(Përmbledhje e historisë së Filipit) të Pompei Trogut
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Libri VII

Maqedonia quhej më parë Emathi , sipas emrit të Emathit, i cili qe i pari që dha shembull trimërie në këtë vend. Territori i saj rritej shumë me ngadalë dhe kufijtë e saj ishin shumë të ngushtë. Populli quhej pellazg, kurse krahina Botia. Por me kalimin e kohës, në saje të guximit të mbretërve dhe energjisë së popullit, Emathia, pasi nënshtroi në fillim fqinjët e saj, dhe më vonë dhe shumë fise e popuj të tjerë, u zgjerua deri në kufijtë më të largët lindorë. Në Paioni, që është tani një pjesë e Maqedonisë, thonë se ka sunduar Telegoni, i ati i Asteropeut, emri i të cilit ka arritur deri tek ne midis emrave të mbrojtësve më të lavdishëm të qytetit /Trojë/ në kohën e luftës trojane. Në anën tjetër, në Evropë, ishte mbret Europi. Por papritur erdhën në Emathi Karani me shumë grekë, i cili ishte lejuar nga orakulli që të kërkonte në Maqedoni vend për t'u vendosur.

Pas Karanit sundoi Perdika. Edhe jeta e tij ka qenë e lavdishme dhe e përmendur porosia e tij para vdekjes, që i ngjan fjalëve të një orakulli. Dhe pikërisht, kur po vdiste, në moshë shumë të thyer, ai i tregoi të birit, Argeut, vendin ku dëshironte të varrosej. Ai urdhëroi që po këtu të varrosen pasardhësit e tij dhe paralajmëroi se sa kohë që pasardhësit e tij do të varrosen këtu, fisi i tij do ta ruajë pushtetin mbretëror. Ata, duke i besuar kësaj legjende, mendojnë se fisi i Perdikës u shua me Aleksandrin, sepse ai ndërroi vendin e varrezës mbretërore. Argeu, i cili sundoi me butësi dhe gëzonte dashurinë e popullit, la si pasardhës Filipin, i cili përpara vdekjes së tij të parakohshme caktoi si pasardhës Aeropin që ishte akoma i mitur. Por në këtë kohë maqedonasit ishin në luftëra të pandërprera me thrakët dhe ilirët. Të kalitur në këto lufta, si në stërvitje të përditshme ushtarake, maqedonasit u kallnin frikën fqinjëve me lavdinë e trimërisë së tyre. Dhe ja tani që në Maqedoni mbret ishte një i mitur, ilirët vendosën të shfrytëzonin rastin dhe u hapën luftë maqedonasve. Pasi u mundën /në një betejëj ata /maqedonasit/ morën me vete mbretin në djep, e vunë mbas rreshtave të ushtrisë dhe rifilluan luftën, duke menduar se kishin humbur, sepse kishin luftuar jo para syve të mbretit të tyre, kurse tani do të fitonin sepse besimi do ta forconte vullnetin për fitore. Në të njëjtën kohë u vinte edhe keq për fëmijën, i cili siç u dukej atyre, për fajin e tyre do të kthehej nga mbret në rob, në qoftë se ata do të mundeshin. Dhe kështu, duke e rifilluar luftën, ata i thyen ilirët pa një përleshje të ashpër dhe u treguan armiqve se në luftën e parë, maqedonasve, nuk u mungonte burrëria, por mbreti.

Pasardhësi i Aeropit ishte Amynta...

... Edhe Amynta luftoi me ilirët e olynthasit.

Në fillim të sundimit të tij Aleksandri mundi të shpëtojë nga luftërat me ilirët, pasi u mor vesh me ta për sasinë e tributit që do t'u paguante dhe si u dha peng vëllanë e tij, Filipin

Kur /Filipi/ mori pushtetin , të gjithëve filluan t'u ngjallen shpresa të mëdha, si për shkak të cilësive të tij të ralla, të cilat tregonin për një njeri të madh, ashtu edhe pse një profeci e vjetër thoshte se gjatë sundimit të njërit prej bijve të Amyntës, mbretëria maqedonase do të lulëzojë. Në fillim të sundimit të tij, këtë djalë të ri e mundonin shumë mendime; vrasja kriminale e vëllezërve, armiqtë e shumtë, frika nga intrigat dhe varfërimi i mbretërisë së cfilitur në luftërat e vazhdueshme. Popuj të shumtë u sulën nga të gjitha anët dhe në të njëjtën kohë kundër Maqedonisë, sikur të kishin bërë kundër saj një komplot. Meqenëse nuk mund t'ua dilte të gjithëve pëmjëherë, Filipi vendosi të çlirohej prej tyre veçmas; disa nga armiqtë ai i qetësoi duke lidhur me ta marrëveshje, të tjerëve u dha të holla, më të dobëtit i sulmoi dhe me këtë u dha zemër ushtarëve të demoralizuar, kurse armiqtë i detyroi të ndryshojnë qëndrimin e tyre përbuzës ndaj tij. Para së gjithash ai luftoi me athinasit, i mundi ata me dinakëri dhe megjithëse mund t'i vriste që të gjithë, nuk i preku as nuk u mori tribut, nga frika se mos shkaktonte ndonjë luftë më të tmerrshme. Pas kësaj Filipi u hodh në Iliri dhe vrau këtu me mijëra armiq. Prej këndej ai sulmoi papritur Thesalinë, ku nuk e prisnin fare luftën dhe i sulmoi jo për të bërë plaçkë, por se kishte dëshirë të madhe të bashkonte me ushtrinë e vet kalorësinë e fuqishme thesale; këtu ai mori qytetin e përmendur Larisa dhe krijoi një ushtri të bashkuar e të pathyeshme me njësi këmbësorësh e kalorësie. Pasi punët i shkonin mbarë, ai u martua me Olympinë, bijën e Neoptolemit, mbret të molosëve. E bëri këtë krushqi tutori i vajzës, kushëriri i parë i saj nga babai, mbreti i molosëve Arryba, që ishte martuar me motrën e Olympisë, Troan. Për Arrybën kjo u bë shkaku i rënies dhe i gjithë fatkeqësive të tij. Arryba mendonte se në saje të krushqisë me Filipin do ta rriste shtetin e tij, por po nga ky Filip ai humbi mbretërinë e tij dhe u plak në mërgim.

Pasi i pruri punët deri këtu, Filipin nuk e kënaqte më mbrojtja nga sulmet e armiqve dhe filloi vetë të sulmojë të tjerët.

Libri VIII

Pasi i rregulloi punët dhe vendosi rendin në Maqedoni, Filipi pushtoi, me anë të djallëzisë dhe dinakërisë, tokat e dardanëve dhe të fiqnjëve të tjerë; por edhe njerëzit e tij më të afërm nuk i mëshiroi; kështu ai vendosi të rrëzojë nga froni mbretin e Epirit Arrybën, që kishte lidhje të ngushta farefisnie me gruan e Filipit, Olympinë, kurse Aleksandrin, thjeshtrin e Arrybës, vëllanë e gruas së vet, Olympisë djalë i ri e me karakter të pastër, Filipi e thirri në Maqedoni, gjoja me kërkesën e motrës së tij. Ai përdori të gjitha mjetet për ta përzier në veprimet e tij të këqija herë duke i premtuar kurorën mbretërore, herë duke iu shitur se e donte; Filipi mendonte se më vonë Aleksandri do t'i bindej plotësisht, qoftë prej turpit, qoftë i shtyrë nga ndjenja e mirënjohjes për të mirën /e premtuar/ d.m.th. pushtetin mbretëror. Prandaj, kur Aleksandri mbushi njëzet vjeç, Filipi, me gjithë moshën e tij të njomë, i dha atij mbretërinë që ia kishte rrëmbyer Arrybës, duke kryer kështu një krim ndaj të dyve.

