat e bronzit të anijeve armike të kapura nga qyteti i Antiumit gjatë Luftës Latine, a thua se ato simbolizonin themelimin ushtarak të Romës si fuqi politike. Fjala latine për ‘sqep’, rostra u bë emri i platformës dhe i dha anglishtes moderne fjalën e saj ‘rostrum’ (ekuivalenti në shqip ipodium).

Megjithatë duhet të jesh naiv të imagjinosh se popujt e tjerë në Itali qenë të ndryshëm. Këta qenë grupe shumë të ndryshme, me shumë më tepër larmishmëri, në gjuhë, kulturë dhe organizim pohtik, nga sa supozohet nga kategorizimi i tyre i përgjithshëm si ‘italianë’. Por që të gjykojmë nga ajo pak gjë që ne dimë prej shumicës së tyre, nga pajisjet ushtarake të gjendura në varre te referencat rastësore e kalimtare në literaturë mbi plaçkitjet e tyre, luftërat dhe krimet, mund të themi se ata qenë po aq shumë të angazhuar për militarizëm sesa romakët e ndoshta po aq të babëzitur për plaçkitje. Kjo ishte një botë ku dhuna ishte e gjithëpërhapur, përleshjet me fqinjët qenë të përditshme, plaçkitjet qenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për këdo dhe shumica e mosmarrëveshjeve zgjidheshin me forcë. Dykuptimësia e fjalës latine hostis e shpreh shumë mirë mungesën e dallimit mes ‘të huajit’ dhe ‘armikut’. Po kështu shpjëgohet edhe fraza standarde latine ‘në shtëpi dhe jashtë’ - domi militiaeque. - në të cilën fjala ‘jashtë’ (militiae) është e padallueshme nga ‘në fushatë ushtarake’. Nuk ka dyshim që shumica e popujve të gadishullit ndanin të njëjtat pikëpamje. Të ishe jashtë vendbanimit ishte pothuajse dhe gjithmonë e barasvlefshme me të qenët në luftë.

E dyta, romakët nuk e kishin në plan të pushtonin dhe kontrollonin Italinë. Nuk pati ndonjë klikë sekrete romake në shekullin e katërt p.e.s. që të ulej me një hartë për të komplotuar për rrëmbim tokash në atë mënyrë territoriale që ne e lidhim me shtetet kombe imperialiste të shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzet. Sa për fillim, aq thjesht sa tingëllon, ata nuk kishin harta. Kjo nënkupton se mënyra se si ata ose çdo popull tjetër ‘parakartografik’ e konceptonte botën përreth tyre ose botën përtej asaj që shihnin me sy, është një nga misteret më të mëdha të historisë. Unë jam përpjekur të shkruaj për përhapjen e fuqisë romake nëpër gadishullin e Italisë, por askush nuk e di se sa shumë prej atyre - ose, në mënyrë më realiste, sa pak prej romakëve të kësaj periudhe e mendonin atdheun si pjesë të një gadishulli në të njëjtën mënyrë se si e imagjinojmë ne. Një version rudimentar i kësaj ideje ndoshta nënkuptohet në disa referenca në literaturën e shekullit të dytë p.e.s., ku Adriatiku njihet si Deti i Sipërm, ndërsa Tirreni si Deti i Poshtëm, por ndoshta kjo mbështetet në një konvencion të ndryshëm orientimi nga ky i yni, lindje-perëndim më shumë sesa veri-jug.

Këta romakë e panë ekspansionin e tyre më shumë në termat e ndryshimit të marrëdhënieve me popujt e tjerë sesa në termat e kontrollit të territorit. Natyrisht, rritja e fuqisë së Romës e transformoi në mënyrë dramatike panoramën e Italisë. Kishte pak gjëra dukshëm më transformuese sesa një rrugë krejt e re romake që godiste nëpër fushat bosh apo te tokat që aneksoheshin dhe ndaheshin mes banorëve të rinj. Ka deri në një farë mase kuptim të matësh fuqinë e Romës në Itali në termat e sipërfaqes gjeografike. Megjithatë dominimi i Romës ishte para së gjithash mbi njerëzit dhe jo mbi vendet. Siç e shihte Livi, ndryshimet kyçe të zgjerimit të hershëm të Romës qenë marrëdhëniet që Roma krijoi me këta popuj.