Sepe ndaj atij që i rrëmbeu fronin ai shkeli zakonin e farefisnisë, kurse atë, të cilit i dha mbretërinë, e korruptoi para se ta bënte mbret.

Libri IX

Ndërsa po mblidheshin ushtritë ndihmëse në Greqi, Filipi po festonte dasmën e vajzës së tij Kleopatrës me Aleksandrin, të cilin e bëri mbret të Epirit...

Mendonin edhe se Pausania qe shtyrë nga Olympia, e ëma e Aleksandrit, por edhe vetë Aleksandri, me sa duket, kishte dijeni për kurthin që po kurdisej, për vrasjen e të atit, sepse Olympia vuante jo më pak nga që ishte braktisur dhe në vend të saj ishte preferuar Kleopatra, se sa Pausania nga poshtërimi që i ishte bërë.

Aleksandri, nga ana e tij, kishte frikë se vëllai lindur nga njerka do t'i bëhej rival; për këtë ai bile një ditë u grind gjatë pijes në fillim me Atalin dhe pastaj edhe me të atin; puna arriti deri atje sa që Filipi iu lëshua mbrapa Aleksandrit me shpatë të shpërveshur dhe vetëm miqtë mezi e përmbajtën mbretin që të mos vrasë të birin.

Për këtë shkak Aleksandri, së bashku me të ëmën, u largua në fillim tek daja, në Epir, dhe prej këndej tek mbreti i ilirëve. Me të atin, i cili e thirri të kthehej, u pajtua jo me qejf dhe u kthye kundër vullnetit të tij, vetëm për të mos u a prishur farefisit të tij që e lutën shumë. Olympia nga ana e saj, e nxiste të vëllanë Aleksandrin, mbretin e Epirit, në luftë kundër Filipit dhe do t'ia kishte arritur qëllimit, sikur Filipi të mos e kishte bërë Aleksanrin dhëndër, duke i dhënë të bijën. Mendonin se si njëri, si tjetra /Aleksandri/ dhe Olympiaj prej zemërimit e shtynë

Pausanien e pakënaqur, nga që ai që e kishte poshtëruar nuk po dënohej, të kryente këtë krim të shëmtuar. Olympia me sa duket, mbante të gatshëm kuajt për vrasësin, në qoftë se ai do të arratisej. Kur mori vesh për vrasjen e mbretit shpejtoi në varrosjen e tij, me pretekstin se kryente detyrën e fundit, por po atë natë i vuri në kokë Pausanies së kryqëzuar një kurorë të artë. Askush tjetër veç saj s'mund ta merrte këtë guxim, kur pas Filipit mbeti i biri. Pas disa ditësh, ajo e dogji trupin e vrasësit mbi mbeturinat e burrit të saj dhe urdhëroi që në atë vend të ngrihej një tumë; ajo u kujdes edhe që të vdekurit t'i bëheshin flijime çdo vit, sipas zakonit të popullit. Pastaj Olympia e detyroi Kleopatrën, për shkak të së cilës Filipi u nda me të, të varet, pasi i vrau, në duart e saj, të bijën. Me vrasjen e shemrës së saj ajo e shoi etjen që kishte për hakmarrje, të cilën u shpejtua ta kryente me vrasjen e të shoqit. Më në fund ajo i kushtoi Apollonit në emrin e Myrtales, shpatën, me të cilën u vra mbreti; këtë emër Olympia e mbante kur ishte e mitur. Të gjitha këto ajo i bënte kaq hapur, sikur të kishte frikë se mos krimin e kryer nuk do t'ia vishnin asaj.

Libri XI

Meqenëse në ushtrinë e Filipit bënin pjesë njerëz nga popuj të ndryshëm, atëherë kur ai u vra të gjithë e kuptuan atë sipas mënyrës së tyre. Ata që ishin të skllavëruar padrejtësisht filluan, sigurisht, të shpresojnë se do të fitonin lirinë, të tjerët i kishte mërzitur shërbimi ushtarak dhe ishin të gëzuar se shpëtuan nga fushata e Azisë, disa i kishte pikëlluar fakti se me fiaksen që u ndez për dasmën e së bijës, u takoi të ndezin zjarrin e përmortshëm të të atit; kurse miqtë /e mbretitj, pas këtij ndryshimi të papritur, i kapi frika e madhe. Ata herë parafytyronin Azinë e thirrur në luftë, herë Evropën akoma të panënshtruar, herë ilirët, thrakët, dardanët dhe fiset e tjera barbare, besnikëria e të cilëve ishte e dyshimtë dhe që në shpirt ishin tradhëtarë; në qoftë se të gjithë këta popuj do të shkëputeshin nga Maqedonia, atëherë do të ishte e pamimdur t'u bëhej ballë.

Ndërkaq Dari doli në fushë të betejës me katërqind mijë këmbësorë dhe njëqind mijë kalorës. Numri i madh i ushtrisë armike, në krahasim me ushtrinë e vogël të tij, filloi ta shqetësonte pak Aleksandrin. Por ai u kujtua, në të njëjtën kohë, se çfarë heroizmash kishte bërë me atë grusht ushtarësh dhe sa popuj kishte thyer në beteja. Dhe ja kur shpresa fitoi mbi frikën, Aleksandri vendosi se ishte shumë e rrezikshme ta shtynte përleshjen, sepse ushtria mund të demoralizohej. Ai vizitoi gjithë ushtrinë dhe popujve të ndryshëm iu drejtua me fjalë të ndryshme. Ilirët dhe thrakët ai i gaboi me pasuritë e mëdha /të persëve/, grekët i ndezi duke u sjellë ndërmend luftërat e mëparshme dhe urrejtjen e madhe ndaj persëve, kurse maqedonasve u kujtonte herë Evropën e nënshtruar, herë Azinë që duhej ta pushtonin, dhe i lëvdoi si ushtarë që s'e kanë shokun në botë.

Libri XII

Aleksandrit i erdhi një letër nga Maqedonia, me të cilën Antipatri e njoftonte mbi rezultatin e luftës së mbretit Agis të Spartës në Greqi, të mbretit të Epirit Aleksandër në Itali dhe të mëkëmbësit /të Aleksandrit/ Zopyrit në Skythi. Këto lajme i ngjallën Aleksandrit ndjenja të kundërta; por sidoqoftë atë e gëzoi më tepër vdekja e dy mbretërve që ishin rivalë të tij, se sa e hidhëroi humbja e ushtrive të Zopyrit.