Kishte një detyrim që romakët ua imponuan të gjithë atyre që u vunë nën kontrollin e tyre: konkretisht, ata qenë të detyruar të siguronin trupa për ushtritë e Romës. Në fakt, për shumicën e atyre më vona. Është e paimagjinueshme që burrat e shekullit të katërt p.e.s. të uleshin dhe të debatonin implikimet ekzakte të civitas sine suffragio apo privilegjeve ekzakte që shoqëronin të qenët një koloni ‘latine’. Ka më tepër gjasa që ata po improvizonin në marrëdhëniet e tyre të reja me popuj të ndryshëm në botën jashtë, duke përdorur apo përshtatur kategorizimet e tyre ekzistuese dhe rudimentare të shtetësisë dhe etnicitetit.

Sërish pasojat qenë revolucionare. Duke u dhënë shtetësi njerëzve që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë territoriale me qytetin e Romës, ata thyen lidhjen, të cilën shumica e popujve në botën klasike e merrnin si të mirëqenë, mes shtetësisë dhe një qyteti të vetëm. Kjo bëri të mundur jo vetëm që të bëheshe Romak, por gjithashtu, për herë të parë në mënyrë sistematike, mund të ishe njëkohësisht shtetas i dy vendeve njëkohësisht: një qyteti i vendbanimit dhe dy i Romës. Përmes krijimit të kolonive të reja latine në të gjithë Italinë, ata ripërkufizuan fjalën ‘latin në mënyrë që ajo të mos ishte më një identitet etnik, por një status politik i palidhur me racën apo gjeografinë. Kjo vendosi bazat për një model të shtetësisë dhe ‘përkatësisë’ që pati rëndësi të stërmadhe për idetë romake të qeverisjes, të të drejtave politike, etnicitetit dhe ‘identitetit kombëtar’. Ky model shpejt u shtri edhe përtej deteve dhe eventualisht krijoi Perandorinë Romake.

Shkaqet dhe shpjegimet

Nuk ka asnjë simbol më të gjallë të ndryshimit të marrëdhënies së Romës me botën e jashtme në fillim të shekullit të katërt p.e.s. sesa muri i stërmadh i ngritur përreth qytetit në vitet pasi ikën Galët, një perimetër prej 11 kilometrash dhe në disa vende, deri katër metra i trashë. Ai ishte njëkohësisht një projekt ndërtimor i stërmadh (më shumë se 5 milionë orë pune krahu të angazhuara në ndërtim, sipas një vlerësimi) dhe një simbol mburrës i rëndësisë dhe vendit të Romës në botë. Nuk ka dyshim, siç bien dakord si historianët e lashtësisë ashtu edhe ata modernë, se ishte rreth kësaj kohe kur ekspansioni ushtarak i Romës filloi të shtrihej përtej rrethinave të saj. Nuk ka gjithashtu asnjë dyshim se ekspansioni, pasi filloi, u ushqye më shumë se nga çdo gjë tjetër nga burimet dhe njerëzit që u shtuan me aleancat që pasuan fitoret e tyre.

Por se çfarë e shkaktoi ndryshimin mbetet një pyetje e vështirë. Çfarë ndodhi në fillim të shekullit të katërt p.e.s. që i hapi rrugë kësaj faze të re të aktivitetit ushtarak të Romës? Asnjë shkrimtar i lashtësisë nuk guxon të japë një përgjigje, përveç idesë së pagjasë se farat e dominimit botëror qenë mbjellë në një farë mënyre që në fillim. Ndoshta sulmi i galëve prodhoi një vendosmëri të romakëye që të mos ziheshin në një situatë të tillë, duke marrë një qëndrim ofensiv në vend që të detyroheshin të rrinin në mbrojtje. Ndoshta për të ndezur procesin e ekspansionit u deshën vetëm disa fitore me fat në luftimet endemike të rajonit, pasuar nga një numër aleancash dhe trupash shtesë të krijuara nga këto aleanca. Sido që të jetë, ka gjasa që ndryshimet dramatike në politikën e brendshme luajtën një rol në këtë drejtim.

Deri tani në eksplorimin e kësaj periudhe, unë e kam mbajtur në përgjithësi historinë e brendshme të Romës të ndarë nga historia e ekspansionit të saj. Kjo e bën historinë më të qartë, por ka tendencën të lërë në hije ndikimin e politikës së brendshme në marrëdhëniet me botën përtej dhe anasjelltas. Në vitin 367 p.e.s., Konflikti i Klasave bëri diçka shumë më të rëndësishme dhe me gamë të gjerë pasojash sesa thjesht t’i jepte fund diskriminimit ndaj plebenjve. Ajo efektivisht zëvendësoi një klasë qeverisëse të përcaktuar nga lindja me një klasë të përcaktuar nga pasuria dhe suksesi në jetë. Ky është pjesërisht argumenti që gjendet në epitafin e Barbatusit: megjithëse ai ishte patric i familjes Shipio, ajo që vlen janë postet që mbajti, cilësitë personale që demonstroi dhe betejat që fitoi. Asnjë arritje nuk ishte më e demonstrueshme dhe më e lavdërueshme sesa fitorja në betejë dhe dëshira për fitore mes elitës së re ishte një faktor i rëndësishëm në intensifikimin e aktivitetit ushtarak dhe në nxitjen e luftës.

Në të njëjtën mënyrë, ishte pushteti mbi popuj gjithnjë e më të largët dhe kërkesat e një ushtrie pushtuese që sollën shumë nga inovacionet që revolucionarizuan luftën në vetë Romën. Një shembull i rëndësishëm për këtë është shtypja e monedhës. Nga fillesat në historinë e vet qyteti kishte një sistem standard në përcaktimin e vlerës monetare nga pesha e metalit; kjo është e dallueshme te Dymbëdhjetë Tabelat, të cilat i përcaktojnë dënimet në njësi bronzi. Por nuk kishte prodhim monedhash si monedha deri në fund të shekullit të katërt p.e.s., kur monedhat romake’ u prodhuan për herë të parë, në Italinë e Jugut, me gjasa për të paguar për luftë apo për ndërtim rruge atje.

Më në përgjithësi, nëse ne shtrojmë pyetjen se çfarë e transformoi botën relativisht të thjeshtë të Dymbëdhjetë Tabelave në një botë relativisht komplekse të vitit 300 p.e.s., faktori më me ndikim duhet të jenë me siguri përmasat e mëdha të dominimit të Romës dhe kërkesat organizative të luftës në shkallë të gjerë. Thjesht logjistika e transportit, furnizimit dhe pajisjes së kërkuara në organizimin e një fushate me 16 mijë romakë (nëse përdorim vlerësimin e Livit), plus aleatëve, do të kërkonte një infrastrukturë të paimagjinueshme në mesin e shekullit të pestë p.e.s. Megjithëse unë jam përpjekur të shmang terma të tillë modernizues si ‘aleancë’ apo ‘traktat’ kur i referohem aktivitetit të Romës në shekullin e pestë p.e.s., rrjeti i lidhjeve romake në të gjithë gadishullin dhe përkufizimet e ndryshme të marrëdhënieve të Romës me bashkësi të ndryshme në fund të shekullit pasues i bëjnë këto terma akoma më shumë të papërshtatshme. Ekspansioni ushtarak i Romës solli sofistikim.

Varri familjar i Shipio Barbatusit tashmë duket veçanërisht arkaik, dhe - me gurin e tij të vrazhdë të zonës dhe dekodacionet e gdhendura më së shumti të parafinuara plus shprehja paksa e vjetër e epitafit (për shembull, consol në vend të consul) - ai duhet t’i jetë dukur jashtëzakonisht demode çdo romaku që mund ta ketë vizituar në shekullin e parë p.e.s. Por në ditët e tij, Barbatusi ishte pjesë e një gjenerate që përcaktoi mënyrën e re të të qenët romak dhe krijoi një vend të ri për Romën në botë. Pasardhësit e tij e çuan atë edhe më tutje dhe tani është koha të flasim për ta.

info@balkancultureheritage.com