Aleksandri, mbreti i Epirit, u nis për në Itali i ftuar nga tarentasit, të cilët i kërkuan ndihmë kundër brutëve. Ai u hodh me kaq pasion në këtë fushatë, sikur, në ndarjen e botës, fati t'i kishte caktuar Aleksandrit, birit të motrës së tij Olympisë, Lindjen, kurse këtij Perëndimin, dhe shpresonte të tregonte në Itali, Afrikë dhe Siqeli jo më pak heroizma se Aleksandri në Azi e Persi. Këtu e shtyu edhe një rrethanë tjetër; ashtu sikurse Aleksandrin e Madh, orakulli i Delfit e paralajmëroi që duhet t'u ruhet intrigave në Maqedoni, ashtu edhe këto /Aleksandrin e Epirit/ Zeusi i Dodonës e paralajmëroi që qyteti Pandosia dhe rryma e Aheronit janë për të fatale. Edhe ky lum edhe qyteti ishin në Epir, por Aleksandri nuk e dinte se në Itali kishte një qytet dhe një lum me po këto emra dhe që t'i largohej rrezikut që i kishte paralajmëruar fati, ai edhe më me pasion e ndërmori këtë fushatë në një vend të huaj. Kur arriti në Itali, në fillim luftoi me apulët, por si mori vesh për fatin që i ishte caktuar qytetit të tyre të parë, bëri shpejt lidhje miqësore me mbretin e tyre...

Ai luftoi edhe me brutët e lukanët dhe u mori shumë qytete; me banorët e Metapontit, me pedikulët dhe me romakët ai hyri në marrëdhënie miqësore dhe lidhi me ta aleancë. Por brutët dhe lukanët, si morën ndihmë nga fqinjët, e rifilluan luftën me një ashpërsi edhe më të madhe. Kështu mbreti edhe u vra afër qytetit Pandosia, tek lumi Aheron, duke marrë vesh vetëm para vdekjes emrin e vendit fatal për të; duke vdekur ai e kuptoi se vdekja nuk e kërcënonte në atdhe prej nga ai u largua. Trupin e Aleksandrit e varrosën banorët e Turit, të cilët e blenë me shpenzime të shtetit.

Kur ditën e katërt Aleksandri e ndjeu se padyshim i kishte ardhur fundi, tha se sheh në këtë /vdekje/ fatin e fisit të tij, sepse shumica e aiakidëve ka vdekur në një moshë më të vogël se tridhjet vjeç.

Libri XIII

Fitoi mendimi i Perdikës dhe me të u bashkuan edhe të tjerët. Kështu u vendos të pritej lindja e Roksanës dhe në qoftë se do të ishte djalë, t'i jepeshin atij si tutorë Leonati, Perdika, Krateri dhe Antipatri; që të gjithë u betuan menjëherë se do t'u binden këtyre tutorëve.

Ndërsa kalorësit u bashkuan me këtë vendim, këmbësorët ishin të zemëruar që nuk i thirrën të mermin pjesë në këtë mbledhje; ata shpallën mbret Arideun, vëllanë e Aleksandrit, zgjodhën nga radhët e tyre gardën e mbretit dhe i urdhëruan atij të quhet sipas emrit të të atit Filip. Kur u thanë për këtë kalorësve, ata dërguan tek këmbësorët dy komandantët e tyre, Meleagrin dhe Atalin, për t'i qetësuar...

Pastaj edhe me kalorësit u arrit një marrëveshje dhe ata pranuan të njohin si mbret Arideun. Një pjesë e shtetit iu caktua edhe të birit të Aleksandrit, po qe se do të lindte. Të gjitha këto bisedime u zhvilluan rreth trupit të Aleksandrit, që ishte vendosur midis një salle, në mënyrë që me madhështinë e tij mbretërore të ishte, si të thuash, dëshmitar i gjithë këtyre vendimeve. Kur të gjitha këto vendime u pranuan, në krye të Maqedonisë e të Greqisë u vu Antipatri; administrimi i arkës mbretërore iu la Kraterit, kujdesi për lëmet, ushtrinë dhe mbretërit iu besuan Melegrit dhe Perdikës. Pastaj /Perdika/ ndau midis komandantëve kryesorë provincat, me qëllim që t'i largonte rivalët dhe që ata, në të njëjtën kohë, ta quanin këtë si një dhuratë të tij. Egjiptin me një pjesë të Afrikës dhe Arabisë, i pari e mori Ptolemeu, të cilin Aleksandri, për trimëri, e kishte bërë nga ushtar i thjeshtë komandant. Si ndihmës për administrimin e provincave atij i dhanë Kleomenin që kishte ndërtuar Aleksandrinë. Krahinën fqinje, Sirinë, e mori Laomedoni prej Mytilene, Kilikinë - Filota. Uiri Pito u vu në krye të Medisë së Madhe, Artopati, vjehërri i Perdikës, në krye të Medisë së Vogël. Kenit iu caktua Suziana, kurse Frygia e Madhe Antigonit, birit të Filipit. Lykinë dhe Pamfilinë e mori me short Nearhu, Karinë - Kasandri, Lydinë - Menandri. Leonatit i ra Frygia e Vogël, Thrakia dhe krahinat e bregut të Detit të Zi - Lysimahut, Kapadokia me Paflagoninë - Eumenit. Kryekomandant i lëmeve u bë Seleuku, i biri i Antiohut. Në krye të gardës mbretërore u vu Kasandri, i biri i Antipatrit...

... Gjendja shqetësuese në Maqedoni e detyroi Kasandrin të kthehet nga Greqia në atdhe. Puna ishte se kur e ëma e Aleksandrit, Olympia, u nis për në Maqedoni e shoqëruar nga Aiakidi, mbreti i molosëve, Eurydika dhe mbreti Adrideu u munduan ta pengojnë të hyjë në Maqedoni. Por maqedonasit kaluan në anën e saj, qoftë për nderim të kujtimit të burrit të saj dhe madhështisë së të birit, qoftë të zemëruar nga sjellja e keqe /e Eurydikës dhe Arideut/; atëherë, me urdhër të Olympisë, Eurydika dhe vetë mbreti, që kishte sunduar për gjashtë vjet pas vdekjes së Aleksandrit, u vranë.

Por Olympia nuk sundoi gjatë. Sepse ajo, duke vepruar jo si një sunduese /e arsyeshme/, por si grua /hakmarrëse/, dënoi gjithë njerëzit e shquar të shtetit, njërin pas tjetrit dhe gjithë simpatinë që gëzonte e ktheu në urrejtje. Prandaj, kur dëgjoi për afrimin e Kasandrit, meqenëse nuk u besonte maqedonasve u largua bashkë me të renë e djalit Roksanën dhe nipin, Herkulin, për në Pydna. Në këtë rrugë atë e ndoqi Deidamea, e bija e mbretit Aiakid dhe thjeshtra Thesalonika, që ishte bërë e njohur në saje të të atit të saj, Filipit, si edhe shumë gra të parisë - një suitë më tepër e shkëlqyer se sa e dobishme. Kur ky lajm arriti tek Kasandri, ai shpejtoi menjëherë në Pydna dhe e rrethoi qytetin. E lodhur nga rrethimi i gjatë, uria dhe sulmet armike, Olympia iu dorëzua fituesit, duke i kërkuar t'i falte jetën. Por Kasandri mblodhi popullin me qëllim që të sqaronte se çfarë vendimi ishte i prirur të merrte ai ndaj Olympisë, kurse vetë shtyri farefisin e atyre që kishte dënuar Olympia, që të vishen me rrobe zije dhe të ankohen për ashpërsinë e saj. Maqedonasit të zemëruar, pa nderim ndaj madhështisë së dikurshme, e dënuan me vdekje, duke harruar kështu se në saje të birit dhe të burrit të saj ata jo vetëm kishin jetuar të sigurtë nga fqinjët e tyre, por kishin fituar pasuri të madhe dhe sundimin mbi gjithë botën. Kur Olympia e pa se drejt saj po vinin ushtarët e armatosur, ajo vetë u doli përpara e veshur me rroben mbretërore dhe e mbështetur tek dy shërbyeset. Vrasësit, kur e panë, të mahnitur pij fatit të madhështisë së dikurshme, pasi shkuan nëpër mend emrat e kaq mbretërve të tyre, u ndalën, gjersa Kasandri dërgoi të tjerë, të cilët edhe e vranë. Ajo nuk iu largua shpatës dhe nuk lëshoi klithmën, siç bëjnë zakonisht gratë, por vdiq si vdesin burrat trima, duke ruajtur me dinjitet lavdinë e fisit të saj të vjetër, kështu që dukej sikur të ishte vetë Aleksandri në personin e së ëmës, që ishte duke vdekur. Përveç kësaj, thonë se, duke dhënë shpirt, ajo rregulloi flokët dhe mbuloi këmbët me veshjen, në mënyrë që trupi i saj edhe i vdekur të kishte pamje të denjë.

Pas kësaj, Kasandri u martua me bijën e Arideut, Thesalonikën, kurse të birin e Aleksandrit, bashkë me të ëmën e çoi në kështjellën e Amfilopolit për ta mbajtur nën vërejtje.

Libri XV

Ndërsa po ndodhnin këto Kasandri, duke u kthyer nga Apollonia, ndeshi në fisin e audariatëve, të cilët kërkonin toka të reja për t'u vendosur, pasi kishin lënë tokat e tyre, ku kishin dalë shumë bretkosa e minj. Nga frika se mos audariatët pushtonin Maqedoninë, Kasandri, pasi përfundoi me ta një marrëveshje, i pranoi si besëlidhës dhe u dha për të banuar krahinat më të largëta të shtetit maqedonas.

Libri XVI

Dhe kështu, kur Demetri kishte në dorë forcat e gjithë shtetit maqedonas dhe vendosi të pushtojë Azinë, Ptolemeu, Seleuku dhe Lysimahu, duke kuptuar nga përvoja e luftës së mëparshme se ç'forcë përbën bashkimi, u lidhën prapë me aleancë, bashkuan forcat e tyre ushtarake dhe e shpërngulën luftën në Evropë. Me ta u bashkua si shok dhe aleat lufte, Pirrua, mbret i Epirit, i cili shpresonte se Demetri do ta humbiste Maqedoninë me po aq lehtësi sa edhe e fitoi. Dhe kjo shpresë nuk ishte e kotë; Pirrua e asgjësoi ushtrinë e Demetrit, atë e detyroi të ikë, kurse vetë zuri mbretërinë e Maqedonisë. Ndërsa po ndodhnin këto, Lysimahu vrau dhëndërin e tij

Antipatrin, i cili e akuzonte vjehërrin se në saj të dinakërisë së tij, ai kishte humbur fronin mbretëror të Maqedonisë. Vajzën e tij Eurydikën, që i mbështeste këto akuza, Lysimahu e burgosi...

Por ja, midis Lysimahut dhe mbretit Pirro, të cilët pak më parë vepruan si aleatë kundër Demetrit, filluan grindjet, një e keqe e zakonshme midis dy barbarëve, dhe plasi lufta. Lysimahu e mundi Pirron dhe pushtoi Maqedoninë...

Libri XVII

Ptolemeu nuk e la pa i kushtuar vëmendje edhe Pirros, mbretit të Epirit, i cili mund t'i jepte një ndihmë të madhe palës me të cilën do të bashkohej; kurse ky mbret, duke dashur që të grabiste secilin prej tyre, u ofronte të gjithëve shërbimet e tij. Kështu, duke dashur të ndihmonte tarentasit kundër romakëve, i kërkoi hua Antigonit tridhjetë anije për të transportuar ushtrinë në Itali; Antiohut që kishte më shumë para se ushtri, ai i kërkoi para; Ptolemeut - njësi ndihmëse maqedonase.

Ptolemeu, duke ndjerë dobësinë e vet, nuk mundi t'i kundërshtojë Pirros dhe i dha pesë mijë këmbësorë, katër mijë kalorës dhe pesëdhjetë elefantë, me një afat jo më të gjatë se dy vjet. Për këtë Pirrua mori për grua të bijën e Ptolemeut dhe, pasi bëri paqe me të gjitha fiset fqinje, la vjehërrin si ruajtës të shtetit të tij, në mënyrë që ai të mos bëhej pre e armiqve, sepse gjithë burrat e moshës më të mirë ishin dërguar në Itali.

Por meqenëse u përmend këtu Epiri, duhet treguar diçka mbi prejardhjen e kësaj mbretërie. Si mbretëri e parë në atë krahinë qe ajo e molosve. Pastaj Pirrua, i biri i Akilit, pasi kishte humbur mbretërinë e trashëguar nga i ati, për shkak të mungesës së gjatë në kohën e luftës së Trojës, u vendos në këto vende, banorët e të cilave u quajtën në fillim pirridë pastaj epirotë. Më vonë, kur Pirrua erdhi për të pyetur orakullin në tempullin e Dodonës, rrëmbeu këtu Lanasën, të bijën e Herkulit. Nga kjo martesë ai pati tetë fëmijë. Nga këta, disa vajza i martoi me mbretërit kufitarë dhe me ndihmën e këtyre krushqive arriti të forcohet shumë. Edhe Helenit, birit të mbretit Priam, për merita të veçanta i dha mbretërinë e kaonëve dhe për grua Andromakën, të venë e Hektorit, të cilën e kishte marrë për vete kur ighte ndarë plaçka e Trojës.

Pas pak kohe Pirrua u vra nga Oresti, i biri i Agamemnonit, në Delf, në mes të altarëve të perëndisë. Pas tij erdhi i biri, Piali. Pastaj, sipas radhës, mbretëria zbriti gjer te Tarypa dhe meqenëse nga kjo familje fisnike ky kishte mbetur i vetmi pinjoll, me kujdesin më të madh të të gjithëve, u caktuan për të kujdestarë për ta rritur dhe për ta edukuar me shpenzime publike. E dërguan edhe në Athinë për studime. Sa qe i  ditur më shumë se të parët e tij, aq edhe populli e pati për zemër. Ai qe i pari që rregulloi ligjet, kuvendin e magjistratët e përvitshëm dhe formën e qeverisjes.

Kështu që nga Pirrua ata fituan vendin për të banuar, kurse me Tarypën populli fitoi një jetë më të ngritur. Djali i tij qe Neoptolemi, prej të cilit lindi Olympia, e ëma e Aleksandrit të Madh dhe Aleksandri që sundoi mbi mbretërinë e Epirit pas Neoplolemit dhe që vdiq duke luftuar në Itali në krahinën e brutëve. Pas vdekjes së tij fronin e trashëgoi i vëllai, Aiakidi, i cili me përleshje të parreshtura e në luftë kundër maqedonasve, e lodhi popullin dhe meritoi përbuzjen e qytetarëve; për këtë arsye u hodh në mërgim dhe la në mbretëri djalin e vetëm të tij, Pirron e vogël dyvjeçar. Meqë populli. nga urrejtja kundrejt të atit kërkonte vdekjen e tij, atëherë këtë e morën fshehurazi dhe e shpunë tek ilirët e ia dorëzuan Berojës, bashkëshortes së mbretit Glaukia, për ta mbajtur, se edhe ajo ishte nga familja e

aiakidëve. Atje mbreti, për mëshirë të fatit të djalit, apo i tërhequr nga përkëdheljet fëminore, e mbrojti për shumë kohë nga Kasandri, mbreti i Maqedonisë, i cili e kërkonte duke e kërcënuar edhe me luftë; përveç kësaj, Glaukia e ndihmoi Pirron edhe duke e bërë bir në shpirt. Epirotët, të prekur në zemër nga këto gjëra, e kthyen urrejtjen në mëshirë dhe atë djalë, në moshën njëmbëdhjetë vjeçare, e ftuan rishtazi në mbretëri dhe i vunë kujdestarë, që të qeverisnin, gjersa ai të vinte në moshë. Pastaj ai, që në moshë të re, bëri shumë luftëra dhe aq shumë zuri të çmohej kur i shkuan punët mbarë, sa që e pa se edhe i vetëm mund t'i mbronte tarentasit kundër romakëve.

Libri XVIII

Pirrua, mbreti i Epirit. të cilin c mbuluan ine lutjel e lyre tarentasit, dukcedërguar për së dyti delegatë së bashku me samnitët dhe lukanët, që kishin gjithashtu nevojë për ndihmën e tij kundër romakëve, u premtoi sc do t'u shkonte me ushtrinë /e tij në ndihmë/. E shtynin atë në këto punë jo aq lutjet e tyre për ndihmë, sa shpresa për të sunduar mbi Italinë: dhe sapo i lindi ky mendim. shpirtin e tij të pamposhtur filloi ta brejë dëshira për të imituar paraardhësit e tij ai nuk donte që të dukej më i ulët se xhaxhai i tij Aleksandri. i cili kishte qenë mbrojtës i po atyre tarentasve kundër brutëve, ose të mbetej prapa nga burrëria, në krahasim me Aleksandrin e Madh, i cili duke u larguar kaq shumë nga atdheu, pushtoi Lindjen. Për të ruajtur shtetin, ai la të birin e tij pesëmbëdhjetë vjeçar, Plolemeun; dy bijtë më të vegjël, Aleksandrin dhe Helenin, që të mos i merrte malli gjatë kësaj fushate të gjatë /që do të bënte/. i mori me vete, zbarkoi me ushtrinë e tij në portin e Tarentit. Kur mori vesh për ardhjen e Pirros, konsuli romak Valer Levini u nis me të shpejtë me ushtrinë e tij që të përleshej me Pirron, para se atij t'i vinin përforcime nga aleatët. Por edhe mbreti, megjithëse kishte një ushtri më të vogël nga numri, nuk e shtyu fillimin e betejës. Romakët ishin gati duke fituar, por elefantët që nuk i kishin parë kurrë ndonjëherë, në fillim i tmerruan dhe pastaj i bënë të tërhiqen. Kështu ata që pothuajse kishin fituar, u mundën nga përbindëshat e panjohur maqedonas. Por edhe për armikun fitorja s'qe pa dëme: Pirrua vetë u plagos, pjesa më e madhe e ushtrisë së tij u vra, kurse nga fitorja e tij Pirrua pati më tepër lavdi, se gëzim. Prej përfundimit të kësaj lufte shumë fise kaluan në anën e Pirros. Midis të tjerëve u shkëputën /nga romakët/ edhe lokridasit të cilët e tradhtuan garnizonin romak. Prej plaçkës së kapur Pirrua liroi pa shpërblim dyqind robër, me qëllim që romakët, të cilët kishin njohur trimërinë e tij, të mësonin edhe për shpirtmadhësinë e tij. Pas disa ditësh, kur me Pirron u bashkuan edhe njësitë e aleatëve, ai u përlesh prapë me romakët dhe në këtë betejë fati i buzëqeshi, po ashtu si në të parën.

Ndërkaq, para senatit romak u paraqit strategu kartagas Magon, i dërguar me njëqind e njëzet anije në ndihmë të romakëve dhe filloi t'i bindë ata se kartagasit janë gjoja shumë të hidhëruar që Italia vuan nga lufta me një mbret të huaj; prandaj e dërguan atë me qëllim që romakëve t'u vijë në ndihmë ushtria e tyre, meqenëse ata i kishte goditur një armik i jashtëm. Senati u shprehu kartagasve falënderimet, por ndihmën e tyre nuk e pranoi. Por Magoni, me dinakërinë kartagase, pas pak kohësh shkoi fshehtas tek Pirrua, nën maskën e ndërmjetësit paqësor kartagas, me qëllim që të zbulonte planet e tij ndaj Siqelisë, ku siç kishte dëgjuar ai, Pirron e kishin thirrur.

Sepse shkaku i vërtetë për dërgimin e ndihmës romakëve ishte dëshira e kartagasve për ta mbajtur Pirron në luftë me Romën, në Itali, në mënyrë që ai të mos kishte mundësi të hidhej në Siqeli. Ndërsa po ndodhnin këto, delegati i dërguar nga senati i Romës, Fabric Luscini, u mor vesh me Pirron për paqe. Për ta konfirmuar këtë, Pirrua dërgoi në Romë Kinean me dhurata të mëdha, por Kinea nuk gjeti asnjeri që t'i pranonte këto dhurata. Pothuajse në këtë kohë ndodhi edhe një shembull tjetër i tillë. Delegatët e dërguar nga senati në Egjipt nuk pranuan dhuratat e çmueshme që u dërgoi atyre mbreti Ptoleme, dhe kur pas disa ditësh i thirrën në gosti, kurorat e arta që u kishin dërguar i pranuan si dhurata nderi, por të nesërmen ua vunë në kokë shtatoreve të mbretit.

Prandaj, kur Kinea i njoftoi Pirros se përfundimin e paqes me romakët e pengoi Ap Klaudi, i pyetur nga mbreti: "Po Roma si ishte?" - u përgjigj: "Pashë qytetin e mbretërve". Pas kësaj tek Pirrua erdhën delegatë nga Siqelia, që t'i dorëzojnë atij pushtetin mbi gjithë ishullin, i cili po vuante nga luftërat e vazhdueshme me kartagasit. Për këtë arsye Pirrua, pasi la tek lokridasit birin e tij, Aleksandrin, dhe si i  siguroi qytetet aleate me garnizone të forta, e hodhi ushtrinë në Siqeli.

Libri XXIII

Po në këtë kohë Pirrua luftonte kundër romakëve. Kur sikulët, sikurse thamë më sipër, i kërkuan ndihmë, ai erdhi në Syrakuzë dhe u quajt mbret i Siqelisë dhe Epirit. I gëzuar nga ky sukses, ai ia caktoi mbretërinë e Siqelisë birit të tij Helenit, si trashëgim nga gjyshi (sepse Helenin e kishte nga e bija e mbretit Agathoki), kurse mbretërinë e Italisë, Aleksandrit . Pas kësaj ai bëri shumë luftëra me sukses kundër kartagasve. Si kaloi një kohë, tek Pirua erdhën delegatë nga aleatët e tij italikë me lajmin se ata nuk munden t'u qëndrojnë më romakëve dhe në qoftë se ai nuk arrin t'u vijë në ndihmë, do të dorëzohen. Pirrua u shqetësua nga rreziku që e kërcënonte nga të dy anët. Ai nuk dinte ç'të bënte dhe kujt t'i ndihmonte më parë, por lëkundej dhe nuk dinte çfarë vendimi të merrte, duke anuar herë nga një vendim, herë nga tjetri; meqenëse nga një anë e kërcënonin kartagasit, kurse nga ana tjetër romakët, i dukej se po të mos dërgonte ushtri në Itali ishte rrezik, kurse po të largonte ushtrinë nga Siqelia ishte edhe më rrezik; të mos u ndihmonte aleatëve do të thoshte t'i humbiste ata, kurse të braktiste Siqelinë do të thoshte ta humbte atë. Në këtë furtunë rreziqesh.

Pirros iu duk se më i sigurtë do të ishte ky vendim; të vinte në veprim të gjitha forcat e veta në Siqeli dhe, pasi të shkatërronte kargatasit, të transferonte ushtrinë fitimtare në Itali. Dhe kështu Pirrua u përlesh me kargatasit dhe i mundi ata; por meqenëse sipas kësaj ai u largua nga Siqelia, u duk sikur u mund dhe u dëbua; prandaj aleatët u shkëputën prej tij dhe ai e humbi pushtetin mbi Siqelinë po aq shpejt sa edhe e kishte fituar. Në Itali ai nuk pati fat më të mirë dhe u kthye në Epir. Të dy rastet mund të shërbejnë si një shembull për t'u admiruar. Në fillim fati e ndihmoi Pirron dhe në mënyrë krejt të papritur i dha pushtetin mbi Italinë e Siqelinë dhe një sërë fitoresh mbi romakët, kurse pastaj, sikur të donte të tregonte se sa delikat është fati i njeriut, u kthye kundër tijj dhe i shkatërroi të gjitha ato që kishte arritur, duke i shtuar katastrofës së Siqelisë shkatërrimin e anijeve në det, turpin e luftës pa sukses kundër romakëve dhe tërheqjen e turpshme nga Italia.

Libri XXIV

Galët u shtuan kaq shumë sa që nuk i nxinte më toka ku kishin lindur. Sipas zakonit të "pranverës së shenjtë" ata dërguan treqind mijë vetë për të kërkuar vende të reja për t'u vendosur. Një pjesë prej këtyre trenqind mijëve u ngul në Itali; ata edhe e dogjën kryeqytetin romak. Pjesa tjetër hyri në gjirin ilirik, duke ndjekur fluturimin e zogjve, (sepse galët janë më të zotët se gjithë të tjerët për të paraparë fatin me anën e fluturimit të zogjve) dhe pasi përshkuan tokat e fiseve barbare, u vendosën në Panoni. Ata janë një popull i ashpër, trim dhe luftëtar. Pasi nënshtruan banorët e Panonisë, ata për shumë vjet me radhë luftuan kundër fqinjëve. Pastaj, duke marrë guxim nga sukseset e tyre, u ndanë në grupe. Një pjesë sulmoi Greqinë, të tjerët Maqedoninë të cilën e shkatërruan me armët e tyre. Emri i galëve kalli kaq tmerr sa që edhe ata mbretër që nuk ishin sulmuar akoma e blenin paqen me shuma të mëdha të hollash. Vetëm mbreti i Maqedonisë, Ptolemeu, e priti i çkujdesur lajmin e afrimit të galëve... Ai u soll me përbuzje ndaj propozimeve të dardanëve, të cilët i çuan fjalë me anë të delegatëve, se mund t'i jepnin njëzet mijë luftëtarë në ndihmë dhe ai në mënyrë fyese u tha se kjo është punë e Maqedonisë; maqedonasit Jshtoi aiJ që nënshtruan gjithë Lindjen, nuk kanë nevojë që dardanët t'u mbrojnë kufijtë e tyre.

Ushtarët e tij janë bijtë e atyre që me Aleksandrin pushtuan botën dhe i bënë të gjithë tributarë të tyre. Kur ia thanë këto fjalë mbretit të dardanëve, ai u përgjigj se së shpejti mbretëria e lavdishme maqedonase do të bjerë nga papjekuria e një të riu të prapë.

Pas disa ditësh u bë lufta. Maqedonasit u mundën e u shpartalluan. Ptolemeu, i mbuluar në gjak, ra rob... Kur ky lajm u përhap, në gjithë Maqedoninë filluan të mbyllin portat e qyteteve; kudo ndiheshin vajtime; në një anë qanin bijtë e vrarë, në anën tjetër kishin frikë nga shkatërrimi i qyteteve... Por kur të gjithë ishin në dëshpërim, vetëm njëri nga prijësit maqedon Sostheni... mblodhi të rinjtë, frenoi galët e harbuar nga fitimet dhe mbrojti Maqedoninë nga armiqtë.

Libri XXV

Ndërsa po ndodhnin këto në Azi, Pirrua dështoi në Siqeli në një betejë detare me kartagasit dhe, nëpërmjet delegatëve, i kërkoi Antigonit, mbretit të Maqedonisë, përforcime, duke e kërcënuar se në qoftë se nuk do t'i dërgonte, atëherë Pirrua do të detyrohej të kthehej dhe do ta zgjeronte mbretërinë e tij në kurriz të Antigonit, gjë që më parë donte ta bënte me romakët. Kur delegatët u kthyen dhe i prunë përgjigje negative, Pirrua, nën pretekste të ndryshme, u largua me të shpejtë nga Siqelia.

Ndërkaq ai i urdhëroi aleatët e tij të përgatiteshin për luftë. Mbrojtjen e fortesës në Tarent ia besoi të birit, Helenit dhe mikut të tij Milonit. Me t'u kthyer në Epir sulmoi Maqedoninë. Antigoni i doli me ushtri përpara, por u thye dhe iku në rrëmujë. Kështu Pirrua zuri Maqedoninë, e cila iu dorëzua, dhe me këtë zëvendësoi humbjet që pësoi në Siqeli e Itali. Ai thirri edhe djalin e mikun që kishte lënë në Tarent. Kurse Antigoni me një njësi të vogël kalorësish, që e shoqëronin në tërheqje, pasi kishte humbur papritur të gjitha dhuratat e fatit, shkoi në Thesalonik me qëllim që të vëzhgonte që këndej, se si do të zhvilloheshin ngjarjet në mbretërinë e humbur dhe të rifillonte luftën me ndihmën e një ushtrie të mbledhur rishtas prej merenarësh galë. I thyer përsëri keqas nga i biri i Pirros, Ptolemeu, Antigoni, pas disfatës iku bashkë me shtatë shoqërues, pa ushqyer më shpresa për të rifituar mbretërinë e tij, duke kërkuar strehë që të fshihte kokën, si një i arratisur i vetmuar.

Kurse Pirros, pushteti i të cilit ishte rritur kaq shumë, pa u kënaqur me atë që i kishte caktuar fati, iu ngrit mendja të pushtonte Greqinë dhe Azinë. Dhe ai nuk dehej më pak nga lufta, se sa nga pushteti, dhe askush prej atyre që ai sulmonte nuk ishte në gjendje t'i qëndronte Pirros. Por aq sa ishte i pathyeshëm, kur i mundte mbretëritë, po aq shpejt i humbiste ato që kishte fituar; ai kujdesej më shumë për të marrë pushtetin, se sa për ta mbajtur atë. Dhe ja, kur Pirrua i shpuri ushtritë e tij në Peloponez, atë e pritën delegacionet e athinasve, ahejve, mesenasve; dhe gjithë Greqia priste ardhjen e tij, me një admirim të thellë ndaj emrit dhe heroizmave që ai kishte bërë kundër romakëve dhe kartagasve. Veprimet e para ushtarake i drejtoi kundër spartanëve. Këtu e pritën me një trimëri më të madhe gratë, se sa burrat dhe ai humbi të birin e tij Ptolemeun, bashkë me pjesën më të fortë të ushtrisë. Kur Pirrua filloi rrethimin e qytetit, për mbrojtjen e atdheut u mblodhën aq shumë gra, saqë ai u detyrua të tërhiqej, jo pse u mund, por prej turpit. Pastaj, thonë se i biri i Pirros, Ptolemeu, ishte kaq i rrëmbyer sa që qytetin Korkyra e mori me gjashtëdhjetë ushtarë; po ky, në një luftë detare, u hodh nga një varkë në një anije me pesë sërë lopatash vetëm me shtatë ushtarë dhe e kapi këtë anije. Në kohën e sulmit kundër spartanëve ai u fut me kalin e tij në mes të qytetit dhe u vra nga turma që u grumbullua atje. Kur trupin e tij ia prunë të atit, thonë se Pirrua tha që Ptolemeu vdiq më vonë se ç'kishte frikë ai dhe më vonë se sa pritej, po të gjykojmë nga trimëria e ti e papërmbajtur.

Pirrua i zmbrapsur nga spartanët iu sul Argos. Këtu, duke u munduar të kapte Antigonin, që ishte mbyllur në qytet, ra i goditur nga një gur që ia hodhën nga muri, kur po luftonte aty ku përleshja ishte ndezur më shumë. Kokën e tij ia prunë Antigonit, i cili e shfrytëzoi fitoren në mënyrë shumë të matur; të birin e Pirros, Helenin, që iu dorëzua së bashku me epirotët, ai e lejoi të kthehet në mbretërinë e tij dhe i dha me vete eshtrat e të atit që t'i çonte në atdhe. Të gjithë shkrimtarët janë thuajse njëzëri të mendimit se asnjë mbret, qoftë nga bashkëkohësit e Pirros, qoftë nga ata që kanë jetuar më përpara, nuk mund të krahasohet me të; rrallë mund të shihej, jo vetëm midis mbretërve, por edhe midis burrave të shquar, një njeri kaq pa të meta dhe kaq i drejtë. Aq mirë e njihte ai artin ushtarak saqë, duke luftuar me 5 Lysimahun, Demetrin, Antigonin, me këta mbretër të mëdhenj, ai dilte gjithmonë fitues, kurse në luftërat me ilirët, sikulët, romakët dhe kartagasit ai kurrë nuk u mund, por në pjesën më të madhe doli fitues. Atdheun e tij, një vend të vobektë dhe të padëgjuar, ai me lavdinë e heroizmave të tij dhe me shkëlqimin e emrit të tij, e bëri me të vërtetë të përmendur në të gjithë botën.

Libri XXVI

Por në kohën kur Antigoni ishte i zënë me këtë luftë!), mbreti i Epirit Aleksandri, duke dashur të hakmerret për të atin e tij, Pirron, filloi të shkretonte krahinat maqedonase. Kur Antigoni u kthye nga Greqia dhe filloi luftën kundër Aleksandrit, ushtarët e Antigonit kaluan në anën e armiqve dhe, së bashku me ushtrinë, ai humbi edhe mbretërinë maqedonase. I biri i tij Demetri, akoma i mitur, në mungesë të të atit mblodhi përsëri ushtri dhe jo vetëm rifitoi Maqedoninë, por i mori Aleksandrit dhe mbretërinë e Epirit. Kaq e madhe ishte paqëndrueshmëria e ushtarëve apo e fatit, sa që mbretërit aty i shihje të dëbuar e aty prapë mbretër.

Kështu Aleksandri që u arratis në Akamani u kthye përsëri në mbretëri /i ndihmuar/, jo më pak nga dëshira e epirotëve, se sa nga ndihma e aleatëve.

Libri XXVIII

Kur Olympia, e bija e Pirros, mbretit të Epirit, humbi burrin e saj, Aleksandrin, i cili në të njëjtën kohë ishte edhe vëllai i saj, ajo u bë tutore mbi dy bijtë që kishte prej tij, Pirron dhe Ptolemeun dhe mori përsipër drejtimin e shtetit. Në këtë kohë etolët donin të merrnin një pjesë të Akamanisë, të cilën i ati i fëmijëve e kishte marrë më parë si pjesë të plaçkës së luftës . Olympia iu drejtua për ndihmë mbretit të Maqedonisë Demetrit. Demetri kishte për grua motrën e Antiohut, mbretit të Sirisë, por Olympia i dha atij për grua të bijën Ftian, që me anë të krushqisë të merrte nga Demetri, për keqardhje, atë ndihmë që ai nuk kishte mundur ta merrte më parë...

Akamanët nga ana e tyre, duke mos pasur besim tek epirotët, kërkuan kundër etolëve ndihmën e romakëve. Ata arritën ta bindin senatin romak që të dërgonte delegatë për t'u thënë etolëve që të largojnë garnizonet e tyre nga qytetet e Akamanisë dhe t'i lënë të lirë ata, të cilët qenë të vetmit që nuk u dhanë ndihmë grekëve kundër trojanëve, prej nga rrjedhin romakët.

Ata /etolët/ i kthyen mbrapsht delegatët romakë... dhe filluan të shkretojnë tokat e Epirit dhe të Akamanisë.

Në këtë kohë Olympia ua kaloi drejtimin e punëve të shtetit të bijve; vëllanë që vdiq, Pirron, e pasoi në fron Ptolemeu. Në krye të një ushtrie të armatosur mirë, ai luftoi kundër armiqve, por i goditur nga një sëmundje, vdiq në kohën e fushatës.

Edhe Olympia, e pikëlluar në shpirt nga dy vdekje, jetoi e mjeruar vetëm pak 4 kohë pas vdekjes së të bijve. Prej gjithë fisit mbretëror mbetën vetëm dy vajza — Nereida me motrën e saj Laodamenë. Nereida u martua me Gelonin, birin e tiranit të Siqelisë, kurse Laodamea u vra nga populli tek altari i Dianës ku kishte vajtur për të shpëtuar. Perënditë e pavdekshme u hakmorën për këtë krim; fatkeqësi të njëpasnjëshme ranë mbi popullin /e Epirit/ dhe ai pothuajse u shfaros krejt; ata /epirotët/ vuajtën nga thatësira dhe uria, i brejtën grindjet e brendshme dhe, më në fund, thuajse u vranë krejt ndër luftërat me armiqtë e jashtëm. Kurse Miloni, vrasësi i Laodamesë, u bë si i çmendur dhe duke torturuar trupin e tij me hekur, me gurë dhe më në fund me dhëmbë, vdiq pas dymbëdhjetë ditësh.

Ndërkaq vdiq mbreti i Maqeodnisë Demetri, i cili la mbrapa një djalë të mitur, Filipin. Si tutor atij iu caktua Antigoni. Si u martua me të ëmën e fëmijës jetim, ai filloi të synonte për të marrë pushtetin mbretëror. Pas disa kohësh, kur ndodhi një kryengritje e madhe dhe Antigoni u rrethua në pallat nga kryengritësit, ai doli pa besnikët e tij në popull dhe si hodhi para turmës diademën dhe veshjen e purpurt, kërkoi që populli t'ia jepte ato një tjetri, i cili nuk do t'i urdhëronte për asgjë, ose njërit të cilit mund t'i bindeshin. Kurse ai, nga ky pushtet i urryer mbretëror, nuk gjente ndonjë kënaqësi, por kishte vetëm mundime e rreziqe. Pastaj u kujtoi të mirat që kishte bërë dhe se si kishte nënshtruar aleatët që ishin shkëputur, si qetësoi dardanët e thesalët, të cilët u gëzuan nga vdekja e Demetrit, se si ai jo vetëm mbrojti dinjitetin e maqedonëve, por e ngriti këtë edhe më lart. Në qoftë se ata nuk ishin të kënaqur prej gjithë këtyre, ai jepte dorëheqjen, sepse me sa duket, ata kërkonin një mbret, mbi të cilin do të mund të sundonin /dhe jo t'i sundonte/. Kur populli i turpëruar vendosi që Antigoni ta merrte prapë pushtetin, ai kundërshtoi derisa i dorëzuan shkaktarët e kryengritjes, për t'i dënuar.

Libri XXIX

Filipin e shqetësonin gjithnjë me sulmet e tyre dardanët dhe gjithë popujt e tjerë fqinjë; midis këtyre /popujve/ dhe mbretërve maqedonas ekzistonte, si të thuash, një urrejtje e pashuar, kurse Filipin ata /përveç kësaj/ e përbuznin për moshën e tij të re. Por Filipi pasi i dëboi armiqtë, nuk u mjaftua vetëm me mbrojtjen e tokës së vet por përpiqej të fillonte luftën me etolët.

Ndërsa Filipi po mendonte për këtë luftë, tek ai erdhi dhe filloi t'i lutej mbreti i ilirëve Demetri, i cili pak kohë më parë kishte pësuar disfatë nga konsulli romak Pauli. Demetri iu ankua për padrejtësitë e romake të cilët nuk kënaqeshin me Italinë por, të pushtuar nga një shpresë e paturpshme për të zotëruar gjithë botën, luftonin kundër të gjithë mbretërve. Kështu, pasi vendosën me çdo kusht sundimin mbi Siqelinë, Sardinien, Spanjën, më në fund mbi gjithë Afrikën, ata filluan luftën me  punët dhe Hanibalin. Edhe atë /Demetrin/ romakët e sulmuan vetëm sepse tokat e tij kufizoheshin me Italinë dhe me pretekstin se asnjë mbret tjetër s'kishte të drejtë të ekzistonte pranë kufijve të shtetit të tyre. Por edhe vetë Filipi duhej të shqetësohej për këtë sepse sa më e fortë dhe e nderuar të bëhej mbretëria e tij, aq më armiq të egër do të bëheshin për të romakët. Përveç kësaj Demetri i premtoi Filipit t'i linte mbretërinë e vet, të cilën e kishin pushtuar romakët, sepse atij do t'i vinte më mirë që atë ta zotëronte aleati i tij, se sa armiqtë. Me fjalë të tilla Demetri e shtynte Filipin të linte të qetë etolët dhe të fillonte luftën me romakët; ai mendonte se kjo do t’i kushtonte më pak telashe, sepse ai kishte dëgjuar se romakët ishin mundur nga Hanibali në liqenin e Trazimenit. Prandaj, që të mos i takonte të bënte njëkohësisht shumë luftëra. Filipi bëri paqe me etolët, pa lënë të kuptohet se do ta shpinte luftën në një vend tjetër, por gjoja nga kujdesi për t’i siguruar paqen gjithë Greqisë. /Filipi/ pohonte se Greqinë nuk e ka kërcënuar kurrë një rrezik i tillë /si tani/, sepse në perëndim janë ngritur dy fuqi të mëdha t reja, punët dhe romakët, të cilët vetëm një gjë i mabn nga sulmi kundër Greqisë dhe Azisë, lufta që bëjnë midis tyre për sundim. Ai që do të fitonte në këtë luftë do të nisej menjëherë për në Lindje.

Filipi e dinte se ata që tani haheshin midis tyre me një forcë kaq të madhe, nuk do të kënaqeshin vetëm me fitoren dhe se atë e kërcënonte lufta me atë që do të fitonte. Për këtë arsye Filipi, si mbaroi luftën me etolët, nuk mendonte për asgjë tjetër veç për luftën midis punëve dhe romakëve dhe peshonte forcat e secilit prej këtyre popujve veçmas. Por edhe romakët, megjithëse punët dhe Hanibali i kërcënonin drejtëpërsëdrejti, nuk e ndjenin veten të qetë nga Maqedonia. Ata i  frikësonte edhe lavdia e dikurshme e maqedonasve që nënshtruan Lindjen, dhe vetë Filipi që digjej nga dëshira për tia kaluar heroizmave të Aleksandrit dhe që ata /romakët/ e nihnin si luftëtar të zoti dhe njeri të veprimit.

Për të gjitha këto arsye Filipi, me la marë vesh se romakët u thyen nga kartagasit, u shpall si armik i romakëve dhe filloi të ndërtojë anije, për të hedhur me to ushtrinë në Itali. Pastaj ai dërgoi tek Hanibali një delegat me një letër, për të lidhur aleancë.

Ky njeri u kap dhe u pru para senatit, i cili e liroi pa i bërë asnjë dëm, /sigurisht/ jo prej nderimit ndaj mbretit Filip, por me qëllim që armiku, akoma i lëkundshëm, të mos bëhej armik i padyshimtë. Por pas disa kohësh, kur romakët mësuan se Filipi kishte ndërmend të dërgonte ushtri në Itali, nisën pretorion Levin, me anije të armatosura mirë që të pengonte këtë gjë. Levini si u hodh në Greqi i shtyu etolët, me premtime të shumta, të fillonin luftën kundër Filipit; Filipi, nga ana e tij, ngriti ahejt në luftë kundër romakëve. Ndërkaq dardanët filluan të shkretojnë tokat maqedonase dhe morën me vete njëzet mijë robër, gjë që e detyroi Filipin të tërhiqej nga lufta kundër romakëve dhe e vuri përpara domosdoshmërisë që të mbronte mbretërinë e vet. Ndërsa po ndodhnin këto ngjarje, pretori Levin bëri aleancë me mbretin Atal dhe filloi të shkretojë Greqinë. Të turbulluar nga këto fatkeqësi, shtetet greke filluan të dërgojnë tek Filipi delegacione pas delegacionesh, me lutje që t'i ndihmonte. Edhe mbretër ilirë nuk i pushonin lutjet e tyre dhe kërkonin pa u lodhur plotësimin e premtimeve. Duke u ndodhur në një gjendje të tillë të vështirë e të ndërlikuar, Filipi lëkundej kundër kujt të luftonte më parë. Megjithatë, ai u premtoi të gjithëve t'u dërgonte ndihmë së shpejti dhe këtë jo sepse ishte në gjendje ta plotësonte, por që t'i mbante me shpresë dhe t'i ruante si aleatë. Fushata e parë e tij, megjithatë, ishte ajo kundër dardanëve të cilët, duke pritur kohën kur Filipi do të mungonte, i kërcënonin maqedonasit se do t'u binin me forca të mëdha. Me romakët, të cilët u kënaqën që mundën ta largonin luftën me maqedonasit, ai bëri paqe.

Tani luftën ne nuk e bëjmë me Aleksandrin e Madh, për pathyeshmërinë e të cilit kushdo ka dëgjuar, dhe as me ushtrinë e tij që mundi gjithë Lindjen, por me Filipin që është një çunak i papjekur dhe që mezi mbron nga armiqtë kufijtë e mbretërisë së tij, dhe me ata maqedonas, të cilët ska shumë kohë që i grabitën dardanët.

info@balkancultureheritage.com